Hyrje | Sport | Hamdi Salihi “shkon” te Barak Obama, shqiptari kërkohet nga Uashingtoni

Hamdi Salihi “shkon” te Barak Obama, shqiptari kërkohet nga Uashingtoni

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

Sulmuesi shkodran i Rapidit të Vjenës mund të firmosë për DC United të Uashingtonit për 335 mijë dollarë në vit

 








A Skocia dhe as Kina. Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të jenë destinacioni i ardhshëm i Hamdi Salihit. Është “Washington Examiner” ajo që e raporton lajmin e bujshëm! Lajmi është bërë publik në faqen online të saj. “DC United kërkon të marrë yllin sulmues shqiptar”, shkruhet atje. Bisedimet për një transferim të mundshëm të sulmuesit 28-vjeçar të Rapidit të Vjenës në SHBA janë në zhvillim e sipër. Salihi është një nga lojtarët e “dezinjuar” për të luajtur në Shtetet e Bashkuara. Rroga e tij vjetore pritet të jetë rreth 335 mijë dollarë në vit. Merkatoja e Major League Soccer mbyllet, më 15 prill. Dhe ndoshta do të kemi edhe një duel magjik: Hamdi Salihi-Devid Bekham! Në fakt, edhe te drejtuesit e Rapidit të Vjenës, veçanërisht te menaxheri i rekordmenëve austriakë, Shtefan Ebner, pista kineze duket plotësisht e rënë. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është diçka krejt tjerr.
“Washingon Examiner” vlerëson faktin se sulmuesi shqiptar i Rapidit të Vjenës ishte i ndjekur nga një numër i madh klubesh, përfshirë dhe dy gjigantët skocezë, Gllazgou Rejxhërs dhe Sëlltiku. “Negociatat janë në rrugë e sipër me sulmuesin shqiptar, sipas një burimi që ka dijeni në lidhje me transaksionin”, shkruan gazeta e kryeqytetit amerikan. Nuk dihet se kush ua ka ofruar amerikanëve Salihin, por gazeta ka një shpjegim të sajin: “Salihi, i cili mbushi 28 vjeç muajin e kaluar, ka shpenzuar dy vitet dhe gjashtë muajt e fundit me Rapidin, me të cilin ka luajtur edhe lojtari aktual i D.C United, Branko Boskoviç”, Salihi ka shënuar 45 gola gjatë qëndrimit të tij, përfshirë 25 gola në të gjitha kompeticionet sezonin e kaluar. “Vetëm tre gola ka shënuar këtë sezon, me tetë nga 11 ndeshjet e tij të nisura nga bankia”, - vlerëson “Examiner”. “Salihi gjithashtu ka shënuar nëntë gola ën 37 ndeshje për ekipin Kombëtar të Shqipërisë”, shkruhet midis të tjerash në gazetën e kryeqytetit amerikan. Me kontratën që i skadontë këtë verë, Salihi ishte kandidat për t’u larguar nga Rapidi këtë dimër, që synonte të përfitonte nga shitja e tij, sesa ta lejonte të ikte në parametra zero shqiptarin në fund të sezonit. Të dy, si Rejnxhërs dhe Sëlltiku ishin të lidhur me Salihin muajin e kaluar. Detajet e një marrëveshje potenciale me D.C. United ende nuk janë bërë të njohura, por Salihi mund të jetë një kandidat që të bëhet një lojtar që do të marrë më shumë se maksimumi prej 335 mijë dollarësh, që marrin lojtarët e ekipit. Ai mund të jetë lojtari i tretë i dizenjuar pas Boskoviçit dhe Duajn De Rozairo, pasi bisedimet për zgjatjen e kontratës së De Rozarios janë tashmë të kompletuara. Duke rekrutuar një lojtar të kalibrit të Salihit, D.C. United synon qartazi se dëshiron t’i japë fund serisë prej katër sezonesh, ku dështoi të luante në plejofin e Major Soccer League, kampionatit amerikan, dhe të dëshmojë se burimet financiare nuk i janë pakësuar pavarësisht situatës aktuale të stadiumit të saj. Salihi mund të bëhet blerja e gjashtë e pauzës sezonale, duke ndjekur afrimet e mbrojtësit Robie Rasëll nga Real Salt Lejk, mesfushorit Deni Kruz nga Hjuston, sulmuesit Maikon Santos dhe mbrojtësit Emiliano Dudar si lojtarë të lirë dhe mesfushorit Nik DeLeon, i cili vjen nga akademitë e MLS-së.
KINA
Një transferim i Hamdi Salihit drejt Kinës nuk është për momentin në tryezën e Rapidit të Vjenës. Lajmin e japin mediat austriake.
Ndërkohë që skuadra e parë po vazhdon stërvitjet në Portugali, sulmuesi shkodran po stërvitet me amatorët në Vjenë. Edhe pse u fol shumë për një transferim te kinezët e Changchun Yatai, ai nuk ndodhi gjatë periudhës së merkatos. Te Rapidi i Vjenës janë të mendimit se Salihi mund ta vazhdojë të luajë rolin e xhokerit.
“Ne po punojmë në Vjenë për të gjetur një zgjidhje. Nëse ajo nuk do të ndodhë, ai do të jetë në formacionin e skuadrës, nëse ai më mirë se të tjerët është”, - citohet trajneri Petër Shëtel.

