Hyrje | Sociale | MASH/ Flet Jovan Kristiqi

MASH/ Flet Jovan Kristiqi

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

Në bazë të marrëveshjes midis 2 ministrive, në shtator nis shpërndarja e abetares së përbashkët Shqipëri-Kosovë

 

 

 

 

 

Në nëntor të vitit të kaluar nga Ministria e Arsimit të Shqipërisë dhe Ministria e Arsimit të Kosovës është bërë një projekt për hartimin e një abetare të përbashkët për të dyja vendet. Tashmë Shqipëria dhe Kosova do të jenë më pranë njëra- tjetrës edhe në unifikimin teksteve të përbashkëta gjuhësore. “Kjo abetare është dallëndyshja e parë e një risie të re që vjen drejt unifikimit të teksteve mësimore midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës”, kështu është shprehur në një intervistë për gazetën “Telegraf”, z. Jovan Kristiqi, Kryetar i Komisionit të Miratimit të Teksteve Shkollore në Ministrinë e Arsimit. Kristiqi ka theksuar faktin që kjo abetare do të kalojë të gjitha kufijtë e venit tonë, duke shkuar edhe në Diasporë tek vëllezërit tanë shqiptarë.

Si po vijon puna me projektin e hartimit të abetares së përbashkët midis Shqipërisë dhe Kosovës?
Në bazë të marrëveshjes së përbashkët që kemi midis qeverisë së Shqipërisë dhe qeverisë së Kosovës, për herë të parë këtë vit do të dali një abetare e përbashkët me siglat e dy ministrive, Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë dhe Ministrisë së Arsimit të Kosovës. Për këtë është shpallur paketa informuese e abetares së përbashkët Shqipëri-Kosovë, e cila përmban të gjitha kushtet e konkurrimit. Por kushtet primare që dua të theksoj kanë të bëjnë me faktin që shtëpia botuese që do të përzgjidhet, duhet të jetë një marrëveshje e përbashkët midis të dyja vendeve. Pra, një marrëveshje midis një shtëpie botuese të Shqipërisë dhe një shtëpie botuese të Kosovës. Gjithashtu, autorët e abetares detyrimisht duhet të jenë në përbërje edhe nga Shqipëria edhe nga Kosova. Kushtet e tjera kanë të bëjnë me përmbajtjen metodiko-shkencore, çmimi i tekstit dhe specifikimet teknike të tij. Duhet të plotësohen të treja këto kushte  nga shtëpitë botuese që të pretendojnë të jenë fitues të këtij projekti. Kushtet e këtij projekti të përbashkët shprehen gjerësisht edhe në faqen zyrtare të internetit të Ministrisë së Arsimit të paketës informuese, e cila ka dal në nëntor të vitit të kaluar dhe mund ta gjeni në rubrikën “Altertekst”  të ëebsaitit të ministrisë. Ndërsa  aktualisht shtëpitë botuese e kanë marrë këtë paketë, kanë ngritur ekipet realizuese të këtij teksti dhe gjatë kësaj kohë këto shtëpi janë duke punuar. Ndërsa në Ministritë e Arsimit të Shqipërisë dhe Kosovës, produkti vjen në datën 3 prill të këtij vit. Deri më tani interesimi ka qenë shumë i lartë, ku në Shqipëri këtë projekt e kanë marrë dhe janë duke punuar aktualisht 13 shtëpi botuese. Por, nga këto 13 shtëpi botuese vetëm njëra do të shpallet fituese e këtij projekti.
Me miratimin e abetares së përbashkët Shqipëri-Kosovë, çfarë do të bëhet me sistemin e altertekstit?
 Në Shqipëri dhe në Kosovë rezultojnë aktualisht mbi 80 mijë nxënës të klasës së parë. Sigurisht që, në Shqipëri ka edhe tekste të tjera sepse vepron sistemi ligjor i “altertekstit”, ndërsa në Kosovë nuk ka një sistem të tillë, kjo varet nga qeveria e Kosovës. Ne nuk heqim dorë nga ky sistem dhe të përjashtojmë tre abetaret e tjera ekzistuese. Me miratimin e kësaj abetareje numri i tyre në vendin tonë shkon në katër abetare dhe përzgjedhja normalisht i takon mësuesve të shkollave që do të jenë pjesë e komisioneve përzgjedhëse. Kështu, mësuesit e të gjithë Shqipërisë që japin mësim në klasat e para do të zgjedhin edhe abetaren që atyre iu duket më e përshtatshme. Pra, tre abetare janë të sistemit “altretekst” ndërsa e katërta do të jetë abetarja e përbashkët Shqipëri-Kosovë. Aktualisht  në Kosovë ekziston vetëm një abetare, dhe me miratimin e abetares së përbashkët, ose do të bëhen dy abetare, ose do të mbetet vetëm abetarja e përbashkët Shqipëri-Kosovë.
