Ja pse e duan të gjithë në Durrës, Hysen Haxhinë
Portreti i një njeriu të vuajtur në burgjet komuniste, por edhe i papajtueshëm me padrejtësitë e sotme
Gjithmonë më kanë tërhequr njerëzit që me fjalët, gjestet e tyre ngjajnë sikur nxitojnë gjithmonë në kërkim të kohës së humbur. Atyre nuk u pëlqejnë kafenetë dhe bisedat e stërzgjatura edhe në konferencat që tashmë janë bërë rëndom të modës. Të vrullshëm, të rreptë, por dhe me një siguri nën vetvete fjala e tyre sikur e bën dhe ajrin të dalë nga përditshmëria e tij e pezullt. Hysen Haxhinë sa herë që e takoj dhe e përshëndes gjithmonë më duket sikur lë te unë diçka nga era dhe valët e një lumi gjithmonë në lëvizje. Vetëm ecën, dhe ecën. Dikush e quan me emrin e shkurtuar Cen, shumë pak i thonë Hysen, por shumica e njerëzve që e njohin pa dallim moshe e kanë pagëzuar me emrin Daja. Sepse brenda kësaj nofke dashamirëse ashtu si brenda një guaske që mban brenda një perlë, fshihet bota dhe shpirti i madh i një njeriu që jo vetëm nuk ju përul sakrificave të jetës, por luftoi një jetë të tërë për ta ngritur këtë emër në piedestalet e tij të merituara. Lindi në vitin 1941, në fshatin Çorrush të Mallakastrës. Biri i një familje me tradita të mëdha patriotike. Gjyshi i tij Bektash Çorrushi, një nga emrat më të dëgjuar të krahinës, dy herë deputet në parlamentin e viteve ‘24-‘30 u bë për atë kohë sinonim i luftëtarit. Po kështu i ati, Ismaili, nga sistemi komunist në fuqi, si biri i këtij patrioti të madh i përjetoi qysh herët tmerret e kampeve dhe burgjeve komuniste. Në vitin 1945 ai u arrestua tek punonte në arë, në mënyrë të beftë nga regjimi komunist. Hysen Haxhia në kujtimet e tij e ruan ende të gjallë momentin kur i arrestuan të atin, isha pranë babait në arën me misër kur befas vjen një polic i gjatë dhe i shëmtuar dhe i kumton babait tim se në emër të popullit ishte arrestuar. Babai nuk bëri rezistencë, por unë si biri i tij, edhe pse isha shumë i vogël iu derdha policit duke qarë dhe duke ju lutur që mos të ma merrte babanë. Prej asaj dite Hysen Haxhinë do ta ndiqte nga pas biografia e dyshimtë e familjes së tij të njohur dhe me tradita patriotike. Për këto mëkate Hysen Haxhia nuk do të arrinte asnjëherë të përfundonte shkollën që dëshironte. Edhe pse djalë me ëndrra dhe pasione të shumta Hysen Haxhinë e përjashtuan me paturpësi në sezonin e provimeve të shtetit nga Instituti Pedagogjik Shkodër, preteksti dihej, sëmundja biografike.
Në vitin 1966, Hysen Haxhia fillon punë si axhustator në uzinën e ORMN-së me turne. Ishte një nga punëtorët më të dalluar në këtë profesion, por njëkohësisht edhe një nga aktivistët më të njohur të aktiviteteve kulturore artistike që zhvilloheshin në atë kohë. Mjafton të përmendim këtu çmimin e parë në interpretimin e dramës “Të Pamposhturit” të dramaturgut të njohur shqiptar Minush Jero. Aktivitetet artistike dhe kulturore i shërbyen Hysenit edhe si një lloj melhelmi për të harruar dhimbjen e përjashtimit nga Instituti dhe jeta e zakonshme e një të riu. Në vitin 1976, Hysen Haxhia arrestohet befasisht në derën e shtëpisë së vjehrrit të tij në Golem, duke përkëdhelur vajzën e tij të vetme, dyvjeçare në atë kohë. E prisja këtë arrestim, thotë Hyseni, pasi gjatë gjithë kohës kam jetuar me terrorin e ndjekjes dhe të spiunëve. Më akuzonin për agjitacion e propagandë, sikur gjoja unë kisha folur me të tjerët se sistemi komunist është një sistem çnjerëzor ku nuk ka liri, ku njerëzit janë pa dinjitet dhe personalitet dhe se njeriu i thjeshtë është vetëm një skllav i sistemit në fuqi, se Enver Hoxha është një skllavopronar i madh që komandon dhe luan me fatet