Arben Minga, ylli i pashuar i futbollit
In memoriam për ish-sulmuesin e madh të Tiranës dhe Kombëtares, me rastin e 5 vjetorit të ndarjes nga jeta
Pesë vjet më parë, pikërisht më 31 janar 2007 (ora 05:00 mëngjezit në Shqipëri (dhe 30 janar 2007, në Uindsor të Kanadasë, ora 23:00), Arben Minga, një nga yjet e futbollit shqiptar dhe të Kombëtares, një legjendë e jashtëzakonshme e Tiranës, mbylli sytë përgjithmonë në Uindsor të Kanadasë së largët, por për t’u prehur përjetësisht në panteonin e tokës mëmë, si një yll i vërtetë, qe kaloi nga rrugën e të magjishmit futboll, me destinacion qiellin e shndritshëm ku edhe përfundimisht zuri vend në mes të yllësisë së futbollit shqiptar. Madhështia e tij si futbollist qëndronte tek përsosmëria e përhershme në gjithçka bënte, sa herë që zbriste në fushën e blertë. Gazeta “Telegraf’ risjell pikërisht ato momente tragjike që përjetoi familja dhe të gjithë dashamirësit e tij, por të mbushura edhe me respekt për Benin.
DITËT E FUNDIT
Vetëm pak ditë pas mbërritjes në Uindsor, sëmundja filloi të përparojë ndjeshëm në organizmin e Benit. Sipas asaj që na ka rrëfyer bashkëshortja zonja Nora, por edhe miq e shokë të tij, të cilët nëpërmjet postës elektronike na kanë informuar me hollësi për ditët e fundit të jetës së Arben Mingës, mësohet se gjatë tre muajve nëntor, dhjetor (2006) dhe janar (2007) ai është dobësuar shumë. Por, pavarësisht nga kjo, për asnjë çast nuk i ka munguar përkujdesja e njerëzve të afërt dhe sidomos e personelit të shërbimit mjeksor në Uindsor. Ditët e jetës së tij ishin të numuruara. Sëmundja e pamëshirshme tashmë kishte nisur të bënte të sajën. Energjitë e gjigandit Minga gjithnjë e më shumë po vinin duke u shterur dhe nuk ishin më në gjendje t'i bënin ballë valëve të goditjeve të saj dhe jo më ta mposhtnin atë. "Në ditët e fundit të jetës, - thotë miku i tij Bashkim Ruseti - kam biseduar për ditë me të në telefon. Madje, edhe disa herë në ditë. Analizat e fundit më thoshte më kanë mirë e ndërkohë intersohej për shëndetin tim, duke më porositur që të mos neglizhoja. Habitesha!. O Zot!, Thoja ku e gjen gjithë këtë forcë ky njeri!". Pesë ditë para se të mbyllte sytë, ka biseduasr për herë të fundit me nënë Dhimitrën. Para se ta mbyllnin bisedën mësohet se e ëma e ka pyetur: "Po tani si je të keqen nëna?". "Jam, jo keq". Këto kanë qenë tri fjalët e fundit, që i ka thënë nënës së tij të dashur. E mbesa, Jonita Janku (Rama), nga mesi i muajit janar 2007, lë Nju Jorkun dhe për dy javë rrjesht nuk i është ndarë dajos. Aty tek koka e krevatit bashkë me Norën i ka qëndruar deri në çastet e fundit të jetës. Sipas rrëfimit të saj, Arben Minga edhe në atë moment kur po jepte frymën e fundit, nuk ka dashur t'i shqetësojë të pranishmit, nuk ka dashur t'ia shihnin ato dy pika të kristalta loti, që i kanë shkarë për të fundit herë nga ata sy që i shkëlqenin tejmase, ndaj është kthyer nga muri dhe ka dhënë shpirt. Në atë orë të vonë të natës kur zemra e tij pas rrahjes së fundit ndali, akrepat e orës shënonin 23:00, e mërkurë datë 30 janar 2007.
