Ernest Gjoka: “Dhuna, po e çon futbollin në kaos”
Trajneri dhe analisti i njohur flet pas gjakosjes së anësorit Çokaj në Skënderbeu-Flamurtari
Incidenti i rëndë në ndeshjen e Kupës së Shqipërisë, Skënderbeu-Flamurtari, ku u gjakos anësori Ridigers Çokaj, jo vetëm solli reagimet e forta të dy drejtuesve të lartë të dy klubeve (Agim Zeqo dhe Shpëtim Gjika), reagimin e trajnerëve (Stanislav Levi dhe Shkëlqim Muça), deklarimet mediatike të dy kapitenëve (Bledi Shkëmbi dhe Artan Sakaj), por u përcoll me zemërim edhe nga figura të sportit dhe sportdashësit. Trajneri dhe analisti i njohur, Ernest Gjoka, tha për gazetën “Telegraf’, se “ndeshja duhej të ndërpritej qysh në momentin kur u godit anësori Çokaj”: “Gjërat u futën në një vorbull të rrezikshme dhe, ishte gjëja më e natyrshme që takimi të ndërpritej”, - tha ish-trajneri i Kamzës për gazetën “Telegraf”.
Gjoka, futbolli shqiptar përjetoi një tjetër skenë dhune në takimin Skënderbeu-Flamurtari, ku u gjakos anësori Rigidert Çokaj. Cili është mendimi juaj?
Mendoj që, ndeshja duhet të ishte ndaluar në moment (minuta e 77-të), pasi gjërat ishin futur në një vorbull të rrezikshme. Ajo situatë paralajmëron shumë për të ardhmen e kampionatit. Jam i bindur, për këtë. Do të ishte masa më efikase.
Skuadrat sapo mbyllën merkaton dimërore, dhe thuajse të gjitha kanë bërë përforcimet e tyre, sipas nevojave që ato kanë pasur. Si një ish-trajner, si do ta gjykonit merkaton?
Mendoj se, përveç Flamurtarit që ka bërë një merkato shumë të mirë, të tjerët kanë bërë afrime normale. Them Flamurtari, pasi rekrutoi emra të tillë cilësorë si Toni Pezo dhe Pero Pejiç. Nuk duhet harruar se, Superliga jonë nuk ka mundësi të mëdha ekonomike.
Edhe Skënderbeu bëri disa goditje. A do t’u mjaftojnë kampionëve në fuqi për të mbrojtur titullin?
Skënderbeu e ka grupin të mirë dhe të konsoliduar, kështu që bëri një merkato të kujdesshme. Edhe Teuta, që kryeson kampionatin, mendoj se me afrimet e serbit Delibashiç dhe brazilianit Da Silva, realizoi dy afrime të spikatura.
Më 11 shkurt nis faza e dytë e kampionatit. Duke parë edhe renditjen dhe performancën e ekipeve në fazën e parë, sipas jush, cilët do të jenë konkurrentët më të fortë për titull?
Parë dhe diferencat e ekipeve, si në pikë dhe në kualitete, mendoj se do të kemi një fazë të dytë shumë kompetitive. Do të luftohet fort për titull deri në javën e fundit. Mendoj se emrat pretedentë tani janë përcaktuar: Teuta, Tirana, Skënderbeu dhe Flamurtari.
Dinamo ishte dhe surpriza e fazës së parë, kjo në sensin negativ. Me afrimet që kanë bërë blutë, a do të kenë forcë të mbijetojnë në Kategorinë Superiore?
Mendoj, që e ka shumë të vështirë për të arritur që të dali nga ujërat e turbullt ku ndodhet.
Së fundi, te Kamza, të cilët ju e drejtuat në fazën e parë, është afruar italiani Mauro De Vekis. Cili është opinioni juaj i deritanishëm?
Për të qenë i sinqertë, po mjaftohem të them se nuk e njoh. Por, ka kohë që ta vlerësojmë për atë që do të japë te Kamza. Është një klub me ambicie.
Çfarë ndodhi në Pogradec?
Ishte minuta e 77-të e takimit Skënderbeu-Flamurtari. Kapiteni i korçarëve, Bledi Shkëmbi, sapo kishte shënuar golin e avantazhit 2-1 për Skënderbeun, kur një tifozë goditi me një objekt anësorin Ridigers Çokaj. Ndihmësi i gjyqtarit Migjen Masha u gjakos në kokë, ndërkohë që mjeku i ekipit të Skënderbeut, e ndihmoi duke ia fashosur plagën. Pamjet dhanë një bluzë të verdhë të njollusur nga gjaku. Tensioni përfshiu bankinat e dy ekipeve, ku protagonistë janë ndihmësit e trajnerëve, Stanislav Levit dhe Shkëlqim Muçës. Loja u ndërpre për disa minuta. Rikthimi i ndeshjes ofroi vetëm një shfaqje të turpshme futbollistike. Flamurtari është në fushë sa për të respektuar protokollin, ndërkohë që Skënderbeu kompletoi pokerin, duke realizuar me Gjergji Muzakën dhe Sebino Plakun, madje dy gola të realizuar në më pak se 100 sekonda.