e jetës së tre milion shqiptarëve. Për të thënë të vërtetën, thotë Hyseni, unë këto gjëra i kisha thënë nëpër ambiente të ngushta shoqërore sepse helmin e dhimbjes e kisha në trup që pesë vjeç që në atë kohë kur më arrestuan babain tim të dashur. Gjashtë muaj vazhduan torturat mbi trupin tim. Qëllimi i tyre ishte të më detyronin të bëhesha informator i tyre. Se si durova veç unë e di. Duke mos u kënaqur me arrestimin tim dhe të babait dëshira e tyre ogurzezë ishte që të mbyllnin në burg komplet familjen time. Pasi nuk ja arritën qëllimit më nxorën në gjyq. Gjyqin tim e drejtonte Hajri Shehu që më dha maksimumin, megjithëse kishte veshur në fytyrë një lloj maske keqardhjeje. Përmes dëshmitarëve të rremë dënimi im u materializua në burgun famëkeq të Spaçit., në atë burg ku vuajtën torturat më të tmerrshme qindra e mijëra intelektualë, patriotë, klerikë, politikanë nga më të mirët dhe më të përkushtuarit për këtë vend nga të cilët Fatos Lubonja, Spartak Spahiu, Vladimir Balluku, Sami Dangellia (ish -sekretar i Ballit Kombëtar i dënuar me 43 vjet burg), Osman Kazazi (i quajturi Mandela i Shqipërisë, i dënuar me 100 vjet burg nga të cilat shleu 35 vite). Në këtë burg Hysen Haxhiaj kreu në të vërtetë Universitetin e tij të jetës. Tingëllon makabre kjo gjë për ata që se kanë njohur realitetin e asaj kohe, por kjo ishte e vërteta e pamohueshme . Këtu Hysen Haxhiaj njohi më mirë dramat e kombit te tij, njohu dhe preku me duart e tij dramën e tmerrshme të eleminimit gradual të elitës kombetare, njohu mjetet dhe mënyrat më të sofistikuara që përdorte sistemi komunist për të mbjellë terror ndaj kundërshtarëve të tij. Unë i jap të drejtë thënies së intelektualit të shquar Uran Kalakula, kur thotë se askush nuk mund të bëhet hero kur bie në burg, por mund të bëhet atje. Ka qenë një rregull i njohur në burgun e Spaçit përpara se të futeshin të burgosurit takoheshin me njëri- tjetrin me mendimin se nuk do të dilnin më gjallë prej aty. Në kujtimet e Hysen Haxhisë nga kampi i Spaçit një vend të nderuar zënë çastet kur ai shoqërohej me Irfan Vrionin, Sami Dangëllinë, Vangjel Lezhon dhe Fadil Kokomanin, të katërt të vdekur në këtë burg. Në vitin 1981 ende pa e kryer dënimin e parë me vjen dënimi i dyte me 10 vite të tjera. Edhe këtë radhë sistemi përdori akuzën e njohur të agjitacion propagandës. Diku kisha thënë se më mirë të vdesim në galeri sesa me këtë lloj poshtërimi moral dhe fizik që po provojmë këtu. Hysen Haxhia i kreu kokërr më kokërr dënimet e përbindshme të sistemit komunist, por nuk u përul, nuk u deformua në karakter dhe nuk u tjetërsua, sepse i tille ishte gatuar, me dinjitet, përkushtueshmëri dhe krenari kombëtare. Vitet ‘90 janë vitet kur shpalosen me së qarti energjitë e përkushtimi i tij intelektual. Liria e premtuar për të cilën luftuan dhe u sakrifikuan miqtë dhe shokët më të mirë të Hysen Haxhisë nuk erdhi ashtu siç pritej. Errësira e djeshme vazhdon të jetë akoma më e plotë se atëherë, vëllavrasja dhe degjenerimi po marrin përmasa të pabesueshme. Mjerimi shihet rrugëve, lapsat zgjasin duart sikur lusin perëndinë për një copë bukë dhe njerëzit ende pyesin deri kur, deri kur!?.... Është kjo arsyeja që Hysen Haxhia u bë pavetëdije një nga publicistët më të njohur të atyre që kur dolën nga burgu dhe menduan se i hodhën pas krahëve vuajtjet e së kaluarës. Me penën e tij ai vazhdon të hedhë nëpër fletë librash dhe nëpër gazeta revoltën e tij të brendshme për të ashtuquajturën demokraci shqiptare. Në një nga replikat e tij të njohura me emisionin Top Shoë duke dalë në krah të të persekutuarve politikë, të brezit të tij, Hysen