Ligj i ri për arsimin publik dhe privat
Zyrtare nga MASH/ Ja rregullat e reja për riorganizimin e shkollave. Bordet, emërimet dhe shkarkimet e drejtorëve dhe mësuesve
Me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë ka hartuar projektligjin e ri për sistemin arsimor parauniversitar në shkallë vendi. Qëllimi i këtij ligji është garantimi i së drejtës kushtetuese për arsimim nëpërmjet përcaktimit të kuadrit ligjor përkatës për funksionimin e sistemit arsimor parauniversitar. Në “Arsimin parauniversitar” përfshihen nivelet arsimore me kodet 0, 1, 2 dhe 3, sipas “Klasifikimit Ndërkombëtar Standard të Arsimit”, të miratuar nga Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s, në nëntor 1997, përkatësisht,:
a) “Niveli me kod 0”, arsimi parashkollor, kopsht;
b) “Niveli me kod 1”, arsimi fillor;
c) “Niveli me kod 2”, arsimi i mesëm i ulët, arsimi pasfillor;
ç) “Niveli me kod 3”, arsimi i mesëm i lartë.
Ndërsa përsa i përket të drejtës për arsimim në vendin tonë, ajo i garantohet të gjithë shtetasve shqiptarë, të huaj dhe personave pa shtetësi, pa u diskriminuar nga gjinia, raca, ngjyra, etnia, gjuha, orientimi seksual, bindjet politike a fetare, gjendja ekonomike a sociale, mosha, vendbanimi, aftësia e kufizuar ose për arsye të tjera që përcaktohen në legjislacionin shqiptar. Në shkollat publike arsimi i detyrueshëm dhe arsimi i mesëm i lartë janë falas. Gjithashtu, arsimi parauniversitar është laik, me përjashtime të shkollave private ku zhvillohen edhe lëndë fetare, si dhe ai është i depolitizuar, larg çdo ndikimi politik. Një çështje tjetër me rëndësi që është shqyrtuar në këtë projektligj ka qenë, edhe gjuha e arsimimit në institucionet tona arsimore që është gjuha shqipe, duke përjashtuar rastet e përcaktuara ndryshe në këtë ligj. Ndërsa personave që i përkasin pakicave kombëtare, u krijohen mundësi të mësojnë dhe të mësohen në gjuhën amtare, të mësojnë historinë dhe kulturën e tyre sipas planeve dhe programeve mësimore. Institucionet në sistemin arsimor parauniversitar funksionale në vendin tonë janë kopshtet, shkollat dhe institucionet plotësuese publike ose private. Në institucionet plotësuese përfshihen qendrat kulturore të fëmijëve, të cilat janë në varësi të njësive të qeverisjes vendore dhe hapen me vendim të Këshillit të Ministrave. Në këtë ligj gjithashtu, i është kushtuar vëmendje edhe formave të arsimimit në shkolla, të cilat janë:
a) Arsimim me kohë të plotë;
b) Arsimim me kohë të pjesshme;
c) Arsimim në distancë.
