Dekorimi nga Presidenti
Shkencëtari dhe gjuhëtari i shquar, Prof. Dr. Xhevat Lloshi merr sot titullin "Mjeshtër i Madh"
Profesor doktor Xhevat Lloshi, i cili nderohet sot nga Presidenti i Republikës me titullin “Mjeshtër i Madh”, është një nga gjuhëtarët më në zë të shkencës shqiptare të albanologjisë, i shquar në veçanti në fushën e leksikologjisë dhe të leksikografisë. Xhevat Lloshi ka lindur në Fier më 28 janar 1938. Arsimin fillor e ndoqi në Tiranë, arsimin e mesëm në Korçë. Ndoqi studimet e larta dhe u diplomua në degën e gjuhës dhe letërsisë ruse në Universitetin e Tiranës (1958). Punoi në arsim në shkollën e mesme në Kuçovë (1958-1960). Duke qenë i pasionuar pas gjuhëve të huaja, që në këto vite punoi për përvetësimin e disa gjuhëve dhe sot ai flet e shkruan në gjuhët anglisht, italisht, rusisht, frëngjisht, serbisht. Kjo prirje nga gjuhët e çoi atë me detyrën e punonjësit shkencor në Sektorin e Leksikografisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Akademia e Shkencave, Tiranë (1961-1980). Në këtë Sektor të leksikologjisë Xhevat Lloshi punoi për hartimin e fjalorëve dhe për trashëgiminë arkivore të thesareve gjuhësore të shqipes. Zbulimi arkivor e drejtoi nga vepra e Kristoforidhit, për të cilin shkroi shumë artikuj e më pas botoi librin “Kristoforidhi përmes dokumentimit”, (2005), si dhe veprën “Rreth alfabetit të shqipes” (2008) etj.. Si mësimdhënës në vitet 1961-1965 Xhevat Lloshi ka dhënë kurse të rusishtes në fakultete të UT, leksikologji për studentët e rusishtes në UT (1965-1969), Gjuha dhe stili në shtyp, Fakulteti i Shkencave Politike e Juridike (1971-1983), Stilistika për studentët pasuniversitarë (1981-1991), Stilistika e shqipes në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë (1977-2009) etj. Më pas ai përgatiti për herë të parë dhe kursin për Pragmatikën. Interesimi për stilin e ka shtyrë të shkruajë shumë shkrime me karakter praktik e shkencor në shtypin letrar. Më 1977 botoi dhe librin “Gjuha, stili dhe redaktimi në shtyp”. Si personalitet tashmë me interesime të gjera ai ngarkohet me detyrën e kryeredaktorit të së përjavshmes letrare-artistike “Drita” (1980-1982). Fusha kryesore studimore e Xhevat Lloshit mbeti leksikologjia e leksikografia: ka qenë bashkautor dhe redaktor i “Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe” (1980) dhe i “Fjalorit frazeologjik ballkanik në pesë gjuhë” (1999). Më 1985 mori gradën doktor i shkencave me temën e disertacionit “Analiza stilistike e leksikut të shqipes”. Më 1998 mori titullin Drejtues kërkimesh. Si drejtor i Qendrës së Enciklopedisë Shqiptare në vitet 1982-1999, ka organizuar punën për “Fjalorin Enciklopedik shqiptar” (1985), ka qenë dhe redaktor përgjegjës i veprës. Kontributi i tij shkencor për punët me fjalorët është vlerësuar duke marrë dy herë çmimin e Republikës të shkallës së dytë: 1980, 1985. Pa treguar ndonjë zell të veçantë politik, në fillimet e pluralizmit politik mbështeti ndryshimet demokratike në vend. Në vitet 1992- 1996 ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Xhevat Loshi është autor i mbi 20 punimeve të botuara në gjuhë të huaja jashtë vendit si pjesëmarrës në mbledhje e konferenca shkencore në botë. Në vëllimin për Evropën Juglindore “Handbuch der Sudost-europa-Linguistik”, Vviesbaden, (1999) ka paraqitur artikullin për gjuhën shqipe. Një vend të veçantë në shqetësimet e tij shkencore ka zënë dhe gjuha standarde shqipe, së cilës i ka kushtuar librat, “Mbështetje për gjuhën letrare” (1997) dhe “Si të shkruajmë shqip” (2010). Ai është bashkautor e redaktor dhe i shumë veprave të tjera gjuhësore e leksikografike. Si përkthyes ka 30 botime. Më 2000 Xhevat Lloshi doli në pension. Xhevat Lloshi edhe sot vazhdon të sjellë vit pas viti vepra me vlerë shkencore dhe të jetë përfaqësues i shkencës shqiptare albanologjike në shumë konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare. Ndër veprat e tij të fundit është dhe “Fjalori i emrave të bimëve dhe të kafshëve latinisht-shqip, shqip-latinisht” (2010). Ndërkaq, Prof. Xhevat Lloshi është zv/President i Qendrës Shqiptare të PEN-it. Ai është gjithashtu ndër themeluesit e Akademisë së Shkencës dhe Arteve të Shqipërisë, e miratuar tani së fundi.
