Hyrje | Opinione | Nderim në 100-vjetorin e Dr. Ymer Dishnicës

Nderim në 100-vjetorin e Dr. Ymer Dishnicës

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

Dr. Ymer Dishnica, personalitet i shquar i kapaciteteve të mëdha

 

 

 

 

 


Ai mbeti deri në fund trim dhe i pamposhtur
Personaliteti i madh shqiptar Y. Dishnica, mundi më së fundi të kthehet i lirë në Tiranë në vitin 1995, i lodhur por optimist. I përndjekur, por i pa përkulur nga shtypja e gjatë. Në vitin 1994, me gjithë moshën jo të re, zgjidhet kryetar i Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare të Popullit Shqiptar. I nderuari Y. Dishnica vdiq në gjirin e familjes i qetë dhe i respektuar nga familjarët, të afërmit, miqtë, shokët, veteranët dhe luftëtarët e LANÇ-it më 22.9.1998. Shoqëria shqiptare humbi kështu një njeri emblematik, të edukuar, të shkolluar, të përkushtuar dhe të kulturuar në shkallën më sipërore që do të kujtohet për një kohë shumë të gjatë dhe do të zërë vendin e merituar në panteonin e nderit të kombit shqiptar.
Kush ishte Dr. Ymer Dishnica
Ymer Dishnica (1912-1992), ka qenë një nga figurat më simpatike, më të mençura, më fisnike dhe një nga udhëheqësit kryesorë të LANÇ-it. Ai u lind në fshatin Dishnicë më 21.2.1912, vetëm 4 km afër qytetit të Korçës. Ymer Dishnica është moshatar me pavarësinë kombëtare dhe është bir i denjë i një familje me tradita të shquara atdhetare, e cila i ka dhënë Shqipërisë pesë dëshmorë, përfshi edhe një vëlla të doktor Ymer Dishnicës. Ai është një nga veprimtarët më të shquar antifashistë frankofonë të Shqipërisë. I edukuar në një ambient fshatar, por edhe qytetar, si Korça apo Evropian si Parisi dhe Franca kishte aftësi bindëse të çuditshme. Agjitator i jashtëzakonshëm i tipit të ri antifashist, Ymeri e kuptonte me lehtësi hallexhiun nga fshati, qyteti apo aleatët e huaj. Ai nuk ishte njeri i nënshtruar dhe nuk ndjente komplekse inferioriteti ndaj askujt, sidomos ndaj përfaqësuesve të aleatëve. Me përfaqësuesit e forcave kundërshtare të djathta, doktor Ymeri bisedonte pa kërcënime dhe fyerje dhe ishte në gjendje të kuptonte kompromisin nga nënshtrimi. Ministri i Shëndetësisë i qeverisë të parë demokratike shqiptare ishte gjithashtu anëtar i KQ dhe Byrosë Politike të PKSH, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Antifashist Nacional Çlirimtar, besnik i kauzës antifashiste dhe komuniste dhe bindjeve të tij. Ky personalitet i shquar i kapaciteteve të mëdha, i kalonte përmasat e Shqipërisë, me integritetin e tij intelektual e moral. Në Konferencën e Pezës, Ymer Dishnica, si delegat i PKSH, luajti një rol të rëndësishëm organizativ, sidomos në marrëdhëniet e ndërsjellta me personalitetet nacionaliste. Në Pezë ai u zgjodh anëtar i Këshillit të Përgjithshëm ANÇ të Përkohshëm. Reputacioni i tij ish mjaft i madh, sidomos në rrethet e nacionalistëve si një njeri i ekuilibruar dhe paqësor, që përfaqësonte idetë perëndimore të komunizmit dhe një intelektual i klasit të parë. Ai kish kontakte dhe miqësi me personalitete të tilla nacionaliste si Bahri Omarin, Kol Kuqalin, Ndoc Çobën, Kamber Qafmollën si dhe në Mukje me Mit’hat Frashërin , Hasan Dostin, Hysni Lepenicën, Abaz Kupin, Kol Tromarën, Vasil Andoni etj. Më 2 gusht 1943 Ymer Dishnica në krye të delegacionit të Partisë Komuniste të Shqipërisë nënshkroi Marrëveshjen e Mukjes me Ballin Kombëtar në fshatin Mukje, marrëveshje kjo, që në thelbin e saj ka pasur si qëllim bashkimin e popullit në luftë kundër okupatorit, dhe çështjen e Kosovës, sipas Kartës së Atlantikut, apo respektimit të vullnetit të popujve për vetëvendosjen e fatit të tyre. Kjo marrëveshje u dënua rëndë, si tradhti, nga Enver Hoxha dhe jugosllavët.  Pas Mukjes, ai shkarkohet nga të gjitha postet partiake, si nga Komiteti Qendror apo edhe nga Byroja Politike  Hap pas hapi, në vitin 1947, Ymer Dishnica, shkarkohet edhe nga detyra e ministrit të Shëndetësisë dhe përjashtohet nga Partia Komuniste, duke filluar  punën si mjek i thjeshtë në spitalin e Tiranës. Në vitin 1948, një tjetër goditje jepet për këtë njeri, përjashtimin edhe si anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve, për arsye të mbrojtjes që ai i bëri ideve të Sejfulla Maleshovës dhe figurave të tilla si Fishta e Konica. Më 2 janar 1950, me vendim të posaçëm dëbohet familjarisht nga Tirana për në Berat ku punoi mjek në spital dhe në ambulancën e qytetit. Në vitin 1955, arrestohet dhe dënohet me gjashtë vjet heqje lirie me akuzën për agjitacion e propagandë kundër shtetit. Kontributi i tij rreth 50 vjeçar në fushën e mjekësisë ka qenë shumë i madh. Për dekada të tëra ai i është përkushtuar pacienteve të tij, duke shëruar apo kuruar me mijëra njerëz. Reputacioni i tij në fushën e mjekësisë dhe veçanërisht në specialitetin e tij në patologji, ka qenë i njohur në gjithë vendin.

