CEZ, një skemë e re mashtrimi
Punonjësit, apel institucioneve shtetërore për mashtrimin e kryer nga administratori i kompanisë “Debt International Advisory”-Dega Shqipëri
Në redaksinë e gazetës “Telegraf” vijojnë letrat ankimuese ndaj organeve dhe subjekteve të ndryshëm. Ankesa e fundit vjen nga punonjësit e kompanisë “Debt International Advisory”- Dega Shqipëri, të cilët janë mashtruar nga administratori i kësaj kompanie përsa i përket kushteve të punës dhe pagesës monetare. Administratori nuk ka përmbushur asnjë detyrim në lidhje me kontratën e nënshkruar me CEZ (me të cilin ishte lidhur për të mbledhur tarifat e prapambetura ndaj CEZ). Dje madje, u bë një protestë paqësore tek zyrat qendrore të kësaj kompanie, ku ishin mbi 100 punonjës, të cilët protestuan kundrejt “Mashtrimit të Madh” të kryer nga z. Kastriot Ismailaj, administratori i kompanisë, në dëm të interesave të punonjësve dhe drejtuesve të kompanisë. Për të mësuar përmbajtjen e plotë të kësaj çështjeje, ne po paraqesim letrën e plotë nga punonjësit e Kompanisë “Debt International Advisory” Dega Shqipëri.
“Kompania “Debt International Advisory”- Dega Shqipëri nënshkroi më 1 shtator 2011 një kontratë me CEZ Shpërndarje sh.a në lidhje me mbledhjen e borxheve të këqija të kompanisë CEZ Shpërndarje sh.a. Kjo kontratë u lidh me CEZ Shpërndarje sh.a. për një periudhë katër vjeçare, e cila autorizonte Kompaninë DIA për arkëtimin e debitorëve që nuk kanë paguar faturat e energjisë elektrike mbi 90 ditë.
Një pjesë e konsiderueshme e stafit u mor nga strukturat e kompanisë CEZ Shpërndarje me “Premtimin e Madh dhe të Bujshëm” të këtij personi, që kompania DIA do të ofronte një kontratë të sigurt 4- vjeçare, me kushte të shkëlqyera pune (zyra moderne e të pajisura me të gjitha pajisjet), paga shumë të mira dhe shpërblime shtesë e bonuse deri 10%, për realizimin dhe tejkalimin e objektivave, të mbështetura me një logjistikë të mjaftueshme (automjete e pajisje moderne pune).
Projekti i paraqitur te CEZ Shpërndarje sh.a. parashikonte vetëm për fazën e parë mbi 260 punonjës të punësuar të shpërndarë në 10 rajone të Shqipërisë me një rrogë mesatare mujore 550-600 Euro, numër që do të rritej nga viti në vit. Ky projekt parashikonte një buxhet të ushtrimit të veprimtarisë prej 500,000 Euro në muaj, i cili paguhej nga CEZ Shpërndarje. Në dijeninë tonë, CEZ Shpërndarje ka miratuar në kontratën e nënshkruar me DIA-n një fond mujor prej 512,000 Euro për shpenzime operative, ku përfshihen:
1)Fondi i pagave i të gjithë punonjësve të Kompanisë DIA-Shqipëri
2)Shpenzime për ambiente pune (zyra, kancelari, IT, telefona etj)
3)Pagesa e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore e punonjësve
4)Blerje e automjeteve si dhe shpenzimet e karburantit
5)Shpenzime të tjera të nevojshme për aktivitetin.
Deri me sot z. Kastriot Ismailaj, Administratori i Kompanisë, nuk ka përmbushur asnjë detyrim në lidhje me kontratën e nënshkruar me CEZ. Ai ka paguar vetëm pagat e 110 punonjësve me një rrogë mesatare 33,000 lekë në muaj dhe nuk ka kryer asnjë investim për kompaninë dhe nuk ka shpenzuar asnjë lekë për zyra, pajisje, mjete, logjistikë dhe shpenzime të tjera operative. Në këtë mënyrë përmes zbatimit të një skeme mashtruese, ai ka përfituar në mënyrë të padrejte mbi 400,000 Euro në muaj nga fondi i aprovuar nga CEZ për shpenzime operative duke shpenzuar vetëm 60,000 euro në muaj.
