Suplementi Drejtësia Shqiptare
Flet Vasilika Hysi: Reforma në drejtësi duhet të fillojë me ndryshimet në ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe të Lartë
Pas mbledhjes së tryezës së drejtësisë ku të pranishëm ishin edhe një sërë ekspertësh, Partia Socialiste gjatë javës së kaluar ka dorëzuar pranë Kuvendit edhe propozimet e saj konkrete për reformën në drejtësi, ligjet të cilat duhet të amendohen madje edhe një kalendar pune të propozuar nga z. Xhafaj. Por realisht çfarë nënkupton PS me reformë në drejtësi, një amendim të ligjeve, apo edhe hartim i tyre nga e para sikundërse është edhe rasti i Kodeve. Në një intervistë për suplementin “Drejtësia Shqiptare”, nën/ Kryetarja e grupit të PS-së njëherazi juristja e pedagogia e së drejtës, Vasilika Hysi analizon për “Telegraf” paketën e propozuar nga selia rozë. Do të kemi rregullore apo ligj organik për Kuvendin, përse është shtyrë kaq shumë projekt-ligji për “Gjykatën Administrative”, ndryshimet në ligjin për Gjykatën e Lartë, Kushtetuese dhe Konferencën gjyqësore, si edhe emri i Avokatit të ri të Popullit, të gjitha nën skanerin e znj. Hysi.
Znj. Hysi, javë më parë, Partia Socialiste mblodhi një tryezë me ekspertë të drejtësisë për të hartuar një platformë të plotë për reformën brenda sistemit. Në vlerësimin Tuaj, nga duhet të nisë kjo reformë dhe cilat duhet të jenë fushat e para që duhet të prekë?
Tryeza e drejtësisë ishte një mundësi për të bërë procesin e ligjbërjes transpararent dhe ku mendimi i ekspertëve të dëgjohej për fushat që duhet të përfshihen në reformë, prioritetet dhe mënyrat e realizimit të reformës. PS ka përgatitur një dokument të plotë të reformës në drejtësi, bazuar në nevojat që ka ky sistem. Ai iu shpërnda ekspertëve të fushës për të marrë mendimet e tyre. Kjo reformë duhet të nisë nga ngritja e një komisioni ad hoc, i cili të punojë në drejtimet që garantojnë pavarësinë dhe efiçencën e sistemit të drejtësisë. Reforma në drejtësi nuk nënkupton disa ndryshime terminologjish në kodet dhe ligjet ekzistuese, por kthimin e sistemit të drejtësisë në një sistem të pavarur, efektiv, eficent ku të gjithë të jenë të barabartë para ligjit dhe drejtësia të funksionojë për të gjithë. reformat janë disaplanesh dhe të ndërvaruara me njëra- tjetrën.
Një ndër kushtet kryesore të vendosura nga PS-ja për reformën në tërësi është edhe ndryshimi i rregullores së Kuvendit. Nga ana tjetër konstitucionalistët kanë hedhur idenë që të miratohet një Ligj Organik me shumicë të cilësuar. Cili është qëndrimi juaj mbi çështjen e rregullores?
Funksionimi i jetës parlamentare dhe i demokracisë në parlament nuk është kusht i vënë nga PS, por është element i demokracisë parlamentare dhe një nga kushtet e vëna nga Bashkimi Europian (BE). Sikurse e kemi theksuar, PS-ja është e angazhuar për të përmbushur të gjitha detyrimet për t’u integruar në BE. Nevoja për një ligj organik është vënë në dukje disa herë. Në kohën kur në pushtet ishte opozita e sotme, rregullorja është miratuar dhe zbatuar me konsensus dhe nuk ka ndryshuar pa konsensus, pra rregullorja ka funksionuar sikur të ishte një ligj organik i miratuar me shumicë të cilësuar. Për aq kohë sa kjo maxhorancë e ndryshon rregulloren sipas interesave dhe me kartonët e saj, mendoj se do të ishte e mirë që të kishte një ligj organik për organizimin dhe funksionimin e parlamentit, të miratuar me shumicë të cilësuar.
Ju jeni shprehur të gatshëm për të miratuar ndryshimet në një sërë kodesh të rëndësishme. Nga shumë specialistë të fushës është hedhur edhe ideja e hartimit të kodeve nga fillimi, sikundërse është rasti i Kodit Penal. Në vlerësimin Tuaj reforma do të fokusohet në amendimin e ligjeve apo kodeve apo mund të kemi edhe kode të reja?
