Hyrje | Sport | “Raketa” Odise Roshi fiton bastin me gazetën “Express”

“Raketa” Odise Roshi fiton bastin me gazetën “Express”

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

Trajneri Bokhorst: “Me shpejtësinë e tij mund të ishte në majën e sprinterëve gjermanë”

 

 








Odise Roshi po i mahnit të gjithë me shpejtësinë e tij. Jo më kot, nofka e tij është “Raketa”. Gazeta gjermane “Express” zbulon gjithçka mbi mesfushorin fierak të Këlnit, madje përshkruan në detaje edhe një garë të tij. “Pista e vrapimeve atletike stadiumit ‘RheinEnergie’. Odise Roshi vendoset mbi vijën e startit të nisjes, sinjalet matëse janë ndezur, - shkruan “Express”. – Trajnerët e garave të shkurtra, Tilman Bokhorst dhe Folker Herman nga ekipi i atletikës së lehtë të Shkollës së Lartë Sportive japin ende disa këshilla”. “Dhe më pas gjithçka është gati. Dëgjohet krisma e pistoletës për nise dhe ‘FC-Albaner’ (FC-Shqiptari) niset me gaz të plotë”. Vetë ish-mesfushori i Flamurtarit, i cili u transferua verën e kaluar në Gjermani, shpjegon për gazetën gjermane: “Shpejtësia është dhurata ime më e madhe. Në Shqipëri unë i kam bërë 30 metrat në 3.7 sekonda. 100 metrat në 10.9 sekonda...”. Trajneri Bokhorst është vërtet i befasuar: “Me këto rezultate ai do të ishte në majën e sprinterëve gjermanë”. Por, Roshi dëshiron që ta bëjë atë në fushën e futbollit. Dhe pikërisht, ka rastin për ta treguar atë kundër Shalkes. 20-vjeçari i Kombëtares shqiptare pritet të jetë në formacionin fillestar. “Shanset janë 50-50. Unë luftoj gjithmonë në stërvitje për ta pasur këtë shans”, - tha Roshi.
Për t’i bërë vend Roshit do të sakrifikohet Slavo Pezcko. Trajneri Stale Solbaken beson gati verbërisht te djaloshi Roshi. “Askush nuk dëshiron të luajë kundër tij në stërvitje, pasi ai në çdo dyluftim bën të pamundurën. Kjo e ndihmon edhe në fushë”.
Për ta ndjekur në ndeshjen kundër Shalkes, në stadium do të jetë Paolo Tramexani, ndihmësi i trajnerit të Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazit. Dhe Odiseja ka dhe një arsye më shumë për të treguar se ai e meriton të thirret “Raketa-Roshi”.
Pas 18 javëve të Bundesligës, Këlni renditet në vendin e 11-të me 21 pikë. Roshi është aktivizuar në gjysmat e tyre, pra nëntë ndeshje, fiks 201 minuta.

Incidenti më pështymë
Pas “skandalit të pështymës”, siç po konsiderohet në Gjermani, gjesti i mesfushorit shqiptar të Këlnit ndaj lojtarit të Hanover 96, Moric Shtopelkamp, në miqësoren Hanover-Këln (1-1, të luajtur në Portugali), Odise Roshi bëri publike ndjesën e tij për veprimin e shëmtuar. Trajneri i Këlnit, Stale Solbaken, deklaroi pas bisedës kokë më kokë me Roshin: “Sjellja e tij ishte e papranueshme, Këtë unë ia bëra të qartë atij (Roshit). Ai më kërkoj falje”. Por, trajneri norvegjez i Këlnit zbuloi edhe një detaj tjetër, që mund të përmbys krejt tablonë e ngjarjes. “Roshi më tha gjithashtu, që ai nuk e kishte pështyrë Shtopelkampin pas shpinës”. Gjithçka ndodhi në minutën e 70-të të ndeshjes miqësore Hanover-Këln, kur pas një dyluftimi, Roshi, i cili ishte futur si zëvendësues në minutën e 60-të, e pështyu nga pas Shtopelkampin. Në fakt, gjyqtari i takimit nuk e pa gjestin dhe Odiseja mbeti i pandëshkuar dhe vazhdoi lojën deri në fund. I ashpër ka qenë dhe reagimi i mesfushorit të Hanoverit, 25-vjeçarit Moric Shtopelkamp, fillimisht në fushë me fyerje ndaj Roshit. Pas përfundimit të ndeshjes miqësore. Gjatë rrugës për në dhomën e zhveshjes ai tha: “Ai (Roshi) më pështyu, është normale që edhe unë t’i thyej hundën”.

