Hyrje | Suplementi | Suplementi Drejtësia Shqiptare

Suplementi Drejtësia Shqiptare

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

Flet ARTAN LAZAJ:Reforma në drejtësi dhe etika në gjyqësor. Jani Papandili: Masat për uljen e kriminalitetit

 

 

 

 

 

 

Ai e njeh mirë problematikën me të cilat hasen çdo ditë gjykatat tona. Si ish -kreu i Gjykatës së rrethit Gjyqësor Gjirokastër, njeh në themel çdo problem, çdo shqetësim të gjyqtarëve, por edhe qytetarëve mbi zhvillimin e seancave gjyqësore. Ankimet e qytetarëve se, proceset nuk zhvillohen në orar, se nuk respektohet solemniteti apo që zhvillohen me probleme procedurale shpesh herë janë përkrahur edhe në rreshtat e raporteve të partnerëve ndërkombëtarë. Teksa politika ka nisur debatet për reformën në drejtësi, z. Artan Lazaj në një intervistë për “Telegraf”, parashtron një aspekt thelbësor që duhet të prekë kjo reformë. Si ta bëjmë gjyqësorin më transparent, më të kontrollueshëm e si të ulim ndjeshëm problemet në të. Me eksperiencën e tij në gjyqësor, ai jep idenë se të gjithë seancat duhet të regjistrohen dhe se me këtë sistem të ri shumë problemeve do ti vihet kapak. Por realisht çfarë do të fitojë gjyqësori, gjyqtarët, prokurorët, avokatët dhe vetë qytetarët nga ky sistem. Në intervistën për suplementin “Drejtësia Shqiptare”, z. Lazaj shpjegon avantazhet e regjistrimit të seancave dhe se si të gjithë të kemi gjyqësorin që dëshirojmë.

 

Seancat e regjistruara/ Ja përfitimet

*Nuk mund të ndryshohen abuzivisht proces-verbalet apo vendimet e ndërmjetme

*Seancat do të zhvillohen në orarin e caktuar dhe në sallën e caktuar

*Do të shkurtohet koha e zhvillimit të seancës gjyqësore

*Do të respektohen parimet procedurale të gjykimit

*Kontroll i shpejtë dhe efektiv nga Inspektoratet e KLD-së dhe të Ministrisë së Drejtësisë

*Gjyqtarët do të jenë të mbrojtur nga kërcënimet në sallën e gjyqit

*Seancat e hapura dhe me akses nga të gjithë

-Respektimi i parimeve procedurale/ Jo më pretendime për ndryshime të procesverbaleve

 Ky sistem do të bëjë të mundur që parimet procedurale të drejtimit dhe përfundimit të seancës të respektohen besnikërisht nga gjyqtarët. Shpeshherë palët gjyqësore ankohen në shkallët më të larta të gjykimit apo në sistemet e kontrollit të gjyqësorit se, është ndryshuar proces-verbali i seancës apo në ndonjë rast janë zëvendësuar vendime të ndërmjetme kyç për zgjidhjen e çështjes. Këto dhe të tjera pretendime është e vështirë të vërtetohen pasi e vetmja provë është ky procesverbal dhe me këtë sistem aktual është e thjeshte të manipulohet.

-Z Lazaj para se, të hyjmë në tematikën për të cilën do të bisedojmë, çfarë do të parapëlqenit si simbol për drejtësinë shqiptare?

Besoj, që shumica e gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë në zyrat e tyre duhet që të kenë një dhuratë të hershme të Departamentit Amerikan të Drejtësisë,një simbolikë e thjeshtë. Është një kub, ku në një faqe është stema e flamurit shqiptar, ndërsa në faqen përballë një postulat shumë i njohur ”Drejtësia e njëjtë për të gjithë”. Kjo simbolikë për gjyqtarët dhe prokurorët shqiptarë në atë kohe nga ata amerikanë ka një mesazh: ”Drejtësia është guri i themelit për një shtet”,si ai guri në formën e atij kubi me forma mrekullisht të rregullta. Studentët e Drejtësisë, të gjithë ata që punojnë dhe japin kontribute në këtë sistem, por dhe i  gjithë publiku i gjerë e kanë shumë të qartë një nga parimet themelore të Drejtësisë: “Drejtësia jo vetëm duhet të jetë e qartë por dhe të duket si e tillë”. Ndaj dhe unë në këtë intervistë do të trajtoj aspektin e dytë të këtij parimi, se sesi duhet ta bëjmë procesin gjyqësor, ku prodhohet drejtësia sa më të dukshëm dhe transparent, gjë që, patjetër ka një ndikim të madh dhe në përmbushjen e pjesës së parë të këtij parimi.

