Roshi, 99 sekonda në lojë dhe... gol!
“Raketa” shqiptare i dhuron tri pikë të arta Këlnit të tij në fitoren kundër Kaisersaluternit
I kanë mjaftuar saktësisht 99 sekonda në lojë për të vendosur fatin e krejt ndeshjes. Mesfushori shqiptar i Këlnit, Odise Roshi, shënoi golin e fitores dramatike kundër Kaiserslauternit (0-1), duke merituar edhe çmimin “MVP” (Lojtari më i vlefshëm i ndeshjes). Tri pikë të arta për Këlnin, që tani e sheh veten në kuotën 24 pikëve dhe në vendin e 9-të (nga 18 ekipe) pas përfundimit të ndeshjeve të javës së 20-të në Bundesligën gjermane. Anësori shqiptar nuk ishte opsioni i parë i trajnerit, por trajneri norvegjez Solbaken, duke parë edhe ngadalësinë e skuadrës së tij për të shfrytëzuar një kundërshtar të mbetur me dhjetë lojtarë, e hodhi Roshin në vend të polakut Slavomir Peszko, që rezultoi karta fituese e tij. 20-vjeçari hyri në lojë në minutën e 70-të dhe pas 100 sekondash lojë, ai realizoi golin e artë, duke i dhënë fitoren e 7-të në 20 ndeshje skuadrës së tij. Në minutën e 71-të, Roshi, i porsahyrë në lojë reagon shpejt në zonën e rreptësisë, gjuan fort me kthesë, por portieri i Kaisersaluternit, Trap e devijon atë në goditje këndi. Dhe vjen minuta e 72-të: është sërish Roshi, i cili kësaj radhe shënon një supergol. Një goditje nga këndi dhe Odiseja shënon me kokë pas vetëm 99 sekondash. “Një çmenduri e plotë”, - shkruan gazeta e madhe gjermane “Bild”. “Roshi hyri në lojë vetëm dy minuta më para. Vendim i drejtë gjithashtu edhe nga trajneri Solbaken”.
Ky ishte goli i tij i parë në Bundesligën gjermane, pikërisht në ndeshjen e 10-të tij në kampionatin gjerman, kur një javë më parë, në ndeshjen kundër Shalkes, fieraku u vëzhgua nga ndihmëstrajneri i Kombëtares shqiptare, italiane Paolo Tramexani.
Golat e legjionarëve shqiptarë ishin të pranishëmë këtë fundjavë edhe në Zvicër, Poloni dhe Australi. Jahmir Hyka e nisi vitin 2012 me një supergol, duke realizuar në barazimin 1-1 të Luzernës së tij kundër gjigantëve të Zyrihut. Fantazisti i Kombëtares shqiptare, i cili para pak ditësh rinovoi kontratën deri në vitin 2015, shënoi në minutën e 37-të pas një gjuajtje të befasishme precize. Për Hykën ky ishte goli i tij i tretë në kampionatin zviceran. Zyrihi barazoi në pjesën e dytë më anë të Drimic në minutën e 51-të. Edgar Cani e festoi me dy gola ripërtëritjen e kontratës së tij deri në vitin 2015 me Polonia Varshavën, me sulmuesin shqiptar që ishte protagonisti absolut në fitoren 3-2 të skuadrës polake ndaj rumunëve të Targu Muresh, takim i luajtur në fushën e hotelit “Miracle Resort”, më Kemer të Antalias, në Turqi. Cani, i cili shpreson në thirrjen e trajnerit të Kombëtares së Shqipërisë, Xhani De Biazi, për miqësoren me Gjeorgjinë, shënoi në minutat 7’ dhe 42’, përpara se shqiptari të zëvendësohej në minutën e 65-të. Golin hapës për Polonia Varshavën e shënoi Sikorski (3’), ndërkohë që për rumunët realizuan Selsinjo (28’) dhe Viktoras Astafaei (69’).
