Njeriu me zemër të madhe dhe duar të ngrohta
HISTORIA/Flet Presidenti i Shoqatës Kombëtare Humanitare “Dora e Ngrohtë”, Gjon Dervishi: “Humanizmi i kësaj shoqate do tw jetojë dhe do të dhurohet pa kursim derisa do të ketë njerëz në nevojë”
“Ne s'mund të bëjmë dot gjëra të mëdha, vetëm gjëra të vogla me dashuri të madhe”, m’u kujtua papritur kjo shprehje e Nënës tonë Terezë, kur gjatë pushimeve të mia në bregdetin e mrekullueshëm të vendit tim, rastësisht mes miqsh takova njeriun me zemër të madhe dhe me dashuri të pashteruar. Ky është Gjon Dervishi, humanizmi, i të cilit ka hapur dyert e qendrave të mëdha pothuajse në të gjithë Shqipërinë për personat me aftësi të kufizuar. Rrëfimi që ky humanist bëri për gazetën “Telegraf”, për personat me aftësi të kufizuar nuk kishte si të mos më interesonte. Ngjarje të tilla ndodhin shumë pak tek ne, janë tepër të rralla, por shumë afër njerëzve për profilin e gazetës tonë. Humanizmi i këtij njeriu nuk ka lindur për një publicitet më tepër, apo për të siguruar një vend me rëndësi në shoqërinë tonë, por ka lindur nga dhimbja. Nga dhimbja personale. Duke pasur një familje të madhe, si e thotë edhe ai vetë, nuk e kishin menduar kurrë se do të kishin një nip me aftësi të kufizuara mendore dhe fizike të lindur, i cili në moshën 35-vjeçare, jeta e tij e brishtë u shua. Djali i motrës së tij Arti dhe dhembshuria e trashëguar nga nëna e tij do të ishte edhe zanafilla e ndërtimit të një qendre, ku do të kishte dyert dhe zemrën e hapur për të gjithë që do të kishin nevojë. Nuk do të ishte e lehtë. Ashtu siç nuk është e lehtë asgjë, kur nuk ka mbështetjen e duhur ekonomike, sidomos të fitonte besimin. Ai u ndesh me tre faktorë themelorë: Besimi i familjarëve, pranimi dhe mentaliteti qytetar dhe së treti vizioni që ka shteti për këta njerëz në nevojë. Por me besimin, dashurinë dhe këmbënguljen e vetë z.Gjon Dervishi, filloi e mori udhë humanizmi. Kështu me ndihmën e Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, si dhe shumë donatorëve të huaj dhe vendas do të hapej si fillim qendra “Dora e Ngrohtë” në Tepelenë dhe më pas me kërkesë të vetë familjarëve të personave me aftësi të kufizuar, në të gjithë Shqipërinë. Shoqata ka një jetëgjatësi prej 19 vjetësh, si fillim duke shpërndarë ndihma “fshat më fshat dhe shtëpi më shtëpi në të gjithë Qarkun e Gjirokastrës”, si thotë vetë zoti Dervishi. Ai mblodhi rreth vetes një staf shumë të specializuar dhe ajo që është më e veçanta, shumë prej tyre janë vetë familjarët e fëmijëve, për të mos i lënë shteg asnjë lloj abuzimi. Në mediat vizive dhe të shkruara është folur jo pak për shoqata “fantazma”, që kanë përfituar në kurriz të qytetarëve dhe sidomos mbi fëmijët. Më bëri përshtypje ky njeri shtatlartë dhe i vendosur, të ngjethej kur fliste për “fëmijët e tij” dhe sesa shumë është përpjekur së bashku me stafin e tij, që të integrojë këta fëmijë në komunitet; të pranoheshin ashtu siç ishin, por të etur për të qenë si gjithë të tjerët. Po me sa krenari fliste ky njeri për pikturat, poezitë apo çdo gjë të mrekullueshme që ata fëmijë bëjnë dita –ditës. “Jam i lumtur, -thotë Presidenti i Shoqatës Humanitare ,-që në çdo aktivitet tonin marrin pjesë edhe qytetarë apo fëmijë normal, me qëllim që edhe fëmijët e tij ta ndjejnë veten të barabartë me ta”. Tashmë nuk do të lexojmë më lajme të frikshme se fëmijët me mungesa fizike lidhen te kasollja e qenit apo mbahen të lidhur nëpër ahuret e shtëpive, që të mos jenë më turpi i familjes, apo objekt humori për komunitetin e tyre. Sot ata do të kenë shtëpinë e tyre dhe njerëzit e duhur që do të kujdesen për ta. Do doja ta mbyllja sërish me thënien e Nënës Terezë, pasi janë të vetmet që më vijnë në mend për këtë lloj humanizmi që zoti Dervishi po u dhuron njerëzve kaq shumë në nevojë: “Zoti ua ktheftë në dashuri gjithë dashurinë që keni dhënë, gjithë gëzimin e paqen që keni mbjellë rreth jush, nga njëra anë e botës në tjetrën”.