“LAMTUMIRË BENI!”
Për tri ditë me radhë gjithë opinioni futbolldashës në Tiranë është tkurrur keqas nën peshën e këtij lajmi të kobshëm. Dhimbja dhe pabesueshmëria bërë njësh, në shpirtin e të gjithë shokëve, miqve e admiruesve të Arben Mingës kishte krijuar një rëndesë të paparë. Ndaj paraditen e të enjtes së 2 shkurtit 2007 sheshi përpara stadiumit "Selman Stërmasi" ishte mbipopulluar nga njerëz të sferave të ndryshme të jetës së sportit, artit, politikës, tifozë e njerëz të thjeshtë për të bërë homazhe në hollin e stadiumit, ku drejtuesit e klubit bardheblu kishin vendosur një fotografi gjigande të Arben Mingës mes flamurit kombëtar kuqezi dhe atij bardheblu të klubit Tirana. Për gjithçka ishte përkujdesur shoku dhe miku i tij i ngushtë Shkëlqim Muça, në atë kohë drejtor i FK Tirana. "Lamtumirë Beni!" Kjo ka qenë kryefjala e asaj dite, kur kryeqytetasit pasi ngushëllonin nënë Dhimitrën, Tatjanën, Nikoletën dhe pjestarët e tjerë të familjes për ndarjen nga jeta të njeriut të tyre më të dashur, linin tufa me lule të freskëta pranë fotografisë, përkuleshin me respekt para portretit të Benit dhe hidhnin mbresat e përshtypjet e tyre nga takimet me të, në një libër të lënë enkas. Kanë qenë të gjithë miq, të afërm, shokë, bashkëlojtarë, dashamirës, përfaqësues të klubeve të ndryshme, drejtues të FSHF, të Bashkisë së Tiranës, të partive politike, deputetë e deri futbollistë të vegjël, që kanë lënë fushën e stërvitjes aty në aneksin e "Selman Stërmasit" dhe i kanë dhënë lamtumirën e fundit Arben Mingës. "Shqipëria ka humbur një ikonë të futbollit, familja një djalë të ri dhe sportdashësit atë që u falte kënaqësi në stadiume", - ka thënë i përlotur Alfred Moisiu, President i Republikës së Shqipërisë në atë kohë, pasi u ka shprehur ngushëllimet familjarëve.
ISH-SHOKËT E SKUADRËS
"Ben Minga, - tha Sulejman Mema - ka qenë dhe kam mendimin se i tilli do të mbetet përjetësisht sulmuesi më i madh që kam patur fatin të shoh e të njoh në jetën time". "Më ka ardhur shumë keq, - u shpreh Agustin Kola - kur mësova lajmin e hidhur që Arben Minga na kishte lënë. Me Mingën tek Tirana kam kaluar momentet më të mira e më të vështira. U bashkuam tek Tirana për të mos u ndarë më për shumë vite me radhë". "Lajmin e hidhur, - tha Mirel Josa - e kam marrë që në orën pesë të mëngjezit. Kemi të bëjmë me një humbje, që na ka troditur keqas të gjithëve. Arben Minga ka qenë miku im më i mirë. Të flas për të duhet shumë kohë. Kemi qenë shokë të një ekipi si me Tiranën, ashtu edhe me ekipin Kombëtar. "Arben Minga ishte njeri i mrekullueshëm, - thotë përmes dhimbjes Shkëlqim Muça - Por, mbi të gjitha ishte shok i mirë dhe i respektueshëm. I pëlqente shumë shoqëria, aq sa gati harronte të shkonte në shtëpi". "Ben Minga, - shprehet Krenar Alimehmeti - ishte nga ata futbollistë, që jo vetëm për atë çka dha në fushë për Tiranën e ekipin Kombëtar, por sidomos për karakterin dhe vlerat e tij të jashtzakonshme si njeri do të mbetet në zemrat e sportdashësve