Suplementi Drejtësia Shqiptare
Sanksione shtesë, për piratet e së drejtës së autorit
INTERVISTA/ Flet Dr.Zhaklina Peto: “Ligj i ri për të mbrojtur autorët, situata reale në Shqipëri”
Megjithëse është folur shumë në parim për rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të autorit, Shqipëria sërish renditet ndër vendet problematike përsa i përket kësaj të drejte. Shqetësimet mbi abuzimin me pronësinë intelektuale kanë ardhur si nga organizatat monitoruese ashtu edhe nga ekspertë të fushës. Madje së fundmi, ishte vetë, Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, z. Ettore Sequi, që ngriti zërin për një mbrojtje më efektivave ndaj të drejtës së autorit. Në një shoqëri me pak kulturë në fushën e pronësisë intelektuale, vendi ynë ishte shndërruar rishtazi në një oaz për të gjithë piratët, të cilët abuzonin me çdo formë me punën e shkrimtarëve, kompozitorëve etj. Madje, media, e shkruar dhe elektronike vijon të jetë “ushqyese” e fenomenit të abuzimit me të drejtën e autorit. Por një lajm i mirë vjen nga Doktoria e Shkencave juridike, pedagogia e së drejtës dhe autorja e disa librave, znj. Zhaklina Peto. Në një intervistë dhënë për suplementin “Drejtësia Shqiptarë” znj. Peto deklaron se një projekt-ligj i ri është gati për t’u miratuar, i cili mbron më efektivisht të drejtën e autorit, e kjo shtuar me sanksione të reja në Kodin Penal. Madje, këtyre ndëshkimeve nuk do tu shpëtojnë edhe të gjithë gazetarët apo mediat që abuzojnë me këtë drejtë. Ekspertja e së drejtës së autorit, znj.Peto, kalon në skaner për “Telegraf” të gjithë situatën aktuale si edhe ndryshimet e ardhshme ligjore.
Znj. Peto, ditët e fundit, kreu i misionit të BE-së në Tiranë, z. Sequi, deklaroi se Shqipëria është ndër vendet më problematike përsa i takon shkeljes së të drejtës së autorit. Në vlerësimin Tuaj të përgjithshëm si paraqitet situata në vendin tonë?
Është e vërtetë që Shqipëria paraqitet me vështirësitë e saj në këtë fushë, jo vetëm sa i takon aspekteve të zbatimit apo legjislacioni, por sidomos edhe sa i takon sensibilitetit që kjo fushë krijon. Konceptet e mbrojtjes së të drejtave të autorit dhe te drejtave të tjera të lidhura në Shqipëri kanë filluar të dëgjohen e të përpunohen vetëm pas viteve ‘90, pra pas rënies së komunizmit. Shqipëria është një vend, ku mbrojtja edhe respektimi i këtyre të drejtave nuk ka ekzistuar dhe rrjedhimisht dhe tradita në këtë fushë ka munguar. Këto janë elementë të cilët e vështirësojnë të gjithë procesin. Por nga ana tjetër Shqipëria ka detyrimin e garantimit të këtyre të drejtave, detyrim ky i cili vjen edhe nga angazhimet politike të saj në procesin e integrimit të vendit, por edhe si një politike e saj për të nxitur e promovuar kulturën tonë kombëtare. Ka qenë pikërisht kjo arsyeja që në shtator të vitit 2010 është miratuar me Vendim të Këshillit të Ministrave edhe Strategjia Kombëtare (SKIP) për Zbatimin të drejtave të Pronësisë Intelektuale për periudhën 2010-2015. Qëllimi i SKPI është të sigurojë një nivel të njëjtë mbrojtjeje të të drejtave të Pronësisë Intelektuale me atë të vendeve të Bashkimit Europian. Duke ju referuar MSA-së kjo duhet të ndiqet e arrihet me një harmonizim të kuadrit ligjor dhe kapaciteteve administrative në një sistem të të drejtave të Pronësisë intelektuale dhe Industriale. Në këtë kuadër, si përgjigje ndaj shkallës së zhvillimeve ekonomike dhe tregtare dhe në frymën e procesit të integrimit në BE, nevojitet dhe lind nevoja të ndërmerren masat e nevojshme dhe efektive për përmirësimin e sistemit të pronësisë intelektuale. Kjo strategji përcakton lidhjen e secilit institucion në procesin e zbatimit të këtyre të drejtave, si dhe përcakton plane pune konkrete me aktivitete respektive për t`u zbatuar. Gjithashtu një lidhje tjetër të drejtpërdrejtë kanë dhe organet tatimore në këtë proces, qoftë si forcë ekzekutuese e gjobave por edhe si kontribuuese në procesin e informimit të subjekteve tatimpaguese. Vetëdija jonë qytetare na bën të kuptojmë se, produkti i mendjes së mijëra vlerave artistike shqiptare, por edhe atyre të huaj, duhet respektuar e mbrojtur në këtë vend.
