Hyrje | Speciale | Policia Gjyqësore

Policia Gjyqësore

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

Flasin Prof. Ismet ELEZI dhe Prof. Kosta Gazeli: Procedimi penal, parandalimi dhe goditja e kriminalitetit

 

 

 

 



Një kontribut me vlerë në lëmin e jurisprudencës
Dje, nën kujdesin e Institutit të Botimeve “Toena” dhe të drejtoreshës së këtij instituti, Irena Toçi, në një nga sallat e Hotel Tirana Internacional u promovua libri i autorit Nikoll Rica. Merrnin pjesë avokatë, juristë, pedagogë të jurispudencës, specialistë të fushave të krimit, oficerë të Policisë Gjyqësore, të ftuar nga Ministria e Rendit, e Drejtësisë, Drejtoria e Policisë etj.. Nga diskutimet e pjesëmarrësve u vunë në dukje vlerat e mëdha të librit, problemet që ai shtron dhe profesinalizmi i lartë në hartimin e tij. Më poshtë po japim dy nga diskutimet në promovim:
Vepër shkencore e mirëfilltë
Ndiej kënaqësi të madhe dhe krenari të ligjshme për paraqitjen e një punimi dinjitoz të ish-studentit dhe tani studiuesit të mirënjohur, mikut tim Nikoll Rica. E lexova me shumë vëmendje e interes librin dhe krijova përshtypje shumë të mira, si dhe bindje të plotë se kemi të bëjmë me një vepër shkencore të mirëfilltë. Dëshiroj, në formë të përmbledhur, të vë në dukje disa karakteristika kryesore se përse unë e konsideroj vepër shkencore me vlerë: 1. Është ndërmarrë iniciativa të studiohet një temë, e cila deri tani nuk është trajtuar, pra është zgjedhur një temë origjinale dhe kjo përbën një meritë të veçantë. 2. Tema është trajtuar në gjerësi e në thellësi, e bazuar në burime ligjore dhe me argumente bindëse shkencore. Gjerësia e temës pasqyrohet në zhvillimin historik të Policisë Gjyqësore, edhe në analizën e hollësishme të çdo periudhe e deri te paraqitja e Policisë Gjyqësore, edhe në analizën e hollësishme të çdo periudhe e deri te paraqitja e Policisë Gjyqësore të vendeve të huaja, në Europë e deri në Azi. Argumentet bindëse pasqyrohen në referimin te legjislacioni përkatës dhe në analizën teorike e juridike të problemeve që shtrohen për diskutim. 3. Është një temë tepër aktuale, sepse lidhet me sistemin e drejtësisë penale, si shtyllë e domosdoshme e ndërtimit dhe funksionimit të shtetit të së drejtës në Shqipëri. Dihet se, pa sistemin e drejtësisë penale, nuk mund të flitet as për shtet të së drejtës, as për goditjen e kriminalitetit dhe për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut. Pikërisht, në mbrojtje të këtyre vlerave themelore, autori ka përshkruar rolin e rëndësishëm të Policisë Gjyqësore, si pjesë përbërëse e sistemit të drejtësisë penale në Shqipëri. 4. Vlerësoj jo vetëm shpjegimet që jepen në rolin e Policisë Gjyqësore në goditjen e kriminalitetit, por edhe ato për parandalimin e tij, që kanë rëndësi të veçantë. Më mirë të parandalosh, se sa të dënosh. 5. Ndër karakteristikat kryesore të këtij libri, është se ka jo vetëm vlera të mëdha teorike, por jo më pak edhe praktike. Kjo del qartë nga lidhja e teorisë me praktikën që ka realizuar me mjeshtëri autori i librit. Duke vënë në dukje disa nga karakteristikat kryesore të librit, nuk mund të mos theksoj edhe meritat e shumta të autorit z. Nikoll Rica, i cili ka shpalosur kualifikimin e lartë shkencor të tij, të shprehur edhe në botime të tjera, përvojën e madhe të tij personale, si kuadër me përgjegjësi në polici, si avokat dhe si pedagog i procedurës penale në universitet. Me formimin e tij profesional, me vullnet të fortë dhe pasion për punë kërkimore-shkencore, z. Nikoll Rica ka arritur të na japë një studim serioz, që, sipas mendimit tim, duke iu referuar notave që autori shënon në f. 164 të librit për provimin e Policisë Gjyqësore, me cilësinë e ish-pedagogut të tij, jam plotësisht i bindur se autori meriton të vlerësohet me notën shkëlqyeshëm. Njëkohësisht shpreh mendimin se me këtë punim autori mund të aplikojë edhe për marrjen e gradës “Doktor”. Duke e përfunduar, i uroj z. Nikoll Rica shëndet dhe krijimtari të reja shkencore, në dobi të kulturës juridike kombëtare shqiptare.”

