“Ujqërit” e Skënderbeut, 8 ndeshje jashtë Korces
Flamurtarit i hiqen tri pikë nga Kupa e Shqipërisë. Shefi i vlonjatëve, Geri Çipi, pezullohet një vit
Skënderbeu u dënua nga Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, me zhvillimin e 8 ndeshjeve jashtë stadiumit të tij në Korçë, midis Kampionatit dhe Kupës së Shqipërisë, pas incidenteve në ndeshjen Skënderbeu-Flamurtari 4-1 (31 janar 2012), të vlefshme për turin çerkekfinal të Kupës së Shqipërisë, gjatë së cilës u dhunua dhe u gjakos anësori Ridigers Çokaj. “Klubi i Futbollit Skënderbeu, për hedhje te sendeve të forta në fushën e lojës, duke shkaktuar goditje të zyrtarit të ndeshjes gjatë ndeshjes dhe ndërprerje të përkohshme të lojës dënohet me zhvillimin e 8 ndeshjeve jashtë stadiumit te saj”, - thuhet në vendimin e Disiplinës. Kjo është masa më e ashpër ndaj klubit korçar. Në mbledhjen e tij të datës 12 janar, Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së, miratoi një vendim, sipas të cilit “në parim disa nga gjobat e larta do të ulen me rreth 50% dhe në disa raste do të rriten dënimet sportive”, çka përkthehej jo me masë megagjobë financiare, por me më shumë pezullime.
Dispilina dënoi me dy ndeshje pezullim dhe 100 mijë lekë gjobë edhe zëvendëstrajnerin e Skënderbeut, Lorenc Hysi, për sjellje të keqe ndaj kundërshtarit (sulmoi ndihmëstrajnerin e Flamurtarit). Komisioni i Disiplinës hodhi poshtë kërkesë e Flamurtarit, për marrjen e tri pikëve në tavolinë, si të pabazuar në rregullore. Gjithashtu, Klubi i Futbollit Flamurtari, për refuzim për të luajtur një ndeshje që ka filluar, dënohet me zbritjen e 3 pikëve në klasifikimin e Kupës së Shqipërisë. Kjo është hera e dytë që skuadra vlonjate ndëshkohet me heqje pikësh. Flamurtari ndëshkua me -3 pikë pas braktisjes së ndeshjes me Laçin (1-1) edicionin e kaluar, 2010-2011, kur pas fillimit të pjesës së dytë u godit me fishekzjarrë dhe objekte të forta portieri Shpëtim Moçka. Zyrtari i Klubit të Futbollit Flamurtari, Geri Çipi, për nxitje të braktisjes se ndeshjes u dënua me pezullim nga veprimtaritë futbollistike për 12 muaj.
Edhe femrat bëjnë grushte!
Lojtarja e ekipit KF “Kinostudio” e futbollit të femrave, Luljeta Plaku, për goditje me grusht ndaj kundërshtarit dënohet me 10 ndeshje pezullim nga aktivitetet sportive ne baze të nenit 48.2/b të KDS. Lojtari i Apolonisë, Kostandin Ndoni, për goditje me grusht ndaj kundërshtarit dënohet me 10 ndeshje pezullim nga aktivitetet sportive dhe 100.000 leke gjobe ne baze te nenit 48.2/b dhe 48.3 te KDS .
Koment
Standardi i dyfishtë i Disiplinës
Tetë ndeshje jashtë shtëpisë për Skënderbeun, duket si një dënim maksimal, por në të vërtetë më i dëmtuari është Flamurtari. Vlonjatëve – të cilët humbën 4-1 ndeshjen e Kupës së Shqipërisë me korçarët, iu janë hequr tri pikë nga ky kompeticion, pra kanë aktualisht – 3 pikë. Në fakt, ajo të bën përshtypje (për keq), është fakti i standardit të dyfishtë me të cilin punoi Komisioni i Disiplinës. Flamurtarit nuk iu njoh e drejtë kërkesa për të marrë pikët e plota me Skënderbeun, ndërkohë që korçarëve, të cilët ishin përgjegjës për mbarëvajtjen e ndeshjes - edhe pse ajo u luajt në Pogradec, në Skëndërbeu-Flamurtari u gjakos anësori Ridigers Çokaj), - nuk iu hiqen pikët, siç u veprua në rastin e Pogradecit, kur u dhunua kryesori Enea Jorgji. Një kontrast tjetër ka të bëjë me dënimet e zyrtarëve. Zëvendëstrajnerit të Skënderbeut, Lorenc Hysi, u pezullua me dy ndeshje, ndërkohë që shefi i klubit të Flamurtarit, Geri Çipi u ndëshkua me 12 muaj pezullim nga të gjitha aktivitet sportive.
Shtatë ekipet e dënuara me heqje pikësh
Ekipet e dënuara këtë sezon me heqjen e pikëve, tashmë janë bërë katër, një me vendim të FIFA-s dhe tre me dënime nga Komisioni i Disiplinës të Federatës Shqiptare të Futbollit. Gjithsej, numërohen shtatë raste kur një ekipi të Superligës i janë hequr pikë me vendime disiplinore, përfshirë edhe dy në sezonin 2010-2011 dhe një në sezonin 2009-2010.
Kastrioti
Krutanëve iu hoqën tri pikë nga FSHF-ja, për braktisjen e lojës në takimin me Flamurtarin në Vlorë (Superliga 2009-2010).