Nga e drejta e autorit, shpesh herë jemi të prekur edhe ne si media, duke abuzuar e përdorur pa leje, materiale, botime, e intervista. A mendoni se ka ardhur koha që të ndëshkohen të gjithë mediat që shkelin këtë të drejtë?
Nga njohuritë e mia dhe informacioni që kam nga institucionet e ngarkuara me ligj për zbatimin e ligjit të të drejtave të autorit, kategoria e mediave, radio-televizive është kategoria e subjekteve përdorues më të mëdhenj, të cilët abuzojnë shumë me zbatimin e këtij ligji në programet e tyre që përcjellin në publik. Këto operatorë përfshirë dhe radiotelevizionin publik ende nuk garantojnë në veprimtarinë e tyre pagesën e të drejtave të autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me të për produktin artistik e intelektual që transmetojnë. Sigurisht që këto operatorë duhen ndëshkuar dhe mendoj që me kuadrin e ri ligjor që është përgatitur sikundërse përmenda më sipër, do të kemi masa efektive për ti detyruar vërtet këto subjekte të ushtrojnë një aktivitet të ligjshëm në këtë fushë.
- Ju faleminderit!
A duhet të rritet mosha e pensionit?
Pas kërkesave të shumta të ardhura në redaksinë e “Telegraf” me pyetje nga qytetarët ku kërkohej mendimi i ekspertëve nëse skema e sigurimeve shoqërore duhet të ndryshojë në Shqipëri ose jo, a është efiçente ajo, a duhet të rritet mosha e pensionit dhe me ç’mekanizma ligjorë mund të shmanget puna e zezë në Shqipëri, ne ju drejtuam autores së librit “Sigurimet Shoqërore”, pedagoges të së drejtës, Dr. Zhaklina Peto. Në kuadër të intervistës për “Drejtësia Shqiptare” znj. Peto analizon skemën aktuale si edhe jep qëndrimin e saj mbi moshën e daljes në pension.
Znj. Peto Skema aktuale ka patur kritika të shumta, a mendoni se ajo është në gjendje efiçente për të përmbushur qëllimin e saj, apo ka ardhur koha për rishikimin e legjislacionit?
