Hyrje | Sociale | Grabitja me kolaudimin e makinave

Grabitja me kolaudimin e makinave

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

INTERVISTË/ Flet për “Telegraf’, z.Arben Pinari, Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit të Transportit Rrugor

 

 

 

 




Problemi që shtron gazeta “Telegraf” në këtë numër të radhës, është rruga që duhet të ndiqet nga qytetarët për të bërë pagesën e taksës vjetore. Në redaksinë tonë janë drejtuar ankesa nga qytetarë të shumtë, të cilët shprehen se, po bëhet një padrejtësi ndaj tyre për mënyrën e pagesës së kësaj takse. Lidhur me problematikën e shtruar më sipër   ne kemi intervistuar  z. Arben Pinari, Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit të Transportit Rrugor,  i cili  është shprehur se këto shqetësime të ngritura nga qytetarët vijnë si pasojë e mosinteresimit të tyre në sportelet përkatëse, si dhe keqinformimi që ata kanë.
Cili është impakti i informatizimit që është bërë për regjistrimin e automjeteve dhe cila është risia e këtij informatizimi?
Sipas udhëzimit për regjistrimin e mjeteve rrugore dhe dokumentet e qarkullimit pasqyrohet me saktësi gjithçka. Ky udhëzim është një përmbledhje e të gjithë procedurës që kryhet për regjistrimin e mjeteve pranë drejtorisë tonë, njëkohësisht është një rishikim i të gjithë bazës ligjore deri në momentet e futjes në fuqi të këtij ligji. Gjithashtu, ky udhëzim përmbledh të gjithë praktikën dhe teknikën e regjistrimit të mjetit, tashmë me mënyra informatike dhe të automatizuara. Kjo është një risi në teknikat dhe procedurën e regjistrimit të mjeteve duke implementuar në këtë mënyrë edhe standarde të reja. Ky informatizim ka pasur një impakt shumë pozitiv, pasi më parë e gjithë procedura e regjistrimit të mjeteve bëhej manualisht me dorë dhe me regjistra jo të informatizuar. Më parë, ne, nuk kishim një regjistër kombëtar on-line për marrjen e informacionit në kohë reale. Por aktualisht, gjërat janë lehtësuar dhe gjithçka kalon në kohë reale tek të gjitha strukturat si dhe qytetarët gjithashtu. Me anë të këtij informatizimi ne kemi futur edhe elementet e sigurisë së regjistrimit, i cili është një standard jo vetëm me institucionet brenda vendit, por edhe me institucionet analoge që kemi jashtë tij. Pra, në këtë informatizim janë futur elementet e standardeve të vendeve europiane, për zbatimin e direktivave të tyre. Tashmë ne, kemi  një regjistër elektronik të mjeteve rrugore. Në këtë udhëzim përcaktohen rregulla strikte dhe të qarta, shumë të thjeshta nga pikëpamja administrative për qytetarët që bëjnë regjistrimin e mjeteve. Qytetarët nuk kanë pse të sorollaten lart e poshtë nëpër zyra dhe institucione, për plotësimin e dosjes së dokumentacionit për regjistrimin e një automjeti, ku më parë qytetari harxhonte orë e ditë të tëra për dokumentacionet e regjistrimit të automjetit të tij. Ky regjistrim elektronik nuk është i lidhur vetëm me 13 drejtoritë rajonale të vendit tonë, por është i lidhur edhe me një sërë institucionesh të tjera brenda vendit, ku shkëmbejmë informacion në kohë reale. Pra tani qytetari nuk ka më nevojë të paraqes vërtetimin e banimit, vërtetim nga pika e kufirit kur ka hyrë në territorin shqiptarë, urdhrin e zhdoganimit nga dogana etj., por ai mjafton të ketë dokumentin e pronësisë dhe një mjet identifikimi, dhe këtij qytetari i ofrohet shërbimi i menjëhershëm brenda sporteleve tona. Kur ishte i pa informatizuar ky proces, ne kemi pasur një procedurë administrative, e cila zgjaste me orë të tëra për regjistrimin e një mjeti. Tani vetëm për 20 minuta, bëhet jo vetëm kontrolli i dokumentacionit, por njëkohësisht edhe regjistrimi. E gjithë procedura brenda punonjësve tanë kryhet brenda një aplikimi dhe e gjithë procedura e regjistrimit të mjetit kryhet vetëm nga një specialist shërbimi.
Çfarë mund të na thoni procedurën e taksës vjetore, pasi ekzistojnë shumë paqartësi nga lexuesit tanë lidhur me mënyrën e pagesës së kësaj takse?