Një libër me vlera teorike dhe praktike
Prof. As. Dr. Kosta GAZELI
Libri i autorit MA. Nikoll Rica, me titull “Policia Gjyqësore, si subjekt i procedimit penal”, është një kontribut me vlerë në lëmin e jurisprudencës dhe në literaturën e kësaj fushe, që përfaqëson një punim tërësor rreth këtij subjekti të procedimit penal, për të cilin rrallë është shkruar, apo hulumtuar. Struktura e këtij libri krijon mundësi për përfitimin e përshkallësuar të dijeve mbi Policinë Gjyqësore, duke e shtrirë studimin që në fillimet e para të krijimit të këtij subjekti  në vendin tonë, që me shpalljen e pavarësisë e deri në ditët e sotme, përfshirë ndryshimet e reja që ka pësuar legjislacioni i Policisë Gjyqësore në korrik të vitit 2010, ndryshime, të cilat për nga teknika legjislative e hartimit të akteve, mund t’i konsiderojmë si një ligj i ri “Për Policinë Gjyqësore”. Ndërthurja e përvojës së vendit tonë me ato të vendeve të tjera, si: Italisë, Anglisë, Francës, Kanadasë, Rusisë, Japonisë dhe Kinës, rreth profileve strukturore dhe ushtrimit të atributeve gjyqësore të policisë, përcjell te lexuesi kujdesin e veçantë që shtetet respektive i kanë kushtuar këtij subjekti, duke e përcaktuar dhe vendosur atë si subjekt të rëndësishëm të procedimit penal. Synimet e autorit arrihen në shtjellimet e bëra në pesë kapitujt e këtij libri, në studimin dhe analizën e rasteve praktike, në përfundimet dhe rekomandimet e nxjerra, shoqëruar me praktikë të Gjykatës së Lartë, në vlerësimin që ajo i ka bërë vlefshmërisë ose pavlefshmërisë së veprimeve të Policisë Gjyqësore. Autori, për eksperiencën që ka në fushën akademike dhe atë aplikative të ligjit, e trajton lindjen dhe zhvillimin e Policisë Gjyqësore në procesin e saj historik në Shqipëri, tiparet, karakteristikat themelore të legjislacionit të aplikuar ndër vite dhe zigzaget e kohës, mënyrën e organizimit e të funksionimit të Policisë Gjyqësore, si dhe raportin e saj me organet e tjera proceduese, nga fillimet e saj e deri në ndryshimet e fundit të vitit 2010. Autori i ka kushtuar vëmendje në libër organizimit, përgjegjësisë dhe detyrave të Policisë Gjyqësore, sipas legjislacionit aktual të ndryshuar, duke u fokusuar te parimet e funksionimit të Policisë Gjyqësore, veprimtaria për parandalimin e krimit, funksionet procedurale, dallimi nga veprimtaria administrative si dhe përgjegjësia disiplinore e punonjësve të Policisë Gjyqësore.  Me kujdes të veçantë ka trajtuar zhvillimin dhe veprimtarinë e shërbimeve të Policisë Gjyqësore, duke i dalluar nga njëri-tjetri, si janë shërbimet e Policisë së Shtetit, Njësitë e Hetimit Tatimor dhe të Drejtorisë së Investigimit të Brendshëm (Antikorrupsion), Policisë Pyjore dhe Policisë Ushtarake.  