Kemi gjithashtu, edhe arsimimin në kushtet e shtëpisë që ofrohet në raste të veçanta, për të gjitha klasat e arsimit bazë ose vetëm për disa prej tyre. Ministri përcakton rastet e veçanta, kriteret dhe procedurat për arsimimin në kushtet e shtëpisë. Është vendosur edhe arsimimi në institucionet joshkollore nga ministri në bashkëpunim me organet përkatëse, që siguron arsimimin për individët e moshës shkollore në institucionet e paraburgimit, të vuajtjes së dënimit dhe në institucione të përkujdesjes shoqërore, si dhe shërbimi psikologjik në njësit arsimore vendore që u sigurojnë shërbim psikologjik nxënësve dhe punonjësve të institucioneve arsimore për aspekte të mbarëvajtjes së tyre. Në këtë ligj është përcaktuar edhe arsimi parashkollori, cili ndiqet nga fëmijët e moshës nga tre deri në gjashtë vjeç. Fëmijëve të moshës pesë vjeç u mundësohet ndjekja e klasës përgatitore edhe pranë shkollave të arsimit bazë me synim integrimin në arsimin e detyruar. Kurse arsimi bazë synon zhvillimin shoqëror, intelektual e fizik, të çdo nxënësi, zotërimin e rregullave të sjelljes dhe kultivimin e vlerave. Arsimi bazë përfshin arsimin fillor dhe arsimin e mesëm të ulët. Arsimi fillor përbëhet nga gjashtë klasa, nga klasa e parë deri në klasën e gjashtë Arsimi i mesëm i ulët përbëhet nga tri klasa, nga klasa e shtatë deri në klasën e nëntë. Kështu, arsimi bazë me kohë të plotë është i detyrueshëm për të gjithë fëmijët që janë shtetas shqiptarë me banim në Republikën e Shqipërisë nga mosha gjashtë vjeç deri në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç, me përjashtim të rasteve të parashikuara në këtë ligj. Nxënësi ka të drejtë ta ndjekë arsimin bazë me kohë të plotë deri në moshën shtatëmbëdhjetë vjeç. Nxënësi, që ka mbushur moshën shtatëmbëdhjetë vjeç dhe nuk ka përfunduar arsimin bazë, lejohet të përfundojë klasën që po ndjek. Nxënësit, që kanë mbushur moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç dhe nuk e kanë përfunduar arsimin bazë me kohë të plotë, regjistrohen në shkollat e arsimit bazë me kohë të pjesshme. Struktura të tjera të arsimit në vendin tonë janë edhe arsimi i mesëm, ku përfshihet gjimnazi, arsimi i mesëm profesional dhe arsimi i mesëm i orientuar. Në klasën e dhjetë të arsimit të mesëm të lartë me kohë të plotë pranohen nxënës të moshës jo më të madhe se 18 vjeç. Nxënësi deri në moshën njëzet e një vjeç lejohet të ndjekë arsimin e mesëm të lartë trevjeçar, kurse deri në moshën njëzet e dy vjeç arsimin e mesëm të lartë katërvjeçar. Nxënësi, që ka mbushur përkatësisht moshën njëzet e një vjeç në arsimin e mesëm të lart 3-vjeçar apo njëzet e dy vjeç në atë 4-vjeçar dhe nuk ka përfunduar arsimin e mesëm të lartë, lejohet të vazhdojë klasën që ndjek deri në fund të atij viti shkollor.
Nxënësi deri në moshën njëzet e një vjeç lejohet të ndjekë arsimin e mesëm të lartë trevjeçar, kurse deri në moshën njëzet e dy vjeç arsimin e mesëm të lartë katërvjeçar. Nxënësi, që ka mbushur përkatësisht moshën njëzet e një vjeç në arsimin e mesëm të lart 3-vjeçar apo njëzet e dy vjeç në atë 4-vjeçar dhe nuk ka përfunduar arsimin e mesëm të lartë, lejohet të vazhdojë klasën që ndjek deri në fund të atij viti shkollor.
Aktualisht në institucionet arsimore funksionon Komisioni i Etikës dhe Sjelljes, i përbërë nga mësues, prindër dhe nxënës të arsimit të mesëm. Funksionon bordi i tij i përbërë nga prindër, nxënës, mësues, përfaqësues të qeverisë vendore dhe të komunitetit. Bordi merr pjesë në procedurat e emërimit e të largimit të drejtorit të institucionit arsimor dhe të mësuesit. Funksionon gjithashtu edhe këshilli i mësuesve i cili ka në përbërje të gjithë mësuesit dhe kryesohet nga drejtori, i cili është organ kolegjial këshillimor për drejtimin e veprimtarisë së institucionit. Një tjetër çështje e rëndësishme e këtij ligji është edhe financimi i arsimit parauniversitar, planifikimi i tij dhe burimet për financim. Konkretisht financimi i arsimit parauniversitar bëhet nga a) buxheti i shtetit b) të ardhurat e njësive c)dhurimet e sponsorizimet ç)të ardhurat e përfituara nga institucionet arsimore dh) të ardhura të tjera të ligjshme. Por ministria mund të mbështetë financiarisht institucionet arsimore private vendase, të cilat janë jofitimprurëse dhe kanë të paktën pesë vjet që funksionojnë si institucione private. Sipas kritereve të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave, mbështetja financiare për shkollat private diferencohet sipas renditjes së tyre në provimet kombëtare të arsimit bazë ose të maturës shtetërore, si dhe në testimet ose konkurset ndërkombëtare. Përsa i përket hapjes dhe mbylljes së institucioneve arsimore private, licencimi i tyre do të bëhet nëpërmjet Qendrës Kombëtare të Licencimit, sipas vendimit të ministrit. Institucioni arsimor privat fillon veprimtarinë e tij vetëm pas marrjes së licencës. Licencimi i tij bëhet kur ai plotëson kriteret e përcaktuara në udhëzimin e ministrit. Shkollat private, në të cilat zhvillohen lëndë fetare, hapen dhe mbyllen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit, mbështetur në kërkesën e përfaqësuesve të bashkësive fetare. Kriteret dhe procedurat e hapjes së tyre përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, si dhe një institucion arsimor privat ndërpret veprimtarinë e tij vetëm në fund të vitit shkollor.