Sikurse dihet, kodet në fuqi janë miratuar pas vitit 1995 dhe janë ndryshuar herë pas herë. Ndryshimet më të mëdha janë bërë në kodin penal. Reforma ligjore ka nevojë për amendime të disa prej neneve të kodeve, por edhe të disa ligjeve organike si Ligjit për Gjykatën e Lartë, Gjykatën Kushtetuese, Konferencën Gjyqësore etj.. Përsa i përket Kodit penal, para se të jap mendimin tim nëse duhet të vazhdohet me amendimin e Kodit apo të hartohet një kod të ri, dëshiroj të dëgjoj edhe mendimet e kolegëve të mi, profesorë, juristë, ekspertë në fushë. Ne fakt, miratimi i një kodi të ri penal, kur kodi ekzistues ka vetëm 15 vjet jetë nuk është gjë e mirë dhe cenon sigurinë juridike. Është mirë që kodet të jenë sa më të qëndrueshëm.
Mendoni se afrimi në kohë i shqyrtimit të projekt-ligjit për “Gjykatën Administrative” do të ishte në shërbim të qytetarëve dhe duke lehtësuar nga ana tjetër ngarkesën e gjykatave?
Projektligji për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve administrative, ose thënë shkurt për gjykatën administrative është më rëndësi. Në një dokument të dorëzuar në Kuvend nga z. Fatmir Xhafa në emër të PS, ky projektligj është planifikuar në kalendarin e punimeve të muajve në vijim. Bazuar në rëndësinë që ka ligji, por edhe në numrin shumë të madh të amendimeve të propozuara nga ekspertë të huaj, miratimi i tij kërkon kohën e nevojshme, nëse angazhimi i Komisionit të ligjeve do të jetë serioz dhe i kujdesshëm për të marrë një nga një të gjitha vërejtjet dhe rekomandimet e bëra nga ekspertët vendas dhe ndërkombëtarë në fushë. Nga ana tjetër, miratimi i këtij ligji nuk është i mjaftueshëm. Që ligji të jetë realisht në shërbim të qytetarëve, miratimi i tij ka nevojë të shoqërohet me ndryshime të ligjit për Gjykatën e Lartë dhe krijimin e infrastrukturës për organizimin dhe funksionimin e këtyre gjykatave. Ndaj, më shumë se një herë, kemi theksuar nevojën për një reformë të plotë në këtë fushë.
Ngërçi politik ka penalizuar edhe institucionet kushtetuese sikundërse Avokati i Popullit. A e ka Partia Socialiste një emër për të propozuar për kreun e këtij institucioni ?
PS ka nënvizuar se zgjidhja e krizës politike ka nevojë për reforma të plota, mes të cilave edhe forcimi i institucioneve të pavaruara kushtetuese. Logjika e maxhorancës se po të zgjidhet Avokati i Popullit, ngërçi politik zgjidhet, nuk qëndron. Ky institucion në kushtet e një demokracie funksionale ka ekzistuar dhe nuk është penguar për të ngritur zërin publikisht për të gjitha problemet e hasuara dhe shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut. Në nivelin e demokracisë në vend, ky institucion duhet të jetë i pavarur, proaktiv dhe efikas në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Ky është shqetësimi për PS. PS ka shprehur qëndrimin e saj sesi duhet të jetë kreu i këtij institucioni, por ende nuk ka dalë më një propozim konkret.
Ismet Elezi promovon librin “Zhvillimi Historik i mendimit teoriko-juridik shqiptar”
Drejtësia me historikun e saj
Profesori i shquar drejtësisë ka sjellë për herë të parë për lexuesin si edhe studiuesit apo personat e fushës një libër për historikun e zhvillimit juridik në Shqipëri. Libri është një skaner i munguar i sistemit të së drejtës nga krijimi i shtetit shqiptar e deri në ditët e sotme. Në prag të 100 vjetorit të Pavarësisë dhe krijimit të shtetit shqiptar njëherazi, Prof. Ismet Elezi dhe Ela Elezi sjellin librin “Zhvillimi Historik i mendimit teoriko-juridik shqiptar”. Në parathënien e librit Prof. Elezi dhe bashkëautorja, Ela Elezi, nënvizojnë faktin se “Historia e mendimit teoriko-juridik është e pandarë nga historia e shtetit dhe së drejtës, nga legjislacioni, institucionet e sistemit të drejtësisë, dhe nga jurisprudenca. Të gjithë këta komponentë japin panoramën e përgjithshme të nivelit të kulturës juridike shqiptare, si pjesë përbërëse e integrimit në kulturën juridike evropiane”. Libri është i ndarë në 20 krerë dhe Prof. Ismet Elezi së bashku me Ela Elezin trajtojnë çështje të rëndësishme duke e nisur analizën e thellë nga mendimi i juristëve në kohën e Perandorisë Osmane si edhe me mendimin juridik nga viti 1945 e deri më sot. Risia që trajtojnë autorët në këtë libër është edhe evidentimi dhe analiza e mendimit juridik edhe në Kosovë duke qenë në thelb një libër i historisë së drejtësisë shqiptare e jo vetëm i Shqipërisë. Prof. Elezi trajton të gjithë hallkat e drejtësisë nga ajo penale e civile, tek procedurale apo kriminale. Promovimi i librit të Prof. Ismet Elezit dhe Ela Elezit është bërë gjatë ditëve të Panairit të Librit. J.M
Të verbrit në Gjykatën Kushtetuese: Shpërblimi të jetë sa 70% e pagës minimale dhe jo 9800 lekë
Shoqata e të Verbërve ka depozituar një kërkesë pranë Gjykatës Kushtuese ku përmes saj kërkon deklarimin si antikushtetuese të ndryshimeve të bëra në pikën 4 të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr.277, datë 18.06.1997 “Për përfitimin nga statusi i të verbrit” nga VKM nr.602, datë 23.07.2010 dhe VKM nr.870, datë 18.06.2008. Kushtetuesja do e marrë në shqyrtim këtë të martë kërkesën e të verbërve.