Lista e zgjedhur e botimeve të Prof. Xhevat Lloshit
LIBRA
Fjalor i emrave të bimëve dhe të kafshëve shqip-latinisht e latinisht-shqip, Logos-A, 2010, 619 f.
Si të shkruajmë shqip, përpunim dhe përshtatje e Th. S. Kane, Oxfprd Guide to Vvriting. Qendra për Arsim Demikratik, Tiranë, 2010, 780 f.
Rreth alfabetit të shqipes, Shkup, 2008, 320 f.
K. Kristoforidhi, Bibla në gegërisht, 1972. Tiranë, 2009, 238 f.
Letërsi dhe gjuhë shqipe, tekst për shkollat e mesme 3 (bashkautor), Tiranë, 2007.
Letërsia dhe gjuha shqipe, tekst për shkollat e mesme 4 (bashkautor), Tiranë, 2007.
Vv. Martin-Leake për shqiptarët dhe gjuhën shqipe, Tiranë, 2006, 115 f.
Gjuha shqipe 12, Prishtinë, 2006, 60 f.
Kristoforidhi përmes dokumentimit, Tiranë, 2005, 410 f.
Stilistika dhe pragmatika, Tiranë, 2005, 350 f.
Gjuha shqipe, tekst për shkollat e mesme (bashkautor me E. Hysa, Gj. Shkurtaj, I.Metani, M. Gjokutaj), Tiranë, 2003 (ribotuar).
Gjuha dhe jeta, tekst për shkollat e mesme, Tiranë, 1999.
Fjalor frazeologjik ballkanik në pesë gjuhë, Tiranë, 1999, 350 f. (bashkautor).
Kosova në vështrim enciklopedik, Tiranë, 1999 (bashkautor dhe redaktor përgjegjës)
Mbështetje për gjuhën letrare, Tiranë. 1997, 158 f.
Antologjia e fjalës së mençur, Tiranë, 1997 (bashkautor).
Njohuri nga teoria e letërsisë dhe stilistikës, tekst për shkollat e mesme, Tiranë, 1994,
156 f. (pjesa për stilistikën).
Njohuri për stilistikën e gjuhës shqipe, SHBLU, Tiranë, 1987, rishtypur në Prishtinë
1988, 290 f.
Fjalor Enciklopedik Shqiptar, Akademia e Shkencave, Tiranë 1985, 1240 f. (bashkautor
dhe redaktor përgjegjës).
Fjalor i gjuhës së sotme shqipe, Akademia e Shkencave, Tiranë 1980, 2170 f.
(bashkautor dhe bashkëredaktor).
Gjuha, stili dhe redaktimi në shtyp, Tiranë. 1977, 250 f.
REDAKTOR FJALORËSH
J.C. Corbeil – A. Archambault, Fjalor pamor trigjuhësh, Tiranë, EDUALBA 2007.
Elbasani – Enciklopedi, Elbasan, 2003, 700 f.
Fjalor shqip-gjermanisht, Tiranë, 2003 (Autorë: Ali Ekmekçiu –Nazmie Behushi).
Fjalor shqip-anglisht, Tiranë, 1986 (Autor: I. Stefanllari)
Fjalor i bujqësisë në katër gjuhë, Tiranë, 1978 (Autor: N. Qafëzezi)
Fjalor shqip-frëngjisht, Tiranë, 1977 (Autor: V. Kokona)
Fjalor mjekësor latinisht-shqip, Tiranë, 1975 (Autorë: K. Qiriazati, A. Minga)
REDAKTOR I PËRGJITHSHËM I BOTIMIT TË Veprave të Sami Frashërit në 20+1 vëllime. Shtëpia Botuese LOGOS-A, Shkup, 2004.
20 PUNIME TË BOTUARA NË GJUHË TË HUAJA jashtë vendit
ARTIKUJ SHQIP në revistat shkencore për gjuhën dhe letërsinë shqipe, si dhe në përmbledhje të punimeve të konferencave shkencore në Shqipëri dhe në Kosovë.
30 LIBRA PËRKTHIME SHQIP
-
1 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version
- Fatos Nano drejt PS-së
- Flet astrologia Meri Shehu
- Dashuri engjëjsh
- Sondazhi në "Telegraf"
- Shpallen personalitetet e vitit 2010 në “Telegraf”, Ja më të preferuarit e publikut shqiptar



PROFESOR LLOSHI MERITON ME SHUME NE DREJTIM TE THELLIMIT TE STUDIMEVE TE TIJ NE FUSHEN E LEKSIKOLOGJISE DHE LEKSIKOGRAFISE. URIME DHE SUKSESE TE METEJSHME.PT
Publikoni komentin tuaj