Në këtë ligj është përcaktuar edhe qëllimi, kriteret dhe mënyrat e vlerësimit të nxënësve. Kështu nxënësit e klasave të tjera vlerësohen me nota, numra të plotë nga 4 deri në 10, ku nota më e ulët kaluese është pesa. Ndërsa nxënësit e arsimit të mesëm e të lartë vlerësohen edhe me kredite dhe me shprehje në vlerësimin përfundimtar. Nxënësi i klasave të para, të dyta dhe të treta nuk e përsërit klasën, me përjashtim të rasteve kur kërkohet nga prindërit e tij. Dhe në provimet kombëtare të arsimit bazë nxënësit vlerësohen në lëndët: gjuhë shqipe, matematikë dhe gjuhë e huaj.
Arsimi i mesëm i lartë përfundon me provimet e Maturës Shtetërore. Në provimet e Maturës Shtetërore nxënësit japin një numër lëndësh të përbashkëta dhe një numër lëndësh me zgjedhje. Lëndët e përbashkëta për të gjithë nxënësit janë: gjuhë shqipe dhe letërsi, matematikë dhe një gjuhë e huaj. Lëndët me zgjedhje përcaktohen me udhëzim të ministrit. Organizimi dhe zhvillimi i provimeve kombëtare të Maturës Shtetërore rregullohen me udhëzim të ministrit. Çështje tjetër e rëndësishme në këtë ligj është edhe emërimi dhe shkarkimi i drejtorit të institucionit arsimor, i cili emërohet nga titullari njësisë arsimore vendore përkatëse, pas propozimit të dy kandidatëve që përzgjidhen me konkurrim të hapur nga komisioni përzgjedhës. Dhe po nga ky titullar ai mund të shkarkohet për shkelje të dispozitave të këtij ligji dhe akteve të tij nënligjore, shkelje të etikës e të sjelljes në institucion, si dhe për mosrealizime të institucionit. Drejtori i institucionit emëron dhe shkarkon nëndrejtorin pas marrjes së pëlqimit të këshillit të mësuesve.
Profesioni i mësuesit dhe kualifikimi i tij
1. Mësuesi në institucionin arsimor duhet të ketë fituar diplomën e mëposhtme në fushën e edukimit ose diplomë të njëvlershme me të:
a) Mësuesi i arsimit parashkollor: diplomë universitare të ciklit të parë të studimeve universitare “Bachelor”;
b) Mësuesi i arsimit fillor, mësuesi i arsimit të mesëm të ulët dhe mësuesi i gjimnazit: diplomë e ciklit të dytë të studimeve universitare.
Mësuesi i arsimit fillor dhe i arsimit të mesëm ka të drejtën e ushtrimit të profesionit të mësuesit pasi të ketë kryer me sukses praktikën profesionale dhe të ketë kaluar në provimin e shtetit
2. Mësuesi, që ka të drejtën e ushtrimit të profesionit, regjistrohet në ministri.
1. Kategoritë e kualifikimit të mësuesve janë tri:
a) “Mësues i kualifikuar”;
b) “Mësues specialist”;
c) “Mësues mjeshtër”.
2. Rritja në kategori e mësuesit bëhet nëpërmjet përvojës, trajnimit dhe pasi të ketë dhënë me sukses provimin përfundimtar të kategorisë përkatëse të kualifikimit.
