100 -vjetori i kineastit Mandi Koçi
Si e njoha operatorin e parë shqiptar Mandi Koçin
Në këtë jubile të 100-vjetorit të kolosit të kinematografisë shqiptare nuk mundem të rri pa thënë respektin, dashurinë e madhe të Kineastit të parë shqiptar operatorit Mandi Koçi i quajtur “MAK”. I apasionuar pas fotografisë, kur rastësia e bëri që të më bjerë në dorë një aparat fotografik italian 4x4, dhuratë e një italiani dhuruar vëllait tim Koço në fshatin Hoçisht (Devoll) në luftën Italo – Greke 1941, kur më vonë më ra në dorë mua kur isha 5 vjeç dhe e ruajta si gjënë më të shenjtë pa e ditur që një ditë do të më hapte rrugën drejt kineastit. Kur fillova vitin e parë të shkollës së mesme Korçë (Korça një qytet shumë i njohur për studiot fotografike me fotografë si: Kristaq Sotiri me famë botërore, Jani Zengo, Kristo Shuli etj..
Më dhanë mundësinë që të bëj foto me klasën time, ku për 4 vite deri në maturë munda të perfeksionohem për të bërë foto interesante dhe të bukura, por do të ishte profesori i vizatimit që ruaj respekt të veçantë Vangjush Tushi që do të më rekomandonte që paralelisht me shkollën të vazhdoja kursin për vizatim e pikturë me mjeshtrin korçar “Piktorin e Popullit”, Vangjush Mihon, mik i ngushtë i fotografit Kristaq Sotiri. Munda të mësoj shumë elementë të fotografisë si kompozimi, pika e shikimit dhe momentet e bërjes së fotografisë në rastësi.
Mbas mbarimit të Fakultetit për Shkencat e Natyrës emërohem mësues në Qarkun e Fierit në fshatin Aranitas të Mallakastrës, ku kreva detyrën e drejtorit të shkollës deri sa u largova. Ndërkohë, aparati i vogël italian u zëvendësua me aparate më të mira, në fillim TENAKS, ZORKI – RUS , PRAKTIKA dhe KANON. Vetë natyra e Mallakastrës, ekskursionet që bënim në Apoloni, Vlorë ose Berat së bashku me kolektivin e pasuruam gamën e fotove artistike ku arrita të bëj 2 albume me foto të tilla Artistike. Sa herë vija në Tiranë ju tregoja fotografitë fotografëve me eksperiencë si: Refik Veseli, vëllezërve Kallfa, Ristanit etj ...
Këshillohesha dhe me fotografin dhe gazetarin e mirënjohur Pirro Naçe. Këta më inkurajonin dhe më vlerësonin. Fillova dhe të botoj në shtypin e kohës dhe sidomos në Revistën e asaj kohe “Ylli” ose revistën “Shqipëria e re” për botën e jashtme . Tani po më lindte dëshira për më tej dhe këtë ma inkurajoi vëllai im Koço, i cili punonte në makina “Import” dhe importonte pajisjet e kinostudios “Shqipëria e Re” me aparaturat e nevojshme dhe me kamerat “Ariflex” gjermane. Kur rija në Tiranë me jepte katalogjet e tyre, kështu që më lindi dëshira për kinostudion por mundësia nuk ishte. Ishte viti 1959 kur më lajmëron nga seksioni i Arsimit për një Spartakiadë sportive në qytetin e Fierit. Marr nxënësit dhe shkoj në stadium. Ishin grumbulluar të gjithë shkollat e fshatrave përreth. Kur papritur në mes të stadiumit shikoj kamera të vendosura në stativ. Menjëherë m’u kujtua ajo që kisha parë në katalog. Afrohem afër, ku afër kameras qëndronte një djalë i ri i quajtur Tomor Meçe që më vonë do ta kisha mikun më të mirë që më shoqëron mbi 4 dekada në Kinostudio, ishte tekniku i kamerave. I afrohem dhe pyes me çfarë kasete punon 60 m apo 120m. Ai më ndalon dhe më thotë e di ti se sa kushton kjo kamera?
-3 milionë, po u rrëzua më gjen belaja.
Ai më krijoi mundësi të takoj operatorin që kishte ardhur për të xhiruar spartakiadën. Ai ishte një burrë i gjatë, kolos me sy të mprehtë por m’u duk i rreptë.
-Çfarë do mor djalë më thotë?
-Kam dëshirë të bëhem operator,- i them.
-Pse kollaj është të bëhesh operator,- më thotë.
-Por unë e kam marrë katalogun e kësaj kamere dhe e kam studiuar. Ai qeshi duke e parë dëshirën e madhe që unë tregova për profesionin e operatorit dhe më tha:
-A ke bërë ndonjë fotografi?
-Po,- i thashë i gëzuar,- kam filluar që në vitin e parë të shkollës së mesme Korçë, që kur kam ardhur këtu kam bërë 2 albume me foto artistike, ku disa mi kanë botuar dhe në revista. Mi sill t’i shoh, jam sonte këtu në Fier,- më tha. Nuk mund ta mbaja dot gëzimin, sa mbaroi spartakiada shkova me vrap në shkollë i mora dhe ja solla albumet.
I pa me vëmendje dhe i gëzuar e kthen kokën nga mua, në atë moment sikur më pushoi zemra. Nuk dija se si do t’i vlerësonte ky mjeshtër i madh i fotografisë dhe i kamerës.
