Opinion nga Çlirim Hoxha
Asgjë s’ka ndryshuar këto 21 vjet, Shqipërinë e udhëheqin ish-komunistët
Ju lumtë ish-komunistë të konvertuar në demokrat të tërbuar. Ju e drodhët bukur këto 21 vjet, pasi u hodhët hi syve jo vetëm gjysmës së shqiptarëve, por edhe ndërkombëtarëve, të cilët akoma nuk e kanë kuptuar se me kë kanë të bëjnë.
Sot kujtoni rrëzimin e shtatores së Enver Hoxhës në sheshin “Skënderbej” të Tiranës. Edhe ne e kujtojmë atë ditë kur u përmbys komunizmi nga vet komunistët, të cilëve dikush u fishkëlleu në vesh dhe i udhëzoi që ta dridhnin me shpejtësi dhe të konvertoheshin urgjentisht në demokrat. Ishte kohë rrëmujash dhe momenti për të marrë frenat e situatës në duar. Të përndjekurit, të persekutuarit, ish-pronarët, të internuarit, disidentët ende nuk po e kuptonin se gjithçka kishte marrë fund, por ata nuk po u besonin syve dhe veshëve, ishin të tulatur dhe të trembur dhe u përdorën si mish për top. Ata nuk e kishin haberin se si funksiononte një parti politike. Në fakt kishin të drejtë. Kush i la ata gjatë 50 vjetëve që të mendonin dhe krijonin një forcë tjetër politike?! Kështu që, në krye hipën mjeshtrit e kamuflimit dhe të mashtrimit, hipën komunistët më ekstremistë, ata që kishin dënuar dhe spiunuar dhe dhjetëra koleg dhe qytetar të ndershëm. Hipën ata që vinin nga një parti e vetme politike siç ishte PPSH. Hipën ata që bënin jetë të rregullt organizate, që njihnin në detaje se si funksiononte një parti politike komuniste. Hipën ata që kishin bredhur botën përmes emrit të familjeve të tyre dhe i dinin mirë se ku ishin fijet e tregtisë me jashtë, të diplomacisë etj. Hipën ata që ishin bërë këpusha të Byrosë Politike, që kishin përfituar studime dhe favore me vende goxha të mira pune, hipën të përkëdhelurit e sistemit të kaluar. Këtu nuk dua të heq paralelizëm me ata bijë komunistësh të ndershëm, por jo ekstremistë, që mezi e duronin sistemin e baballarëve të tyre dhe prisnin rastin të shfrenin. Ata nuk u pranuan fare që të afroheshin atje ku ziente kazani i demokracisë së shtirur që drejtohej nga ekstremistët komunistë, që u konvertuan në demokratë të tërbuar ditën me diell.
Shumë teori dolën atëherë për të mashtruar popullin, por teoria më famëkeqe dhe që dikush duhet të mbajë përgjegjësi deri në një për të, ishte: “Ta fillojmë nga kuota zero”. Ose më shkoqur: “I prishni, shkatërroni, grabisni dhe vidhni të gjitha uzinat, fabrikat, kombinatet, ndërmarrjet, fermat, kooperativat etj, sepse do na i ndërtoi bota, do na i ndërtoi rendi i ri demokratik”. Kjo ishte kasaphana që u bë mbi pasurinë 50 vjeçare të këtij populli dhe për shkak të kësaj teorie, sot shumica e shqiptarëve janë pa punë dhe tek buka e gojës?! Sot spiunët e komunizmit drejtojnë shtetin në të gjithë hallkat e tij, pasi kanë ditur të kamuflohen bukur dhe të konvertohen nga komunistë ekstremistë në demokrat të tërbuar. Hall i madh i ka gjetur shqiptarët në këto 20 vitet e fundit. Litarët e ekonomisë po mblidhen, s’ka më dërgesa parash nga emigracioni dhe familjet shqiptare, 20 vjet pas ardhjes së demokracisë janë me lista borxhesh në dyqane, janë tek buka e gojës dhe pa asnjë shpresë, paçka se propaganda qeveritare po e shet situatën e rëndë ekonomike përpara botës si bum zhvillimi, si vendi me nivel të lartë të rritjes ekonomike në Europë. Mjerë o Shqipëri në duart e kujt ke rënë ti?!
Të shkosh sot të vizitosh Muzeun Historik në sallën e Shtypjes Komuniste, duhet më parë të jesh i larë në bindje dhe veprim, të mos kesh bërë asnjë mëkat ndaj cilitdo që ka pasur një qëndrim diametralisht të kundërt me ty, si i përkëdheluri i sistemit të kaluar. Çdo orvatje për tu dukur antikomunisti më i tërbuar që ka parë historia, është veçse një fiasko përpara shqiptarëve dhe botës. Metodat e përdorura deri tani në drejtimin e demokracisë, gjatë këtyre 20 viteve të fundit, kanë treguar implementimin grotesk të sagës së princit të Danimarkës, por në një version tjetër më të çmendur. Qëllimi i vërtetë është pushteti me çdo çmim dhe çdo mënyrë, duke shkelur me këmbë ligjet e demokracisë, duke flakur dhe rimarr përsëri ish-komunistët e zellshëm, dikur të varfër, tani, helbete të pasur. Vetëm kjo nuk është demokraci, por rrumpallë interesash ekonomike e politike, populli le të ngrohet në diell?!
21 vjet më parë u shemb shtatorja e larë me arë e Enver Hoxhës, por për fat të keq demokracia nuk funksionon. Nuk mund të funksionojë një demokraci që udhëhiqet nga ish-komunistët, ngado që ta kthesh atë. Nuk mund të funksionojë një demokraci kur vidhen votat, kur manipulohen ato, kur tragjeditë e ndodhura mbetet pa autor, kur trafiqet orkestrohen nga klane brenda pushtetit, kur monopolet mbysin biznesin e ndershëm, kur gjykatat janë të varura nga pushteti, kur udhëheqësit e shtetit blindohen nga frika e popullit demokrat?! Kjo s’është demokraci, kjo është shkërdhatokraci.
-
1 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version
- Fatos Nano drejt PS-së
- Flet astrologia Meri Shehu
- Dashuri engjëjsh
- Sondazhi në "Telegraf"
- Shpallen personalitetet e vitit 2010 në “Telegraf”, Ja më të preferuarit e publikut shqiptar



Publikoni komentin tuaj