REAGIMET
Gjika: “Një turp i madh!”
Presidenti i Flamurtarit, Shpëtim Gjika, reagoi ashpër pas dhunës ndaj anësorit Ridigers Coka, gjatë ndeshjes Skënderbeu-Flamurtari, për Kupën e Shqipërisë. Gjika për "Supersport": “Drejtuesit e Skënderbeut e kane pushtuar dhe dhunuar totalisht FSHF-në. Ata po bëjnëçfarëdo u do qejfi. Është për të ardhur keq”. Kryebashkiaku i Vlorës dha një mesazh për zyrtarët e FSHF-se: “Delegati Arsen Hoxha dhe vëzhguesi Astrit Canaj janë çnderuar me atë që kanë bërë. Për më tepër, që Arsen Hoxha e bën për herë të tretë ndaj nesh”.
Levi: “Ishte hera ime e parë”
Trajneri çek i Skënderbeut, Stanislav Levi, mbeti i shokuar nga incidenti që i ndodhi anësorit Ridigers Çokaj në Skënderbeu-Flamurtari (4-1). Levi: “Hera e parë në jetën, që shoh një gjyqtar të gjakosur”. Pasuesi i Shpëtim Duros kritikoi sjellje e ekipit të Flamurtarit, për të qëndruar pasiv në minutat pas incidentit. Trajneri çek “Gjithçka, ndodhi ishte një absurditet. Mu më shumë si një metodë për të fshehur humbjen dhe dështimin”. Skënderbeu fitoi 4-1: Shkëmbi (2), Muzaka dhe Plaku. Veliu për Flamurtarin.
Ende asnjë reagim zyrtar
Federata Shqiptare e Futbollit ende nuk ka dalë me një reagim zyrtar, në lidhjen me incidentin ndaj anësorit të ndeshjes Skënderbeu-Flamurtari, Ridigers Çokaj. Burime nga selia e topkëmbës thanë, se Komisioni i Disiplinës do të shqyrtojë relacionin e delegatit të ndeshjes, Arsen Hoxha dhe vëzhguesit Astit Canaj, si dhe pamjet filmike, përpara se të marrë një vendim. Në fakt, ndeshja u zhvillua në një fushë asnjanëse, ku në tribunat e “Gjorgji Kyçykut” të Pogradecit, ishin të pranishëm si tifozë të Skënderbeut, ashtu dhe të Flamurtarit, madje nuk kishte asnjë ndarje të qartë midis tyre.
Një histori dhunë mbi gjyqtarët
Dhuna mbi gjyqtarët thuajse është shndërruar në një normalitet në vitet e fundit në futbollin shqiptar, ndërkohë që fyerjet në korr ndaj “xhaketave të zeza” tanimë nuk i bëjnë më përshtypje askujt. Në tri vitet e fundit kanë ndodhur të paktën 15 incidente të rënda mbi “bilbilat”, ku disa prej tyre janë ekstreme, pasi kanë përfunduar me rrahje masive, gjakosje, e deri edhe në kërkim të ndihmës mjekësore urgjente. Gazeta “Telegraf” në specialen e saj bën një prapakthim në kohë, vetëm në tre vitet e fundit, ku ka mundur të identifikojë jo pak raste.
Mentor Sopjani
Gjyqtari kryesor Sopjani dhe anësori Fatmir Limaj u dhunuan në ndeshjen Tërbuni-Kastrioti (1-1, java 19, Kategoria e Parë 01.03.2009). Ndeshja u ndërpre, Sopjani mori mjekim urgjent ne spitalin e Pukës.
Emiljano Biçaku
Futbollisti i Flamurtarit, Halim Begaj, goditi me shpulla gjyqtarin anësor Emiljano Biçaku, duke protestuar për golin e pësuar në Dinamo-Flamurtari 1-0 (java 13, 15.12.2009, sezoni 2009-2010).
Mane, Qiriazi, Maze
Lojtarët e Vlorës zunë me shkelma dhe grushte gjyqtarin nga Erseka, Mane dhe ndihmësit e tij, Qiriazi dhe Maze, të cilët i konsideruan fajtor në humbjen 1-0 me Domosdovën të zhvilluar në Përrenjas (sezoni 2009-2010).
Edvaldo Dyrmishi
Në takimin Këlcyra-Tomori 0-1 ( 06.12.2009, java 11 e Kategorisë së Dytë, Grupi i Jugut), anësori Edvaldo Dyrmishi u godit me gur. Gjyqtari kryesor ndërpreu ndeshjen disa herë gjatë atij takimi.
Denis Agaraj
Zyrtari i Gramozit, Altin Hodo, goditi me grusht anësorin Denis Agaraj gjatë takimit Gramozi-Vllaznia 1-1 (sezoni 2009-2010, java 22, 20.02.2010). Hodo u ndëshkua me përjashtim të përjetshëm nga futbolli nga Komisioni i Disiplinës.
