Hyrje | Speciale | Analizë nga Vladimir Lulaj

Analizë nga Vladimir Lulaj

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

Qeveria me “Akt Normativ” shfuqizon Parlamentin...?

 

 







Me Aktin Normativ nr. 5, datë 10.11.2010 të Këshillit të Ministrave, qeveria “berishiane” ka “shqelmuar’  dhe ndryshuar totalisht nenin 4 pika 2, ka bërë shtojcë në nenin 5 si dhe ka ndryshuar totalisht pikat 1 dhe 2 të nenit 14 të ligjit nr. 10142, datë 15.5.2009 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit,...”; ndaj lind pyetja juridike: “A ka të drejtë Këshilli i Ministrave të shfuqizojë me akte normativë ligjet që nxjerr Parlamenti...?.”
-Pushteti ekzekutiv qendror nuk është “kryesori” brenda Shtetit
Përpara se të japim përgjigje orientuese lidhur me pyetjen e lartpërmendur, lypset të parathemi se Qendra e Publikimeve Zyrtare (QPZ) gjatë vitit kalendarik 2010 ka botuar 6(gjashtë) akte normativë të Këshillit të Ministrave, që kanë fuqinë e ligjit. Akti normativ i lartpërmendur është propozuar ‘hopçe’ nga ministri i financave, z. Ridvan Bode, i cili nuk don t’ia dijë aspak për faktin se, bazë nenit 25 të Kushtetutës, “Askush nuk mund t’i nënshtrohet torturës, dënimit apo trajtimit mizor, çnjerëzor ose poshtërues”..., duke përdorur si kamuflazh nxjerrjen e akteve normativë në kundërshtim me ligjin.
Referuar nenit 101 të Kushtetutës, “Këshilli i Ministrave, në rast nevoje dhe urgjence, nën përgjegjësinë e tij, mund të nxjerrë akte normative që kanë fuqinë e ligjit, për marrjen e masave të përkohshme.”; por Kushtetuta jonë, referuar nenit 81/1, duke i njohur pushtetit ekzekutiv qendror “1. Të drejtën për të propozuar ligje...” nuk i ka dhënë Këshillit të Ministrave tagër që, nëpërmjet nxjerrjes së akteve normativë, të korrektojë ose ndryshojë sipas oreksit të vet politik, ligjin e miratuar nga parlamenti; sepse ky pushtet i kufizuar shtetëror nuk është aspak pjesë e pushtetit të pavarur gjyqësor, ndaj s’ka të drejtë të ushtrojë funksionet e Gjykatës Kushtetuese. Për këtë arsye akti normativ nr. 5, datë 10.11.2010 konstatohet absolutisht i pavlefshëm; sepse, në kundërshtim të hapur me Kushtetutën ka vendosur   të bëjë ndryshime dhe shtesa thelbësore në ligjin nr. 10142, datë 15.5.2009 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit,...”. Prandaj nuk mund të rrimë pa mëtuar se e drejta kushtetuese e Këshillit të Ministrave për të propozuar ligje nuk ka asgjë të përbashkët me nismën e lartpërmendur konkrete për të nxjerrë akte normativë në kundërshtim me përmbajtjen e ligjin nr.10142, datë 15.5.2009;  sepse kësisoj krijohet përshtypja e gabuar, ose precedenti antikushtetues, sikur pushteti ekzekutiv qendror na qenka më kryesori brenda shtetit ligjor; ngaqë, ruana Zot, përdor strategji dhe dredhi politike ‘për t’i sunduar dhe  komanduar me çdo kusht’ dy pushtetet e tjera shtetërorë...
Lexuesit e interesuar duhet të kuptojnë faktin ‘ulëritës’ se tashmë nuk mund të bëhet më fjalë për status ligjor të ushtarakëve; sepse me ndryshimet e bëra përfitimet e njohura nga ligji për këtë shtresë patriotike janë zvogëluar ndjeshëm, madje për oficerët dhe nënoficerët e nxjerrë në lirim, ose rezervë pas korrikut të vitit kalendarik 1991, të cilëve e drejta për pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi u ka lindur më datën 1.1.1999, jo vetëm të drejtat e përfituara nga statusi u janë prekur ndjeshëm në masën 39.6% ose 7.200 lekë çdo muaj, por madje janë shpallur edhe debitorë, me pretekstin e sajuar se gjoja nga 1 korriku i vitit 2009 deri në tetor të vitit 2011 kanë përfituar antiligjërisht 194,400 lekë. Kjo do të thotë se paturpësisht ‘akti normativ antiligjor Bode’ ka goditur rëndë financiarisht disa mijëra ish ushtarakë të urtë, të cilëve jo vetëm ua ka shkurtuar pensionin, por madje edhe ua ka zeruar, ose mohuar të drejtën për të përfituar pension të parakohshëm për 17 muaj rresht... Diskriminime, tortura dhe poshtërime të tilla antiligjore kundrejt ish ushtarakëve patriotë bëhen vetëm nga qeveritarët mediokër ish komunistë dhe me pamjaftueshmëri të theksuar profesionale.
-Gjykata Kushtetuese nuk mbron me vendosmëri Kushtetutën...
Për një vit rresht, nga data 10.11.2010 deri më sot, kur është data 4 janar 2012, ‘shurdh-memecin servil’ ndaj egocentrizmit antiligjor të pushtetit të përkohshëm politik, ose Këshillit të Ministrave, që ka shkelur haptazi Kushtetutën; po e ‘eksperimenton me heshtje e saj’ edhe Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë; e cila, konform nenit 124 të Kushtetutës “...garanton respektimin e Kushtetutës” si dhe “i nënshtrohet vetëm Kushtetutës”... Pse ‘duhet të shtrydhen si limoni’ antiligjërisht, të persekutohen, diskriminohen dhe poshtërohen ish ushtarakët patriotë dhe familjet e tyre, për shkak se ‘ka shkelur haptazi kushtetutën zotëria që aktualisht është kryeministër’...? Si paska kurajë ky kryetar i përkohshëm i pushtetit ekzekutiv qendror të shkelë haptazi kushtetutën; madje të sillet vazhdimisht në mënyrë aspak racionale, sikur gjoja nuk ka frikë nga fakti se me dashje dhe paramendim, me propozim të ministrit të financave, nga padija, pamjaftueshmëria profesionale dhe egocentrizmi antiligjor, ka kryer shkeljen haptazi të nenit 42/1 të Kushtetutës? Demokracia s’ka nevojë për neodiktatorë të rinj, por për qeveritarë dhe shtetarë të përulur përpara Popullit dhe Ligjshmërisë Kushtetuese. Ndaj kushdo, që mban poste të larta shtetërore dhe shpërdoron detyrën e lartë zyrtare, duhet ‘t’i verë gishtin kokës’; sepse Sovrania Shqipëri s’ka nevojë të komandohet nga ‘një dorë e fortë’, ose egocentrizmi i politikanëve të përkohshëm, që kultivojnë mentalitetin feudalesk të  “sundimtarit”, por pret të udhëhiqet vetëm nga Kushtetuta dhe veprimtaria ligjore e Shtetit.

Subscribe to comments feed Komente (0 publikuar):

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj comment

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

  • Plain text 1 - Here eshte lexuar ky Artikull
  • email Email shokeve
  • print Print version
Vlereso kete artikull
0