Skema aktuale e Sigurimeve Shoqërore ka funksionuar kënaqshëm referuar nivelit ekonomik të vendit tonë që pas periudhës së komunizmit. Funksionimi i kësaj skeme është i lidhur ngushtësisht me zhvillimin ekonomik të vendit. Ne nuk mund të mohojmë faktin se ekonomia jonë ka pasur rritje graduale këto vitet e fundit, e cila shoqërohet dhe me rritje të kontribuuesve të skemës së sigurimeve shoqërore. Rritja e numrit të kontribuuesve nga njëra anë do të thotë më shumë para në fondin e Sigurimeve Shoqërore dhe nga ana tjetër siguri pagesash në drejtim të subjekteve përfitues. Kjo skemë funksionon sipas parimit "pay as you go", i cili do të thotë që brezi i sotëm i të punësuarve mbulon me pagesa përfituesit aktual, duke realizuar kështu solidaritetin social ndërmjet brezave. Unë mendoj se, formula ekonomike e kësaj skeme është e ngjashme me atë të shumë vendeve europiane, të cilat e kanë adoptuar atë në bazë të nivelit ekonomik. Gjithashtu, kontrolli i kësaj skeme nga ana e shtetit dhe subvencionimi i saj nga buxheti i shtetit kur vendi goditet nga krizat ekonomike, krijon garanci për pagesat e përfituesve. Unë mendoj se, kjo skemë do të ishte ideale nëse nuk do të kishte rrjedhje kontributesh nga disa fenomene negative si: "puna e zezë" dhe "puna gri". Mendoj se, eliminimi minimal i mundshëm i këtyre fenomeneve do të krijonte fuqizim të skemës dhe si pasojë skema do të arrinte që me fondet e saj pa pasur nevojën e subvencionit shtetëror, të realizoje parimin e garancisë së pagesave pse jo dhe rritjen e tyre.
Është diskutuar nga ana e ekzekutivit për një rritje të mundshme të moshës së daljes në pension. Në vlerësimin Tuaj, a është momenti i duhur dhe a duhet të merret ky hap nga qeveria shqiptare?
Për mendimin tim ky është një hap i shpejtë për disa arsye: - Një numër i konsiderueshëm i fuqisë punëtore aktuale janë të munduar nga puna, kjo për faktin se ata i përkasin atij brezi ku kushtet e punës kanë qenë minimale duke ezauruar fuqinë e tyre për punë deri 65 vjeç e jo më 70-të. Arsye tjetër është zëvendësimi i fuqisë punëtore. Vendi ynë konsiderohet si një vend me një popullsi të re, kjo do të thotë që numri i punë kërkuesve është në rritje më shume se sa vendet aktuale të punës. Për këto arsye mendoj se do të duhet të krijohet stabilitet i tregut të punës.
Shumë shqiptarë vijojnë të punojnë në të zezë, duke mos paguar edhe detyrimet respektive përsa i takon sigurimeve shoqërore. A mendoni se duhet të ndërmerren nisma ligjore për të ulur sa të jetë e mundur këtë fenomen?
Për fat të keq puna e zezë vazhdon të mbetet një fenomen negativ, i cili prek shoqërinë tonë. Duhen bërë përpjekje maksimale që ky fenomen të eliminohet. Por duhet thënë se eliminimi i këtij fenomeni nuk mund të zgjidhet plotësisht vetëm me forcën e shtetit edhe ndërgjegjësimi i individëve është një element i rëndësishëm. Të gjithë duhet të ndërgjegjësohemi se puna e zezë na lë të pa mbrojtur kur prekemi nga ngjarje sociale si: sëmundje, aksidente në punë, mosha e vjetër, barrë-lindja dhe papunësia. Për këto arsye çdokush duhet të jetë i ndërgjegjshëm se një pagese nga sigurimet shoqërore sado e vogël është më mirë se të mos e kesh fare.
