Shërbimi i frikshëm izraelit, si e rrëmbeu kriminelin SS nga Argjentina dhe e dënoi me varje
Mein Kampf
Fobia e Hitlerit ndaj izraelitëve
Holokausti është iniciativa më famëkeqe, për shfarosjen e njerëzve në historinë e botës. Hitleri në librin e tij “Lufta Ime” shënon se, raca gjermane është racë e pasardhëse e racës ariane (popull që ka jetuar shumë vite më parë-qytetërim i zhdukur tanimë) dhe racë e pastër, dhe si e tillë duhet ta sundojë botën... disa popuj duhet të zhduken nga faqja e dheut, hebrenjtë, romët dhe sllavët. Hitleri gjatë luftës se 2 botërore kishte krijuar shumë burgje dhe kampe përqendrimi. Kampet kishin filluar të hapen që nga viti 1940. Ndër kampet më të njohura ishin ; Kampi i Aushvicit, i Dahaut, i Mat'hauzenit, i Belsenit, i Firensburgut. Në këto vende ishin vendosur njerëz nga të gjitha vendet e pushtuara nga blloku nazi-fashist. Në këto kampe, u mbytën, u torturuan, dhe u bënë eksperimente të gjalla në fushën medicinale. Shumë sish për të mos parë skenat e tilla dhe për të mos përjetuar torturat e tilla bënë vetëvrasje.
Ana Frank
Në Belsen, nga Holanda, ishte depërtuar edhe 15-vjeçarja (hebreje) me familjen e saj 4- anëtarëshe. Ajo kishte mbajtur ditar gjatë kohës që ishte e izoluar në bodrumin e një firme në Belsen. Ajo gjithashtu, tregon torturat që ushtronin nazistët dhe rrethanat e kohës. Është i njohur “Ditari i Ana Frankut”.
Mbytja e njerëzve në dhomat me gaz
Nazistët kishin tubuar shumë njerëz në kampet e tyre. Vrasjet me bomba, armë zjarri, pushkatimet, mbytjet me tortura... ishin bërë të zakonshme. Tani terrori ndaj njerëzve në kampet e përqendrimit kishte ndërruar formën. Nazistët donin t’i mbysnin njerëzit pa lënë gjurmë. Prandaj, filluan asgjësimin e tyre nëpërmjet helmimit masiv në dhomat me gaz në shumicën e kampeve të përqendrimit. Mbytja me gaz vetëm brenda një dite arrinte deri në 20.000 njerëz. Trupat e pajetë të njerëzve hidheshin në furra me temperatura të larta, për të zhdukur çdo gjurmë. Shumica e këtyre njerëzve ishin hebrenj.
Statistikat e holokaustit
Në kampin e Aushvicit u vranë mbi 2.000.000 hebrenj. Përveç hebrenjve, në kampet e përqendrimit u vranë dhe u zhdukën edhe pjesëtarë të popujve të tjerë. Këtu numërohen rreth 2.600.000 polakë, 750.000 rusë, 750.000 rumunë, 402.000 hungarezë, 180.000 çekë dhe sllovakë, 108.000 holandezë, 104.000 lituanezë. Nga këto shënime del se hebrenjtë kishin pësuar më së shumti. Në disa vende të Evropës, popullsia vendase vetë i dorëzonte hebrenjtë në duar të nazistëve. Por pati popuj të atillë që i fshihnin dhe strehonin dhe i mbronin hebrenjtë. Shembulli më i njohur janë shqiptarët. Hebrenjtë në Shqipëri kaluan mirë dhe nuk përjetuan fatin tragjik të bashkëkombësve të tyre. Shqiptarët i mbrojtën aq shumë hebrenjtë sa që i mbajtën edhe në familjet e tyre. Kjo ndodhi në shumë qytete të Shqipërisë si në; Tiranë, Shkodër, Durrës, Vlorë, Krujë, Shkup, Prishtinë, etj..
HISTORIA/ Adolf Aishman, oficeri nazist SS, i cili organizoi “zgjidhjen përfundimtare të çështjes së hebrenjve”
HOLOKAUSTI
Shërbimi i frikshëm izraelit,
si e rrëmbeu kriminelin SS nga
Argjentina dhe e dënoi me varje
Në Tel Aviv, Izrael, Adolf Aishman (Adolf Eichmann), oficeri nazist SS, i cili organizoi “zgjidhjen përfundimtare të çështjes së hebrenjve,” dënohet me vdekje nga një Gjykatë e Krimeve të Luftës në Izrael. Aishman lindi në Solingen të Gjermanisë në vitin 1906. Në nëntor të vitit 1932, ai u bashkua me elitën e organizatës Naziste SS (Schutzstaffel), anëtarët e të cilës kishin kompetenca të plota në Gjermaninë Naziste, duke përfshirë policinë, inteligjencën dhe zbatimin e politikave anti-Semitiste të Adolf Hitlerit. Aishman u ngjit me vendosmëri në hierarkinë e SS, dhe me aneksimin e Austrisë nga Gjermania, në vitin 1938, ai u dërgua në Vjenë me misionin që të shpëtonte qytetin nga hebrenjtë. Ai ngriti një qendër efikase për dëbimin e hebrenjve dhe në vitin 1939 u dërgua në Pragë për të njëjtin mision. Atë vit, Aishman u emërua në seksionin e Hebrenjve në zyrën qendrore të SS në Berlin.
