Hyrje | Sociale | Drejtori i Arsimit Parauniversitar

Drejtori i Arsimit Parauniversitar

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

Fatmir Vejsiu: Në 15 shkurt, nis shpërndarja e Formularit A1 në të gjitha gjimnazet e vendit. Praktika që do ndiqet

 

 

 

 



“Matura Shtetërore e këtij viti, nuk do të jetë e njëjtë me vitet e kaluara”,kështu ka pohuar gjatë një interviste për gazetën “Telegraf”, z. Fatmir Vejsiu Drejtor i departamentit për Arsimin Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit. Ai ka cituar faktin që edhe provimet e Maturës Shtetërore do të përfshihen në ndryshimet e bëra nga reformat e marra nga Ministria e Arsimit.
Z. Vejsiu, si kanë ndryshuar kurrikulat e lëndëve në arsimin parauniversitar me reformat që janë ndërmarrë nga Ministria e Arsimit?
Kjo është matura e parë e këtij viti që përkon me konkretizimin dhe finalizimin e reformës kurrikulare në gjimnaze dhe arsimin e mesëm në përgjithësi. Pra, gjimnazi nga katër vjet, është bërë   në tre vjet. Ky ndryshim i bërë nuk është një element kaq i thjesht , sepse kanë ndryshuar të gjitha kurrikulat si në përmbajtje  ashtu edhe në formë. Ndryshimi në përmbajtje është bërë në  mënyrë të tillë që maturanti të ketë më pak ngarkesë dhe ndryshimi i bërë në formë ka të bëjë me procesin e përzgjedhjes . Me këtë dua të saktësoj që maturanti tashmë  nuk është i detyruar të bëjë lëndë të detyruara, por i jepet edhe mundësia e alternativave.
Matura Shtetërore e këtij viti a ka të njëjtën përmbajtje?
Mund të pohoj se, Matura Shtetërore e këtij viti ka lëndë të detyruara dhe lëndë me zgjedhje të lirë nga maturantët. Kjo maturë nuk ka të njëjtën përmbajtje, sepse numri i lëndëve që ofrohet për maturantët nuk është më i limituar 17 lëndë, por tashmë është 38 lëndë. Maturantët dhe kandidatët mund të zgjedhin më shumë sesa një gjuhë të huaj, por me kusht që njëra të jetë e parë dhe tjetra e dytë dhe duke mos qenë kusht i domosdoshëm, nëse është bërë ose jo në shkollë gjuha e huaj. Pra, kjo është një risi që vjen këtë vit në Maturën Shtetërore, në mënyrë që maturanti të ketë të drejtë të zgjedhë dy gjuhë të huaja.
Si do të procedohet me provimin e Maturës Shtetërore?
Procedura e provimeve do të jetë e njëjtë. Maturanti ka dy provime me detyrim, që janë letërsi me programin e ri dhe matematika përsëri me programin e ri. Ndërsa në nivelin e avancuar, mund të trajtohen si lëndë me zgjedhje. Në bazë të udhëzimit të datës 12.10.21011,  Maturanti mund të zgjedhë dy ose tre lëndë me zgjedhje. Që do të thotë, jo një lëndë dhe as katër lëndë, me kusht që të plotësohet edhe kriteri i krediteve. Shuma e krediteve të lëndëve të zgjedhura nuk duhet të jetë më e vogël se 8. E thënë në mënyrë më të përmbledhur,  provimi i Maturës Shtetërore, do të ketë jo më pak se tetë kredite dhe dy ose tre lëndë me zgjedhje. P.sh., një maturant zgjedh dy lëndë që kanë nga dy kredite secila, atëherë kuptohet që kjo nuk është e mjaftueshme, sepse duhen 8 kredite që të plotësohet kushti i vendosur në Maturën Shtetërore. Por, mund të ndodhë  gjithashtu, që një lëndë ka më shumë se 8 kredite, siç është gjuha e huaj. Maturanti nuk mund të marrë vetëm këtë sepse duhet të ketë dhe plotësojë edhe kushtin tjetër që është dy ose tre lëndë me zgjedhje.     
Si do të jetë mënyra e zhvillimit të provimeve?
Në udhëzimin 40, të Maturës Shtetërore, përbri lëndës që është alternativë për t’u zgjedhur nga maturanti ose kandidati, është vënë edhe numri i krediteve. Që do të thotë se, maturanti është i orientuar për të bërë përzgjedhjen. Ky është një udhëzim i dalë në kohë rekord në ditët e para të tetorit të 2011. Numri i lëndëve me zgjedhje nuk tregon që maturanti duhet të marrë më shumë pikë. Kjo reformë ka sjellë ndryshim, çka na imponoi ne për të parë edhe ndryshimet në kurrikulat e arsimit bazë . Megjithatë, ne kemi një adresë zyrtare interneti për të gjitha pyetjet që do të kenë maturantët, mësuesit apo drejtorët e shkollave. fvejsiu@mash.gov.al 
Aktualisht maturantët kanë filluar me konsultimet për përmbajtjen e Maturës Shtetërore dhe kur pritet të dalë Formulari A1?
Ka një urdhër të ministrit , i cili detyron të gjitha shkollat e arsimit parauniversitar, të njihen me preferencat e maturantëve dhe në bazën e tyre ngrihen edhe grupet e punës. Mësuesit e lëndëve duhet të bëjnë vazhdimisht konsultime me maturantët. Në 15 shkurt fillon shpërndarja e Formularit A1, në të gjitha gjimnazet e vendit. Nga kjo datë maturantët do të kenë në duar formularin, koeficentët dhe rregulloren e Maturës Shtetërore.

Subscribe to comments feed Komente (0 publikuar):

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj comment

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

  • Plain text 1 - Here eshte lexuar ky Artikull
  • email Email shokeve
  • print Print version
Vlereso kete artikull
0