Letra nga Populli
Borshi, si gëlltitet çdo ditë nga ardhësit
Viti 1991-1992. Kanë kaluar rreth 20 vjet, por të gjithëve na kujtohen shumë mirë disa momente që vendosën të ardhmen tonë. Synuam dhe deshëm shumë për vete, atë tjetrën që tepronte dhe nuk bënte për shijet tona, le ta merrte kush të donte, vetëm vëllai apo motra e larguar prej brezash në Tiranë, Vlorë apo Durrës mos ta merrte. I vetmi midis nesh që pati kurajë në ato takime ta thoshte hapur mendimin e tij se cila ishte rruga më e drejtë në ato moment ishte Cano Noga. E kujtojmë me dhimbje atë moment, sepse sot pas 20 vjetësh atë që ai parashikoi atëherë me burrëri, si dikur në kuvendet e fshatrave tona, u vërtetua: -Burra, të mos e bëjmë këtë gabim. Me këtë që po bëjmë do të humbasim Borshin, por do t’i lëmë edhe fëmijët tanë me bela! Sot kjo “profeci” e tij është bërë realitet.
Realiteti
Realiteti në Borsh sot është i zymtë sepse ne pothuajse ndihemi të huaj në fshatin tonë. Dhe tokën që kemi marrë me ligjin 7501 nuk e ndjejmë tonën, nuk e kuptojmë se çfarë na mungon që të ndihemi pronarë të vërtetë. Tregun e pronës po na e imponojnë të ardhurit, ata që as në përdorim nuk e kanë më, sepse ua kanë hequr edhe në bazë të ligjit 7501, që janë të gjithë të ardhur në Borsh pas 1990 dhe që në fshatrat nga kanë ardhur, nga Piluri, Çorraji, Fterra, Kuçi, Gusmari etj., e nga nuk kanë ardhur, kanë marrë atë që ju takonte nga trashëgimia e tyre. Prandaj po tentojnë ta shesin lirë, ta shkatërrojnë e të na dëmtojnë me të gjitha mënyrat.
E ardhmja
Në vitet e para, në ato vite kur bëhej pazar me tokat e Borshit, në qendër të fshatit ne do të ndeshnim pothuajse gjithmonë të njëjtat fytyra. Ishin përfaqësues apo individë të disa fiseve, thënë ndryshe ata që e mbanin veten për pari. Sot ata pothuajse nuk i shohim më. Shpesh na merr “malli” të shohim ish-kompetentët e komisioneve, për ata që e bënë këtë katrahurë në Borsh, që punonin nën rrogoz se nuk kishin kurajo të dilnin ballas. Sot ne si borshiotë ndihemi të nëpërkëmbur ,të tulatur, të frikësuar në fshatin tonë. Me fshatin nuk i lidh më pothuajse asgjë.
Prologu
Gjatë këtyre viteve në Borsh midis nesh ka ekzistuar një shprehje që: “qitetarët” nuk duhet të marrin tokë në Borsh. Dhe normalisht atyre nuk ju dhamë. Preferuam më mirë t’ua japim këtyre “batakçinjve”, të ardhurve nga të katër anët, i bëmë pronarë me duart tona e në tokat tona. I bëmë gropën vetes. Sepse ata u bënë shumë, shumë më tepër se ne, dhe sot po na bëjnë ligjin në Borsh. Ne sot ndihemi të përulur, të nëpërkëmbur. Në këto moment duhet të bëjmë zgjedhjen tonë. Pjesa që ka patur ferma në përdorim po ju jepet ”qytetarëve” si kthim prone. Nga ana tjetër të ardhurit, sidomos ata të ish-Fermës që kanë marrë pjesën e tyre të trashëgimisë të tokave të tyre andej nga kanë ardhur, po kërkojnë me ngulm që këtë sipërfaqe të tokave të Borshit ta marrin ata. Për këtë ata nuk po lënë peticion dhe dyer të qeverisë pa trokitur duke kërkuar me paturpësi atë që nuk ju takon as me ligj. Po ne borshiotët kë rrugë do zgjedhim, me kë do të bëhemi në këtë rast? Të shohim! Vetëm shpresojmë se do të na kujtohen fjalët që Çano Noga na ka thënë në vitin 1990 dhe atë shprehjen që: yti mishin ta ha, por kockën ta ruan, i huaji ta bluan edhe kockën!
D.Çika, Z.Xhani, S.Hajdini, K.Hysi. F.Mati, T.Dedi, I.Husi. S.Nani. R.Lala
Banorë të fshatit Borsh, Sarandë
-
1 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version
- Fatos Nano drejt PS-së
- Flet astrologia Meri Shehu
- Dashuri engjëjsh
- Sondazhi në "Telegraf"
- Shpallen personalitetet e vitit 2010 në “Telegraf”, Ja më të preferuarit e publikut shqiptar



Publikoni komentin tuaj