Por realisht cilën pikë kundërshtojnë të verbrit?
Në VKM nr 277 të vitit 1997, masa e shpërblimit për të verbrit ishte sa 7070% e pagesës minimale shtetërore ndërsa me ndryshimet e bërë në vitin 2008 dhe 2010 masa e shpërblimit është bërë fikse dhe tashmë ajo është 9800 lekë në muaj. Në kushtet e rritjes së pagës minimale shtetërore dhe qëndrimit të kësaj tarife si një tarifë fikse, Shoqata e të Verbërve e ka depozituar kërkesën në Gjykatën Kushtetuese duke i shpallur si të pavlefshme vendimet e mëvonshme të Këshillit të Ministrave duke dashur të lënë në fuqi VKM 277 dt 18.06.1997. Ende nuk është bërë e ditur baza ligjore kushtetuese mbi të cilën të verbrit kërkojnë të shpallin të pavlefshme ndryshimet e bëra.
Si ishte pika 4
VKM 277 dt 18.06.1997.
Masa e pagesës për shkak të verbërisë është 70% e pagesës minimale shtetërore dhe do të përfitohet pavarësisht nga mosha dhe te ardhurat e tjera që përfitohen nga shteti. Në të njëjtën masë përfitojnë edhe kujdestarët e të verbërve të grupit të parë, nevojat për të cilët përcaktohet nga KMCAP...
Si është pika 4
Masa e përfitimit për shkak të verbërisë është 9800 (nëntë mijë e tetëqind) lekë
në muaj dhe kjo masë indeksohet, me indeksin e çmimeve të konsumit. Kjo pagesë përfitohet pavarësisht nga mosha dhe të ardhurat, që përfitojnë nga shteti.
Ne te njëjtën mase përfitojnë edhe kujdestaret e te verbërve te grupit te pare, nevojat për te cilët përcaktohet nga KMCAP....
Të përndjekurit Kushtetuese: Shfuqizoni ndryshimet për dëmshpërblimin tonë, të rritet rrethi i subjekteve të përfshirë
Në 24 Nëntor Gjykata Kushtetuese do të marrë në shqyrtim kërkesën e shoqatës së ish të burgosurve politikë të Shqipërisë si edhe shoqatës e trashëgimtarëve të të pushkatuarve politikë të Shqipërisë. Të dy shoqata kërkojnë nga Kushtetuesja Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë i shkronjës “d” të nenit 4 të ligjit nr.9831, datë 12.11.2007 “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist”, ndryshuar me nenin 3 të ligjit nr.10111, datë 02.04.2009 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9831, datë 12.11.2007 “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist”. Në thelb të kërkesës së të përndjekurve është që rrethi i përfituesve nuk duhet fokusuar vetëm gjatë periudhës 1944-1991 por edhe më parë duke pretenduar se të njëtin status duhet të marrin edhe të pushkatuarit gjatë viteve të luftës Nacional Çlirimtare.
Baza ligjore, çfarë kërkojnë ish-të Përndjekurit
Ish të përndjekurit kërkojnë nga Kushtetuesja si shpalljen antikushtetues të shtesës në Nenin 4/d të Ligjit nr.9831, datë 12.11.2007, në të cilën është saktësuar edhe subjektet përfituese nga dëmshpërblimi. Kështu si kusht në këtë ligj është që të jenë dënuar për veprime politike gjatë periudhës 30.11.1944 deri më 1.10.1991, periudhë e ekzistencës së regjimit komunist. Familjarët dhe shoqata njëherazi kërkojnë që të hiqet kjo shtesë duke e rritur rrethin e përfituesve edhe ndaj atyre të pushkatuarve gjatë Luftës Antifashiste, Nacional Çlirimtare. Duke e fituar këtë status ato kanë të drejtë që të nisin procedurat për marrjen e parave të dëmshpërblimit.
-
105 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version
- Fatos Nano drejt PS-së
- Flet astrologia Meri Shehu
- Dashuri engjëjsh
- Sondazhi në "Telegraf"
- Shpallen personalitetet e vitit 2010 në “Telegraf”, Ja më të preferuarit e publikut shqiptar



Publikoni komentin tuaj