Punonjësit e DIA-s kanë punuar me sakrificë e vetëmohim për të realizuar objektivat e kompanisë, duke u investuar shpirtërisht, fizikisht e financiarisht; duke punuar çdo ditë të shtune dhe ditë të festave në funksion të realizimit të detyrës.
Në përfundim të fazës së parë të kontratës objektivi i vendosur nga CEZ dhe DIA u tejkalua me 70%. Mundin, djersën dhe gjakun tonë e ka vjedhur dhe po vazhdon të vjedhë Kastriot Ismailaj, i cili përmes skemës së mashtrimit ka përfituar dhe do të përfitojë nga CEZ Shpërndarje miliona Euro. Aktualisht, kontrata është prishur dhe të gjithë punonjësit e kompanisë janë pa punë.
Administratori i DIA-s, z. Kastriot Ismailaj, prej shumë muajsh nuk i përgjigjet asnjërës prej kërkesave tona legale e institucionale duke i injoruar ato në mënyrë periodike.
Kur ne punonjësit e “Shoqërisë DIA -Dega Shqipëri" luftojmë me jetën dhe bukën e gojës të fëmijëve e familjeve tona, ky njeri manifeston e reflekton qartë e pastër papërgjegjshmëri, paturpësi e mungesë të pashembullt të ndjenjës qytetare, mungesë absolute të moralit e më tej akoma shpërdoron hapur e në mënyrë flagrante detyrën e Administratorit të “Shoqërisë DIA-Dega Shqipëri" dhe luan në mënyrë kriminale me dinjitetin e integritetin tonë e që për ne është i shenjtë, duke humbur kështu përfundimisht çdo lloj besimi e respekti tek ne drejtuesit, punonjësit dhe familjet tona. Për këto shkaqe dhe arsye i jemi drejtuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë me një Padi Penale.
I bëjmë apel institucioneve shtetërore dhe atyre të drejtësisë, opinionit publik që të hetojnë këtë rast dhe të mos lejojnë zbatimin e këtyre skemave mashtruese!”
*Punonjësit e Kompanisë “Debt International Advisory”, Dega Shqipëri
INTERVISTË/ Flet për “Telegraf”, z. Kol Nikollaj, Kryetar i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë
Tronditet “krushqia” ndërmjet CEZ-it dhe Qeverisë së vendit, ja anët e errëta midis tyre
Rritja e vazhdueshme e çmimeve të energjisë, ujit, ushqimeve dhe sidomos ajo e karburanteve dhe lëndëve djegëse ka sjellë rritje të ndjeshme të inflacionit të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë në vendit tonë. Të gjitha këto tregojnë qartë se, kriza ekonomike ka gllabëruar tashmë të gjithë territorin e Shqipërisë dhe është prezente në çdo familje shqiptare. Por këto ngrehina të shumta të vendit e kanë shpejtuar hapin e tyre dhe kanë prekur thellë uljen e nivelit jetik në çdo derë të familjeve shqiptare. Në një intervistë për gazetën “Telegraf”, z. Kol Nikollaj, Kryetar i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, ka komentuar detajet e krizës ekonomike, rolin abuziv të shtetit me politikat e punësimit, por edhe kompaninë koncensionare CEZ, si dhe ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me thellimin e mëtejshëm të krizës ekonomike në vend.
Mendoni se, vendi është në krizë ekonomike dhe cilat janë përpjekjet e Konfederatës së Sindikatave për daljen nga kriza?
