Hyrje | Speciale | Udhëtim nëpër trevat shqiptare

Udhëtim nëpër trevat shqiptare

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

Lezha

 

 

 

 




Lezha, si rrallë qytet tjetër ka resurse natyrore dhe kulturore të jashtëzakonshme turistike, që janë shfrytëzuar, por që ka mundësi të shfrytëzohen edhe më tepër. Ajo ka një natyrë të mrekullueshme: fushë, det dhe mal; ka një klimë të butë me një erë flladitëse e të ngrohtë detare, ka një bujqësi dhe agro-turizëm tradicional që di ta përdorë, por ka edhe  historinë, me simbolikën më të madhe të Skënderbeut, Kuvendin e Lezhës që bëri bashkimin e shqiptarëve më 1444, por mbi të gjitha, ka varrin memorial të Heroit tonë.
Shëngjini, Shënkolli dhe Tale, nga plazhet më të pastra në Shqipëri
Vit pas viti ata po zgjerohen dhe po rregullohen. Janë plazhe me të gjithë elementët natyrorë: ujin e pastër, puhizën e lehtë detare, pishat e blerta dhe në fund, në pjesën veri lindore, panoramika malore rrëzë të cilit ngrihen radhë hotelet e shumtë me çmim fare të arsyeshëm. Një gjë e tillë ka bërë që këtu të vërshojnë gjatë verës familje të shumta kosovare. Dhe pse të mos vijnë, kur udhëtimi në rrugën re nuk shkon më shumë se dy orë, aq sa një punëtor në vendet perëndimore ka çdo ditë largësinë e vendit të punës. Rruga nga Lezha si dhe rrugët ë tjera që të çojnë në Bregdet të ndërtuara mirë të krijojnë mundësinë të shkosh e të vish me fugon në çdo 5 minuta me 50 lekë në qytetin e Lezhës ose në magjistralin kryesor. Kushdo që ka qenë në këta plazhe, është larguar me përshtypje të mira, pasi ata janë më standarde të pranueshëm, ku virgjëria e natyrës akoma është e dukshme dhe harmonizohet me brishtësitë e ndërtimeve të reja të sapo bëra.  
Zadrima dhe Kallmeti
Dy nga zonat më të gjelbra në Shqipëri që përputhen aq shumë me simbolikën e hartës, të blertën e errët. Dy zona interesante, me njerëz punëtorë të tokës, por edhe artizanë të shkëlqyer të tezgjahut fin; dy zona të lidhura lashtësisht me religjionin katolik, që mund të themi se është bërthama e këtij religjioni me përfaqësues njerëz të mëdhenj, si Fishtën, Mjedën e mirënjohur. Zadrima është një njësi natyrore, e ndarë në katër komuna, nga të cilat dy i ka Shkodra dhe dy Lezha. Zadrima dhe Kallmeti, janë zona që çuditërisht ruajnë traditat e veshjes popullore të bërë me dorë. Me atë kostum ata edhe martohen dhe shkojnë nëpër ceremonira festive. Është një e veçantë që ka mahnitur turistët e huaj që kanë shkuar aty. Në këto zona kultivohet rrushi Kallmet që bën verën e famshme me të njëjtin emër.
Ishull-Lezha dhe Laguna e Vainit
Ka një reliev fushor, të rrethuar nga veriu nga lumi Drini, nga juglindja laguna e Vainit, nga perëndimi nga plazhi i Vainit, ndërsa në lindje rrethohet nga qyteti i Lezhës. Turizmi në këtë zonë është shfaqur që herët me pushtimin turk (fshati ishte si një zonë e qetë dhe frytdhënëse), por që kulminacionin e arriti në shekullin XX më ndërtimin e Hotelit të Gjuetisë, i cili ka qenë i shfrytëzuar që gjatë Luftës së II Botërore e deri në ditë e sotme. Ashtu si kudo, në vitet 1990-1992 rrënohet, por në vitin 2000 rindërtohet.   Nga vitet 1997-1999 në Vain, zona bregdetare e ishullit të Lezhës, janë ndërtuar shumë restorante dhe lokale. Megjithëse është një vend i bukur, me një ekosistem interesant si në bimësi, kafshë, shpend dhe në gjallesa të ujit, kujdesi është i pakët, dhe nga viti në vit ka shenja të degradimit natyror të pafalshëm. 