Zoti Dervishi, sipërmarrje të tilla janë të rralla në vendin tonë, pasi kërkojnë impenjim të madh shpirtëror, fizik dhe financiar, si ju ka lindur ideja të ngrinit një qendër të tillë si “Dora e Ngrohtë”?
Krijimi i Shoqatës Kombëtare Humanitare “Dora e Ngrohtë” me qendër në Tepelenë e ka zanafillën e vet në familjen time. Familja ime është një familje e madhe e përbërë nga 10 motra (aktualisht 9 motra) dhe 2 vëllezër, me 31 nipër e mbesa, e 21 stërnipër e stërmbesa. Në një familje kaq të madhe do kishim dhe ne halle dhe probleme si çdo familje, por nuk e kishim menduar kurrë se do të kishim një nip me aftësi të kufizuara mendore dhe fizike të lindur. Ja jeta kështu vjen, shorti i ra motrës së tretë (Teuta, mësuese në profesion), e cila lindi 2 djem Artin dhe Denisin. Arti ishte djali fatkeq sepse zoti i dha aftësinë e kufizuar, por i pamëshirshëm se i mori nënën e tij. Kështu nëna ime, Serie Dervishi vendosi që ta merrte Artin disa muajsh dhe ta mbanim në shtëpinë tonë. Në këto kushte gjithë familja ime, motra dhe vëllezër iu përkushtuam këtij nipi me aftësi të kufizuara mendore e fizike të lindur për 35 vjet resht. Gjithashtu, bashkë me Artin jetoi nëna ime Serie dhe familja ime gruaja dhe 2 fëmijët e mi (Seriola dhe Doriani). Arti, nënës time i dhuroi jetëgjatësinë dhe 2 fëmijëve të mi ndjeshmërinë, dashurinë, respektin jo vetëm për shoqërinë, por edhe për fëmijët në nevojë. Pra, ky ishte shkaku që më krijoi idenë për ngritjen e qendrës “Dora e Ngrohtë”, pas largimit nga jeta të nipit tim Arti.
Kur është themeluar kjo shoqatë dhe si e ka nisur punën, për të realizuar një ndihmë kaq të madhe për personat me aftësi të kufizuar?
Shoqata Humanitare Kombëtare “Dora e Ngrohtë”, është krijuar në vitin 1992 duke e nisur veprimtarinë e saj në një dhomë të vogël në qytetin e Tepelenës, duke shpërndarë ndihma humanitare si veshmbathje, ushqime, medikamente, karroca invalidësh etj., fshat më fshat e shtëpi më shtëpi në të gjithë Qarkun e Gjirokastrës. Rastësia është mbreti i gjithçkaje, e cila na njohu me disa miq holandezë me në krye z. Kess Dasselaar, të cilët prej 17 vjetësh kanë dhënë një ndihmë shumë të madhe si me bazë materiale didaktike të specifikuara vetëm për aftësinë e kufizuar, gjithashtu dhe trajnime të personelit. Z.Kess Dasselaar është “Qytetar Nderi” i Gjirokastrës për kontributin që ka dhënë. Sot shoqata nën kujdesin e Ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, z.Spiro Ksera, gëzon një objekt shumë bashkëkohor që i vjen në ndihmë fëmijëve në nevojë.