Në janar të vitit 1942, Aishman u takua me zyrtarët kryesor nazistë në Konferencën Vannsee afër Berlinit për propozimin e planit “zgjidhjen përfundimtare të çështjes së hebrenjve”, siç e quajti lideri nazist Herman Gering. Nazistët vendosën të asgjësonin popullsinë hebreje të Europës. Aishman u caktua për të koordinuar identifikimin, mbledhjen dhe transportin e milionave hebrenjve nga Europa e pushtuar për në kampet e vdekjes së nazistëve, ku hebrenjtë vriteshin me gaz ose punonin deri në vdekje. Ai e përmbushi këtë detyrë me pasoja të tmerrshme dhe rreth tre ose katër milion Hebrej vdiqën në kampet e shfarosjes përpara mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Përfshi dhe dy milionë të tjerë të ekzekutuar gjetkë.
Arratisja
Në vijim të luftës, Aishman u kap nga trupat amerikane, por ai u arratis nga një burg në vitin 1946 përpara se të përballej me Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Nuremberg. Aishman udhëtoi me një identitet të rremë nga Europa dhe Lindja e Mesme, dhe në vitin 1950 ai mbërriti në Argjentinë, e cila kishte politika toleruese dhe ishte një vend i sigurt për shumë nazistë, kriminelë lufte. Në vitin 1957, një prokuror gjerman fshehurazi informoi Izraelin që Aishmani jetonte në Argjentinë. Agjentët e Shërbimit Sekret të Izraelit, Mossad, u pozicionuan në Argjentinë dhe në fillim të vitit 1960 lokalizuan Aishmanin që jetonte në seksionin e San Fernandos në Buenos Aires nën emrin e Rikardo Klement.
Ekstradimi
Në maj të vitit 1960, Argjentina po festonte 150 vjetorin e revolucionit kundër Spanjës dhe shumë turistë, nga jashtë vendit, po udhëtonin për në Argjentinë për të marrë pjesë në festime. Mossad përdori mundësinë për të futur më shumë agjentë në vend. Izraeli, duke e ditur se Argjentina nuk do ta ekstradonte kurrë Aishmanin për gjykim, kishte vendosur ta rrëmbente atë dhe ta çonin ilegalisht në Izrael. Më 11 Maj, operativët e Mossad zbritën në Rrugën Garibaldi në San Fernando dhe e kapën Aishmanin ndërkohë që ai po ecte nga autobusi për në shtëpinë e tij. Familja e tij telefonoi spitalet e vendit por jo policinë dhe Argjentina nuk dinte asgjë për operacionin. Më 20 maj, Aishmanin e droguar e larguan nga Argjentina të maskuar si një punonjës i linjës ajrore të Izraelit i cili kishte pësuar traumë në kokë nga një aksident. Tri ditë më vonë, Kryeministri Izraelit David Ben-Gurion anonçoi se Aishman ishte arrestuar nga Izraeli.
Akuzat
Argjentina kërkoi rikthimin e Aishmanit, por Izraeli argumentoi se statusi i tij si një kriminel ndërkombëtar lufte i jepte atyre të drejtën për të zhvilluar gjykimin. Më 11 prill 1961, gjyqi i Aishmanit filloi në Jeruzalem. Ishte gjyqi i parë televiziv në histori. Aishman u përball me 15 akuza, përfshirë krime kundër njerëzimit, krime kundër popullit hebre dhe krime lufte. Ai deklaroi se thjesht kishte zbatuar urdhrat, por gjyqtarët kundërshtuan, duke e shpallur, më 15 dhjetor, fajtor për të gjitha akuzat dhe duke e dënuar me vdekje. Më 31 maj 1962, ai u var pranë Tel Avivit. Trupi i tij u dogj dhe hiri u hodh në det.
