Luftë për manipulim votash në Universitetin e Durrësit
Sot zhvillohen zgjedhjet. Flet kandidati për mandatin e dytë, Mit’hat Mema dhe kryetarja e KQZI, Teuta Çerpja
Të hënën zhvillohen zgjedhjet në universitetin publik të Durrësit, “Aleksandër Moisiu”, ndërsa kandidatët janë përfshirë në një luftë të hapur, ku nuk mungojnë akuzat ndaj njëri- tjetrit, presionet dhe lufta e hapur, forma shumë të rënda këto për një ambient akademik. Kandidatët shprehen se votat janë drejt manipulimit, ndërsa Kryetarja e KQZI, Teuta Çerpja nënvizon se nuk do të lejohet manipulimi i zgjedhjeve, ndërsa ankesa e vetme e marrë në shqyrtim është për Fakultetin e Edukimit, ku përballë për titullarin e dekanit janë Ksonela Sotirovsli me Edi Pukën.
Situata
Rektori aktual Mit’hat Mema deklaron se presionet po bëhen nga kandidati Bardhyl Çeku , ky i fundit deklaron se presione shumë të mëdha po bëhen nga struktura jashtë universitetit, ku ka ndërhyrë fuqishëm edhe politika, ndërsa kandidati i tretë Arben Dushi nënvizon se procesi i votimit duhet të jetë i ndershëm dhe i rregullt. Rektori aktual, i cili është njëkohësisht edhe kandidat për një mandat të dytë në këtë post profesor Mit’hat Mema ngriti si shqetësim të fushatës elektorale që po bëhet, dyshimet e tij të forta për manipulimin e zgjedhjeve gjatë një prononcimi për “Telegraf”. Kandidati Mema, por edhe kandidati Arben Dushi, qëndrojnë në të njëjtën linjë, duke shprehur shqetësimin se në këtë garë nuk po debatohet për ide dhe për vizion, por vendin e tyre e kanë zënë shantazhet. Ndërkaq në Universitetin e Durrësit ka mbërritur edhe zëvendësministrja e Arsimit dhe Shkencës Nora Malaj, por KQZI e Universitetit nuk është mbledhur pasi kryetarja dhe një pjesë e anëtarëve kanë mbyllur telefonat. Janë bërë dy ankesa në KQZI e Universitetit një prej kandidatit Mema dhe një prej Kandidates për dekane në Fakultetin e Edukimit, Ksonela Sotirovski, por që në shqyrtim nga KQZI është marrë vetëm ankesa e Sotirovskit. Në garë për rektorin e Durrësit konkurrojnë tre kandidatë rektori aktual Mit’hat Mema, Bardhyl Çeku, dekan i Fakultetit të Menaxhim Biznesit dhe Profesor Arben Dushi, dekani i Fakultetit të Menaxhim Biznesit, shprehet se do të fitojë me 80% të votave, por strukturat e jashtë universitetit po tensionojnë situatën dhe dyshohet për manipulim të votave.
Dështon takimi i KQZI
Zonja Nora Malaj në cilësinë e kryetares së Monitorimit të Zgjedhjeve në Institucionet Publike të Arsimit të Lartë, njoftoi kryetaren e KQZI, Teuta Çerpja për një takim urgjent në orën 20:00 të mbrëmjes, por takimi nuk u zhvillua pasi nuk erdhën pjesa më e madhe e anëtarëve të KQZI. Kandidatja për dekane në Fakultetin e Edukimit Ksonela Sotirovski ka patur një ankesë për verifikimin e dokumentacionit të kandidaturës tjetër për këtë post, Edi Pukës.
Kandidati për rektor, Bardhyl Çeku
“Deri 5 ditë më parë situata ka qenë e qetë në drejtim të fushatës zgjedhore, por këto ditët e fundit ka një presion të jashtëzakonshëm, kryesisht nga mbështetësit e rektorit aktual. Ata po përpiqen të sabotojnë procesin e zgjedhjeve dhe kjo po bëhet sepse kanë frikë nga një humbje e madhe sepse 80% e stafit pedagogjik dhe të trupës administrative e studentëve më mbështesin mua. Kanë dashur që të manipulojnë edhe KQZI, por nuk ja kanë arritur dot, kjo për faktin se KQZI ka zbatuar ligjin”.
Kandidati për rektor, Mit’hat Mema
“Unë mendoja se gara për rektorin dhe për autoritetet drejtuese të universitetit “A. Moisiu”, do të debatoheshin idetë, strategjitë mendimet, vizionet dhe trupa akademike dhe zgjedhore të gjykonin mbi idetë, më të mira për të zgjedhur alternativat më të mira. Me keqardhje të madhe, konstatoj, se nuk ka ndodhur kështu, por nga ana e njërit prej kandidatëve janë përdorur forma shumë të rënda që nuk kanë vend jo në një ambient universitar, por as në shoqërinë shqiptare dhe demokratike. Janë pikërisht këto forma që janë denoncuar nga unë dhe kandidati tjetër, Arben Dushi, ku kërkohet bojkoti i debatimit me idetë e kandidatëve të tjerë. Më e keqja është që po paracaktohet fituesi nëpërmjet presioneve, dhe kjo është rruga më e gabuar për t’i treguar jo vetëm studentëve dhe trupës akademike si edhe shoqërisë tonë. E-mail-et ‘’dhe sms që çojnë në shtabet tona elektorale janë forma më e ulët nga ana e shtabit të kandidatit Çeku. Janë shantazhe dhe forma që i bëjnë vetëm frikacakët dhe humbësit, njerëzit që nuk kanë besim te vetja e tyre fshihen pas e-mail-eve dhe sms. Është e pafalshme që për nivelin intelektual që kemi të ketë njerëz që të mendojnë se mund të ndikojnë dhe të ndryshojnë mendimin dhe qëndrimin e njerëzve nëpërmjet këtyre formave”.
Teuta Çerpja, Kryetare e KQZI së Universitetit
Në orën 20:00 të mbrëmjes nuk është orar zyrtar për të zhvilluar takime KQZI, e cila me ligj orarin zyrtar të vendimmarrjes e ka nga ora 08:00 deri në 16:00. Komisioni i Zgjedhjeve ka respektuar rregulloren e Universitetit, ku thuhet se brenda dy ditëve KQZI shqyrton kërkesën që lidhet me procesin zgjedhor dhe del me vendim. “Ne e shqyrtuam ankesën dhe në komision kundrejt 6- 1 u vendos që Edi Puka të jetë kandidat, pas shqyrtimit të dokumentacionit. Nuk ka pasur ankesa të tjera, kandidatët për rektorë po kanë ankesa t’i denoncojnë ato dhe t’i marrim në shqyrtim”, tha Çerpja. Në Universitetin e Durrësit kutive të votimit u drejtohen 183 pedagogë, 77 personel akademik dhe 7642 studentë për zgjedhjen e rektorit, senatit akademik, këshillit akademik dhe këshillave të fakulteteve.
-
1 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version
- Fatos Nano drejt PS-së
- Flet astrologia Meri Shehu
- Dashuri engjëjsh
- Sondazhi në "Telegraf"
- Shpallen personalitetet e vitit 2010 në “Telegraf”, Ja më të preferuarit e publikut shqiptar



Publikoni komentin tuaj