Kjo është një paqartësi të cilën   e ndeshim  shpesh  tek shumë qytetarë. Vetë termi “taksë vjetore” do të thotë  që ajo llogaritet si taksë vjetore, ku në ligj thuhet se ajo duhet të paguhet para kontrollit teknik të automjetit. Pra, kemi një datë ose një afat brenda të cilës ajo duhet paguar, sepse lidhet me një procedurë administrative dhe teknike. Por dua të theksoj këtu, që taksa është vjetore dhe jo kalendarike, sepse i tillë është siguracioni dhe jo taksa vjetore. Taksa vjetore paguhet në çdo ditë të vitit dhe paguhet për vitin që qytetari është aktualisht. Nuk ka rëndësi se në cilin nga muajt e vitit është paguar taksa, sepse ajo është e lidhur vetëm me kontrollin teknik, qytetari mund të mos e kryej kontrollin teknik por kjo nuk e përjashton nga taksa vjetore. Pra qytetari mund të jetë shmangur nga mos kryerja e kontrollit teknik por kjo nuk e përjashton nga taksa, pasi taksa nga tatimi këtu ndryshon.  Ka shumë qytetarë që shprehen se nuk e përdorin mjetin e tyre, por kjo nuk ka lidhje me taksën vjetore. Kur paguan taksën merr një pullë, e cila e ka të përcaktuar qartë vitin që bëhet pagesa e saj. Siguracioni i mjetit është kalendarik, ndërsa taksa është vjetore, që do të thotë edhe po të kalojë afati i pagesës, qytetari nuk paguan asnjë gjobë. Nëse flasim për një automjet i cili sapo është regjistruar dhe vjen të paguaj taksën vjetore p.sh në dhjetor të 2011-ës, atëherë ky qytetar paguan vetëm një muaj taksë vjetore, dhe i hiqet detyrimi i muajve të tjerë, sepse mjeti sapo është regjistruar, ai nuk është debitor dhe nuk ka shkel asnjë ligj. Taksa vjetore është e vetmja nga taksat që nuk shoqërohet me gjobë. Pra kjo është paqartësia e shumë qytetareve, ndaj citoj edhe njëherë se nuk ka rëndësi se në çfarë dite e bënë pagesën e saj, por pagesa bëhet për vitin që qytetari paguan taksën vjetore.
Për shkak të krizës ekonomike disa kompani apo firma privati, nuk i vënë në përdorim të gjitha automjetet që kanë, a përjashtohen këto nga taksa vjetore?
Fillimisht dua të flas për pjesën praktike dhe procedurën ligjore të kësaj pyetjeje. Askush nuk e gjëmon qytetarin nëse ai e vë ose jo në përdorim makinën, shteti nuk mund të kthehet në roje. Por, përdorimi ose jo përdorimi, lidhet me atë që quhet tatim,pra në momentin që është bërë regjistrimi qytetari në bazë të ligjit është i detyruar të paguaj një tatim, në të kundërt ai nuk ka asnjë arsye për ta paguar këtë tatim. Ndërsa, kur flasim për taksën vjetore, kjo nuk ka të bëjë me faktin nëse e përdor ose jo automjetin. Përsëri ligjvënësi ka parashikuar përjashtime nga kjo taksë e cila konsiston në faktin e çregjistrimit të përkohshëm të automjetit. Aktualisht, ka çregjistrim të përkohshëm dhe çregjistrim të përhershëm, por që shumë pak qytetarë i dinë këto procedura. Duke mos e përdorur automjetin qytetari nuk paguan as taksën vjetore, sepse mendon që mospërdorimi i tij e shmang nga pagesa e taksës, në një kohë që ky qytetar rezulton debitor në zyrat tona. Për këtë arsye këtij qytetari i vjen në ndihmë ligji i ri i automjeteve, ku  nga data 1-31janar  qytetari mund të aplikojë për çregjistrimi i përkohshëm të tyre, kundrejt një detyrimi prej 600 lekë të reja dhe çregjistrimi i përhershëm kushton 1000 lekë. Për të bërë çregjistrimin e automjetit mund të vijë edhe dhe të paraqitet në zyrat tona për të dorëzuar  dokumentacionin e nevojshëm edhe një i afërm i qytetarit që ka automjetin, kjo në pamundësinë e prezencës së tij për arsye të ndryshme. Kështu , nga ky moment ky automjet automatikisht nuk figuron më i regjistruar, dhe si pasojë përjashtohet edhe nga detyrimi i taksës vjetore. Nëse në një moment të së ardhmes, personi e konsideron si domosdoshmëri vënien në përdorim të këtij automjeti, atëherë ai duhet të paraqitet sërish në sportelet tona, të bëjë kërkesën për ripajisjen me targa dhe leje dhe ne i bëjmë dorëzimin e targave dhe lejes së qarkullimit, për të vepruar pastaj konformë të gjithë ligjeve dhe rregullave të qarkullimit rrugor. Ligji gjithashtu ka parashikuar edhe situata të tjera kur automjeti përjashtohet nga detyrimi i taksës vjetore p.sh kur ai është i përjashtuar me vendim gjykate apo prokurorie dhe për këtë arsye ne jemi të detyruar t’i zbatojmë të gjitha këto që i përmban ligji i qarkullimit rrugor.

Subscribe to comments feed Komente (0 publikuar):

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj comment

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

  • Plain text 1 - Here eshte lexuar ky Artikull
  • email Email shokeve
  • print Print version
Vlereso kete artikull
3.00