Lezha historike
Lissusi përfshin kalanë mesjetare, Vendvarrimin e Heroit tonë Kombëtar “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” e disa objekte të tjera me vlera historike. Muret fortifikuese të Lissusit janë më të fuqishme se ato të Apolonisë, duke bërë kështu që ky qytet i lashtë të ishte ndër më të spikaturit në botën Iliro-Epirote e më tej. Qyteti kishte dy porte: njëri detar ai “Nimfeumit”, Shëngjini i sotëm, si dhe porti lumor buzë Anapasit (Drini i Lezhës).
Kalaja
Ngritur mbi themelet e Akropolit antik pranohet nga të gjithë, se fillimi i ndërtimit të saj i përket shekullit të VIII-të. Kalaja ka njohur shumë faza ndërtimi, për të ardhur në atë të fundit të vitit 1520, nga Sulltan Bajazit Hani. Në literaturën historike dhe arkeologjike kalaja Lezhës njihet për një kohë të gjatë me emrin Kështjella e Elisonit. Ajo ka tri porta, të cilat ishin mjaft të mbrojtura nga kulla e kthina të maskuara, të cilat të favorizuara nga pozicioni gjeografik, e bënin atë të pamposhtur. Në vitin 2002 pas restaurimit të themeleve të Kalasë Mesjetare, u vu re se trashësia e mureve arrinte deri në 4.30 m, nga 3.50 m trashësi që mendohej të ishte më parë. Deri më sot janë zbuluar 12 porta dhe 48 kulla mbrojtëse.
Memoriali i Kuvendit të Lezhës dhe i Vendvarrimit të Gjergj Kastriotit të Skënderbeut
Ky Memorial është ndërtuar me 23 nëntor 1981, ku muret origjinale janë të kishës së Shën Nikollit të shekullit të XIV. Ky vend i shenjtë dhe historik lidhet me dy ngjarjet e mëdha për kombin shqiptar: Kuvendin e Lezhës të 2 Marsit 1444 dhe varrimin e Skënderbeut në janar të 1468 .E quajmë Vendvarrim, pasi eshtrat e Skënderbeut u morën nga ushtarët turq me 5 shtator 1478, të cilët i hapen varrin dhe e shkatërruan atë. Eshtrat e tij i mbështollën me ar dhe argjend dhe i vendosën në qafë si hajmali për mbarësi në luftë.
Origjinale përveç mureve të kishës kanë mbetur absida, ku ndodhet busti Heroit, afresku i Shën Nikollit, dritaret dhe tre harqet mbi derën e kishës. Në mure janë të varura 25 mburoja prej bronzi të cilat tregojnë 25 betejat kryesore të Skënderbeut. Mbi pllakën e mermerit janë vendosur kopje të shpatës dhe përkrenares së Skënderbeut prej bronzi. Projektues të kësaj vepre monumentale janë Odhise Paskali, “Skulptor i Popullit” dhe arkitekt Latif Lazimi.
Obelisku i Kuvendit të Lezhës
Obelisku që i kushtohet Kuvendit të Lezhës që u mbajt me 2 Mars 1444 ndodhet në qendër të qytetit. Realizimi i tij është bërë nga I.M.K. dhe Instituti i Projektimeve Nr.1, Tiranë dhe është zbatuar nga “Skulptori i Popullit” Odhise Paskali me arkitekt Enver Faja. Përurimi i tij është bërë me 17 Janar 1967.
Ura e vjetër e qytetit
Është ura më e vjetër e ndërtuar mbi lumen Drin. Ajo paraqet për vizitorët vlerat e saja historike dhe artistike. Viti i ndërtimit të saj më të fundit është viti 1926.
Shtëpia e Mlikajve
Shtëpia e Esat Mlikes, lagjja “Skenderbeg” buzë Drinit është një banesë popullore qytetare dykatëshe e shek. 19-të. Ka vlera arkitekturore në punimin e mureve, çatise, etj..

Subscribe to comments feed Komente (0 publikuar):

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj comment

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

  • Plain text 1 - Here eshte lexuar ky Artikull
  • email Email shokeve
  • print Print version
Vlereso kete artikull
0