Dekani i Inxhinierisë së Ndërtimit
Prof. As. Dr. Andrea Maliqari: Riorganizimi i fakultetit, zgjedhjet e reja dhe hapja e doktoraturave
Universitet e vendit janë futur tashmë në javën e dytë të procesit zgjedhor për organet drejtuese dhe kolegjiale. Menjëherë pas daljes së urdhrit të Ministrit të Arsimit, z. Myqerem Tafaj, në të gjitha universitet publike të Shqipërisë në bazë të rregullores së miratuar nga senatet akademike të tyre, kanë filluar të ecin në hapat e mëtejshme të këtij procesi deri në 20 shkurt, përcaktuar kjo nga ministri Tafaj si dita, ku do të bëhet votimi dhe do të shpallen fituesit nga komisionet e ngritura. Në një intervistë për gazetën “Telegraf”, dekani i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, Prof.Dr. Andrea Maliqari ka pohuar se procesi i zgjedhjeve në këtë fakultet po vijon normalisht dhe konform të gjitha kritereve të përcaktuara në rregullore. Gjithashtu, profesori me entuziazëm është shprehur edhe për fillimin e studimeve të ciklit të tretë për doktoraturë në këtë fakultet.
Profesor si paraqitet situata e krijimit të Komisioneve Zgjedhore dhe regjistrimit të kandidatëve për zgjedhjet kolegjiale të 20 shkurtit?
Jeni vënë në dijeni tashmë që në të gjitha universitetet e vendit ka filluar zyrtarisht fushata e zgjedhjeve për organet drejtuese dhe kolegjiale të tyre. Aktualisht, në fakultetin tonë ditën e premte është bërë mbledhja e Senatit të universitetit Politeknik, ku është miratuar edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve , i cili ka bërë mbledhjen e tij të parë sot, dhe ditën e mërkurë do të bëhet edhe mbledhja e parë e Këshillit të Fakulteti. Në këtë mbledhje do të përcaktohet edhe numri i anëtarëve të këtij këshilli, dhe gjithashtu do të aprovohet edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të fakultetit. Dhe nga kjo ditë shpallet e hapur gara për regjistrimin e kandidatëve në këto zgjedhje.
Flitet për një rikandidim të pozicionit që keni në këtë Fakultet, sa e vërtet është?
Zyrtarizmi i kandidaturave do të behët pas ditës së mërkurë,pasi konstituohet edhe Komisionit Qendror i Zgjedhjeve. Në fakt, rregullorja e re, ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, i ka dhënë të drejtën e kandidimit edhe atyre që e kanë pasur një mandat në institucionet drejtuese dhe kolegjiale të universiteteve publike të vendit tonë. E konsideroj të drejtë këtë vendim, jo për faktin se jam unë në një pozicion të tillë, por sepse ato objektiva që përcaktohen nga një autoritet, katër vite janë të vështira për t’u realizuar. Natyrshëm që, për një autoritet që ka punuar, viti i fundit i mandatit të tij është edhe viti kur behet bilanci. Pra, kemi prezantuar para katër viteve një program, dhe pas katër viteve shikon çfarë është realizuar dhe çfarë jo. Kështu, për Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit mund të them se në aspektin mësimor gjatë këtyre katër viteve, ne kemi arritur të konceptojmë dhe strukturojmë edhe nivelet e para dhe të dyta të studimeve, për të gjitha degët e këtij fakulteti. Gjithashtu, arritëm të ndërtojmë, aprovojmë dhe akreditojmë nivelin e tret të studimeve, që është edhe arritja më e madhe e fakultetit që unë drejtoj. Prioritet ka qenë edhe krijimi i ambienteve dhe mjediseve të përshtatshme të fakultetit, duke i dhënë një frymëmarrje tjetër studentit.
Duke u larguar pak nga vijimësia e procesit zgjedhor, a mund të na informoni se cila është risia më e fundit në auditoret e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit?
Ne aktualisht sapo kemi filluar ciklin e studimeve të nivelit të tret që është doktoratura. Për herë të parë tek ne, ka filluar të aplikohet shkolla e doktoraturës me mësime teorike. Dua të shtoj këtu që vetëm para dy javëve ka filluar shkolla e doktoraturës për degën e arkitekturës, ku mund të pohojë se kjo është një risi në fakultete tona. Pasi ne për herë të parë sivjet aplikojmë një shkollë doktoraturë me një përbërje dhe bashkëpunim të profesorëve të huaj dhe profesorëve tanë. Do të jenë 12 profesor të huaj, të cilët në kuadër të bashkëpunimit dhe partneriteti që ne kemi do të japin dhe zhvillojnë mësim në auditorët e Fakultetit tonë. Profesorët do të jenë nga Universitetet e Francës dhe Universitetet e Italisë. Aktualisht kanë filluar leksionet teorike në këtë cikël studimesh. Shkolla e doktoraturës është konceptuar sipas të gjitha standardëve dhe mënyrës së organizimit të shkollave europiane të arkitekturës.
Si do të bëhet vlerësimi i studentëve doktorant dhe a do të kenë sezon provimi këta studentë?
Ky cikël studimesh është e organizuar mbi bazën e ngritjes së problematikave kryesore dhe me një mënyrë organizimi të ndryshëm nga ajo klasikja. Që do të thotë se, në leksione jepen problematika të ndryshme, duke i lënë hapësirë studentëve doktorant që të thellohen në kërkime shkencore për një problematik të caktuar. Pra, shqyrtohen problematika, studiohen dhe behën kërkime shkencore brenda kuadrit të leksioneve të marra dhe problematikave të ngritura. Në këtë aspekt çdo student doktorant do të ketë një dosje të një problematike të caktuar që ai ka zgjedhur nga katër disiplinat që ne kemi. Dhe mbi bazën e kësaj dosje do të bëhet edhe vlerësimi i tyre. Në përfundimin e shkollës së doktoraturës do të organizohet një konferencë me pjesëmarrjen e doktorantëve dhe profesorëve, për të prezantuar të gjithë punën e bërë. Gjatë javëve në vijim studentët doktorant do të vijojnë me studimin e projektimit arkitektonik. Gjithashtu, është në përgatitje për të filluar edhe shkolla tjetër e doktoraturës, ku është menduar që të nisin studimet në fillim të muajit mars. Edhe këtu do të kemi pjesëmarrjen e profesorëve tanë dhe profesorëve të huaj. Ky është viti i parë organizuar në këtë mënyrë. Pasi vitin e kaluar ne kemi patur shkollë doktorature, por kryesisht kemi pranuar atë kategori kandidatësh të cilët kishin mbaruar master të nivelit të dytë, ose një master të realizuar pas pesë viteve shkollë, pra te nivelit post universitar.
-
1 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version
- Fatos Nano drejt PS-së
- Flet astrologia Meri Shehu
- Dashuri engjëjsh
- Sondazhi në "Telegraf"
- Shpallen personalitetet e vitit 2010 në “Telegraf”, Ja më të preferuarit e publikut shqiptar



Publikoni komentin tuaj