Ymer Dishnica në Francë
Arsimin fillor e nisi në vendlindje dhe përfundoi në Korçë, ndërsa arsimin e mesëm me rezultate të shkëlqyera e përfundoi në Liceun kombëtar francez të këtij qyteti (1932). Pas kësaj Ymer Dishnica u nis për në Francë ku do të studionte për tetë vjet në Universitetin e Lionit dhe më pas atë të Parisit për mjekësi (1932-1941), duke u lauruar e specializuar për patologji. Y. Dishnica nga natyra ishte njeri intelektual me kërkesa dhe kapacitete të larta kulturore. Ai në ato vite kurrsesi nuk mund të mos vizitonte Tyleritë dhe muzeumin e famshëm të Luvrit si dhe muzetë e shumtë të Parisit dhe qyteteve të Francës, arkitekturën klasike dhe moderne të Francës. Ai vizitoi teatrot dhe galeritë e shumta të arteve të “kryeqytetit të botës”. Paralel me studimet ai nuk mund të mos vizitonte pyjet dhe parqet e rrethinave të Parisit, brigjet e plazhet e lumit Sena etj.. Por ai ishte edhe një militant komunist që i përqafoi idetë e majta në Francën antifashiste e cila ishte ngritur e gjitha në këmbë për të mbrojtur lirinë dhe demokracinë e kërcënuar nga fashizmi italian, ai fankist spanjoll dhe nazizmi gjerman. Në Evropë po frynin erërat e barutit të luftës dhe po buçitnin oshtimat e artilerisë dhe aviacionit. Gjatë qëndrimit në Francë doktori i ri ka qenë për tetë vjet anëtar i PKF dhe drejtues i komunitetit antifashist shqiptar. Gjatë qëndrimit në Francë, së bashku me Nako Spirun, Qamil Çelën, Sejfulla Maleshovën, Dhori Samsurin, Gogo dhe Kozma Nushin e shokë të tjerë, ka organizuar protesta të fuqishme në mbështetje të popullit spanjoll kundër rebelimit fashist të Frankos dhe mbështetjes të vullnetarëve shqiptarë që luftonin në Spanjë si: Mehmet Shehu, Skënder Luarasi, Petro Marko, Mane Nishova, Asim Vokshi, Justina Shkupi që ka punuar spitalet dhe infiermieritë me doktor Betynin e famshëm, “Mjekun e tre kontinenteve” e shumë të tjerë.
Ymeri ka pritur e përcjellë vullnetarët shqiptarë për në front. Të parin ndër ta ai ka takuar Petro Markon e më pas edhe të tjerët.
Aktivist i sprovuar i Grupit Komunist të Korçës
Gjatë ditëve të prillit 1939, kur trupat fashiste italiane pushtuan Shqipërinë, Ymer Dishnica me shokë, emigrantë, punëtorë dhe studentë shqiptarë që bëheshin disa qindra, organizuan manifestime të fuqishme dhe shkruan  pamflete të fuqishme në gazetat dhe revistat e emigracionit shqiptar dhe atij të huaj si dhe botuan në shtypin antifashist francez. Duke qenë një nga aktivistët veteranë të Grupit Komunist të Korçës me kulturë të shëndoshë evropianoperëndimore që mbante lidhje të rregullta me Atdheun, kthehet në Korçë si mjek i kualifikuar por edhe si antifashist me përvojë, hap klinikën e tij mjekësore