-Z. Lazaj, të gjithë jemi dëshmitarë se gjatë seancave gjyqësore hasen probleme të shumta, duke nisur nga problemet e solemnitetit tek respektimi i orarit apo edhe parimi i transparencës. Në vlerësimin tuaj si paraqitet situata aktualisht?

Dihet që në parimet procedurale të zhvillimit të një seance gjyqësore gjykata e ka të detyruar, që këtë proces ta bëjë transparent. Për këtë, seancat gjyqësore bëhen me dyer të hapura duke i krijuar akses të drejtpërdrejtë palëve dhe publikut dhe mbahet një procesverbal ku duhet të pasqyrohen të gjitha ato që ndodhin në seancë. Mirëpo a ndodh që ky rregull të përmbushet besnikërisht nga gjyqtarët? Unë mendoj se në disa raste sa për paaftësi të disave, sa për neglizhencë, kushtet e zhvillimit të seancave në zyra nga ngarkesa e madhe të seancave moszbatimit rigoroz të orarit të seancës, etikës gjyqësore, procedurës etj, ndodh që shpesh të prodhohen procese të dobëta gjyqësore, duke bërë që drejtësia të duket keq.

-Në ç’mënyrë mund të korrigjohet ky fenomen?

Ka ardhur koha, që ajo që ndodh në procesin gjyqësor të jetë plotësisht e dukshme në të gjithë shkallët e zhvillimit të saj, një lëvizje revolucion, që siç do ta quante ish- nën/kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, z.Ilir Panda kur ja ka prezantuar si ide, për Gjykatën e Shkallës së Parë Gjirokastër, por që fatkeqësisht edhe pse e përkrahur si ide ,nuk u realizua për mungesë fondesh. Është një ide e thjeshte, që seancat gjyqësore të regjistrohen detyrimisht audio dhe video, duke instaluar në të gjitha gjykatat e vendit sisteme të tilla moderne të lidhura me njëra-tjetrën me dixhitalizim, duke i dhënë akses në të njëjtën kohë çdo të interesuari, KLD-së dhe inspektoratit të saj, Ministrisë së Drejtësisë dhe inspektoratit të saj si  edhe kujtdo që të ketë akses të drejtpërdrejte në të njëjtën kohë duke ruajtur pavarësinë e këtij sistemi. Nëse do të detyrohen me ligj, gjyqtarët të zhvillojnë seancat gjyqësore në këtë mënyrë, atëherë palët do ta merrnin të regjistruar në çdo kohë seancën gjyqësore duke rritur shkallën e shërbimeve ndaj publikut.

-Mendoni se adoptimi i sistemit që do të regjistronte me audio dhe video të gjithë seancat gjyqësore do të shkurtonte kohën e gjykimit?

Në qoftë se do të ndodhë kjo, atëherë seanca gjyqësore do të zhvillohet në mënyrë të natyrshme, duke i dhënë debatit gjyqësor një shpejtësi normale, duke ulur ndjeshëm shpejtësinë e zhvillimit të këtij debati dhe rritur ndjeshëm cilësinë e kësaj seance, e duke zvogëluar njëherazi edhe kohën e zhvillimit të saj. Për këtë, mjafton të kujtojmë se deri sot proces-verbali i seancës gjyqësore mbahet me shkrim, duke e ulur ndjeshëm shpejtësinë dhe rendimentin e punës, e duke bërë që një seancë që me sistemin aktual mund të zgjasë me shumë orë, me sistemin e ri të zgjasë në një kohë shumë më të shkurtër duke kursyer kohë dhe duke i dhënë debatit gjyqësor pamje normale.

-Problemi i solemnitetit dhe i zhvillimit të seancave në sallat e gjyqit ka qenë shpesh herë objekt i raporteve të BE-së mbi gjyqësorin shqiptar. Sa do të ndikonte adoptimi i këtij sistemi në zgjidhjen e këtij problemi?

Ky sistem do të bënte që seancat gjyqësore të detyroheshin të bëheshin të gjitha në sallën e gjykimit, sepse aty do të jetë e instaluar dhe aparatura e nevojshme. Duhet të kujtojmë që sistemi gjyqësor shqiptar shpesh kritikohet nga faktorë të brendshëm dhe të jashtëm, për zhvillimin e seancave gjyqësore në zyra duke ulur shumë treguesit e cilësisë dhe transparencës së saj.  Njëkohësisht, ky sistem do të bënte që seancat gjyqësore të zhvillohen në orarin e caktuar, pasi duke pasur aksesin direkt Inspektoratet e Kontrollit të Sistemit të Drejtësisë, do të kontrollonin direkt zbatimin e këtij orari, e duke e rritur në fund të fundit dhe komoditetin dhe cilësinë e punës së tyre. Shpeshherë sistemi i gjykatave është kritikuar se palët i sorrollasin ambienteve të gjykatës, ngaqë seancat gjyqësore zhvillohen jo në orarin e caktuar. Ky sistem do të ulë ndjeshëm kohën e zhvillimit të seancës, rrit kontrollin e inspektorëve dhe arrin rezultatin, që nëpërmjet këtij presioni pozitiv të bëjë të mundur të zhvillohet çdo seancë në orën e caktuar. Shumë thjeshtë, inspektori me anë të listës së gjykimeve shikon  nëse gjykimi ka nisur në orën e caktuar e në  sallën e caktuar,  kjo parë nga sistemi i kamerave. Kështu, nëse gjyqtari X, nuk e ka filluar seancën edhe pse nga sistemi rezulton se nuk është në seanca të tjera merr masën sipas kompetencave ligjore.