Elbasani
Sezonin 2010-2011, Elbasanit iu hoqën tri pikë nga FIFA për mospagimin e lojtarit kroat, Darko Periç,
Flamurtari
Skuadra vlonjate u ndëshkua me -3 pikë pas braktisjes së ndeshjes me Laçin (1-1) edicionin e kaluar, 2010-2011.
Dinamo
Bluve iu zbritën tri pikë nga FIFA, për shkak të mospagimit e të lojtarit kroat Dario Bodrusiç (Superliga 2011-2012).
Laçi
U ndëshkua me heqjen e gjashtë pikëve nga Komisioni i Disiplinë, për shkak të dhunës ndaj gjyqtarit Lorenc Jemini (Superliga 2011-2012).
Pogradeci
U ndëshkua me zbritjen e tri pikëve nga Disiplina, për shkak të dhunës ndaj gjyqtarit Enea Jorgji (Superliga 2011-2012).
Flamurtari
U ndëshkua pas refuzimit për të luajtur vazhdimin e ndeshjes Skënderbeu-Flamurtari, për Kupën e Shqipërisë (2001-2012)
MLS, për një ditë Bekhami në SHBA është Hamdi Salihi
Hamdi Salihi ende nuk ka zbritur në fushë për DC Junatid për të treguar vlerat e tij si një “gjahtar” i rrallë golash, por sulmuesi shkodran, të paktën për 24 orë, ka pushtuar mediat amerikane, të cilat kanë folur me superlativa për “topçiun” shqiptar. Një nga gazetat më të mëdha dhe më prestigjiozë në Shtetet e Bashkuara, “Uashington Post”, shkruante se “DC Junaitid bleu Hamdi Salihin, sulmuesin shqiptar që pati një mesatare të jashtëzakonshme për klubim më të famshëm austriak, Rapidin e Vjenës”. “Ai është një nga sulmuesit më mesataren më impresive që ju mund të gjeni dhe ka të treguar se është i aftë të shënojë në çdo nivel në të cilin ai ka luajtur”, - tha Menaxheri i Përgjithshëm i Junaitid, Dejv Kaspër. “Ne besojmë fuqishëm se ai do të bëhet një tjetër pjesë e rëndësishme e ekipit tonë”. Salihi është klasifikuar te lojtare “dezinjuar” të kampionatit amerikan, Major League Soccer, një mekanizëm pesëvjeçar, që u lejon klubeve të firmosin me futbollistë elitarë duke shpenzuar nga paratë e tyre, më shumë se 335 mijë dollarë në vit, aq sa është dhe rroga e lejuar nga liga amerikane e futbollit. Për Salihin besohet se ai do të paguhet midis 500 mijë dhe 750 mijë dollarëve. Mesfushori malazez, Branko Boskoviç, njeriu që edhe bëri ndërmjetësin në transferimin e Salihit, përfiton 525 mijë dollarë. Kontrata e Salihi përfshin dy vjet të garantuara dhe dy të tjera si opsion shtyrje nga klubi, tha agjenti i FIFA-s më bazë në Nju Xhersi, Dejan Drobnjak, i cili përfaqëson gjithashtu Boskoviçin, një shok skuadre i Salihit te Rapidi i Vjenës në sezonin 2009-2010. Mediat amerilane vlerësojnë mesatare e lartë të shënimit nga ana e shkodranit, ndërkohë që Salihi do të zërë vendin e Çarli Dejvis, sulmuesit amerikan që shënoi 11 gola dhe u u huazua te klubi francez, Sosho. Salihi ka shënuar nëntë gola në 37 ndeshje me përfaqësuesen, 53 gola në 90 ndeshje me Rapidin, 32 herë kampion i Austrisë dhe 38 gola në 88 ndeshje me SV Ried, skuadra e parë austriake e shkodranit. Portali “Black and Red United” (Kuq e zinjtë e Junaitid), një faqe e afërt me klubin amerikan, flet për një “efekt domino” pas nënshkrimit të Hamdi Salihit. “Nëse dikush do të krijonte një listë me frazën më përmbledhëse të thënë nga tifozët e DC Junaitid, për merkaton, ajo do të ishte: ‘Ne kemi nevojë për një sulmues’. Largimi i Çarli Dejivs ishte një humbje, duke lënë një gropë të madhe në formacionin startues. Por, tani problemi tani është zgjidhur. Sulmuesi shqiptar Hamdi “The Bomber” Salihi dhe rekordi i tij gati absurd i shënimit të golave ka ardhur te DC, me githë interesimin e dy skuadrave skoceze, Rejnxhërs dhe Sëlltikut, Çançun Jatai nga Kina, apo dhe ekipeve të mundshme nga Superliga. Unë nuk jam personi i vetëm, që jam surprizuar nga lajmi”, - shkruan Çest Rokuell. “Nga njëra anë, është diçka e madhe të nënshkruash me një sulmues me një numër të madh golash të provuar për klubet e mëdha, dhe fakti se ai tani sapo ka mbushur 28 është si qershia mbi tortë. Ky është lloji i nënshkrimit që dëshironi që klubi të kryejë”.
Salihi në Shkodër
Hamdi Salihi ndodhet në Shqipëri për momentin, për të bërë dokumentet për të marrë vizën e punës në Shtetet e Bashkuara, një proces që mund të zgjatë dy apo tri javë.
-
1 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version
- Fatos Nano drejt PS-së
- Flet astrologia Meri Shehu
- Dashuri engjëjsh
- Sondazhi në "Telegraf"
- Shpallen personalitetet e vitit 2010 në “Telegraf”, Ja më të preferuarit e publikut shqiptar



Publikoni komentin tuaj