Trotuaret të tejmbushur nga shitësit ambulantë, Policia Bashkiake fle gjumë
INTERVISTË/Flet për “Telegraf”, z.Islam Cani, Kryetari i Shoqatës së Konsumatorit Shqiptar
Dështon “Show” që Bashkia e Tiranës dhe kreu i ri i saj z. Lulzim Basha, nisi të ndërmarrë me hov, në ditët e para të udhëheqjes së tij. Kontrollet e shumta të Policisë Bashkiake për të krijuar sa më shumë hapësira për qytetarët, mjedise të pastra dhe trotuare të lira,duket se i përkasin një të kaluare të largët, dhe askush nuk po hedh më sytë nga taksapaguesit shqiptarë. Kudo nëpër Tiranë shikon trotuare të bllokuara, e si të mos mjaftonte kjo sipër tyre qëndrojnë të parkuara dhe “krenare”, makinat e pushtetarëve apo të ashtuquajturve “VIP”-a, të shtetit shqiptarë. Plehrat e shumta që gjenden të shpërndara në të gjitha hapësirat publike po bëhen burime infeksionesh dhe sëmundjesh të rënda. Shitës ambulant në çdo trotuar, përfshi këtu edhe Qytetin Student, i cili mesa duket është bërë “han” i tregtimit në çdo hapësirë të tij. Një tjetër problem për kryeqytetasit ka qenë edhe rrugët e ngrira, rrjedhojë kjo e çezmave apo tubacioneve të pakontrolluara të ujit të pijshëm, të cilat lihen hapur në mënyrë të papërgjegjshme nga qytetarët dhe bëhen burim aksidentesh. Sepse rrugët natyrshëm krijojnë ngrica nga temperaturat e ulëta që kanë përshkuar vendin tonë këto ditë, dhe askush nga personat kompetent të bashkisë nuk e ndalon këtë fenomen. Por, të gjitha këto shqetësime të sipërpërmendura shkojnë çdo ditë në Shoqatën e Konsumatorit, ku kryetari i kësaj shoqate, z. Islam Cani në një intervistë për gazetën “Telegraf”, është shprehur i shqetësuar për këto probleme të konsumatorit shqiptarë.
Z.Cani cilat janë problemet më emergjente që po përballet konsumatori ynë gjatë këtyre ditëve?
Mesa duket problemet e konsumatorit nuk kanë të sosur. Dhe problemi i këtyre ditëve është ai i trotuareve dhe hapësirave publike, të cilat çdo ditë e më shumë po mbyten nga plehrat dhe shitësit ambulantë. Jemi rikthyer sërish në vitet ‘90-të, ku trotuaret frekuentoheshin nga tregtar informal. Kjo situatë sa vjen dhe po rëndohet çdo ditë në Tiranë. Trotuaret kanë bllokuar jo vetëm qytetarë që me zor kalojnë, por këto ditë janë shtuar edhe makinat, që parkohen sipër tyre. E keqja është, se ato tani po thyejnë e po dëmtojnë pllakat e trotuareve, të cilët sapo ishin rregulluar.
Cilat lagje të Tiranës e vuajnë më shumë këtë problem?
Ky problem është i shtrirë pothuajse në të gjithë Tiranën, madje deri edhe në periferi të saj. Në qofte se kalon nga Ministria e Mbrojtjes realiteti nuk kërkon shumë fjalë, pasi pllakat e trotuareve të dëmtuara duken hapur nga pellgjet e krijuara. Vazhdon ky problem dhe në rrugën “Myslym Shyri”, në Rrugën e Kavajës dhe në të gjitha bulevardet kryesore të kryeqytetit. Tirana e ditëve të sotme e kanë ndërruar fytyrën e para tre viteve. Ajo ka qenë më e pastër më e rregullt dhe me mjedise të shumta për qytetarët.
Ju pohoni se janë shtuar mjediset e ndotura dhe ambientet jo higjienike të tregtimit të produkteve ushqimore?
Sigurisht që po. Shitësit ambulantë që mbijnë si kërpudha mbi trotuare, ambalazhet e produkteve të tyre, i shpërndajnë në të gjithë mjedisin, ku regëtojnë dhe ushtrojnë veprimtarinë në mënyrë të paligjshme. Në këtë mënyrë, rrugët janë të mbipopulluara nga me plehrat, dhe kazanët e kanë humbur funksionin e tyre. Po kthehemi në një kryeqytet të dikurshëm të viteve ‘90-të. Pavarësisht se shumica e qytetarëve të kthyer me një kulturë perëndimore mundohen ta mbajnë pastër mjedisin në të cilin veprojnë, pjesa tjetër e shoqërisë është për të ardhur keq. Në këto kushte, kontroll e Policisë Bashkiake kanë rënë ndjeshëm, për të mos than farë. Ata mjaftohen vetëm më një makinë që vënë tek posta qendrore për të ndaluar qarkullimin e makinave,dhe detyra e tyre përfundon këtu. Për ta kontrolli i tregut të çamëve përfshin kontrollin e të gjithë Tiranës. Gjithashtu, është nënvlerësuar kujdesia për tregjet e tjera, si tregu tek Uzina Dinamo, tregu tek treni. madje deri në periferi të kryeqytetit. Në qoftë se nuk merren masa të menjëhershme, plehrat në kryeqytet do t’i rikthehen traditës. Pra, mundimi i këtyre viteve për të pasur një qytet të pastër do të shkojë dëm.
Sa ndikojnë shitësit ambulantë në uljen e çmimeve dhe sa i sigurt është shëndeti i qytetarëve nga produktet e tyre?
Tregu që është në rrugë frenon tregun tjetër që është i garantuar dhe i kontrolluar nga kushtet higjieno-sanitare. Konsumatorët duke parë që shitësit ambulant kanë çmime të ndryshme nga tregjet e kontrolluara,frekuentojnë prodhimet e tyre. Dhe pikërisht në këto moment ai nuk gëzon më as të drejtën për t’u ankuar, pasi këto prodhime nuk janë të shoqëruara nga kuponët e sigurisë së kushteve higjieno- sanitare, Një problem i rëndësishëm lidhur me tregun e rrugës apo të trotuareve, është edhe ai i shitjes së produkteve ushqimore. Vazhdojnë të shitet dhe tregtohet qumësht, djathë gjizë nëpër kova, në mes pluhurit dhe papastërtisë, të cilat në asnjë moment nuk tregojnë siguri për konsumatorin. Gjithashtu, edhe ambalazhi i tregtimit të tyre ka përbërje plastike, ku fare lehtë mund të transmetohen plot infeksione siç janë verdhëza , infeksionet gastrointestinale ,madje edhe tuberkulozi në disa raste. Buka vazhdon ende të shpërndahet me qese plastike, në një kohë që u pohua gjithandej që buka do të shpërndahej në letër të ambalazhuar. Pra buka duke u tregtuar në qese plastike, nga nxehtësia që përçojnë avujt e saj, humbet shijen dhe sjell pasoja në shëndetin e konsumatorit. Pastaj është edhe fenomeni tjetër, ai i mangësisë në peshën e tregtimit të bukës, pa përjashtuar këtu edhe të gjitha produktet e tjera.
-
1 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version
- Fatos Nano drejt PS-së
- Dashuri engjëjsh
- Nis sondazhi në "Telegraf" për personazhin e vitit 2011
- Flet astrologia Meri Shehu
- Shpallen personalitetet e vitit 2010 në “Telegraf”, Ja më të preferuarit e publikut shqiptar



Publikoni komentin tuaj