Hyrje | Sport | Sul Demollari: “Futbolli shqiptar ka nevojë për reforma të vërteta”

Sul Demollari: “Futbolli shqiptar ka nevojë për reforma të vërteta”

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

Ish-trajneri i fundit shqiptar i Kombëtares: “Kemi talente, por nuk kemi filozofi të qartë investimesh”











Sulejman Demollari (47 vjeç), ish-trajner i Kombëtares së Shqipërisë dhe ish-trajner i Dinamos, kërkoi masa ekstreme ndaj dhunës që ka ndodhur së fundit në stadiumet tona, ndërkohë që “Mjeshtëri i Merituar i Sportit” tha për gazetën “Telegraf” se “futbolli shqiptar ka nevojë për reforma të vërteta”. “
“Futbolli ynë ka jo pak probleme, të cikat mendoj se mund të zgjidhen vetëm me reforma të thella. Dhe A-ja është infrastruktura”, - tha për gazetën legjenda blu. Demollari, i cili ka dalë kampion me Dinamon e Bukureshtit (1991-1992) dhe  vlerësohet edhe si lojtari më i mirë i huaj që ka luajtur në Rumani, analizoi edhe ecurinë e deritanishme të Superligës, kur këtë fundjavë nis edhe faza e dytë e kampionatit shqiptar. “Përveç Teutës, unë shoh qartësisht se rivalë për titull janë dhe Skënderbeu, kampioni në fuqi, Flamurtari dhe Tirana”, - parashikon gjashtë herë fituesi i anketës së gazetës “Sporti Popullor”, si lojtari i vitit 1983, 1985, 1991, 1992, 1993, 1994. Sulejman Demollari, nga shkurti i vitit 2011 është një nga katër zbuluesit e Dinamos së Bukureshtit, i cili operon zonën e Europës Juglindore, kryesisht në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë, Malin e Zi. Një nga rekomandimet e bujshme të tij është dhe transferimi i lojtarit më të mirë shqiptar në dy vitet e fundit, Elis Bakaj, nga Dinamo e Tiranës te Dinamo e Bukureshtit.