-A do të ndikonte ky sistem i ri në përmirësimin e komunikimit dhe etikës mes palëve gjatë seancave gjyqësore?

Me këtë sistem do të arrihet një etikë gjyqësore në shkallë maksimale, pasi  gjyqtari do jetë i kontrolluar në moment, por dhe më vonë, çdo pretendim i mëvonshëm do jetë lehtësisht e verifikueshme. Jemi të gjithë të ndërgjegjshëm që shumica e gjyqtarëve kanë një etikë gjyqësore të shkëlqyer, por dhe shumë prej tyre kanë një etikë që lë për të dëshiruar. Shpesh jemi edhe vetë dëshmitarë, por dhe mjaft të tjerë kanë parë që disa syresh u kanë bërtitur palëve në seancë, sillen keq, nuk u japin përgjigje kërkesave të tyre, e sjellje të tjera të padenja për një gjyqtarë, duke bërë që të turpërojnë këtë sistem dhe ta paragjykojnë me të drejtë, rëndë atë. Por ç’është më e keqja edhe kur ka reklamime të tilla është e vështirë për t’u vërtetuar, pasi e vetmja provë që është  procesverbali nuk e pasqyron këtë.

-Përveç përfitimeve të palëve, po vetë gjyqtarët çfarë do të përfitojnë nga aplikimi i këtij sistemi?

Ky sistem rrit ndjeshëm dhe sigurinë e gjyqtarëve në seancë gjyqësore, pasi çdo sjellje që cenon këtë siguri është lehtësisht e verifikueshme, duke ja lehtësuar shumë punën organit të procedimit penal dhe atyre të rendit.  Si përfundim, unë mendoj se, për hir të asaj çfarë arrihet nga ky sistem ja vlen që shteti të investojë për të realizuar shpejt dhe me cilësi, pasi me gjithë ato kuba që do të marrë nga ky sistem do të ndërtojë themele mjaft të forta, atë të një shteti modern dhe europian.

-Ju faleminderit!

 

 

Intervista/ Flet eksperti kriminalistikës, Jani Papandile, krimi po bën kërdinë, analiza e shkaqeve dhe parandalimi

Masat e nevojshme për uljen e kriminalitetit

Teksa situata kriminale është rritur ndjeshëm, ekspertët vijojnë të ngrenë alarmin dhe të vënë theksin në rolin parandalues. Kështu, një ndër ekspertët më të vjetër të kriminalistikës shqiptare, Jani Papandile, një intervistë dhënë për suplementin “Drejtësia Shqiptare” analizon situatën aktuale të krimit, e si një kriminalist me përvojë vë në dukje arsyet, e shkaqet e lulëzimit të krimit. Me eksperiencën e tij, z. Papandile parashtron edhe disa prej mënyrave se si mund të zbutet situata.

Z. Papandile, si një ndër ekspertët më të vjetër të kriminalistikës, cilët do të vlerësonit si faktorë kryesorë në rritjen e situatës kriminale në vend?

