Hyrje | Sport | 50 ditë “agjërim”, sa i vlejnë futbollit tonë?

50 ditë “agjërim”, sa i vlejnë futbollit tonë?

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

AKTUALITET/ Superiorja shqiptare zyrtarisht me “leje të zakonshme”, shumë pushime dhe pak lojë!

 

 

 

 




Nga 24 dhjetori i vitit të kaluar e deri më 11 shkurt të këtij viti, janë 50 ditë të plota që kampionati ynë i Superiores i ka mbyllur fletët e kalendarit të tij. Është një periudhë e gjatë që nuk ngjason të paktën edhe me kampionate shumë më inferiore në Europë e në Botë, të cilët ose nuk e kanë ndërprerë aktivitetin e tyre nga faza në fazë, ose kanë bërë pushime të shkurtra mes tyre. Por kjo shkëputje ndodh në kampionatin tonë, në të cilin çfarëdo arsye që të futësh, nuk mund t’ia dalësh dot për të thënë se ky është me të vërtetë një kampionat profesionist. Shumëkush që e ndjek futbollin shqiptar edhe mund të ketë ndonjë gjykim ndryshe, për të na thënë se jemi gabim në këtë këndvështrim, pasi skuadrat janë përgatitur në Ulqin, në Antalia apo edhe në Shqipëri, ku nuk ju kanë munguar edhe ndeshjet miqësore. Po, është e vërtetë (jo për të gjitha skuadrat), por këto janë ndeshje që ngjasojnë më shumë me ish-Spartakiadat e 20-30 viteve më parë, aty ku futeshin shumë lojtarë dhe pak prej tyre dilnin nga “furra” si të pjekur. Sepse aty, në ato miqësore e përgatitore jashtë e brenda vendit, nuk ka seriozitetin e një ndeshjeje zyrtare. Më së shumti, në të tilla hapësira kohe kaq të gjata, individë të veçantë kërkojnë të tregojnë sa më shumë nga vlerat e tyre kur provohen nëpër skuadra, ndërsa trajnerët kërkojnë të gjejnë modulet më të mira që do t’i përdorin gjatë kësaj faze të dytë, e kësisoj përshtatja e futbollistëve me skuadrën mbetet një handikap që çedon qysh në ndeshjet e para të fazës së dytë. Kështu nuk veprohet në botën e futbollit, atje ku zinxhiri nuk shkëputet, por mbahet në ingranazhe. Le t’i referohemi skuadrave inferiore në Itali, Angli, Spanjë, apo edhe Gjermani, të cilat pushuan vetëm në ditët e festave, ndërruan ambient për 10-15 ditë në shtete e kontinente të tjera dhe në 10-ditëshin e parë apo të dytë të janarit i nisën kampionatet, madje duke futur në mes edhe ndeshje të kupave në futbollin e tyre. Ndërsa tek ne nuk ka një vazhdimësi nga faza në fazë edhe pse do të ishte merkato nëpërkëmbë, apo edhe këto ndeshjet e pakta në grupe të Kupës së Shqipërisë. Duke mos pasur një element të tillë, natyrisht që kemi të drejtë të themi se në Superligën shqiptare hyjnë e dalin futbollistë e trajnerë pa lënë gjurmën e duhur, jo vetëm se bëhen merkato të pastudiuara dhe me afate qesharake (sikundër edhe gjatë muajit janar 2012), por edhe pse pagesat shpesh nuk i përgjigjen nivelit të emrave që publikohen gjatë çdo periudhe merkatoje. Nëse do të flisnim për një merkato që do të lëvizë Tevesin, Balotelin, Kaseresin, Maksuellin apo Shnaijderin, do t’ia bënim hallall këto radhë Superiores sonë, por kur themi që në lojë është përsëri dështaku Bërkiç, kur në merkato vërdallosen ata që nuk kanë luajtur shumë gjatë fazës së parë, atëherë kujt mund t’i shërbejë më shumë kjo “leja e zakonshme” që futbolli ynë ka marrë që nga 24 dhjetori 2011 e deri më 11 shkurt 2012. Kësisoj, këto 50 ditë shkëputjeje, nuk do të kenë shumë vlerë për rekuperimin e skuadrave, apo për kolaudimin e tyre, përderisa ato kanë këtë distancë kohore dhe mes seriozitetit të zyrtares me miqësoret. Duke ju rikthyer kësaj pauze të gjatë 50-ditore, stadiumet dhe fushat sportive të futbollit tonë janë në lëngatë të dyfishtë: së pari nga mungesa e spektatorëve, e së dyti nga të moti i keq që po mban gjatë këtij janari kaq të ftohtë dhe të lagësht. Dhe duke i shtuar kësaj hapësire kohore edhe aktualitetin, ku Pogradeci e Laçi do t’i luajnë në transfertë të 13-ta ndeshjet e fazës së dytë; Apolonia ka “zbrazur” skuadrën nga të vjetrit se nuk mund t’i paguajë dhe ka futur “U”-të e Akademisë në lojë; dy skuadra i kanë ndryshuar trajnerët dhe pjesa më e madhe e futbollistëve e trajnerëve nuk i kanë mbyllur shlyerjet financiare për vitin 2011; ku arbitrat i janë fshehur të ftohtit në pritje të fletës me nr.14, le të urojmë që ndeshjet e fazës së dytë të nisin në fushë, por të mos përfundojnë në spitale e klinika mjekësore. Ka edhe të tjerë elementë në të cilët do të zvarritet faza e dytë e Superiores, e cila ndoshta nuk do të jetë “binjake” me të parën, të paktën për elementët e dhunës dhe të ndonjë trukimi të vogël ndeshjeje, pasi në futbollin shqiptar këto fenomene plasin më hapur në gjysmën e dytë të sezonit, e cila rifillon pas 50 ditëve “agjërim”. Nëse kjo hapësirë pa ndeshje zyrtare bëhet sepse skuadrat nuk i kanë të plota burimet financiare, apo për ta ruajtur infrastrukturën tonë nga amortizimi dimëror, këtë e tregojmë gjatë verës, kur shkojmë në Evropë si profesionistë dhe dalim prej saj me “bisht ndër shalë” si amatorë. Prandaj duhet që të luajmë më shumë e të pushojnë më pak skuadrat tona të futbollit.
 