Besart Berisha shënoi një tjetër gol të çmuar në fitoren 2-0 të Brisbane Roar kundër Central Coast Mariners, duke i dhënë fund serisë prej 15 ndeshjesh pa humbje të kësaj të fundit. Ndeshja ishte e vlefshme për javën e 20-të të kampionatit maksimal australian, A-League. Erik Partalu shënoi për Brisbane Roar pa kaluar pesë minuta lojë. Besart Berisha, i cili u rikthye nga pezullimi një javor, dyfishoi rezultatin në minutën e 38-të para 10 217 shikuesve. Për Besart Berishën ky ishte goli i tij i 12-të sezonal, duke qenë ai legjionari që ka shënuar më shumë gola këtë edicion. Besart Berisha kryeson listën e golashënuesve ne Australi, me 3 gola me shume se Smeltz i Perth Glory, 9 gola.
Central Coast Mariners kryeson me 40 pikë (ka një ndeshje më pak), ndërkohë që Brisbane Roar e Berishës ndodhet në vendin e tretë me 32 pikë.
De Rozario “Mezi po e presim Salihin”
Hamdi Salihi është lojtari i dytë, i quajtur “Designated Player” i DC Junaitid, çka tregon edhe synimet e qarta se skuadra amerikane synon të jetë sërish në rruan e fitores. Sulmuesi shkodran vazhdon të jetë në vëmendjen e medias amerikane, të cilat vazhdimisht i përmendin statistikat e Salihit: 53 gola në 90 ndeshje në tre sezonet e fundit me Rapidin e Vjenës. Salihi ka fituar qysh tani statusin e Most Valuable Player, Lojtarit më të Vlefshëm. “Për fat të mirë ai mund të sjellë diçka nga prekja e tij shënues këtu në Amerikë”, tha sulmuesi Duajn De Rozario.
“Ne do të bëjmë atë që ne çfarë mund të bëjmë për ta mirëpritur atë, ta bëjmë të ndihet mirë, sa më rehatshëm që të jetë e mundur. Shpresojmë të shënojë sa më shpejt, por ne e dimë se a ka nevojë të përshtatet, pasi është një ligë e ndryshme, një stil jetë i ndryshëm”. Mesfushori Branko Boskoviç, i cili ka luajtur me Salihin në Vjenë, zbulon një portretë të shpejtë të sulmuesit 28-vjeçar shqiptar. “Ai është shumë i rrezikshëm në zonën e rreptësisë. Ai mund të luajë me kokë, këmbën e majtë apo të djathtë”.
Roma është një spektakël, Interi poshtërohet me katër gola
Festival golash të Romës në “Olimpiko”. Françesko Toti me shokë shkatërruan 4-0 Interin, duke turpëruar zikaltërit që në dy ndeshjet e fundit kanë pësuar tetë gola. Huan (13’) dhe Borini (40’) në pjesën e parë, si dhe sërish Borini (49’) dhe Bojan (89’) kompletuan pokerin madhështor ndaj Interit. Kapiteni Toti e kishte konsideruar ndeshjen kundër zikaltërve si shumë të rëndësishme dhe skuadra iu përgjigj thirrjes së legjendës verdhekuqe.
JUVENTUS
Juventusi nuk shkoi më shumë se barazimi 0-0 me Sienën e Erjon Bogdanit (në tribunë), me liderit e Serisë A që nuk mundën të përfitonin nga ndeshja në shtëpi. Gjithsesi, pas javës së 22-të, Juventusi (ka një ndeshje më pak) është në komandë të Serisë A, me 45 pikë, një më shumë se Milan.
TË TJERAT
Fiorentina fitoi me Udinezen 3-2 (Jovetic 2 me penallti, Kasani/ Di Natale dhe Torje); Palermo-Atalanta 2-1 (Mikoli me penallti dhe Budan/Morales); Kievo-Parma 1-2 (Tero/ Xhovinko dhe autogol i Luçano); Leçe-Bolonja dhe Novara-Kaljari, përfunduan që të dyja 0-0.