Në rrethanat aktuale mendojmë se, meritojnë vëmendje sidomos: së pari, stabiliteti i shoqërisë, në tërësi funksionimi normal mbi baza ligjore i strukturave shtetërore, i administratës, i organeve të specializuara. Duhet pranuar që pas përmbysjeve politike ende mungon stabiliteti dhe qëndrueshmëria permanente e  shoqërisë shqiptare. Nëse kemi  kriminalitet të dhunshëm, akte antiligjore të të gjitha llojeve me intensitet dhe dinamikë të lartë, ku implikohen elemente kriminele të kategorive të ndryshme, por edhe personazhe të strukturave shtetërore, të para në unitet përbëjnë pasqyrën e një shoqërie të sëmurë. Situata konfliktuale sidomos të dy-tre viteve të fundit përbëjnë shkak parësor për të guxuar të ngrejë kokë kriminaliteti, krimet e rënda me përdorimin e armëve dhe mjeteve të tjera të rrezikshme. Mbjellja, kultivimi, përpunimi dhe trafikimi i lëndëve narkotike ka burimin kryesor tek mosfunksionimi  harmonik i organizmave të shtetit, duke filluar nga komunat deri tek drejtimi dikasterial. Së dyti, gjendja e vështirë ekonomike, papunësia, emigracioni, masat me karakter social jo të plota e të papërshtatura mirë, përbëjnë një terren tjetër për shkaqet e kriminalitetit. Shumë vrasje kryhen nga elementë që paguhen. Autorët janë të rinj të ardhur nga zona rurale apo nga qarqe të ndryshme të Shqipërisë dhe Kosovës, emigrantë që lëvizin në Greqi, Itali e gjetkë. Përgjithësisht të pastabilizuar dhe të papunë, duke qenë jashtë kontrollit e të nxitur nga prirja për të siguruar mjete jetese pa u lodhur e  pa u djersitur, kthehen në kriminelë profesionistë. Ndërkohë, vjedhjet e banesave, të sendeve personale kryhen nga grupe që drejtohen nga elemente profesionistë të dënuar më parë, por që tashmë janë në rolin e regjisorit dhe vënë në lëvizje djem e vajza të mitur. Vetëm kaq të thuhet, lexohet lehtë që jemi përballë një kriminaliteti të organizuar me autorë profesionistë me rrezikshmëri të theksuar, që përdorin armë dhe mjete të sofistikuara, sikurse pasqyrohen në ngjarje që transmetohen nga ekranet tona çdo ditë.

-Cilat mendoni se, duhet të jenë hapat emergjentë që duhet të ndërmerren për frenimin e fenomenit?

Pa u ndalur në hollësi të shkaqeve dhe faktorëve do t’i çmoja emergjente për shoqërinë shqiptare dhe këto drejtime: Së pari, përmirësimi sa më parë i marrëdhënieve politiko-shoqërore duke bërë debat, kërkesa, oponencë në shumë plane, por jo me frymë dhe ndjenja armiqësore, me mllefe më kërcënime,  me fyerje. Së dyti, hapa më të shpejta për të gjetur veten, organet e specializuara më të lira, të prezantohen më të lira më të pavarura, më të përgjegjshme përballë bashkatdhetarëve, qytetarëve në qytet e në fshat. Së treti, të ndjehet më fort përgjegjësia e policit, e prokurorit, e gjyqtarit, e mësuesit, e edukatorit dhe drejtorit të burgut deri tek e prindërit dhe familja. Kur policia nuk regjistron si duhet kriminalitetin edhe ndjenja e përgjegjësisë për ta parandaluar e goditur atë zbehet.

 

Drejtësia me pallatin e saj

Duket se 100- vjetori i shtetit shqiptar e njëherazi i drejtësisë shqiptare do ta gjejë këtë të fundit me një pallat të merituar, Pallatin e Drejtësisë. Pas hamendësimit se i tillë mund të shndërrohej edhe Kryesia aktuale e Kuvendit, pas ndërtimit të kompleksit të ri parlamentar, i erdhi fundit, pas lajmit të bërë publik nga Ministri i Drejtësisë, z.Eduard Halimi, për ndërtimin e një kompleksi të ri.  "Së bashku me Bashkinë ne kemi identifikuar sipërfaqen e truallit, ku do të ndërtohet kompleksi i drejtësisë. Ajo sipërfaqe trualli përbëhet nga 50 mijë metra katrorë, do të jetë në bulevardin e ri të Tiranës, menjëherë sapo nis bulevardi i ri në krahun e djathtë do të shtrihet një kompleks godinash ndër më modernet",- tha Halimi.  Në godinën e Pallatit të Drejtësisë do të vendosen fillimisht Gjykata e Tiranës, Gjykata e Apelit të Tiranës, Gjykata Administrative e Tiranës, Gjykata Administrative e Apelit të Tiranës, do të vendoset edhe Dhoma Civile respektive e Gjykatës së Tiranës dhe Dhoma Civile respektive e Apelit të Tiranës. Pra në tërësi të gjitha gjykatat e nivelit të parë dhe të nivelit të dytë, që ushtrojnë veprimtarinë në Tiranë. Po kështu do të vazhdojmë me ndërtimin e dy godinave të reja, në të cilat do të përfshihet Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë dhe më pas me ndërtimin e godinave më moderne, të cilat nuk do të kenë akses për publikun, ku do të jetë Prokuroria e Përgjithshme, në një godinë të qelqtë, e cila jep edhe perspektivën e gjithë zhvillimit të ri të bulevardit dhe një godinë tjetër të po këtyre përmasave, ku do të vendosen Këshillat e Drejtësisë, Shkolla e Magjistraturës, Zyra e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor", sqaroi z. Halimi.

Subscribe to comments feed Komente (0 publikuar):

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj comment

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

  • Plain text 151 - Here eshte lexuar ky Artikull
  • email Email shokeve
  • print Print version
Vlereso kete artikull
3.67