Sulejman Demollari, këtë fundjavë rinis kampionati, me ndeshjet e fazës së dytë të Kategorisë Superiore. Duke i bërë një bilanc të shpejtë, pjesë së parë të sezonit, çfarë prodhoi ajo?
Faza e dytë nis me një sfidë shumë të rëndësishme, pasi vendosen përballë njëra-tjetrës dy ekipet e vendeve të para, Teuta dhe Tirana. Skuadra durrsake kryeson me meritë dhe meriton fjalët më të mira, për vetë mënyrën e organizimit të një ekipi me kushte normale për të organizuar në mënyrë serioze një kampionat. Dhe në këtë hyjnë nga drejtuesit më të lartë, si presidenti, drejtuesit e tjerë të klubit, trajneri dhe lojtarët. Ka bërë dy faza përgatitore shumë seriozë, në verë, në Bullgari dhe në dimër, në Turqi. Jam i bindur se, nëse në një ekip investohet me strategji të qartë, atëherë ai do të marrë dhe rezultate.
Panorama e fazës së parë duket se ka përcaktuar edhe bllokun e ekipeve që do të luftojnë për titull. Sipas jush, kush janë favoritët?
Përveç Teutës, unë shoh qartësisht se rivalë për titull janë dhe Skënderbeu, kampioni në fuqi, Flamurtari dhe Tirana. Uroj që Teuta ta vazhdojë rrugën e nisur, pasi po bën një nga kampionatet më të mira të saj.
Demollari, duke parë dhe përforcimet gjatë merkatos dimërore, kë konsideroni si skuadrën që ka bërë blerjet më të mira?
Sigurisht, që secila skuadër ka marrë lojtarë, në ato reparte atje ku edhe ajo ka menduar se ka pasur probleme. Nuk dua të veçoj ndonjë ekip, por mund të them rastin e Vllaznisë, që pati disa kërkesa, por nuk arriti t’i plotësojë me ato që desh trajneri (Vata). Nuk mund të them, nëse ata lojtarë që janë afruar do të sjellin më shumë vlera në ekip. 
Kohët e fundit në stadiumet tona, janë parë dhe incidente të dhunshme, siç janë goditjet e gjyqtarëve në Laç (Jemini), në Pogradec (Jorgji) dhe së fundi, në Skënderbeu-Flamurtari, ku u godit anësori Çokaj. Si do ta vlerësonit?
Janë më të vërtëtë shqetësuese dhe të papranueshme. Për mua, vetëm masat ekstreme mund të na shpëtojnë nga ato akte dhune. Federata dhe komisionet e saj, ai Disiplinës, apo dhe i Apelit, duhet të mbajnë qëndrime të forta. Rasti i fundit në ndeshjen Skënderbeu-Flamurtari ishte një turp i madh.
Gjatë këtij sezoni, gjashtë skuadra janë ndëshkuar për të luajtur një numër të caktuar ndeshjesh jashtë stadiumeve të tyre, si Flamurtari, Tomori, Bylis, Laçi, Pogradeci dhe së fundi, Skënderbeu. Tifozët, përveç rolit të mbështetësit janë shndërruar edhe në nxitës të dhunës. Si mund të parandalohet ky fenomen?
E ripërsëris, me masa shembullore. Dua të marr si shembull, rastin e uliganëve anglezë kur ndodhi tragjedia e Hejselit në Belgjikë, në ndeshjen finale të Ligës së Kampioneve midis Liverpulit dhe Juventusit (29 maj 1985). Ata u ndëshkuan dhe tani, me masat që u morrën, në stadiumet angleze mund të shkosh me familje, sikur je duke parë një shfaqje teatrale. Në Europë, edhe individë të veçantë, të identifikuar si problematikë mund të parandalohen. Kjo masë mund të funksionojë edhe tek ne.
Demollari, le t’i kthehemi temës së Kombëtares. Janë disa legjionarë, si Besart Berisha në Australi (12 gola këtë sezon), Edgar Çani në Poloni (8), që po shënojnë rregullisht. A duhen thirrur ata në Përfaqësuese?
Berisha ka qenë në ekipin Kombëtar, por nuk është se dhe ai vetë e kërkoi të bëhej titullar fiks. Edhe Çani mund të provohet. Gjithsesi, them se kemi disa lojtarë të rinj cilësorë, si Bakaj, që besoj se i ka ardhur momenti për të qenë një titullar. Po, kështu mirë na vjen edhe për Roshin, një djalë mjaft i talentuar. Jo vetëm për faktin se, shënoi një gol të bukur, por ka rënë në një dorë të mirë dhe luan në një kampionat të rëndësishëm, si ai gjerman. Kështu që, unë mendoj se të gjithë duhet ta mbështesin trajnerin italian, Xhani De Biazin, pasi Kombëtarja nuk është vetëm e tij, por e të gjithë lojtarëve.
Sulejman Demollari, ju jeni ndër lojtarët e parë të transferuar në një kampionat europian, pikërisht te Dinamo e Bukureshtit (në verën e vitit 1991). Gjatë merkatos dimërore, nga kampionati shqiptar u transferuan vetëm dy lojtarë: Armando Vajushi në Bullgari (tek Liteks Loveç) dhe Xhevair Sukaj në Iran (tek Sepehan). Kaq të paktë mund të jenë lojtarët tanë, që të luajnë në Europë?
Kemi vite që flasim dhe është një temë shumë problematike. Talente gjatë gjithë kohës do të ketë në Shqipëri. Problemi është vazhdimësia. Dhe kjo ka të bëjë me organizimin dhe investimet që bën klubi ku ata militojnë. Ne jemi ndër të paktët vende që, nuk po ndërtojmë ekipet zinxhir, apo akademitë, në të njëjtën mënyrë siç funksionojnë në ekipet europiane, apo ata ballkanike. Është një emergjëncë për futbollin shqiptar. Po s’pate bazën, atëherë do të përsëritet e njëjta situatë.
A është ky një alarm për futbollin shqiptar?
Sigurisht, që po. Kjo ka të bëjë edhe me problematikën e futbollit tonë. Duhen reforma të thella. Dhe A-ja është infrastruktura. Unë kam luajtur në Rumani, Greqi, Hungari dhe Itali, por s’kanë të krahasuar me kushtet e varfra që kanë klubet tona. Atje një futbollist rritet nga ana profesionale dhe rritet nga ana shkencore. Punojnë njerëz profesionistë. Nëse do të kemi klube të mirëorganizuara, do të kemi një kampionat të brendshëm të fortë, atëherë dhe ekipi Kombëtare do të jetë po i tillë. Nga ana tjetër, jam i mendimit se shteti duhet të japë një mbështetje të jashtëzakonshme. Unë jam i mendimit se, dhe kompani gjigante si ato celulare, mund të bëjnë shumë për sportin, duke sponsorizuar ekipet. Ansi Agolli, lojtar i Kombëtares sonë, luan në Azerbajxhan, por në një bisedë me të, më ka treguar se kushtet e klubit të tij (Karabak), janë shumë më të mira se tek ne. Apo, në Rumani, Bakaj më thoshte se Milani nuk mund të ketë kushte më të mira se Dinamo e Bukureshtit.