“Dora e Ngrohtë” është e shtrirë në të gjithë Shqipërinë apo në qytete të caktuara? Dhe nëse po, ka qenë si rezultat i kërkesave të qytetarëve, apo një vendim i marrë nga shoqata juaj, për të pasur vende me klimë të caktuar?
Shoqata Humanitare Kombëtare “Dora e Ngrohtë” është e shtrirë pothuajse në të gjithë Shqipërinë, ajo ka degët e saj në Gjirokastër, Këlcyrë, Përmet, Korçë, Ersekë, Bilisht, Pogradec, Elbasan, Tiranë, Laç, Durrës, Berat, Vlorë etj.. Kjo ka qenë rezultat i kërkesave të familjeve të këtyre fëmijëve, pasi ata kanë parë te ne angazhimin, përkushtimin, korrektësinë e sinqeritetin tonë.
Zoti Dervishi, dihet që në qendra të tilla duhet një staf i specializuar, sidomos mësuesit, të cilët duhet të merren me këta fëmijë, si arrihen të përzgjidhen ata, kanë norma të caktuara? Sa janë të përfshirë në jetën e këtyre personave mësuesit?
Qendra Ditore “Dora e Ngrohtë” Tepelenë ka një staf të veçantë ndoshta nga të gjitha qendrat e tjera sepse jam munduar që në staf të përzgjedh prindër të fëmijëve me aftësi të kufizuar rreth 40%, kurse pjesa tjetër është personel me arsim përkatës, i cili është trajnuar nëpër seminare të organizuara nga Ministria e Punës dhe Ambasada Holandeze. Ky personel është i lidhur ngushtë me fëmijët e Qendrës pasi ju ofrojmë shumë dashuri, përkujdesje, program mësimor e mësim pune të specifikuar.
Ku konsiston më shumë ndihma e shoqatës suaj, kundrejt këtyre fëmijëve?
Shoqata Humanitare “Dora e Ngrohtë” këtyre fëmijëve u jep një ndihmë të konsiderueshme, kjo ndihmë konsiston në integrimin e personave në jetën e përditshme për të qenë edhe ata të barabartë në shoqëri.
Sa janë integruar personat me aftësi të kufizuara në komunitetet që ata jetojnë? A janë ata të përçmuar nga fëmijët e tjerë?
Unë mendoj se është bërë një punë e mrekullueshme. Të punosh me këta fëmijë është shumë e vështirë, pasi jemi ndeshur me 3 faktorë: Së pari, jemi ndeshur me familjet e këtyre fëmijëve, sepse e kishin shumë të vështirë që fëmijët e tyre të dilnin nga shtëpia. Së dyti, jemi ndeshur me mentalitetin e qytetarëve për këta fëmijë, pasi kur kalonte automjeti që merrte fëmijët në familje ata i përbuznin. Se treti, në vizionin që ka shteti ynë për këta njerëz në nevojë. Të tre këta faktorë ne i thyhem me kulturë, me politika bindëse dhe punë të palodhur. Sot ne kemi arritur suksese, pasi kemi fëmijë që pikturojnë, që shkruajnë e lexojnë dhe shumë shpejt në fund të muajit shtator 2011 do të hapim në bashkëpunim me Ministrinë e Punës, Ambasadën Holandeze tek Galeria e Arteve në Tiranë një ekspozitë me punimet e këtyre fëmijëve.
Dihet, që disa shoqata “mirëbërëse” kanë pasur një nam të keq, për shkak të abuzimeve të tyre tepër të rënda, sa besim ka krijuar shoqata juaj tek komuniteti dhe sidomos tek prindërit, të cilët kanë fëmijët e tyre me aftësi të kufizuara?