private para se sa të themelohej PKSh. Në këtë klinikë kryheshin më shumë aktivitete politike antifashiste klandestine dhe takime pune partie me anëtarët e grupeve atdhetare, se sa vizita mjekësore. Kishte filluar LANÇ e popullit shqiptar për jetë a vdekje. Shumë shpejt policia sekrete e pushtuesve ra në gjurmët e aktivitetit politik të doktor Ymerit, kështu ai ishte i detyruar të kalonte në ilegalitet të thellë. Angazhohet në një aktivitet shumë të dendur e të rrezikshëm si kuadër kryesor në veprimtarinë drejtuese të Qarkut të Korçës dhe në këtë kohë u kooptua si anëtar i KQ të PKSH.
Në ballë të luftës
Në Konferencën e Parë ANÇ të Pezës më 16.09.1942, Ymer Dishnica si delegat i PKSh, luajti një rol të rëndësishëm organizativ, sidomos në marrëdhëniet e ndërsjella me personalitetet nacionaliste. Në Pezë ai u zgjodh anëtar i Këshillit të Përgjithshëm ANÇ të Përkohshëm. Ymer Dishnica gjatë kësaj kohe shpalosi fuqishëm të gjithë talentin e kapacitetet e tij intelektuale dhe organizativo-teorike. Në Konferencën e Parë të Vendit të PKSH (1943) u shqua për zotërimin e aftësive oratorike brilante. Më 4.7.1943 në Labinot të Elbasanit, doktori zgjidhet anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UANÇSH.
Mbledhja e Mukjes, “kokë turku”
Në mbledhjen e rëndësishme të Mukjes, në muajin gusht të vitit 1943,  Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi dhe një delegacion i gjerë përfaqësonte forcat e majta dhe Frontin NÇ, kurse Ballin Kombëtar e kryesonte Mitat Frashëri dhe një delegacion po aq i gjerë sa ai i Frontit NÇ. Ata biseduan gjerë e gjatë për problemet e Luftës së përbashkët kundër pushtuesit dhe Shqipërisë etnike, çka binte ndesh me synimet e Miladin Popoviçit dhe Dushan Mugoshës si emisarë të PK Jugosllave dhe J.B.Titos pranë KQ të PKSH që drejtonte Luftën në Shqipëri. Pikërisht për qëndrimin korrekt në këtë mbledhje, u akuzua për oportunizëm dhe u ndëshkua vetëm doktor Dishnica, ndonëse delegacioni i majtë përbëhej edhe nga disa personalitete me shumë influence të LANÇ-it. Ai i qëndroi besnik platformës së miratuar me kohë nga KQ i PKSH. Gjithsesi, LANÇ-i vazhdonte e ky personalitet i mençur dhe i shquar i saj, vazhdonte të militonte, tejet i angazhuar, në organet e LANÇ-it. Ai drejtonte sektorët që i ishin ngarkuar dhe së bashku me mikun e tij të zemrës profesor Sejfulla Maleshova, i jepnin gjallëri dhe hare çdo tubimi apo aktiviteti politik të LANÇ-it me qëndrimin e tyre gazmor dhe intelektual. Në Kongresin e Parë Antifashist Nacional Çlirimtar të Përmetit (maj 1944), u zgjodh anëtar i Komitetit Antifashist Nacional Çlirimtar për shëndetësinë, që kishte atributet e një Qeverie të Përkohshme Popullore. Më 22 tetor 1944, në qytetin e Beratit u emërua ministër i Shëndetësisë i Qeverisë Demokratike të Shqipërisë, e cila hyri në Tiranën e çliruar më 28 nëntor 1944.