“T’i japim kohën e duhur De Biazit”
Sulejman Demollari është trajneri i fundit shqiptar i Kombëtares Shqiptare, përpara se bankina të bëhej pronë e të huajve, duke filluar me italianin Xhuzepe Dosena, gjermanin Hans-Peter Brigel, kroatin Oto Bariç, holandezin Ari Han, kroatin Josip Kuzhe dhe tani atë aktual, italiani Xhani De Biazi. Demollari pasoi në bankinë Medin Zhegën në gushte vitit 2001, por në prill të vitit 2002 u shkarkua nga Presidenti i FSHF-së, Armando Duka. “E kam thënë shpesh, se vërtet zgjedhja e trajnerit të Kombëtares është ekskluzivitet i Presidentit (Duka), dhe unë mendoj se ai e ka përvojën tani. Por, puna e trajnerit, qoftë ky i huaj apo vendas duket nga rezultatet. Të gjithë jemi koshientë se, nuk është se të huajt kanë bërë ndonjë gjë të jashtëzakonshme në raport me shqiptarët. Xhani De Biazin duhet ta shohim se çfarë do të sjellë, pastaj ta gjykojmë. Dihet që, trajnerët italianë janë skrupulozë, pragmatistë, janë takticienë të mirë, por De Biazi është i ri dhe ende nuk e njeh Kombëtaren tonë. Në fakt, jemi dhe në fazën kur disa lojtarë veteranë largohen. Skela është vështirë për t’u zëvendësuar. Lala i dha fund, por Bogdanin e shoh ende në lojë, pasi mund të japë akoma dhe për dy vjet, pavarësisht moshës që ka, apo pasaportës së futbollistit, siç themi ne rëndom”.
Nuk mund të shkrihet Dinamo
Sulejman Demollarit, ish-kapiteni dhe kampion me Dinamos, e alarmon shumë situata në të cilën ndodhet ish-klubi i tij, të cilin e ka drejtuar edhe si trajner. “Është për të ardhur keq gjendja që po kalon Dinamo. Është një emblemë në futbollin shqiptar. Ka fituar 18 tituj kampionë dhe 13 Kupa të Shqipërisë. Nuk mund të shkrihet. Partizani është legjendë, Dinamo është legjendë. Futbolldashësit e huaj kur vijën këtu, pyesin se ku ndodhet klubi i Dinamos apo i Partizanit, pasi i dinë titujt që kanë fituar, por kanë dhe një histori të tyre. Janë legjenda, ashtu siç janë dhe muzetë që ruhen nga shteti”.
Salihi bëri një lëvizje të bukur
Sulmuesi i Komëbtares shqiptare, Hamdi Salihi, u transferua gjatë merkatos dimërore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, te klubi i Uashingtonit, DC Junaitid. Demollari: “E vlerësoj si shumë interesante. Bëri një lëvizje të bukur. Një fat i bukur. E vlerësoj se do të përjetojë një eksperiencë të veçantë, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë investuar shumë në futboll, dhe ekipet më të mëdha në botë zhvillojnë shpesh miqësore atje, përfshirë Mançester Junaitid, Çelsi, Mançester Sitin, Milanin, Barcelonën apo Realin e Madridit. Kam bindjen se, me përvojën që ka Salihi do të japë shumë për ekipin e tij”.
12 vjet në shërbim të Kombëtares
Sulejman Demollari numëron 45 ndeshje me ekipin Kombëtar të futbollit, të luajtura në një periudhë 12-vjeçare, 1982-1995, ku ka shënuar edhe një gol. “Me ekipin Kombëtar, ndeshja ime e parë ka qenë ajo kundër Irlandës së Veriut (27 prill 1983), ku humbëm 1-0 për eliminatoret e Kampionatit Europian. Ndeshja ime e fundit me fanellën e përfaqësueses është me Bullgarinë në vitin 1985”.
Kapiteni i ekipeve kombëtare
“Kam një të veçantë të madhe, që më bën të ndihem krenar, pasi kam qenë kapiten i të gjitha ekipeve kombëtare, nga ai U-17, U-19, U-21 dhe deri te ekipi Kombëtar A”, - tha Sulejman Demollari, 2 herë kampion i Shqipërisë me Dinamon (1985–1986, 1989–1990), dy herë fitues i Kupës së Shqipërisë (1985–1986, 1989–1990) dhe një herë fitues i Superkupës së Shqipërisë (1990).
Karriera ndërkommbëtare
“Sula” siç e thërrasin në Shqipëri, apo “Demo” siç e quajnë në Rumani, ka luajtur edhe me Panionos në Greqi (1994-1996) dhe Gyor Eto në Hungari (1996-1997), duke i dhënë fund karrierës së tij të famshme futbollistike pas 17 vjetësh, në moshën 33 vjeç.
Në kampionatin rumun kanë luajtur disa lojtarë shqiptarë, duke filluar me Roland Agalliun, Sulejman Demollarin, Arben Minga, Perlat Mustën, Agim Canaj, Ilir Bozhiqi, Bozhiqin, Arben Kokalarin, Blendi Nallbanin. Për momentin në Rumani luan Elis Bakaj, te Dinamo e Bukureshtit.