Si më pa me vëmendje më tha po ç’ne mësues mor djalë, ti e ke vendin në kinostudio. Ky ishte Mandi Koçi i quajtur “MAK”, që fjala e tij në Kinostudio ishte ligj. Ai ishte njëshi, operatori i parë shqiptar njohës shumë i mirë i fotografisë dhe më vonë i kamerës. Nuk ka njeri tjetër që të mund ta ketë njohur sa e kam njohur unë atë njeri. Një profesionist i mbaruar me një biografi profesionale të përkryer. Kishte mbaruar Liceun e Korçës, kishte studiuar për fotografi 3 vjet në Greqi, kishte hapur studion “MAK” në Korçë, kishte bërë fotot e demonstratës së bukës Korçë, ishte anëtar partie i 1941 –shit. Studioja e tij ishte vatra e lëvizjes Naçcl., për Korçën. Arrestohet nga italianët dhe burgoset, internohet në Porto Palermo e më vonë Poncia, Itali.
Merr pjesë në LANÇ, duke luftuar në brigadën e I-rë të Vidhkuqit. Gjatë luftës, fotot e udhëheqësit që janë sot me pushkë, me kalë etj.. janë të tijat
Kur mbaroi lufta ai u dërgua për të studiuar operator në jugosllavi e B. Sovjetik. Në vitin 1947, Mandi hap ekspozitën e parë vetjake në Moskë me shumë sukses, e cila është e para ekspozitë e fotografisë jashtë Shqipërisë. Mbaron për operator shkëlqyeshëm mbasi njihte mirë dhe ishte mjeshtër i fotografisë. Gjatë kësaj kohe martohet me një vajzë ruse e quajtur Roza Kazakova, e cila ishte bashkautore e Fjalorit Shqip – Rusisht. Nga martesa ata lindën një vajzë, me t’u kthyer në Kinostudio xhiron Kinoditarin e parë “ 1 Maj 1947”, xhiron Dokumentarin “Vizita E . Hoxhës në Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut” së bashku me operatorin H. Ferhati. Ka xhiruar mbi 15 filma dokumentarë si drejtor fotografie shumë Kinoditarë dhe është i pari operator që xhiroi filmin Artistik “TANA”. Ai ishte një njeri i talentuar operator i shkëlqyer, pedagog. Çdo ditë më jepte leksione rreth mjeshtërisë së operatorit dhe më vonë më dhuroi librat, me të cilat kishte studiuar në Moskë. Në çdo xhirim unë isha asistenti tij. E vizitoja shpesh në shtëpi dhe isha bërë një mik i tij. Ai kishte një vajzë 7 vjeçe shumë të mirë, unë munda të bëhem ai që jam sot nga mendja e ndritur, dëshira e tij, zbulimi që ai më bëri për mua, për pasionin që kisha, talentin dhe më nguliti vullnetin, punën, papërtushmërinë. Nuk mund ta harroj kur Mandi më kishte porositur me detyrat që më jepte që një herë në javë, ose 2 javë, ose me muaj të bëja 3-4 foto artistike dhe më kontrollonte negativin, kompozimin, objektin që kisha fotografuar dhe përse e kisha bërë. Një herë në pushimet e verës kishin ardhur kolegët e mi mësuesit që punonin bashkë dikur dhe ishin në parkun rinia, mua Profesor Maku më kishte këshilluar që aparatin fotografik të mos e ndaja nga krahu, për të gjetur momente interesante për foton kudo që shkoja. Në këto momente kur unë së bashku me mësuesit bëmë disa foto për qejf ai mi kontrolloi negativat dhe pa që kisha bërë 3-4 foto për qejf, më bërtiti dhe filmin e bëri copa-copa, do bësh vetëm për art. Ky ishte Mandi Koçi. Po për atë punë që bëri me kaq pasion për kinematografinë që la një krijimtari të pasur që përgatiti kuadro të tëra, që ishte i pari që krijoi kinostudion, nuk e meritonte të shpërbleheshe në këtë mënyrë nga regjimi i asaj kohe. Vetëm se vajza 7 vjeçe, e cila me mamanë u detyruan të ikin nga Shqipëria, ashtu siç ikën dhe shumë vajza ruse të martuara me Shqiptarë i shkroi një letër malli babait nga Moska e babai i ktheu përgjigje.
Për këtë u përjashtua nga partia (Anëtar partie i 41-shit” fotograf i udhëheqjes në kohën e luftës) e hoqën nga kinost5udioja , e çuan në komunale si fotograf i thjeshtë, por nuk e lanë me kaq dhe futën në burg duke e dënuar 20 vjet pa asnjë argument, vetëm se i ktheu përgjigje vajzës së tij në Moskë?
Mbas 20 vjetësh del nga burgu, shtëpinë ja kishin marrë nuk kishte ku të banonte, shkon në azil i vetmuar dhe mbas disa ditësh vdes. Nderim për këtë artist të talentuar, Pedagog, Themelues, me 100- Vjetorin e Lindjes.
Emri i tij do të kujtohet në shekuj nga të gjithë kineastët.
-
1 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version
- Fatos Nano drejt PS-së
- Flet astrologia Meri Shehu
- Dashuri engjëjsh
- Sondazhi në "Telegraf"
- Shpallen personalitetet e vitit 2010 në “Telegraf”, Ja më të preferuarit e publikut shqiptar



Publikoni komentin tuaj