Tare: “Nuk jam grindur me Klozen”
Igli Tare hodhi poshtë zërat se ai ishte grindur me sulmuesin gjerman të Lacios, Miroslav Kloze, përpara ndeshjes Lacio-Roma (2-0). Drejtori sportiv shqiptar për “La Repubblica”:  “Nuk e di se nga kanë dalë këto zëra, dhe sfidoj këdo që thotë se unë kam pasur një ballafaqim me të. Tare: “Me Klozen kam raporte shumë të mira, njihemi prej vitesh dhe nuk jemi grindur kurrë. Folëm vetëm për dëmtimin e tij ramë dakord që ai të mos luante në sfidën kundër Milanit”.

Duka: “Asnjë argument për trukime”
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, tha gjatë një interviste për televizionin “Vizion Plus” të gazetarit Alfred Peza, se nuk ka argumente për ndeshjet e dyshuara si të trukuara dhe që janë përfshirë në dy lista (me 13 dhe 30 ndeshje) të dërguara nga UEFA. Duka: “Sa herë që kuotat e ndeshjeve në baste lëvizin, ngrihen dyshime. Tani nuk mund të themi që janë të vërteta apo jo ato që përfliten. UEFA ka ngritur një komision të posaçëm, që merr informacione të hollësishme nga kompanitë e basteve”. Duka foli edhe për përfoljen e ish-trajnerit të Kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe, në përgjimet e bisedave në Greqi. Duka: “Janë idiotësira! Unë kam besim absolut te lojtarët e përfaqësueses, për këtë jam i sigurt”. Presidenti i FSHF-së, i cili e drejton këtë institucion qysh nga viti 2002, tha: “Jam futur në botën e futbollit nga biznesi. Kjo është një sfidë e imja”. Në zgjedhjet e para presidenciale (2002), Armand Duka fitoi ndaj Mehdi Bushatit dhe gazetarit Besnik Dizdari, në vitin 2006 ndaj Salvador Kaçajt dhe Edmond Haxhisë si dhe në vitin 2010 ndaj Refik Halilit dhe Rudi Vatës.
Skënderbeu-Flamurtari, sot vendimi
Sot, në Federatën Shqiptare të Futbollit do të mblidhet Komisioni i Disiplinës, që do të shqyrtojë edhe incidentin e rëndë të ndodhur gjatë ndeshjes së Kupës së Shqipërisë, Skënderbeu-Flamurtari, ku u dhunua anësori Ridigers Çokaj. Flamurtari kërkoi zyrtarisht pikët në tavolinë. Vlonjatët kërkuan edhe dënimin e fushës së Skënderbeut, pavarësisht se takimi i Kupës u luajt në Pogradec.