Odise Roshi, Ronaldoja shqiptar
Ish-mesfushori i Kombëtares, Ervin Skela, tani pa ekip, bën përkthyesin e fierakut në Gjermani
KËLN, 7 shkurt – Në fakt, ishte vetëm një çështje kohe. Gjatë seancave stërvitore ishte djaloshi i ri me flokë të shkurtra të zeza gjithmonë i shumë i mirë në shënimin e goalve. Por, nga e diela emri i tij është në statistikat zyrtare, pasi Odise Roshi shënoi golin e tij të parë në Bundesligë. Në ndeshjen e tij të 11-të dhe pas 235 minutave lojë nga fillimi i sezonit, shqiptari ka mese të gëzohet. Dhe këtë e bëri shqiptari kaq bukur, sa trajneri Stale Solbaken mendonte: “Odiseja në atë kohë ishte në një botë tjetër”. Në pjesën tjetër të lojës (nga minuta e 72-të) ai thuajsi nuk mori pjesë në lojë. “Përjetova një ndjenjë shumë të veçantë. Unë isha shumë, shumë i lumtur”, - kërkoi falje dje Odise Roshi. Mënjeherë pas shënimit të golit fitues në Kaisersalutern, i la ai mediat pas asnjë koment dhe shkoi direkt në dhomën e zhveshjes. Të hënën, mesfushori ofensiv tregoi diçka në lidhje me ndjenjat që përjetoi. Për këtë e ndihmoi shoku i tij te ekipi Kombëtar shqiptar, Ervin Skela. 35-vjeçari, i cili deri tani është pa ekip, dhe që ka luajtur 313 ndeshje në Bundsligën e Parë dhe të Dytë, midis të tjerash edhe për Eintrahtin e Frankfurtit, Kaisersaluternin dhe Energi Kotbusin, përkthen për Roshin, i cili nuk flet asnjë gjuhë të huaj. Ai pati një zë të brendshëm para ndeshjes, që ai do të shënonte golin e tij të parë në Bundesligë. “Unë pata disi një ndjenjë të mirë. Për këtë u premtova magazinierit të veshjeve, Frank Almshtedt: Nëse unë do të shënoj, do të vij tek ty në vijën e fushës. Dhe siç bëri me atë vrapim të pabesueshëm në ndeshje, sprintoi talenti i Kombëtares shqiptare duke kërcyer në krahët e Almshtedtit. Para atij shpërthimi, Odise Roshi kishte provuar zhgënjimin. Menjëherë pas hyrjes së tij në fushë në minutën e 70-të, ai nuk pati sukses me gjuajtjen e tij. Gjuajtjen e tij më të majtën, portieri i Kaiserlauternit, Kevin Trap, me reafimnm e tij të shpejtë e nxori jashtë kuadratit. “Unë mendova më pas: unë bëra gjithçka në rregull. Përse e bllokoi topin ai?” Kohë të gjatë për reflektim, blerja e ardhur në parametra zero në korrik të vitit të kaluar, nuk kishte. Dhe më pas, pas goditjes nga këndi prej Kristian Klemensi erdhi dhe goditja e artë e Roshit në zonën e rreptësisë. Pa dylufitimet e tij të kërkuara, nuk do të kishte as përpjekje për atë goditje vendimtare me kokë. Pasi mesfushori ofensiv 1,87 metra, i cili gjatë stërvitjeve lufton fuqishëm në duelet trup për trup, e provon shpesh të çmarkohet edhe me shokët e tij. Pas ndeshjes ai mori një duzinë telefonatash dhe SMS nga familja dhe miqtë e tij nga atdheu i tij. Atje konsiderohet Odise Roshi, njëlloj si golashënuesi gjenial i Realit të Madridit, Kristiano Ronaldo. “Unë e shoh atë paksa të ngjashëm, kam dhe unë një mikeshë të bukur si ai dhe shpresoj, që gjithashtu të shënoj gola si Ronaldo”, thotë autori i golit fitues. Së bashku edhe me pothuajse lotjarët zëvendësues si Miakel Ishak (18 vjeç) dhe Kevin Pexoni (22), por dhe Kristian Klemens (20) dhe Mato Jajalo (23) formojnë atë gardën e të rinjvë të “egër” të Këlnit. “Ata kanë bërë maksimumin e mundësive të tyre. Janë shumë të rregullt”, - gëzohet Stale Solbaken. Ishak dhe Roshi në seancat stërvitore kanë lënë për shtypjen më të mirë. Shpresat janë të mëdha. Koha e tyre po vjen.
Marrë nga gazeta gjermane “Këlnisher Rundshau”