Haxhija thotë: “Meqenëse komunizmi ju dënoi, ju la pa shkollë, ju shtresa e përmbysur nuk do të ëndërroni më për të ardhur në pushtet. Harruat gjigandin Mit’hat Frashëri dhe fisnikët e tjerë të nacionalizmit shqiptar, të cilët pasurinë e tyre ia dhuruan çështjes së madhe të kombit dhe vetë u larguan nga ky vend pa këpucë dhe pa asnjë qindarkë në xhep. Historia jonë për fat të keq i ka anashkaluar bëmat dhe sakrificat e tyre sublime. Është shumë e afërt dita kur shtresa e pushtetarëve e humbur në vjedhje dhe krime të padënuara, korrupsion dhe prostitucion do të përmbyset një herë e përgjithmonë e do të damkoset me vulën e turpit. Sepse qenka e thënë që historia dhe brezat të përtërihen dhe përsëriten, dihet se çdo gjë lind, zhvillohet dhe vdes. Është ky ligj që mua dhe shtresës time na jep shpresë. Ose në një tjetër replikë me Fatos Lubonjen, ish- bashkëvuajtësin e tij në televizionin TVA , Hysen Haxhija nuk mund te rrijë pa i kujtuar këtij se Lubonjës së Spacit nuk ia fal. Ai që vdiq tri herë klinikisht, do vihet në vend drejtësia thotë ai po u reformuan institucionet. Po cilat institucione!? Cila prokurori e gjykatë?... Çfarë prokurorie do ti, zotrote Fatos?...A nuk janë po ata të djeshmit prokurorët dhe gjykatësit?!... Cili krim u ndëshkua gjatë 50 vjetëve?... Po gjatë viteve të kësaj fare demokracie që po jetojmë, këtij farë tranzicioni ala Haxhi Qamili, kush u dënua për krimet makabre që ka kryer mbi jetët tona, cili nga këta fare prokuroresh dhe gjykatësish dënoi veten apo dikë tjetër për krimet e djeshme. Po për ato të sotmet? Ku janë 16 vitet e tua të burgut?. Mos vallë e ty të gënjen mendja si shumë të tjerëve se do t’i mbulojë përgjithmonë pluhuri i harresës? Kujt t’ja lemë vendimin, thellë shpirtit apo arsyes!?.... Shkrimtari dhe poeti i njohur Namik Mane thotë se Hysen Haxhija është një vullkan që edhe kur ngjan si i shuar, përsëri llavën e tij e ka të ndezur poshtë hirit. Ai nuk mund të heshtë sepse nuk ka lindur për të qenë i tillë. Gjithmonë aktivist dhe i përkushtuar për interesat e bashkëvuajtësve të tij, ai është gjithmonë në ballë të tribunave dhe fjalës së lirë. Kryetar i Shoqatës së të Përndjekurve, Dega Durrës 1992- 1997, tani ai vazhdon të jetë nënkryetar i Shoqatës Kombëtare të të Përndjekurve Politikë. Është dekoruar me Dekoratën e Lartë të Mirënjohjes nga Presidenti i Republikës dhe Nderi i Qytetit të Durrësit nga Shoqata Durrësi dhe Bashkia Durrës. Si një njeri që nuk di të bëjë kompromis dhe pazare me dinjitetin e tij dhe të të tjerëve ai vazhdon ende te shkruajë dhe të mbjellë farën e dashurisë dhe të harmonisë mes njerëzve, ende predikon sinqerisht bashkim dhe vëllazërim të përjetshëm. Pak kohë më parë Hysen Haxhinë e pashë të përlotet në festën e 70-vjetorit të ditëlindjes së tij. Holli i teatrit “A. Moisiu” atë dite ishte mbushur plot e përplot me shokë, miq, familjarë dhe të njohur të tij. Të gjithë ishin të prekur dhe të emocionuar me festën e mikut të tyre të dashur, ndaj nuk ja ndanin urimet dhe shprehjet e tyre të dashurisë dhe mirënjohjes. Sepse njeri i tillë, si Hysen Haxhija, që të bëhet mik e vëlla vetëm me një kafe a takim, që të fal shpirtin dhe shumëçka të tij të shtrenjtë, pamëdyshje një njeri që atdheun e ka kultin e tij më të madh të dashurisë dhe të jetës, e ka merituar dhe e meriton me kohë respektin.
-
1 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version
- Fatos Nano drejt PS-së
- Flet astrologia Meri Shehu
- Dashuri engjëjsh
- Sondazhi në "Telegraf"
- Shpallen personalitetet e vitit 2010 në “Telegraf”, Ja më të preferuarit e publikut shqiptar



Publikoni komentin tuaj