KSSH që me 1 Maj të vitit 2008 i ka tërhequr vëmendjen publikisht Qeverisë shqiptare dhe opinionit publik në tërësi për fillimin e ndikimit të krizës globale, ekonomike dhe financiare. Por duke qenë vend i pazhvilluar ekonomikisht dhe problematik politikisht është transferuar vëmendja nga kriza ekonomike tek kriza politike, e cila për 2 vjet u bë kryefjalë e zhvillimeve në Shqipëri. KSSH ka shprehur shqetësimin e saj në vijimësi në lidhje me ndikimin negativ dhe të vazhdueshëm të krizës botërore financiare dhe ekonomike mbi ekonominë shqiptare duke pranuar se zhvillimi dhe rritja ekonomike kanë pësuar ulje të ndjeshme. Pa bërë fjalë këtu për rritjen e frikshme të çmimeve, të produkteve ushqimore, energjetike, transportit, e sidomos të çmimeve të shërbimeve. E gjithë kjo situatë është shoqëruar me një propagandë shfrenuese qeveritare, që vendi me model ekonomik “absolut”, më të mirin dhe të tjera reminishenca komuniste që tashmë çdo ditë po ju del “kallaj” si një “kashtë për budallenj” siç thotë populli. Mungesa e transparencës e dhënies së informacionit dhe e statistikave zyrtare jo vetëm për punësimin dhe tregun e punës, por dhe për zhvillimet ekonomike, sociale në tërësi ka fshehur përkohësisht papunësinë, e cila varijon rreth 16-34 % sipas rajoneve me tendenca rritjeje në moshat e reja dhe njerëzit e shkolluar. Të gjitha këto tregojnë qartë se kriza është presente. KSSH në përputhje me programin, strategjinë dhe statusin e saj është përpjekur që të sigurojë mbrojtje të qëndrueshme social-ekonomike nga kriza e drejtpërdrejtë apo ndikimet e tërthorta globale jo vetëm anëtarësisë së saj por të gjithë shtresave sociale në nevojë, si pensionistët, gratë, të rinjtë, invalidët, emigrantët, etj.. Ne jemi përpjekur që të punojmë me prioritete të përcaktuara qartë antikrizë kryesisht në drejtim të punësimit dhe integrimit social të shtresave që përfaqësojmë dhe promovojmë. Kemi bërë presion pozitiv mbi qeverinë që së pari duhet pranuar ekzistenca e krizës dhe pastaj të merrte një paketë të posaçme antikrizë që duhet të ishte gjithëpërfshirëse dhe e besuar dhe duke bërë të mundur masat parandaluese dhe lehtësuese. Por fatkeqësisht qeveria ka qëndruar indiferente dhe ka qenë jo bashkëpunuese duke i vlerësuar gjerat politikisht dhe për rrjedhojë dhe bashkëpunimin me Sindikatat apo aktorë dhe faktorë të tjerë social e ka selektuar politikisht me sloganin komunist “o me ne ose kundra nesh”
-Ju si përfaqësues i konfederatës si e shikoni rritjen arbitrare të çmimit të ujit, por edhe të energjisë elektrike?
Rritja e çmimit, ujit, energjisë elektrike dhe e gjithë shërbimeve komunale në përgjithësi është kryer pa rregulla dhe studime të mirëfillta të karakterit ekonomik, pa asnjë lloj diskutimi, ballafaqimi dhe bashkëvendosje me grupet e interesit me komunitetin dhe për rrjedhojë dhe me sindikatat. Të gjitha këto janë kryer për të plotësuar orekset e drejtuesve të këtyre kompanive apo pseudo-bordeve që drejtojnë ata, të cilët nuk janë asgjë përveç se politikan apo vegla të ndryshkura afër tyre, të cilët vegjetojnë për përfitime, për korrupsion dhe për trafik influencash. Rritja e çmimit në mënyrë të dukshme dhe mos përmirësimi i cilësisë së shërbimit janë tipar dallues i asaj që thamë më lart. Megjithatë, na vjen keq që komuniteti akoma e ka lepurin në bark nga komunizmi dhe nuk e ngjall nervin e protestës dhe të reagimit qytetar në raste të tilla. Ne si Sindikatë, jemi përpjekur dhe vazhdojmë të përpiqemi që jo vetëm ta sensibilizojmë opinionin publik për këto shkelje dhe padrejtësi por dhe të përpiqemi ti parandalojmë ato si nëpërmjet rrugëve ligjore dhe institucionale dhe nëpërmjet përdorjes së rezistencës demokratike si një e drejtë kushtetuese duke bërë greva, protesta, tubime.
