“Durrsakë duhet të firmosin kundër importit të plehrave”
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako: “Po shkatërrohen vlerat tona turistike”
Kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako i është bashkuar thirrjes së “Aleancës kundër Importit të plehrave” në vendim tonë duke firmosur “pro” referendumit qytetar, firmat, e të cilit po mblidhen në çdo rreth të vendit. “Aleanca kundër importit të plehrave” ka çelur edhe në Durrës një pikë për firmosjen e formularëve në lidhje me referendumin kundër importit të plehrave në vendin tonë. Me shumë qytetarë durrsakë që kanë nënshkruar kundër importit të plehrave është bashkuar edhe Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, i cili pasi ka firmosur kundër importit të plehrave në vendin tonë deklaroi se, ai do të jetë gjithmonë në mbrojtje të interesave të qytetit dhe qytetarëve të Durrësit dhe se importi i plehrave e për pasojë ndotja mjedisore që shkaktohet prej tyre bien ndesh me këto interesa për më tepër kur dihet që Durrësi është një qytet turistik. Përfaqësuesit e “Aleancës Kundër Importit të Plehrave”, deklaruan gjithashtu se, vazhdon mbledhja e firmave në shumë qytete të Shqipërisë për këtë nismë që mbron interesat e qytetarëve. Në Durrës pika për mbledhjen e firmave për referendumin kundër importit të plehrave ishte vendosur pranë Galerisë së Arteve Pamore “Nikolet Vasia”.
Zoti Dako pse jeni kundër ligjit për importin e plehrave në vendin tonë?
Unë jam kundër importit të plehrave në vendin tonë. Plehrat janë kundër angazhimit tonë për një qytet turistik. Për këtë arsye jam bashkuar me një nismë të tillë qytetare pasi janë qytetarët ata që duhet të pyeten për problemet të tilla madhore madje nismat qytetare duhet të jenë intensive edhe për problemet më të vogla që lidhen me mjedisin sepse vetëm kështu arrijmë ta mbrojmë atë. Ne të gjithë duhet të jemi kundër importit të plehrave në vendin tonë aq më tepër në Durrës si qytet turistik, ku ne si Bashki kemi prioritet zhvillimin e turizmit duke përmirësuar infrastrukturën e natyrisht edhe mjedisin dhe në një qytet, ku është prioritet zhvillimi i turizmit nuk mund të flitet për import plehrash, i cili do të sillte një katastrofë ambientale.
Si e komentoni situatën e krijuar së fundmi me një sërë masash për njësitë vendore për mosmenaxhimin e mbetjeve urbane?
Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, po gjobit kryetarët e njësive vendore, kryetarë bashkish e komunash për ndotje të mjedisit me plehra nga njëra anë ndërsa nga ana tjetër kërkon të sjellë në Shqipëri akoma më shumë plehra të tjera! Kjo është absurde për vetë faktin se Ministria e Mediut nuk po bën asnjë punë, për të sistemuar situatën e rëndë që gjendet në të gjithë vendin, ndërsa kërkojnë që të importojnë plehrat e Europës.
Ju jeni i pari që po i përgjigjeni këtij referendumi ndër qytetarët e Durrësit?
Në fakt do t’u bëja apel të gjithë qytetarëve durrsakë që të marrin me vete kartën e identitetit, e t’i thonë “jo”, kësaj “maskarade” sepse vetëm në këtë mënyrë do të dëgjohet fjala e tyre. Vetëm pasi peticioni me 50 mijë firma të dërgohet në KQZ do të dëgjohet zëri i tyre kundër importit të plehrave. Kjo është një situatë që tregon papërgjegjshmërinë e qeverisë që na drejton.
Zoti Dako, si Kryebashkiak, si e shikoni mungesën e transparencës për këtë projektligj?
Ajo që dua të theksoj është se, përpara se të miratohen të tilla ligje duhet bërë një transparencë deri në detaje. Qeveria pretendon se nga riciklimi i mbetjeve në Shqipëri do të punësojë 100 persona, por dëmi që i shkakton mjedisit dhe banorëve është shumë herë më i madh. Kjo transparencë duhej të ishte bërë me qëllim që të shikohej përfitimi i ekonomisë nga kjo histori, por edhe dëmi që i shkaktohet mjedisit.
Qytetarët: Kjo është gropë e zezë për vendin tonë!
Banorët e qytetit bregdetar shprehen se, janë kundër futjes së çdo mbetjeje në Shqipëri. “Ne si qytetarë duhet t’i themi jo plehrave të Evropës. Ne kemi plehrat tona, që na kanë mbytur të gjithë rrugët, në vend të pastrojnë këto, na sjellin edhe të të tjerëve”, shprehet një qytetar. Ndërsa me kartë identiteti në dorë, kanë vijuar të nënshkruajnë peticionin, një qytetare shprehet “duhet të shikojë se si rrugët e qyteteve janë mbushur nga plehrat dhe qytetet po vuajnë këtë problem. Si ka mundësi që të na sjellin edhe plehrat e të tjerëve? T’i vëmë gishtin kokës sepse kjo është gropa e zezë që po i bëjnë vendit”.
-
1 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version
- Fatos Nano drejt PS-së
- Flet astrologia Meri Shehu
- Dashuri engjëjsh
- Sondazhi në "Telegraf"
- Shpallen personalitetet e vitit 2010 në “Telegraf”, Ja më të preferuarit e publikut shqiptar



Publikoni komentin tuaj