Cila është veçantia e kësaj abetareje dhe a i plotëson të gjitha kushtet ligjore  të dyja vendeve?
Është i pari tekst shkollor i përbashkët ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës,që ka të drejtën ligjore dhe ologramin e dy ministrive të dyja vendeve. Sepse, një tekst shkollor nuk lejohet të shpërndahet në asnjë shkollë të cilitdo vend, pa miratimin e ministrisë përkatëse. Domethënë ne nuk duhet të spekulojmë me termat mbarëkombëtare, sepse në rast se nuk është e drejta ligjore e këtij teksti, ai nuk mund të shkojë në asnjë bankë shkolle. Prandaj dua të shtojë se, kjo abetare e përbashkët i plotëson të gjitha kushtet ligjore teknike, me firmat dhe siglat përkatëse të dy ministrive.
Kur do të bëhet shpallja e shtëpisë botuese dhe a do të nisë shpërndaja e abetares në vitin e ardhshëm shkollor?
Produktet në Ministrinë e Arsimit do të dërgohen në  datën tre prill dhe gjatë këtij muaji do të ngrihen komisionet e përbashkëta të vlerësimit të përbërë nga specialist, teknicien shqiptarë dhe kosovarë me një numër të përbashkët. Sigurisht që, do të jetë vlerësimi i tyre që do të shpallë tekstin fitues të këtij konkurrimi më emrin “Abetare e Përbashkët Shqipëri-Kosovë”. Si janë rregullat, si caktohen pikët, si do të shihet përmbajtja metodiko-shkencore e tekstit dhe çmimi i tij, të gjitha këto  gjenden të detajuara në këtë paketë të përbashkët. Procesi do të jetë komplet transparent dhe në të njëjtën kohë do të jetë i afishuar edhe në faqen e internetit ministrive të dy vendeve, që do të thotë se botuesit dhe autorët janë në dijeni tashmë të kritereve të përcaktuara për këtë projekt. Por, nuk mjafton vetëm kjo. Një faktor tjetër shumë i rëndësishëm është edhe çmimi. Kjo abetare do të ketë një çmim tepër të reduktuar, që t’i përgjigjet edhe konsumatorëve, të cilët në rastin konkret janë prindërit shqiptarë dhe kosovarë. Megjithëse në Kosovë gjërat janë pak më ndryshe sepse pagesat për librat jepen nga ndërkombëtarët,dhe kjo pagesë nuk mund të zgjasë pafundësisht mendoj unë. Ndërsa në vendin tonë, tekstet blihen nga prindërit me përjashtim të disa shtresave në nevojë, kështu që do të shikohet edhe ky aspekt në hartimin e abetares së përbashkët. Në fund të këtij muaji do të shpallet edhe shtëpia botuese që do fitojë këtë projekt kaq të rëndësishëm, dhe do të nis menjëherë hartimi i abetares, dhe në shtatorin e vitit 2012-2013-të fillon shitja sipas porosive të marra nga Shqipëria dhe nga Kosova, duke u shpërndarë pastaj në të gjitha shkollat që kanë bërë këtë përzgjedhje.
Cila është risia që do ë sjell në shkollat shqiptare dhe kosovare kjo abetare?
Risia e kësaj abetare është standardizimi i gjuhës për të dy vendet, ku do të jetë standardizuar pak më tepër çështja e emrave, ana metodike dhe sa ky tekst i afrohet shkollave të dy vendeve etj.. Nga komisioni i vlerësimit do të shikohen të gjitha këto element, sepse nuk jemi plotësisht në unifikim të plot të programeve të dy vendeve. Pra, kemi edhe diferencë orësh dhe në kornizat kurikulare kemi ndryshime të njërit me tjetrin, por theksoj këtu se në abetare të gjitha këto mund të sheshohen, dhe mund të gjendet një emërues i përbashkët. Nga 13-shtëpitë botuese që po merren me shqyrtimin e kërkesave të këtij projekti, do të përzgjidhet ajo shtëpi botuese që do të plotësoj këto kritere të shpallur në projekt. Risi tjetër është që kjo abetare e përbashkët do të