MASH nis projektin për pajisjen e të gjitha shkollave në vend me kompjuter
INTERVISTË/Flet për “Telegraf” znj.Ardiana Sula, Drejtoresha e HTI-së në Ministrinë e Arsimit
“Sot laboratorët e informatikës, laptopet, projektorët, kompjuterët si dhe lidhja me internet janë shtrire ne te gjitha shkollat e arsimit parauniversitar”, kështu është shprehur në një intervistë për gazetën “Telegraf’, znj. Ardiana Sula, Drejtoresha e HTI-së në Ministrinë e Arsimit. Gjithashtu, fokusi kryesor do të jenë edhe mësuesit e të gjitha shkollave, aftësimi i tyre profesional me teknologjitë më të fundit ka cituar drejtoresha e HTI-së.
Znj.Sula çfarë po bëhet aktualisht për krijimin e infrastrukturës teknologjike në të gjitha shkollat e vendit?
Përdorimi i teknologjisë në shkollat tona ka ndryshuar në mënyrë të ndjeshme këto vitet e fundit. Qeveria shqiptare ka investuar shumë në krijimin e infrastrukturës teknologjike në shkolla. Këto investime kanë qenë në materiale dhe ndërtim kapacitetesh njerëzore. Ka ardhur koha të kërkohen rezultate nga këto investime; rezultati ose përfitimi nga këto investime është përdorimi maksimal i këtyre burimeve të krijuara për maksimizimin e procesit të mësuarit. Përfitimi nga këto investime është përdorimi i këtyre burimeve si mjete që shërbejnë në procesin e të menduarit të nxënësve dhe jo thjesht vetëm si mjete dixhitale. Strategjia Kombëtare për Arsimin 2009-2013 thekson se: “Arsimi në Shqipëri do të pajisë qytetarët e ardhshëm shqiptarë me njohuritë e nevojshme, me aftësitë e shkathtësitë e mjaftueshme, të edukuar dhe të përkushtuar për të realizuar planin kombëtar ekonomik e zhvillimor të vendit”.
Cilat janë metodat e reja që po përdoren në këtë drejtim?
Për të arritur këta objektiva na duhet të zbatojmë dhe zhvillojmë metoda të reja inovatore të mësimdhënies e mësimnxënies. Kështu, për të pajisur nxënësit me aftësitë e nevojshme teknologjike, duhet të përdorim metoda të reja të të mësuarit në krahasim me metodat e përdorura në të mësuarit tradicional. Teknologjia dhe mjetet teknologjike janë bërë pjesë e edukimit në Shqipëri dhe synimi është të përdorim teknologjinë në klasa si një mjet që zhvillon dhe nxit më tej procesin e të mësuarit. Nxënësit, nga përdorimi i këtyre mjeteve të reja teknologjike kanë përfituar aftësi kompjuterike, aftësi të cilat do të mund t`i përdorin në të ardhmen në vendet e tyre të punës. Shkollat në sistemin arsimor shqiptar kanë krijuar një infrastrukturë teknologjike, e cila optimizon integrimin e teknologjisë në procesin edukativ. Iniciativa “Shqipëria në Moshën Dixhitale” e ndërmarrë nga qeveria shqiptare shtroi rrugën e krijimit të infrastrukturës teknologjike në sistemin arsimor, sidomos atij parauniversitar. Në kuadrin e kësaj iniciative mbarëkombëtare, MASH-i hartoi programin e e-shkollave dhe krijoi fondet e nevojshme për zbatimin e këtij programi nëpërmjet krijimit të partneriteteve lokale dhe ndërkombëtare. Misioni kryesor i programit të e-shkollave ishte zvogëlimi i ndarjes dixhitale ndërmjet zonave teknologjikisht të avancuara dhe atyre teknologjikisht jo të avancuara në Shqipëri si dhe pajisja e nxënësve me aftësitë e nevojshme teknologjike që kërkon tregu i punës.
Cilat janë projektet e reja të MASH-it për integrimin e teknologjisë në shkolla?
Projektet më kryesore me të cilat MASH është duke punuar momentalisht janë: hartimi i planit për integrimin e teknologjisë në procesin edukativ, përcaktimi i kritereve të nevojshme për krijimin e standardeve të teknologjive në edukim; përcaktimi i skemave të qëndrueshme për zhvillimin profesional të mësuesve për integrimin e teknologjisë në mësimdhënie; krijimi i bibliotekës dixhitale, përcaktimi i skemave për përmirësimin e infrastrukturës së TIK në shkolla; ndërtimi i kapaciteteve të specialistëve të teknologjisë në arsim. Përfitimi kryesor që vjen nga përdorimi me efikasitet i teknologjive të reja është rritja e aftësisë te nxënësit për t`u përqendruar në mësim, përmirëson të kuptuarit dhe transferon përmbajtjen në një memorie afatgjatë. Duke u mbështetur në këtë arsyetim, ne synojmë t`i kthejmë klasat tradicionale në klasa të konceptuara mbi bazën e teknologjisë.
Cili do të jetë fokusi për aftësimin profesional të mësuesve me teknologjitë më të fundit të dixhitalizimit?
Ky proces kërkon që mësuesit të pajisen me aftësitë e duhura teknologjike dhe të mësojnë të përdorin mjetet e reja teknologjike që mbështesin procesin e mësimnxënies te nxënësit dhe progresin e tyre. Fokusi do të jetë aftësimi profesional i mësuesve për familjarizimin e tyre me teknologjitë më të fundit dhe aftësia e përdorimit të mjeteve të reja teknologjike që mbështesin mësimnxënien dhe progresin e nxënësve. Krahas rrugës tradicionale për aftësimin profesional të mësuesve do të përdoren edhe trajnimet on-line, nëpërmjet të cilave mësuesit do të kenë mundësinë të fitojnë aftësi të reja dhe të bashkëbisedojnë me kolegët e tyre për të ndarë përvojat më të mira. Sapo ka përfunduar trajnimi i 1200 mësuesve të arsimit bazë në “Metodat e Integrimit të TIK-ut në kurrikula” si dhe trajnimi i 600 mësuesve në paketën e “Pedagogjia në ICT”. Sot laboratorët e informatikës, laptopet, projektorët, kompjuterët si dhe lidhja me internet janë shtrirë në të gjitha shkollat e arsimit parauniversitar dhe MASH ka nisur tashmë implementimin e fazës së dytë të shtrirjes së TIK në shkolla, që do të thotë pajisja e të gjitha klasave me kompjuter dhe lidhje interneti.
-
1 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version
- Fatos Nano drejt PS-së
- Flet astrologia Meri Shehu
- Dashuri engjëjsh
- Sondazhi në "Telegraf"
- Shpallen personalitetet e vitit 2010 në “Telegraf”, Ja më të preferuarit e publikut shqiptar



Publikoni komentin tuaj