-Kompania konçesionare CEZ është kritikuar vazhdimisht për abuzime skandaloze dhe vjedhje të qytetarëve nëpërmjet faturave, a ka një përgjegjësi shteti për abuzimet arbitrare të kësaj kompanie dhe a shikoni një ortakëri të shtetit me këtë kompani grabitqare?
Është e vërtetë që përpara 3 vjetësh kur Qeveria shqiptare e privatizoi kompaninë e shpërndarjes OSSH e kemi ngritur problemin e transparencës dhe të mënyrës sesi po kryhet ky privatizim, për llogari të kujt kryhet ky privatizim, sa kushtonte realisht OSSH-ja, sa ishte OSSH-ja transparente me nivelin e arkëtimeve, me nivelin e humbjeve dhe sa OSSH-ja ishte e lidhur ngushtë me qarqet politike dhe sa u kishte shërbyer atyre. Në të vërtetë nuk u mor asnjë përgjigje dhe për rrjedhojë mungesa e këtyre përgjigjeve edhe tani pas 3 vjetësh na vjen përpara si një re e madhe tymi duke na penguar që ne të orientohemi drejt dhe të vlerësojmë realisht CEZ-in dhe produktin e tij në Shqipëri. Por një gjë është e vërtetë se tashmë duket qartë që krushqia ndërmjet CEZ-it, Qeverisë shqiptare dhe ERE-s ka filluar të tronditet. Deklarata rregullatore e nënshkruar me privatizimin e kësaj kompanie po iu krijon probleme në unifikimin e vendimeve të përbashkëta këtyre 3 aksionerëve virtual të energjisë. Mund të luhet me mbi-faturimet ndaj popullatës, me menaxhimin formal dhe liberal të kompanisë, me lëshimet reciproke duke niveluar borxhet e brendshme CEZ – KESH – Qeveri jo me rregulla tregu dhe në mënyrë ligjore por me marrëveshje xhentilmenësh dhe lëshime reciproke, mund të bëhen dhe presione publike apo dhe në organet hetimore nga secila palë, mund të bëhen shumë gjera që ne nuk i dimë dhe na mungon informacioni, por një gjë është e vërtetë, pavarësisht se si u privatizua, se si po menaxhohet dhe se si bashkëpunohet me qeverinë, sistemi elektro-energjitik shqiptar tashmë është pjesë e sistemit elektro-energjitik rajonal dhe europian. Ne tashmë jemi futur në autostradën energjitike europiane e cila ka rregullat e saj të qarkullimit dhe monitorimit, të unifikuara për gjithë rajonin dhe Europën dhe për rrjedhojë askush nuk mund tiu shpëtojë këtyre, përveç se përkohësisht. Prandaj ne kemi besim që abuzimet të kujdoqofshin, si dhe ortakëria me shtetin apo privatin do të jetë përkohshme pasi Sekretariati Europian Energjetik i Vjenës do të jetë i pamëshirshëm për secilin aktor që thyen rregullat e tregut rajonal dhe europian të energjisë.
-
1 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version
- Fatos Nano drejt PS-së
- Flet astrologia Meri Shehu
- Dashuri engjëjsh
- Sondazhi në "Telegraf"
- Shpallen personalitetet e vitit 2010 në “Telegraf”, Ja më të preferuarit e publikut shqiptar



Publikoni komentin tuaj