3000 policë lejuan vdekjen 74 personave
Bota është shokuar! Përplasjet e tifozerive në Egjipt sollën 71 të vdekur. Qindra të plagosur. Ndërkohë që policia vetëm sa e ka vështruar skenën masive makabre! Pas ndeshjes midis Al-Masri und Al-Ahly Kairo në qytetin egjiptian Port Said masa të stërmadha tifozësh zbritën në fushë. Paniku mbretëroi! Edhe pse në stadium ishin jo pak, por 3000 forca policore, të cilat kanë parë qetësisht se si vdisnin tifozët. “Faji ishte i policisë”, - tha trajneri portugez i Al-Ahli, Manuel Zhoze. “Ishin disa dhjetëra punonjës në stadium, por në pak minuta gjithçka u shndërrua në një tragjedi”. Të paktën 73 egjiptianë u vranë të mërkurën pas dhunës që shpërtheu në një ndeshje futbolli në Port Said, kur tifozët u futën në fushë në një derbi. Ky është një nga incidentet më të këqija në sport që ka ndodhur në Egjipt në dekadat e fundit. Fansat e ekipit vendas, Al-Masry, pushtuan fushën pas fitores së rrallë kundër Al-Ahly, skuadrës kryesore në Egjipt. Ata hodhën gurë, fishekzjarrë dhe shishe drejt fansave dhe plagosën disa lojtarë. Kjo është tragjedia më e madhe në një stadium futbolli, që nga 16 tetori i vitit 1996, kur në ndeshje kualifikuese të Botërorit, atë Guatemala-Kosta Rika vdiqën 78 persona.

Lojtarët kundër ndeshjeve në mbrëmje
I ftohti i acartë dhe bora e rëndë që ra në Italinë Veriore e çoi në kaos Serinë A. Katër ndeshje u shtynë, ndërkohë që tani Shoqata e Futbollistëve Profesionistë Italianë (AIC) protestoi kundër trendit, për të bërë gjithmonë e më shumë ndeshjen në mbrëmje. “Ndeshjet në mbrëmje gjatë muajve të ftohtë janë shumë të rrezikshme për shëndetin e lojtarëve. Terreni është shpesh i rrëshqitshëm, ndërkohë që rritet në maksimum rreziku i dëmtimeve”, - tha një zëdhënës i shoqatës. Zvëndëspresidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Demetrio Albertini, tha: “Seria A duhet të fillojë në gusht. Më shumë ndeshje në mbrëmje duhet të zhvillohen gjatë kohës së verës”.
Riberi jep alarmin te Bajern
Bajerni i Munihut nuk pati asnjë afrim cilësor gjatë merkatos dimërore pavarësisht dëmtimit të qendërmbrojtësit Daniel van Buyten, dhe për më tepër mbrojtja nuk u përforcua. Rekordmenët gjermanë vazhduan politikën e dorës së shtrënguar, gjë që nuk shkoi shumë me shijen e mesfushorit francez, Frenk Riberi. “Unë besoj se, është një problem i madh për ne, nëse dy apo tre lojtarë janë të dëmtuar”, - tha francezi.
“Ne nuk kemi bankinën e duhur dhe nuk kemi një ekip të dytë cilësor”, - shtoi 28-vjeçari. I kundërt është mendimi i Zherom Boateng: “Ne kemi mjaftueshëm kualitet”.
Sise: “Më shajnë vetëm idiotët”
“Majmun i madh”, “Zezak bastard, tifozët e Lacios të urrejnë”. Këto janë disa nga sharjet raciste që janë shkruar në profilin e Djibril Sise në Tëitter, sulmuesit francez që u transferua nga Lacio te QPR. “Këta janë idiotë. Më shajnë vetëm se ndërrova skuadër? Të më quani zezak vetëm për këtë motiv është me të vërtetë shokuese”, - ishte përgjigj e sulmuesit ndaj sharësve.
Ozil: “Dua ta mbyll te Real Madrid”
Mesut Ozil dëshiron ta mbyllë karrierën te Real Madrid. Mesfushori për “Kicker: “E di, që janë shumë vite dhe kjo e bën më të vështirë. Skuadra do të marrë shumë lojtarë të mëdhenj në vitet e ardhshme, dhe gjithashtu futbollistë të rinj. Por, unë dua të jem pjesë e kësaj të ardhmeje”. Turko-gjermani: “Kam mësuar shumë gjëra në ‘Santiago Bernabeu’. Jam bërë më i fortë”. Ozil tha se me yjet e ekipit si portugezi, Kristiano Ronaldo, ai flet edhe për Europianin e Polonisë dhe Ukrainës. Ozil: “E kam thënë shpesh se dua të shpallem kampion i Europës”.

Subscribe to comments feed Komente (0 publikuar):

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj comment

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

  • Plain text 1 - Here eshte lexuar ky Artikull
  • email Email shokeve
  • print Print version
Vlereso kete artikull
0