shqiptarë". “Ikja e Mingës - tha Perlat Musta ish-portieri i Partizanit dhe i ekipit Kombëtar - është një humbje tepër e madhe, që na ka shokuar të gjithëve. Pavarsisht se kemi qenë kundërshtarë, Beni jo vetëm për mua, por për shumë të tjerë ka qenë shok dhe mik, një djalë që nuk ka prishur kurrë fjalë me njeri". "Kemi luajtur shumë vite bashkë në ekipin Kombëtar, - thotë Sulejman Demollari ishfutbollist i Dinamos dhe i ekipit përfaqsues - por edhe pas viteve nëntëdhjetë në Rumani, kështu që kam patur fatin ta njoh shumë mirë edhe si njeri”. "Një djalë i ri, - u shpreh me shumë dhimbje profesor Shyqyri Rreli, ish-trajner i ekipit kombëtar dhe i Tiranës - futbollist i përsosur me shumë forca e energji brenda vetes, të cilat i derdhte pa kursim në fushën e lojës si në ndeshjet për ekipin kombëtar, ashtu edhe në ato për Tiranën. Kështu do të mbetet Arben Minga në kujtesën time, sepse unë kam patur fatin ta drejtoj nga pankina me të dy këto ekipe, pa harruar edhe ekipin kombëtar Shpresa U-21, ku ai u bë kampion i Ballkanit kur qe vetëm 19-vjeç". "Unë e kam njohur që fëmijë,- u shpreh Fatmir Frashëri - sepse e kam stërvitur derisa e çova në ekipin e parë të Tiranës. Ishte një djalë i artë dhe nuk është aspak e drejtë që të largohej nga jeta në këtë mënyrë, kaq shpejt dhe në moshë kaq të re".
Pesë të “shtëna topi” për Benin
Më 3 shkurt 2007, ora 17:00 në një dekor të paparë, i vendosur i gjithë në tribunën përballë të "Qemal Stafës" para fillimit të ndeshjes Tirana-Teuta e vlefshme për javën XVIII të kampionatit i është dhënë lamtumira e fundit gjigandit të futbollit shqiptar, Arben Minga. Një foto në madhësi natyrale e tij në mes të tribunës D2, rrethuar me trandafilë e lule, në të dyja anët e së cilës ishin vendosur disa banderola ku shkruhej:"Arben Minga gjithmonë në zemrat tona". Ndërkohë që futbollistët e të dyja skuadrave bashkë me gjyqtarët kanë dalë në fushë me shirita të zinj në krah, presidenti i FK Tirana në atë kohë, Zoti Bamir Topi, sot aktualisht President i Republikës së Shqipërisë në fjalën e tij tha: "Largimi i parakohshëm i Arben Mingës është një humbje për familjen, për shoqërinë dhe për futbollin shqiptar, sepse në lojën e tij ai ishte pikë referimi, një legjendë e gjallë për të gjithë brezat. Me ikjen e gjigandit Arben Minga, familja humbi njeriun e saj më të shtrenjtë, miqtë shokun më të dashur, tifozët futbollistin e shkëlqyer, që ndër vite u dhuroi aq shumë emocione". Pas kësaj, ai i ka ftuar të gjithë për të nderuar me një minutë heshtje kujtimin e tij. Pesë golat e Tiranës në atë ndeshje si pesë të "shtëna" altilerie, kishin lajmëruar mbërritjen në banesën e fundit të trupit pa jetë të ikonës, idhullit e legjendarit të skuadrës bardheblu, gjigandit Arben Minga. Teksa në "Qemal Stafa" gjyqtari fërshëllente përfundimin e ndeshjes, në Uinstorin e largët mbi dheun e varrit të Arben Mingës spërkatur nga lotët e Norës ishte hedhur trëndafili i fundit.
Nora: "Lamtumirë, Beni ynë i shtrenjtë!”