Ibra i kuq, qëllon me shpullë portierin
Tjetër hap fals për kuqezinjtë pas humbjes me Lacion. Askush nuk e ka vënë në dyshim forcën e skuadrës së Alegrit. Por, 0-0 me Napolin forcon momentin “jo” të kuqezinjve, të cilët koleksionuan një pikë pasi luajtën 25 minutat e fundit pas ndëshkimit me karton të kuq të Ibrahimoviçit. Sulmuesi suedez qëlloi me shpullë portierin e Napolit, Ndeshje budallaqe ajo e kuqezinjve, që nuk shfrytëzojnë pasi e artë për Robinjon, por që duhet të falënderojnë edhe Kavanin për gabimet e tij poshtë portës, ashtu siç ishte gjuajtja në minutën e 93-të që përfundon në gojën e Amelias. Milani luajti ngadalë, duke menduar shumë dhe humbi topa që e nervozuan. Në minutat e fundit u ndëshkua me karton të kuq edhe trajneri Masimiliano Alegri për protesta ndaj arbitrit Rixoli.
Dramë në “Stamford Brixh”, Barazojnë “Djajtë e kuq”
Barazim dramatik 3-3 midis Çelsit dhe Mançester Junaitid, por me londinezët që kryesuan deri në 3-0. Evans (36’) i Mançester Junaitid shënoi një autogol në favor Çelsit, ndërkohë që Mata dyfishoi shifrat në të 46’. David Luz shënoi pas katër minutash golin e 3-0. Pas kësaj mbërriti edhe kundërrevolucioni” i “Djajve të kuq”: dy penallti të realizuar nga Uejni Runi (58’ dhe 69’) s dhe një gol i Çikarito Hernandezit vulosën rezultatin 3-3. Në ndeshjen tjetër të ditës së diel në Premier Ligë, Njukasëll fitoi 2-1 me Aston Vilën. Të shtunën, Mançester Siti ruajti rekordin e tij 100% të ndeshjeve në shtëpi, pas fitores 3-0 kundër Fulhamit, e që i çoi “Qytetarët” me tri pikë më shumë në krye të Premier Ligës. Sergio Aguero theu shifrat pas goditjes nga pika e bardhë pasi Adam Xhonson u rrëzua në zonë, ndërkohë që autogoli i Kris Bajrd e mbylli pjesën e parë 2-0. Edin Xheko realizoi 3-0 pas një pasi plot finesë të Serxho Agueros për të salduar fitoren e 12-të në “Etihad Stadium”, ndërkohë që Fulhami iu afrua golit pas goditi traversën me antë të Brajan Ruiz. Në ndeshjet e tjera të sotme në Premier Ligë, Robin van Persi shënoi një hat-trick dhe Alex Oxlade-Chamberlain tregoi pjekurinë e tij në rritje me dy gola, teksa Arsenali shkatërroi 7-1 Bllekbërnin në “Emirates Stadium”, në ndeshjen e vlefshme për javën e 24-t të Premier League. Bllekbërn luajti me dhjetë lojtarë nga minuta e 43-të.
Van Persi hapi serinë e golave pas vetëm 79 sekondash lojë, ndërkohë që miqtë barazuan me një goditje të lirë të ekzekutuar nga Morten Gamst Pedersen. Van Persi dhe Alez Oxlade Chamnerlain i dhanë avantazhin 3-1 Arsenalit. Mikel Arteta shënoi për vendasit pas gjashtë minutave lojë nga fillimi i pjesës së dytë, ndëkohë që Oxlade-Chamberlain dhe Van Persie i shtuan gola të tjerë Arsenalit, ndërkohë që rrjetën e shijoi edhe Tieri Henri, i cili luajti si zëvendësues në një ditë të jashtëzakonshme të “Topçinjve”. Noruic Siti fitoi 2-0 me Bolton Uonderes, Quins Park Rejnxhërs humbi në shtëpi 1-2 ne Uolverhemptonin dhe po të njëjtën gjë bëri Stoke Siti në humbjen 0-1 me Sanderlendin.
Humbje në shtëpi pati edhe Uest Bromouic me Svansea Siti (1-2). Uigan Atletik dhe Everton barazuan 1-1. Të hënën, Premier Liga ofron Liverpul-Totenhem. Pas ndeshjeve të javës së 24-t, Mançester Siti kryeson me 57 pikë, dy më shumë se Mançester Junaitid.
-
1 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version
- Fatos Nano drejt PS-së
- Flet astrologia Meri Shehu
- Dashuri engjëjsh
- Sondazhi në "Telegraf"
- Shpallen personalitetet e vitit 2010 në “Telegraf”, Ja më të preferuarit e publikut shqiptar



Publikoni komentin tuaj