Alban Meha, mjeshtri i goditjeve të lira
Alban Meha është shndërruar në lojtarin më të rëndësishëm në luftën për mbijetesë të Padebornit. Trajneri Roxher Shmdidt është një nga adhuruesit e Mehas: “Edhe vetë në Bundesligë nuk gjen më të mirë se ai”. Albani (i lindur në Mitrovicë, më 25 prill 1986) mbërriti te Paderborni nga ekipi i Regionalligës, Eintraht Trir.
Kartvizita e tij ishte 15 gola, shtatë prej të cilave nga goditjet e lira. Tani kosovari lufton për të fituar “Këpucën e artë” të Bundesligës 2. Meha ka shënuar në fazën e parë 4 gola.
“Tri herë e ka futur shqiptari në fazën e parë sferën në mënyrë të mrekullueshme në rrjetë, - shkruan “Bild”, - në Duseldorf, Rostok dhe Drezden”. Trajneri Shmidt shton: “Edhe në Bundesligë nuk ka një lojtar që mund të godasë me kaq precizion goditjet e lira” Meha thotë: “Pas çdo stërvitje kam gjuajtur vetëm goditje të lira. Kam goditur aq shumë, sa ndonjëherë më ka dalë këmba nga vendi. Edhe tani e bëj, por me një dozë më të vogël”.

Salihi: "Dua të shpallem kampion me Rapidin!"
Hamdi Salihi betohet se do ai dëshiron të qëndrojë te Rapidi i Vjenës. Pavarësisht se, trajneri i tij, Petër Shëtel, nuk e mori me vetë në grumbullimin e Portugalisë, sulmuesi shqiptar pohoi për Sportnet.at se ndihet shumë mirë tek amatorët e klubit. Shkodrani e thekson me forcë se, largimi nuk është ende një opsion për të. “Trajneri ka menduar, që unë telefonoh shpesh në kohët e fundit me menaxherë dhe klube dhe dëshiron t’i bëjë gjërat e qarta”, - tha Salihi gjatë bisedës me Sportnet.at, pak orë pasi shokët e tij të ekipit fluturan në drejtim të Algarves të Portugalisë. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare është jashtë planeve të trajnerit Shëtel, pavarësisht se ky i fundit nuk e thotë asnjë herë hapur këtë. “Unë dua të qëndroj me të vërtetë të Rapidi, këtu është super!”, - tha Salihi. Fakti, është se gjatë pjesë së parë të sezonit, Salihi nuk është konsideruar si një lojtar 90 minutave të plota, dhe, kjo natyrisht që e shqetësuar jo pak atë. Gjithsesi, kur ai ka luajtur ka qenë në harmoni me lojtarët e tjerë të sulmit. “Në futboll gjërat mund të ndryshojnë shpejt. Unë dëshiroj të pres shansin tim dhe ta shfrytëzoj atë. Më pëlqen gjithçka këtu. Dua të bëhem kampion me Rapidin”. Për momentin, Salihi është duke u stërvitur me amatorët e klubit.
Gazetas skoceze “The Sun” shkruan se Salihi dëshiron më patjetër të shkojë tek Gllazgou në Skoci. Shqiptari 28-vjeçar flet edhe për interesimin e Gllazgout: “Menaxheri im më tha se, ka interesim nga të dy klubet e mëdha nga Gllazgou. Por, deri tani unë nuk kam asnjë ofertë”. Gazeta skoceze citon Salihin, i cili e ka veshur 37 herë fanellën e përfaqësueses shqiptare: “Unë kam folur me Nikica Jelaviçin (lojtarin e Gllazgout) dhe ai më ka treguar, se çfarë klubi i mrekullueshëm është. Unë dëshiroj me patjetër të shkoj në Gllazgou”. Gjithsesi, duke folur për Sportnet.at, Salihi tha: “Unë flas vazhdimisht në telefon me ‘Jelën’, ne kemi qenë shok skuadre për një kohë të gjatë te Rapidi. Por, unë nuk e kam telefonuar kurrë në lidhje me një trasnferim të mundshëm”. Te Gllazgou Rejnxhërs, trajneri Eli MecKoist pohoi interesimin ndaj Salihit si zëvendësues i Jelaviçit, nëse ai do të transferohet në Angli. Në fakt, Salihi ka vetëm edhe pak ditë në dispozicion të gjejë një klub të ri, përndryshe ai do ta mbyllë sezonin te Rapidi, ndërkohë që klubi austriak nuk do të përfitojmë më kurrë nga shkodrani, pasi kontrata e këtij të fundit skadon në në përfundim të edicionit aktual.