krijojë kushtet më të mira edhe për shpërndarjen e saj në Diasporë. Pasi ne, çdo vit shpërndajmë  falas rreth 3000-4000 abetare për Diasporën Shqiptare si Itali, Gjermani, SHBA, Kanada, Zvicër etj.. Kjo abetare është dallëndyshja e parë e një risie të re që vjen drejt unifikimit të teksteve mësimore midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës. Vitin e ardhshëm kjo mund të kalohet edhe në një fazë tjetër, duke nxjerr tekste të Gjuhës Shqipe të njëjta ose edhe tekste të tjera të shkencave natyrore të njëjta, që do të përdoren nga të dyja vendet dhe natyrisht me një bazë ligjore të plotë. Ndoshta në një të ardhme mund të arrijmë edhe në një marrëveshje të përbashkët edhe me Ministrinë e Arsimit të Maqedonisë
Pse në vendin tonë ekzistojnë tre abetare, mos do të thotë kjo që ka vështirësi në të perceptuarin e përmbajtjes së tyre?
Supozojmë edhe që ka pasur vështirësi në të perceptuarin e përmbajtjes së tyre, por në Shqipëri siç përmenda edhe më sipër janë të miratuara tre abetare, dhe funksionon sistemi “atretekst”, ku mësuesit kanë të drejt të zgjedhin një nga këto tre abetare. Në qoftë se një komision i mirë i përzgjedhjes së tekstit i përbërë nga mësues të shkollave të ndryshme, i ka të gjitha aftësitë të përcaktojë se cili nga këto tekste është më i miri,atëherë le të zgjedh atë tekst që i duket i duhuri për shkollën e tij.  Kështu, edhe në rast se ka pasur vështirësi më një abetare, vitin tjetër ky komision mund të përzgjedh abetaren tjetër. Pse tre abetare dhe jo një? Atëherë, në vitin 2006-të tekstet shkollore kaluan në treg privat, dhe aktualisht ato nuk janë më monopol i Ministrisë së Arsimit si dikur. Pasi, para 2006-ës ekzistonte një tekst i vetëm, i cili ishte në duart e kësaj ministrie. Por, gjatë këtyre viteve kjo çështje u shoqërua me skandale të shumta, si çdo monopol tjetër që mund të ekzistojë në fusha të tjera. Pikërisht në këtë vit filloi parimi i konkurrencës, dhe filloi rrugën tregu privat i prodhimit të teksteve. Pra,  ky treg iu dha shtëpive botuese, më pas këto tekste kalojnë në filtrin parë të Ministrisë së Arsimit, dhe pastaj bëhet filtri i dytë në shkolla nga mësuesit që do ta përdorin këtë tekst me nxënësit e tyre. Në këtë mënyrë mori fund periudha e monopolit, dhe u futëm në rrugën e tregut të lirë siç e ka europa dhe gjithë bota.
Po përsa i përket çmimit të abetares së përbashkët cila formulë do të përdoret?
Ne kemi një formulë që e lidh çmimin me cilësinë e tekstit. Gjithmonë cilësia e tekstit është pak subjektive. Pasi nuk mund të flasësh për një tekst në mënyrë të prerë që është teksti më i mirë dhe më i arrituri,vërtetuar kjo edhe nga praktika, që një tekst mësimor jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Europë, gjithmonë ka probleme. Formula e dikurshme që një tekst mund t’i vihet çmimi sipas dëshirës, nuk lejohet më. Tashmë çmimi është laksativ. Në rast se bëjmë një krahasim të teksteve shkollore të Europës apo edhe fqinjëve tanë, me çmimet e teksteve shkollore të Shqipërisë, kanë diferencë të madhe. Kështu, një abetare në Shqipëri është 500 lekë të reja, ndërsa në Kosovë ajo është 15 euro ose 2000 lekë të reja. Dhe ne nuk do të lejojmë që çmimi të kalojë standardin e formulës. Paketa e teksteve shkollore të klasave të para të vendit tonë, është  më ulëta në të gjitha vendet e tjera të Europës dhe kjo është arritur në parim të sistemit ‘altertekst”.

Subscribe to comments feed Komente (0 publikuar):

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj comment

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

  • Plain text 1 - Here eshte lexuar ky Artikull
  • email Email shokeve
  • print Print version
Vlereso kete artikull
0