Bledar Mesi
Mesfushori i Gramozit, Olsi Bajollari, goditi më shpullë aneësorin Bledar Mesi gjatë takimit të Kupës së Shqipërisë, Gramozi-Teuta 1-1 (02.03 2010).
Astrit Mahmutaj
Anesori u godit me grushte nga mjeku i Lushnjes, Caka dhe sulmuesi Bubeqi, gjatë ndeshjes Lushnja-Pogradeci 1-2 (java 20 Kategorisë së Parë, sezoni 2010-2011, 01.03.2011).
Lorenc Jemini
Gjyqtari u kërcënua para fillimit të ndeshjes Shkumbini-Flamurtari (sezoni 200-2011, java 28, 15.04.2011).
Ergin Doda
Anësori u godit gjatë ndeshjes Gramozi-Skënderbeu (sezoni 2009-2010, java 25, 27.03.2010).
Ermal Barushi
Anësori u godit në ndeshjen Bylis-Flamurtari (sezoni 2011-2012, java 7, 31.10.2011)
Lorenc Jemini
Gjyqtari u godit në ndeshjen Laçi-Kastrioti (sezoni 2011-2012, java 11, 04.12.2011). Jemini u rrah nga presidenti i Laçit, Pashk Laskaj dhe disa drejtues të tjerë të klubit laçjan. Laskaj u ndëshkua me dy vjet për të mos ndjekur ndeshjet ekipit të tij, ndërkohë që Laçit iu zbritën 6 pikë në renditje dhe ndeshjet si organizator do t’i zhvillojë jashtë shtëpisë.
Enea Jorgji
Gjyqtari u godit në ndeshjen Pogradeci-Teuta (sezoni 2011-2012, java 12, 17.12.2011). Pogradecit iu hoqën tri pikë nga renditja dhe ndeshjet si organizator do t’i zhvillojë jashtë shtëpisë.
Ridigers Çokaj
Anësori u godit në ndeshjen Skënderbeu-Flamurtari Kupa e Shqipërisë 2011-12, turi çerekfinal, 31.01.2012). Anësori u gjakos në kokë, ndërkohë që në 15 minutat e mbetura gjykoi arbitrit i katërt Taullaj.
Bojkoti i “bilbilave”
Shoqata e Bashkimit të Arbitrave të Futbollit Shqiptar mbajti një qëndrim të ashpër, kur gjyqtari Lorenc Jemini u godit në grup nga drejtuesit e lartë të Laçit në ndeshjen Laçi-Kastrioti (sezoni 2011-2012, java 11, 04.12.2011), madje duke marrë dhe një vendim ekstrem: bojkotimin për një javë të kampionateve të të gjitha niveleve, duke detyruar edhe Sektorin e Garave të Federatës Shqiptare të Futbollit të “rimodelojë” datat e dy javëve të fundit të fazës së parë. Në fakt, indinjimi i “bilbilave” është më se i drejtë, nisur edhe nga fakti se shumë shpesh ndaj tyre është ushtruar dhunë psikologjike dhe, në jo pak raste, edhe dhunë fizike. Ndërkombëtari Lorenc Jemini u rrethua, u godit, u poshtërua, aq sa shkaktoi jo vetëm një dramë psikologjike në familjen e tij, por risolli në kujtesë imazhet tragjike të disa viteve më parë, kur arbritrat falënderonin Zotin që i kishte shpëtuar nga dëmtimet apo dhe gjymtimet. Shoqata e Arbitrave të Futbollit Shqiptar bëri edhe një apel edhe ndaj një vëmendjeje më të madhe edhe nga ligjvënësit tanë, që për dhunën në ambientet publike aktet ligjore të jenë më të rrepta në masat penalizuese pasi shembujt e shumtë janë prezentë në të gjitha vendet e zhvilluara e me demokraci të konsoliduar.
Sa paguhet një gjyqtar?
Një gjyqtar kryesor paguhet 40 mijë lekë (të reja) për një ndeshje të Superiores, 30 mijë në Kategorinë e Parë dhe 20 mijë në Kategorinë e Dytë. Asistentët paguhen 20 mijë në Superiore, 15 mijë në Kategorinë e Parë dhe 10 mijë në Kategorinë e Dytë. Ndërsa vëzhguesit paguhen 10 mijë për ndeshje. Federata Shqiptare e Futbollit duhet të ndajë afërsisht 900 milionë lekë të vjetra në sezon për pagat e arbitrave në bazë të ndryshimeve të fundit që janë me propozim të Komisionit të Superiores.
-
1 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version
- Fatos Nano drejt PS-së
- Flet astrologia Meri Shehu
- Dashuri engjëjsh
- Sondazhi në "Telegraf"
- Shpallen personalitetet e vitit 2010 në “Telegraf”, Ja më të preferuarit e publikut shqiptar



Publikoni komentin tuaj