Bogdani: “Dua ta shpëtoj edhe unë Sienën”
Erjon Bogdani është i bindur se ka për të dhënë shumë për skuadrën e tij të re dhe të vjetër njëkohësisht, Sienën, duke premtuar se do të japë gjithçka nga repertori i tij i pasur për të ndihmuar ekipin në luftën për mbijetesë në Serinë A. Sulmuesi 34-vjeçar shqiptar, i cili u transferua në limitin e merkatos dimërore nga Çezena të Siena, foli hapur me gazetarët në konferencën e tij për shtyp. “Jam i kënaqur që jam rikthyer, këtu është një grup shumë i mirë, të gjithë janë pozitivë dhe dëshirojnë të luftojnë për shpëtimin. Është uria e duhur dhe kjo është një nga motivet që më bindi të pranoj propozimin e Sienës”. Sulmuesi shiqptar ritkhehet te bardhezinjtë në sezonin 2005-2006 (11 gola në 34 ndeshje) dhe më pas në sezonin pasues deri në janar të vitit 2007 (2 gola në 15 paraqitje, gjithmonë në Serinë A). “E kam parë tashmë grintën e Sienës në ndeshjen kundër Çezenës, - citohet Bogdani nga faqja zyrtare e klubit, - dhe të dielën vlerësova paraqitjen e madhe të shokëve të mi të rinj në fushën e Juventusit. Do të kërkoj të ambientohem sa më shpejt që të jetë e mundur, dëshiroj të dëshmoj se mund të jem akoma i vlefshëm dhe të jap kontributin tim për arritjen e shpëtimit nga rënia”. Bogdani mbërriti te Siena në ditën e fundit të merkatos, edhe pse flitej edhe për ardhjen e lojtarëve të tjerë. “Unë jam i qetë, - komentoi sulmuesi shqiptar, - pasi i di emrat, ajo që vlen tani është të vrapoj dhe të luftoj për skuadrën, për të qenë një grup i bashkuar që dëshiron të arrijë objektivat”.

Subscribe to comments feed Komente (0 publikuar):

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj comment

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

  • Plain text 1 - Here eshte lexuar ky Artikull
  • email Email shokeve
  • print Print version
Vlereso kete artikull
0