Gati projekligji i ri
Sa i takon zbatimit të të drejtave të autorit dhe të drejtave të lidhura, që pas hyrjes në fuqi të ligjit nr. 9380, dt. 28.04.2005 “për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura”, të ndryshuar, që nga momenti i krijimit me VKM-së nr. 232, dt.19.04.2006 „Për krijimin dhe funksionimin e ZSHDA,( ngritur ne prill 2007) megjithëse me një staf minimal inspektorësh të tregut 3 në Tiranë dhe 2 në qarqet Durrës dhe Elbasan, situata e zbatimit të këtyre të drejtave është ende në nivele të ulëta, jo vetëm të njohjes dhe respektimit të tyre nga subjektet e ligjit, po aq sa përkundër saj kemi një pirateri në nivele të larta dhe shkelje të këtyre të drejtave. Hartimi dhe funksionimi në praktikë i dispozitave ligjore përkatëse penale është një nga elementet kyç për të dëshmuar se vendi ynë është i angazhuar seriozisht në plotësimin e standardeve dhe detyrimeve që lindin nga anëtarësia në organizma si Këshilli i Europës, Organizata Botërore e Tregtisë, por edhe nga disa Direktiva te BE-së si: Direktiva 2001/29/EC e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit, datë 22 maj 2001, për harmonizimin e disa aspekteve të së drejtës së autorit dhe të drejtave të lidhura me të në shoqërinë e informacionit ; Direktiva 2001/84/EC e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit, datë 27 shtator 2011, për të drejtën e rishitjes së një vepre origjinale arti në përfitim të autorit; Direktiva 2004/48/EC e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit, datë 29 prill 2004, për zbatimin e të drejtave të pronësisë intelektuale. Në këtë kuadër, nga Zyra e te Drejtave te Autorit është punuar për hartimin e dispozitave të reja ligjore, shtesë në Kodin Penal, për të reflektuar përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga marrëveshjet e direktivat e lartpërmendura, por njëkohësisht edhe për të reflektuar mangësitë e zbatimit të ligjit në praktikë. Ky draft i është paraqitur Ministrisë së Drejtësisë për të vijuar më tej me procedurat e konsultimit dhe miratimit të tij në Parlament. Paralelisht, është hartuar dhe është duke përfunduar, drafti i ligjit të ri “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura”, i cili do të niset për mendim në institucionet e interesuara, i cili është asistuar nga ekspertët me të shquar të Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale dhe të Projektit që Zyrës Shqiptare të Drejtave të Autorit ka përfituar nga BE “Asistenca teknike për forcimin e fuqizimin e kapaciteteve të ZSHDA, të cilët kanë dhënë ndihmën dhe eksperiencën e tyre edhe në hartimin e propozimeve që po ju paraqiten për amendimet e disa dispozitave të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Detyrimi për transpozimin dhe zbatimin e direktivave apo edhe detyrimin e zbatimit të Marrëveshjes TRIPS, të nënshkruar nga vendi ynë buron nga neni 73 i marrëveshjes se Stabilizim- Associmit me Bashkimin Evropian dhe draft ligji i ri i përgatitur përmbush tërësisht këtë detyrim. Me miratimin e këtij projektligji dhe të ndryshimeve të Kodit Penal, synohet që të garantohet niveli i duhur dhe i kërkuar, i zbatimit të këtyre të drejtave si një domosdoshmëri për arritjen e standardeve të BE-së nga vendi ynë. Pas miratimit të këtyre akteve mendoj që do të ketë një kuadër të plotë dhe efikas për mbrojtjen dhe zbatimin e të drejtave të autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me të .
Shqipëria dhe E drejta e Autorit
-"Ne vëmë re një progres të varfër në përafrimin e legjislacionit me Bashkimin Europian në fushën e të drejtave të autorit dhe sa i takon mbrojtjes së pronësisë industriale, Shqipëria duhet ende të përmbushë detyrimet e Marrëveshjes se Asociim-Stabilizimit", tha ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Ettore Sequi.
- Është duke përfunduar Draft-Ligji i ri “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura”
- Janë gati ndryshimet në Kodin Penal me sanksione të reja për të gjithë abuzuesit
-
193 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version
- Fatos Nano drejt PS-së
- Flet astrologia Meri Shehu
- Dashuri engjëjsh
- Sondazhi në "Telegraf"
- Shpallen personalitetet e vitit 2010 në “Telegraf”, Ja më të preferuarit e publikut shqiptar



Publikoni komentin tuaj