64 Afrime
Kjo është shifra që skuadrat e Kategorisë Superiore kanë fiksuar në merkaton e tyre gjatë muajit janar 2012
69 Largime
Kaq konfirmohen të jenë lëvizjet e largimeve nga 14 skuadrat e Superiores në harkun e 50 ditëve pa kampionat

Ndeshjet
Java e 14-të                                                                                                                                                              
11 shkurt 2012
Pogradeci-Kastrioti
Teuta-Tirana
Kamza-Flamurtari
Laçi-Vllaznia
Shkumbini-Bylis
Dinamo-Apolonia
Tomori-Skënderbeu

Skënderbeu-Flamurtari (sot, 14:00)
Trajneri Muça: “Synojmë fitoren!”
Ndeshja me Skënderbeun për turin çerekfinal të Kupës së Shqipërisë, është vlerësuar tepër e rëndësishme për drejtuesit e Flamurtarit, duke filluar nga lojtari më i zakonshëm dhe deri te trajneri Shkëlqim Muça. Shtyrja për tri ditë e ndeshjes në Korçë, për shkak të rreshjeve të dëborës dhe spostimit të sfidës përfundimisht në “Gjorgji Kyçyky” të Pogradecit, e ndihmoi ekipin vlonjat në intensitetin e stërvitjes si dhe rikuperimin e lojtarëve të dëmtuar. Flamurtari, për shkak edhe të temperaturave të ftohta në Vlorë, skuadra u përgatit në fushën me bar sintetik në pyllin e Sodës. Shkëlqim Muça, një trajner që e ka fituar katër herë titullin kampion – 3 herë me Tiranën dhe 1 herë me Dinamon – pohoi për gazetën “Telegraf” se, synimet e skuadrës që ai drejton është të fitojë Kupën e Shqipërisë, por dhe kampionatin. Flamurtari e ka fituar tri herë Kupën e Shqipërisë, pikërisht në vitin 1985 (në finalen mundi Partizanin), 1988 (në finalen mundi Partizanin), dhe 2009 (fitoi me Tiranën). Muça pohoi se kuqezinjtë e kanë dhe një detyrim më shumë fitimin e dy trofeve, kjo edhe për faktin se jemi në vitin e 100-vjetorit të Pavarësisë dhe Vlorës u takojnë trofetë në këtë vit jubilar. Muça tha: “Sikurse dihet, ndeshjet e Kupës kanë një format tjetër, nuk janë më me eliminim, çka do të kishte një rëndësi tjetër, por edhe në këtë format duhen fitoret për të grumbulluar sa më shumë pikë. Sidoqë është një ndeshje që nuk na ka gjetur në 100 për qind të formës, së bashku me lojtarët e duhur, do të luftojmë për fitore. Këta futbollistë do të përballojnë të gjithë kampionatin dhe e rëndësishme është vlerësimi i lojës dhe i kundërshtarit, stërvitja dhe përgjegjshmëria për të luajtur”. Për vetë Muçën kjo ndeshje ka një aromë të veçantë, pasi një vit më parë ai drejtonte pikërisht skuadrën e Skënderbeut, por dhe se dy nga ish-lojtarët e njohur të vlonjatëve, Daniel Xhafaj dhe Sebino Plaku, tashmë kanë veshur fanellën korçare. Muça e quan një “histori e mbyllur”. Trajneri pohoi se me lojtarët që ai ka në dispozicion, fazën përgatitore të zhvilluar në Turqi, blerjet dimërore kroatët Toni Pezo dhe Pero Pejiç, si dhe Nexhbedin Selimin, Gentian Muçën, e ndonjë afrim tjetër, skuadra e tij i ka të gjitha shanset të kthehet me pikë të plota nga Pogradeci. Sezonin e kaluar, Flamurtari dhe Skënderbeu rivalizuan gjatë për titullin kampion, vlonjatët kryesuan për një kohë të gjatë, por në fund titulli u buzëqeshi korçarëve. Flamurtari lëshoi akuza të forta ndaj Federatës Shqiptare të Futbollit, për vetë mënyrën edhe si u menaxhua fundi i kampionatit, por në Vlorë edhe sot e kësaj dite besojnë se, janë ata kampionët moralë të një sezoni me shumë polemika dhe dyshime. Janë këto arsye më shumë që, sportdashësit vlonjatë priten të jenë të shumtë në Pogradec, duke sfiduar edhe temperaturat e ftohta.
Zenepe LUKA

Subscribe to comments feed Komente (0 publikuar):

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj comment

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

  • Plain text 1 - Here eshte lexuar ky Artikull
  • email Email shokeve
  • print Print version
Vlereso kete artikull
0