Shqiptarët dhe izraelitët
Në Shqipëri nuk u dorëzua asnjë hebre në dorë të nazistëve
Shqipëria dhe shqiptarët, ndryshe nga vendet e tjera të Europës, gjatë kësaj periudhe, ndihmuan dhe strehuan shumë familje hebrenjsh nga vende të ndryshme si Gjermania, Austria, Greqia, Italia, Bullgaria, Serbia etj. Nëpërmjet dokumenteve të kohës, është bërë e ditur tashmë ndihma e shqiptarëve, pa dallim feje, dhënë hebrenjve. Gjatë viteve 1933-1939 shumë persona me origjinë hebreje iu dha nënshtetësia shqiptare si: albanologut të njohur Norbert Jokl, kurse të tjerë morën leje pune e banimi. Konsullatat shqiptare ne Europë, në Hamburg, Vjenë, Bari, Beograd etj, pajisën shumë hebrenj me viza"turistike„ duke i ndihmuar ti shpëtonin persekutimit nazist. Edhe gjatë viteve të luftës kur Shqipëria ishte e pushtuar nga Italia fashiste dhe më pas nga ushtria gjermane, hebrenjtë u mbrojtën nga shqiptarët.
Nga: Shirley Cloyes DioGuardi,
Këshilltare e Çështjeve Ballkanike e LQSHA
Ka shumë pak njerëz që kanë njohuri për historikun e gjatë të tolerancës fetare shqiptare dhe rezistencën e tyre ndaj shtypjes. Këta njerëz nuk kanë njohurinë më të vogël se gjatë Luftës së Dytë Botërore, të gjithë hebrenjtë që jetonin në Shqipëri dhe ata që kishin arritur të shkelnin dhe të kërkonin strehë në këtë tokë i shpëtuan zhdukjes nga Holokausti. Këto informata u ndrydhën e shtypën nga regjimi komunist - stalinist i Enver Hoxhës, i cili e sundoi Shqipërinë për një gjysmë shekulli. Kur hebraikët evropianë filluan të iknin nga vendet e tyre në drejtim të Shqipërisë, me qëllim që t’i shpëtonin asaj që po shpalosej para syve të tyre në Evropën Perëndimore në fillim të viteve të tridhjeta, në Shqipëri jetonin rreth 200 hebrenj. (Të dhënat arkeologjike dokumentojnë praninë e hebrenjve në tokat shqiptare që nga epoka e sundimit romak). Në fund të Luftës së Dytë Botërore, në Shqipëri jetonin afër 2000 hebrenj, i vetmi vend që mund të pohojë me të drejtë se brenda kufijve të tij i kishin shpëtuar Holokaustit të gjithë hebrenjtë.
Njëri ndër dëshmitarët mosekzistimit të antisemitizmit në Shqipëri ishte Herman Bernshtajn, edhe vetë hebre, i cili ishte ambasador i ShBA-ve në Shqipëri nga viti 1930 deri në vitin 1933. Në letrën e tij Bernshtajn shkruante se: “Në Shqipëri nuk gjen dot as edhe një gjurmë të vetme të çfarëdo diskriminimi kundër hebrenjve, për arsye se Shqipëria është njëri ndër vendet e rralla në Evropën e ditëve të sotme ku nuk ekzistojnë paragjykimi dhe hasmëria fetare, megjithëse shqiptarët vetë janë të ndarë në tri fe ...” – botuar në “The Jewish Daily Bulletin“, Nju-Jork, vëllimi XI, nr. 2821, 17 prill 1934. Njëri ndër faktorët që ndikuan në këtë argument të mrekullueshëm ishte fakti se shqiptarët ishin të izoluar nga antisemitizmi i institucionalizuar shekullor i Evropës Perëndimore. Mirëpo, arsyeja kryesore pse shqiptarët i mbrojtën dhe i shpëtuan hebrenjtë ishte historia e tyre e tolerancës fetare e mbështetur në Kanun dhe në kodin e tij bazë të “Besës”. Mehmet Hysref Frashërit, pasardhës i njërës prej familjeve më me ndikim në historinë politike të Shqipërisë, i cili i shpëtoi hebrenjtë nga Holokausti nazist, thotë se “Shqiptarët nuk ishin të befasuar; ata kanë menduar dhe mendojnë se shpëtimi i hebrenjve ishte veprim normal”. Deklaratës së tij i bën jehonë Beqir Qoqja, plaku nëntëdhjetetrevjeçar, i cili edhe sot e kësaj dite jeton në po atë shtëpi në të cilën familja e tij e kishte strehuar Avraham Elisaf-in (Avraham Gani), nga viti 1943 deri në vitin 1944. “Gjithë jetën kam qenë mysliman i përkushtuar”, - i ka deklaruar Qoqja një fotoreporteri të arteve të bukura në një intervistë në vitin 2004. “Nuk bëmë asgjë të veçantë; hebrenjtë i kemi vëllezër e motra”.
-
523 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version
- Fatos Nano drejt PS-së
- Flet astrologia Meri Shehu
- Dashuri engjëjsh
- Sondazhi në "Telegraf"
- Shpallen personalitetet e vitit 2010 në “Telegraf”, Ja më të preferuarit e publikut shqiptar



Publikoni komentin tuaj