De Biazi përmes “Facebook”
“Po ndërtojmë një grup të bukur”
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, ka folur me nota superlativa në lidhje me eksperiencën e tij të parë në Shqipëri, ku për pesë ditë ai zhvilloi një grumbullim me 23 lojtarë nga Kategoria Superiore. “Përshëndetje të gjithëve!”, - kështu e nis mesazhin e tij në faqen personale në rrjetin social më popullor të planetit, “Facebook”. – Sapo jam kthyer nga eksperienca ime e parë me Kombëtaren shqiptare. Ishte me të vërtetë një përvojë pozitive. Stafi im dhe unë jemi duke punuar për të ndërtuar një ‘grup’ të mirë lojtarësh, të cilët mund t’u japin kënaqësi të tifozëve të tyre”. Në fakt, edhe gjatë konferencës së tij përmbyllëse të zborit, italiani u shpreh me optimizëm për nivelin e futbollit shqiptar, ndërkohë që menaxheri i ri i Kombëtares, Alban Bushi, pohoi se stafi italian punoi në mënyrë të jashtëzakonshme.

Juventus ble Pajtim Kasamin
Juventusi bëri të tijin mesfushorin shqiptar nga Maqedonia, Pajtim Kasami, kartoni i të cilit është në pronësi të anglezëve të Fulhamit. Janë mediat italiane ato që japin lajmin. Kasami, një mesfushor i talentuar dhe me të ardhme, do të huazohet te Çezena, pikërisht skuadra ku luan sulmuesi shqiptar Erjon Bogdani. 19-vjeçari Kasami, i cili ka luajtur në Itali me Palermon, mban pasaportë zvicerane. Juventusi dëshiron që Kasami, i cili menaxhohet nga agjenti i Zlatan Ibrahimoviçit, Mino Rajola, të përfitojë më shumë minuta më këmbë. Në planet e bardhezinjve qëndron edhe kosovari, po me pasaporte helvetike, Valon Behrami.
Lorik Cana, rikthim te Marseja!?
Lorik Cana vazhdon të jetë në vëmendjen e mediave franceze. Football.fr hedh hipotezën e një rikthimi të kapitenit të Kombëtares shqiptare, pikërisht te Olimpiku i Marsejës, atje ku mesfushori aktual i Lacios shijoi edhe për herë të parë shiritin prestigjioz. Në fakt, sipas portalit francez, kjo mund të realizohet nëse nga “Velodromi” do të largohet mesfushori shkatërrues nga Burkina Faso, Sharl Kabure.

Subscribe to comments feed Komente (0 publikuar):

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj comment

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

  • Plain text 1 - Here eshte lexuar ky Artikull
  • email Email shokeve
  • print Print version
Vlereso kete artikull
0