3.Kriteret dhe procedurat e kualifikimit të mësuesve përcaktohen me udhëzim të ministrit.
1.Në institucionin arsimor publik, për një vend të lirë pune, mësuesi emërohet nga drejtori i institucionit me konkurrim të hapur, pas propozimit të kandidaturave të komisionit përzgjedhës. Komisioni ka në përbërje të tij një përfaqësues nga njësia arsimore vendore, një përfaqësues nga njësia përkatëse e qeverisë vendore, kryetarin e ekipit lëndor përkatës, kryetarin e bordit të institucionit dhe një mësues, me mbi pesë vjet përvojë në ushtrimin e profesionit dhe me arritje të spikatura, në atë institucion, i cili caktohet nga drejtori i institucionit pas konsultimit me këshillin e mësuesve. Është Drejtori i institucionit publik ai që largon mësuesin nga institucioni për:shkelje të dispozitave të Kodit të Punës, të këtij ligji e të akteve të tjera nënligjore;shkelje të etikës e të sjelljes në institucion; arritje të ulëta e të përsëritura të nxënësve, krahasuar me arritjet që kanë kolegët e tjerë me këta nxënës a me nxënës të tjerë në klasa analoge. Ndërsa kundërvajtjet administrative në këtë ligj do të penalizohen rëndë për çdo rast të evidentuar në vlerën nga 500 000 deri në 1 000 000 lekë, dhe me ndërprerje të veprimtarisë së filluar. Të drejtën e konstatimit dhe të shqyrtimit të kundërvajtjes e ka Inspektorati Kombëtar i Arsimit Parauniversitar. Kundër vendimit përfundimtar të dënimit, mund të bëhet ankim në Gjykatën e Shkallës së Parë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e njoftimit.
Ja cilat janë llojet e arsimit të mesëm të lartë në vendin tonë
1.Gjimnazi përbëhet nga tri klasa. Nxënësve, që kanë mbushur moshën njëzet e një vjeç dhe nuk e kanë përfunduar gjimnazin, u mundësohet ndjekja e gjimnazit me kohë të pjesshme ose në distancë.
2.Arsimi i mesëm profesional është me kohëzgjatje 2 deri 4-vjeçare dhe është i strukturuar në tri nivele kualifikimi, në përputhje me nivelet e Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve.
3.Shkolla të arsimit të orientuar janë shkollat artistike, shkollat sportive, shkollat për gjuhët e huaja dhe shkolla për fusha të tjera të të nxënit. Pranimi në shkollat e arsimit të orientuar bëhet sipas kritereve dhe procedurave që përcaktohen me udhëzim të ministrit.
Vlefshmëria e licencës dhe pezullimi i saj për institucionet arsimore private
Licenca vlen vetëm për subjektin përgjegjës dhe vetëm për atë nivel arsimor, vendndodhje dhe mjedise, për të cilat është dhënë fillimisht.
Çdo ndryshim i bërë nga ana e subjektit të licencuar duhet të miratohet nga ministri dhe Qendra Kombëtare e Licencimit. Në rast se ndryshimet e bëra kanë të bëjnë me kriteret e licencimit, licenca revokohet dhe kërkesa trajtohet si aplikim i ri.
Ministri pezullon ose revokon licencën e institucionit arsimor privat me propozim të IKA-it ose të njësisë arsimore vendore. Një institucion arsimor, licenca e të cilit është pezulluar, mund ta fitojë atë për vitin pasardhës shkollor, në qoftë se plotëson kriteret e licencimit. Vendimi përfundimtar për revokimin e licencës është i pakthyeshëm për subjektin dhe institucioni mbyllet. Në rast të pezullimit dhe revokimit të një licence, njësia arsimore vendore përkatëse i vendos nxënësit në institucione të tjera arsimore, publike ose private duke sekuestruar garancia bankare e institucionit arsimor privat të mbyllur.
-
1 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version
- Fatos Nano drejt PS-së
- Flet astrologia Meri Shehu
- Dashuri engjëjsh
- Sondazhi në "Telegraf"
- Shpallen personalitetet e vitit 2010 në “Telegraf”, Ja më të preferuarit e publikut shqiptar



Publikoni komentin tuaj