Në "Funeral Home" përpara arkivolit me trupin e Arben Mingës, bashkëshortja Nora Minga (Goxhi) ka mbajtur këtë fjalë: “Nuk e kisha menduar kurrë se do të vinte një ditë dhe do të përcillnim për në banesën e fundit, që do të ndaheshim nga ti, që do të ndaheshe nga jeta ime, nga djemtë tanë. Jo Beni, ti nuk kishe as moshën dhe as fizikun për të ikur nga ne. Ti dukeshe i përjetëshëm dhe ne të gjithë këtë dëshironim. Ben ti je hero, sepse edhe duke e ditur fundin e pashmangshëm, qëndrove me guxim burrërisht, nuk u ligështove asnjëherë, nuk re moralisht dhe luftove deri në fund me optimizëm për jetën. Ti u ndave nga jeta në dhe të huaj, larg vendit tënd, ku nuk ta njihnin famën dhe lavdinë dhe jo në atdhe, ku shokët dhe miqtë të lartësonin edhe për mirësinë e dashurinë që rrezatoje. Prandaj do mbetesh në kujtimin e tyre si modeli i sportistit dhe njeriut shembullor.
Dheu të qoftë i lehtë. Lamtumirë!" Për Norën, bashkëshorten e tij në atë çast kishte ndalur e tërë Bota.
Skeda
Emri: Arben
Mbiemri: Minga
Datëlindja: 16 mars 1959
Vendlindja: Tiranë
Gjatësia: 188 cm
Pesha: 84 kg
Roli: Sulmues
Skuadrat në radhët e të cilave është aktivizuar:
FK Tirana 1976-1991, FC Brashov (Rumani) 1991-1992, Dacia Braila(Rumani) 1992-1993, FC Giorgiu (Rumani) 1993-1994, FK Tirana 1994-1995, 1995-1996
Tituj:
"Mjeshtër Sporti"(4 mars 1988), "Mjeshtër i Merituar i Sportit"(6 janar 1991), "Simbol i qytetit të Tiranës"(26 maj 2000), "Nderi i Sportit Shqiptar" (20 dhjetor 2000) dhe bën pjesë në "Librin e Artë të FK Tirana"
Trofe:
Kampion kombëtar me Tiranën, më 1981-1982, 1984-1985, 1987-1988, 1988-1989, 1994-1995 dhe 1995-1996
Fitues i Kupës së Shqipërisë: 1977, 1983, 1984, 1986 dhe 1996
Fitues i Superkupës së Shqipërisë: 1994
Kampion i Ballkanit me ekipin kombëtar Shpresa U-21: 1978
Këpuca e Artë: Me 13 gola në sezonin 1984-1985
Ka luajtur: 20 sezone futbollistikë
Në Shqipëri: 17, Në Rumani: 3
Ndeshje gjithsej: 738
Gola gjithsej: 266
Në Kupat e Europës me fanellën e Tiranës: 18
Me ekipin kombëtar: 28
Gola në Kupat e Europës: 3
Me ekipin Kombëtar: 2 (Belgjikë, Greqi)
Rruga “Arben Minga”
Rruga që nis nga Farmacia nr. 10, tek kryqëzimi i unazës së vjetër të Tiranës me rrugën e "Dibrës", deri tek vendi i quajtur "Xhamlliku", pikërisht aty ku ndërpritet nga rruga "Qemal Stafa", me vendim të Këshillit Bashkiak të njësisë bashkiake nr.8 të kryeqytetit marrë në nëntor 2008, mban emrin "Arben Minga".
-
1 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version
- Fatos Nano drejt PS-së
- Flet astrologia Meri Shehu
- Dashuri engjëjsh
- Sondazhi në "Telegraf"
- Shpallen personalitetet e vitit 2010 në “Telegraf”, Ja më të preferuarit e publikut shqiptar



Publikoni komentin tuaj