“Do të bojkotojmë gjyqet, gjykata nuk paguan avokatët”
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, kreu i Dhomës së Avokatisë në Vlorë, Kastriot Brahimuçaj
Kreu i Dhomës së Avokatisë në Vlorë, Kastriot Brahimuçaj, ka folur për gazetën “Telegraf”, për prioritetet që ka Dhoma në këtë vit. Nga 200 avokatë që numërohen, vetëm 50 prej tyre janë licencuar dhe aktivitet të përhershëm. Brahimuçaj pranon se nga kolegët e tij ka probleme për etikën, por nuk ka asnjë rast të denoncuar me shkrim për të marrë masa disiplinore. Brahimuçaj këmbëngul se rruga e vetme është mosparaqitja në gjyqe, në mënyrë që gjykata të shlyej detyrimet sipas ligjit ndaj avokatëve. Ai iu përgjigj pyetjeve të gazetës.
Cili është aktiviteti i Dhomës së Avokatisë në Vlorë z. Brahimuço?
Duke parë aktivitetin e Dhomës tonë, por edhe nga opinionet e shprehura nga Dhoma Kombëtare, është një ndër dhomat më të mira në shkallë vendi. Kjo është e mbështetur në mirëfunksionimin e saj, veprimtaritë dhe aktivitetet që zhvillohen, në funksion të problematikave. Në qendër të vëmendjes ka qenë trajnimi i avokatëve të rinj dhe me stazh pune. Meqë prekëm këtë çështje, dua t’ju them se kemi një program me USAID, ku do të punohen 15 tema të ndryshme rreth ligjshmërisë, nga pedagogët e magjistraturës. Padyshim, kjo do të jetë një rifreskim apo një përçojë për avokatët e Vlorës.
Çfarë problemesh ka Dhoma e Avokatisë në Vlorë?
Janë të shumta, por do të ndalesha tek marrëdhëniet me gjykatën. Avokatët që caktohen nga gjykata, që mbrojnë çështjet kryesisht, nuk paguhen sipas ligjit, madje zvarritja shkon me vite. Sido që ligji e parashikon që të paguhet menjëherë sapo bën mbrojtjen, kjo nuk ndodh në Gjykatën e Vlorës. Duket një paradoks, po kjo është e vërteta. Gjykata justifikohet se nuk ka fonde, por kjo çështje duhet zgjidhur nga ky organ. Rruga që na ka mbetur ne si Dhomë avokatie, apo edhe avokatëve, që ndjekin këtë sektor, është që të mos paraqiten më në gjykatë, deri sa të bëhet shlyerja e detyrimeve. Sigurisht ne, jemi të ndërgjegjshëm se mungesa e mbrojtjes do të thotë të shtyhen gjyqet, ku për çështjet penale ka afate, por avokatët nuk do të punojnë për gjykatën, ata duhet të jetojnë me atë shpërblim minimal që jep gjykata. Duke ndërmarrë këtë veprim, shpresojmë se gjykata do të zbatojë ligjin. Kur ky institucion shkel ligjin e njerëzit e ligjit, avokatët, çfarë mund të thuhet për zbatimin e përpiktë të ligjit në tërësi?
Z. Kryetar, ka një opinion për avokatët, se shërbejnë si menaxherë mes klientit, prokurorit dhe trupit gjykues. Jeni ndeshur me ndonjë rast të tillë?
Këto janë fjalë që enden poshtë e lart për të justifikuar raste korrupsioni në gjykatë apo prokurori. Avokati është privat, merr pagesën sipas tarifave nga klienti dhe e mbron atë në gjyq, pavarësisht nëse e fiton apo humb. Nuk është në dorën tonë nëse do të dënohet ose jo, nëse do të favorizohet ose jo, atë e ka trupi gjykues, sigurisht, mbështetur edhe në kërkesën që bën organi i akuzës. Avokati mbron të drejtat ligjore të klientit dhe kaq.
Keni raste të avokatëve që janë proceduar për mashtrim të klientëve?
Ka pasur një rast, por përderisa çështja nuk është gjykuar dhe personi nuk është dënuar, atij nuk mund t’i mohohet e drejta e aktivitetit që ushtron. Si kryetar i Dhomës, kam mendimin se kemi avokatë që shkelin Kodin e Etikës, madje më janë ankuar verbalisht, por kur ua kërkoj me shkrim, deri më sot asnjë qytetar nuk është ankuar. Nëse do të kish ndodhur, menjëherë do të bëhej procedimi disiplinor ndaj atij avokati.
Ju shpreheni se mbroni të drejtat e njeriut, keni hasur në raste konkrete?
Po ka pasur raste, që ne i kemi denoncuar, sikurse ka qenë dhuna e ushtruar nga policia tek persona të ndaluar, të dyshuar se kanë bërë krime. Sigurisht, kjo është detyra jonë kryesore gjatë gjykimit të çështjeve, për të miturit , që janë një numër i konsiderueshëm, bëjmë një kujdes të veçantë, sido që zbatohet me përpikëri ligji, qoftë nga organi i akuzës, ashtu edhe nga gjykata.
Keni tërhequr ndonjë konkluzion, cilat janë shkaqet që të miturit kanë hyrë në rrugën e krimit?
Një pyetje shumë e drejtë, tek e cila duhet të ndalen të gjitha strukturat, pasi ka në prapavijë një problem të madh social. Jo vetëm unë, por të gjithë kolegët, ashtu sikurse është e vërteta, pasi shkaqet dalin gjatë gjykimit, shkaku kryesor është varfëria, skamja. Shikojmë që është rritur ndjeshëm numri i minorenëve që kryejnë vjedhje, deri edhe me armë dhe të gjithë të arrestuarit shprehen: Nuk kemi bukë, kisha uri. Në këtë ushtri të madhe, numri më i madh janë fëmijë me prindër të divorcuar.
-
1 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version
- Fatos Nano drejt PS-së
- Flet astrologia Meri Shehu
- Dashuri engjëjsh
- Sondazhi në "Telegraf"
- Shpallen personalitetet e vitit 2010 në “Telegraf”, Ja më të preferuarit e publikut shqiptar



Publikoni komentin tuaj