Pyetja juaj ndoshta më intereson më shumë nga gjithçka. Në Shqipëri ka shumë shoqata, por është për të ardhur keq pasi shumica e tyre janë fantazma dhe këtu është paradoksi më i madh pasi ato fitojnë projekte nga më të çuditshmet. Pikërisht, këtu unë do dëshiroja të falënderoja Z.Spiro Ksera për kontrollet që po ushtron për ekzistencën e tyre. Këto Shoqata fantazmë shkojnë nëpër donatorë i bindin me dokumente që kanë nëpër duar (se ato dokumente kanë kurse njerëz dhe veprimtari nuk bëhet fjalë të zotërojnë). Por kur donatorët i verifikojnë, me të drejtë krijojnë imazhin e keq. Ne si shoqatë kemi vepruar me politika bindëse, kemi gjetur donatorë dhe sponsor , nuk u kemi pranuar vlera monetare në dorë, por i kemi ftuar në qendër të shikojë punën tonë dhe të dhurojnë vet atë çka dëshirojnë. Kështu ne jemi korrekt jo vetëm me donatorët e sponsorët, por dhe me shoqërinë dhe prindërit.
Sa punë ju është dashur që të fitoni besimin e sponsorëve tuaj, që të arrini të mbani gjallë këtë punë humanitare, që ju po bëni? Po vetë prindërit japin ndonjë kuotë të caktuar për fëmijët e tyre?
Siç përmendëm dhe më lart, neve na është dashur shumë punë që të gjejmë sponsorët tanë, të cilët kisha shumë dëshirë t’i përmendja, pasi ata janë me të vërtetë njerëz të mëdhenj, janë të ndjeshëm, me kulturë dhe me zemër të madhe dhe këta janë: Z. Rezart Taci; Znj. Kristina Buzi; z.Kess Dasselaar, z.Kico Kotro, z.Kico Naci, z. Luciano Cirilio.
Na thoni ju lutem, disa momente që ju kanë ngelur në kujtesë me “fëmijët tuaj” nëse mund t’i quajmë të tillë?
Të punosh me këta njërës në nevojë çdo ditë ke nga një moment të jashtëzakonshëm, çdo ditë një emocion të ri, por unë e kam ndjerë veten të lumtur kur i hapa Taulantit (fëmijë i Qendrës) ekspozitën e parë. Sa lumturi, sa kënaqësi shikoja në sytë e Taulantit ku lexoja të më thoshte: “ja xhaxhi Gjoni unë Taulanti me duart të paralizuara bëra diçka, do ti çojë diçka familjes sime. A e meritoj edhe unë të jem pjesë e shoqërisë? A e meritoj dhe unë të jem i barabartë? Në moment m’u kujtua personazhi i romanit “Përsëri në Këmbë” i Dhimitër Xhuvanit. Kështu unë jam dhe do të jem pjesë e njerëzve në nevojë.
Sa do të vazhdojë “Dora e Ngrohtë” me aktivitetin e saj të ndihmojë zemrat e gjithë personave me aftësi të kufizuar?
Në këtë rrugë të gjatë dhe të vështirë unë nuk kam qenë vetëm, vetëm e fillova, por e çova dhe do ta çoj më tej me miqtë e mi të medias dhe ekranit si z. Engjëllush Serjani, z.Ilir Lluri, z. Fatmir Mece, z.Aleksander Cipa, znj. Rudina Magjistari TVSH, TVKLAN, VIZION PLUS, ORA NEWS, ALSAT etj.. “Dora e Ngrohtë” do të vazhdojë gjatë shumë gjatë se dhe njerëzit që e rrethojnë kanë shumë jetëgjatësi. Gëte ka thënë: “Njeriu bëhet, atë që beson se është”, edhe këta fëmijë tashmë besojnë se janë pjesë e shoqërisë, po aq të aftë për t’u integruar mes njerëzve dhe të jenë krenarë për veten dhe prindërit e tyre për ata, edhe pse natyra i ka kufizuar aftësitë, por jo zemrën e mbushur plot me mirësi.
-
118 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version
- Fatos Nano drejt PS-së
- Flet astrologia Meri Shehu
- Dashuri engjëjsh
- Sondazhi në "Telegraf"
- Shpallen personalitetet e vitit 2010 në “Telegraf”, Ja më të preferuarit e publikut shqiptar



Publikoni komentin tuaj