Njeri i letrave
Paralel me punët dhe aktivitetin e përditshëm që ishte shumë i ngjeshur sepse në Shqipëri po ngrihej gjithçka nga e para në jetën sociale. Së bashku me profesor Sejfulla Maleshovën, doktor Ymer Dishnica, Dhimitër Shuteriqi, poetin Mark Ndoja, publicistin Shefqet Musarai, shkrimtarin Petro Marko, por edhe me At V. Prenushin, Andrea Xegën, Dhimitër Paskon, Nexhat Hakiun, Sterjo Spasen, Vedat Kokonën, Selaudin Toton etj, një pjesë e të cilëve më pas u burgosën dhe u persekutuan, krijuan për herë të parë në Shqipëri, Lidhjen e Shkrimtarëve dhe morën vendim të botohej revista “Bota e Re”, “Letërsia jonë” etj. Kjo bashkësi ishte me prejardhje jo vetëm nga PKSh dhe LANÇ por dhe nga e majta sepse deri atëherë ishte treguar një qëndrim sektar, çka ishte e vërtetë. Pikërisht ato ditë, Sejfulla Maleshova së bashku me doktor Ymer Dishnicën, pritën deri në mesnatë, në sallën e kinema Kosovës, shkrimtarin sovjetik me famë botërore Ilia Erenburg, të cilin e shoqëronte dramaturgu frëngjisht folës Hetem Haxhiademi. Por kjo shkëndijë demokracie dhe lirie sociale siç ishte Lidhja e Shkrimtarëve të Shqipërisë, Sindikatat apo Bashkimet Profesionale, Shoqata e Miqësisë Shqipëri-Rusi e cila fillimisht kishte kryetarë: Zëvendëskryeministrin shqiptar gjeneral lejtenat Koçi Xoxe, anëtarin e Byrosë Politike Nako Spiru, Hysni Kapo, Tuk Jakova e të tjerë, u mbyt shumë shpejt nga regjimi diktatorial.
Njeri me integritet të admirueshëm intelektual dhe moral
Dr.Ymer Dishnica ishte i pa pajtuar me diktatorin. Me Enver Hoxhën, divergjencat e doktor Dishnicës kishin filluar shumë herët dhe ishin të papajtueshme. Diktatori njerëzit si personalitetet e tipit të Y.Dishnicës, me një integritet dhe pavarësi mendimi shembullore, nuk mund t’i duronte si bashkëpunëtorë, ndaj edhe i eliminoi apo i sakatoi fizikisht një nga një, por nuk mundi kurrë t’i mposhtë moralisht as atëherë kur i burgosi për një kohë të gjatë apo i pushkatoi fizikisht. Doktor Dishnica si rezultat i aktivitetit të tij të jashtëzakonshëm antifashist dhe luftarak, ka qenë i zgjedhur deputet i Kuvendit Popullor që në legjislaturën e parë dhe i nderuar me shumë dekorata urdhra dhe medalje të RPSH dhe të vendeve të tjera aleate.

Subscribe to comments feed Komente (0 publikuar):

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj comment

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

  • Plain text 1 - Here eshte lexuar ky Artikull
  • email Email shokeve
  • print Print version
Vlereso kete artikull
0