Ndërkohë, ka trajtuar dhe funksionet shtesë të Policisë Gjyqësore që rrjedhin nga nënshkrimi i marrëveshjeve dhe konventave ndërkombëtare, si dhe ligjeve të reja të miratuara për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, parandalimin e pastrimit të parave, marrëdhënieve të ndërsjella me autoritetet e huaja etj., që kanë të bëjnë me zbatimin e standardeve të kërkuara për t’u bërë një organ sa më kompatibël për të hyrë në Bashkimin Europian. Autori trajton kryerjen e veprimeve procedurale penale të Policisë Gjyqësore, kompetencat dhe përgjegjësitë hetimore që ushtron ky subjekt sipas legjislacionit organik të ndryshuar, marrëdhëniet me gjykatën dhe prokurorin, drejtimi dhe kontrolli i Policisë Gjyqësore nga ana e prokurorit, si dhe përgjegjësitë që kanë shërbimet e Policisë Gjyqësore për përfundimin vetë të hetimeve për rastet e procedimeve penale të filluara në bazë të referimeve të kryera nga ana e tyre. Kujdes i veçantë, gjithashtu, në këtë kuadër i kushtohet aplikimit të teknikave speciale hetimore të policisë për hetimin e veprave penale të krimit të organizuar, ruajtjes së përshpejtuar të të dhënave kompjuterike, zbulimit të pjesshëm të tyre etj., të lidhura ngushtë me raste të marra nga praktika e Policisë Gjyqësore dhe jurisprudenca e Gjykatës së Lartë. Bashkëpunimi i Policisë Gjyqësore me struktura të tjera në këndvështrimin e autorit, është konceptuar me të drejtë si një marrëdhënie e domosdoshme që krijohet nga momenti i parë i marrjes dijeni për një vepër penale, vazhdon me verifikimin dhe vërtetimin e informacionit, gjetjen e provave, kërkimin dhe kapjen e autorëve të krimit, deri në përfundim të hetimeve. Elementët kryesorë të bashkëpunimit, si janë: bashkëveprimi, bashkërendimi dhe koordinimi i veprimeve brenda dhe nëpërmjet strukturave të saj, trajtohen në aspektin teorik dhe praktik, duke i ilustruar ato me shembuj tipikë të rezultateve të arritura gjatë operacioneve të Policisë Gjyqësore. Në këtë libër ka gjetur vend edhe studimi e krahasimi i legjislacioneve dhe përvoja e vendeve të tjera, si ajo e Italisë, Anglisë, Francës, Kanadasë, Rusisë, Japonisë dhe Kinës në ushtrimin e atributeve të Policisë Gjyqësore, si dhe konkluzionet e përfundimet e arritura prej tij. Libri “Policia Gjyqësore, si subjekt i procedimin penal” është një punim që në radhën e botimeve profesionale plotëson njohuritë për këtë subjekt dhe do t’u shërbejë studiuesve, studentëve të fakulteteve të drejtësisë, oficerëve të Policisë Gjyqësore, prokurorëve, avokatëve, si dhe specialistëve të fushave të ndryshme që merren me hetimin e krimit. Me këtë rast, kam kënaqësinë t’i shpreh masteranit Nikoll Rica konsideratat e mia për një punë këmbëngulëse hulumtuese të kurorëzuar me suksesin e këtij punimi dhe botimi me vlera teorike dhe praktike duke i uruar një veprimtari shkencore të mëtejshme produktive. 

Subscribe to comments feed Komente (0 publikuar):

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj comment

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

  • Plain text 1 - Here eshte lexuar ky Artikull
  • email Email shokeve
  • print Print version
Vlereso kete artikull
0