Hyrje | Opinione | Opinion nga Daut Gumeni

Opinion nga Daut Gumeni

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

Na mbuloi e na zbuloi bora

 

 

 

 





Kishte shumë vite që nuk binte tek ne një borë kaq e rëndë. Bora e këtij shkurti arriti deri në katër metra, në disa pjesë malore të vendit. Është e natyrshme që, në këtë mot kaq të ashpër, të ndeshen me vështirësi jo vetëm zonat e varfra të maleve. Është e natyrshme që, me një borë kaq të rëndë, të vështirësohet qarkullimi jo vetëm në rrugët e humbura të fshatrave të largëta, por edhe qarkullimi në rrugët kombëtare.
Por nuk është aspak e natyrshme që strukturat  përkatëse për mbajtjen hapur të rrugëve në dimër, të gjenden pa gatishmërinë për të cilën paguhen. Është e panatyrshme dhe e pafalshme që në rrugët, ku dihet që dimri hedh borë, të mos jenë në gatishmërinë e nevojshme e nëpër vendet e caktuara nga specialistët dhe në numrin e duhur borëpastrueset, apo mjetet e tjera, që mbajnë rrugët të hapura pavarësisht tekave të motit.
Sikurse është po aq e pafalshme për banorët që “i kanë zënë vendin borës”, të gjenden aq të papërgatitur, sa të mos kenë as rezervat minimale ushqimore për stinën e dimrit. Është e pafalshme që banorët e zonave të borës, të presin t’u mësojë pushteti edhe se duhet të marrin një stap të gjatë për të hequr borën nga çatitë e shtëpive të tyre(!)…
Aq më e pafalshme është për pushtetin vendor të zonave me dimër të ashpër, që t’i gjejë dimri aq të përgjumur, sa të ngrenë duart me borën e parë dhe të kërkojnë ndihmën e pushtetit qendror edhe për të hapur rrugët e qytetit të tyre, rrugët midis qytetit dhe fshatrave dhe rrugët që lidhin fshatrat me njëri-tjetrin e deri tek rrugët brenda fshatit. Se ata banorë i kanë zgjedhur pushtetarët e tyre vendorë për t’i qeverisur edhe në kohë të vështira, pra edhe kur bie borë e rëndë e jo vetëm për t’i vënë dollibashë në krye të dasmave…
Por është shumë herë më e pafalshme  për pushtetin qendror të këtij vendi, kur gjendet aq i papërgatitur përpara situatave të tilla të motit, si bora e rëndë e këtij shkurti, sa të hutohet  dhe të përpiqet ta përballojë gjendjen duke udhëzuar qytetarët që “të heqin borën nga çatitë”, apo “ të ndezin zjarrin” dhe ta mbajnë veten me përrallat që u tregon pushteti për “futjen e gjuhës kineze nëpër shkolla si gjuhë e dytë”, apo për “operacionet  më të mëdha në historinë e Shqipërisë për ndërhyrjen emergjente” të kësaj qeverie, që nuk pranon të bëjë asgjë normale, sepse i ka të gjitha realizimet e veta “më të mëdhatë në histori” e “më të padëgjuarat në botë”(!)…
 Nuk i falet një pushteti, që paaftësinë e vet kërkon t’ia faturojë motit e Zotit dhe  shpall  “gjendjen e fatkeqësisë natyrore” ( një term i shpikur  mbase nga “aftësia e jashtëzakonshme e shqiptarëve për të mësuar gjuhë të huaja”),dhe, në të njëjtën kohë i “siguron qytetarët shqiptarë se gjendja është nën kontroll” dhe se është ngritur “Shtabi i Emergjencave” për “koordinimin e masave në përballimin e situatës”, a thua se ky lloj pushteti kujtohet për të qeverisur, vetëm kur bllokohet vendi nga bora apo kur çahen qiejt e përmbytet gjysma e vendit (!)..
Se nuk e kam kuptuar dot kurrë, përse duhen ngritur këto lloj sajesash si “Shtabi i Emergjencës”, kur qeveria duhet të bëjë punën  e vet gjithë kohës që ka mandatin e qytetarëve? Dhe, sado e hidhur që është, më duhet ta pranoj se ky lloj pushteti merret me sajesa të tilla si “Shtabi i Emergjencave”, sepse nuk ka lidhje me qeverisjen punëve të vendit, sepse nuk ka mandatin e qytetarëve për t’i qeverisur, sepse është aty me votën e vjedhur të qytetarëve dhe nuk është për të qeverisur punët e vendit e hallet e qytetarëve, por është i zënë vetëm me punët e veta.
Sepse ky lloj pushteti, edhe kur vendin e ka zënë bora  e madhe e këtij shkurti të rrefkët, është i zënë vetëm me hallin e vet të përhershëm , ky lloj pushteti është i zënë me stratagjemat e radhës për vjedhjen e zgjedhjeve që vijnë. Sapo vjen në fuqi me vota të vjedhura, ky lloj pushteti është i zënë vetëm me marifetet e reja që do të përdorë për vjedhjen e zgjedhjeve të radhës.
Se, po të mos ishte aq shumë i zënë me planet për vjedhjen e zgjedhjeve të radhës, nuk do të kishte nevojë të namatiste opozitën, edhe kur ka shpallur vetë gjendjen e jashtëzakonshme, që përpiqet më kot me atë “aftësinë e rrallë të shqiptarëve për të mësuar gjuhë të huaja” të na e emërtojë më eufeminë “gjendje e fatkeqësisë natyrore”, eufemi që nuk ekziston në terminologjinë zyrtare të këtij vendi.
Po të mos ishte aq i zënë me komisionet e gatshme të manipulimit industrial të zgjedhjeve të radhës, as ky palo pushtet nuk do të na deklaronte në jerm se dhe borën e madhe që ka zënë rrugët anembanë vendit do të na e shkrijë me vetëlëvdatat e pushtetarëve, që sot na thonë në ekrane se ‘RRUGËT JANË TË LIRA” e nesër na mbetet prefekti në bore, se “rruga është e pakalueshme”(!)…
Sepse ky lloj pushteti aq i dashuruar pas ekraneve televizive, na deklaron se është vënë në veprim reparti i helikopterëve dhe pastaj del që dhe helikopterit iu desh të priste tri orë për makinat e rezervave të shtetit, madje dhe kur shkoi në vend për të dërguar ndihmat në ca kuti të shqyera si kutitë e shkalafitura të zgjedhjeve për bashkinë e Tiranës, aty nuk doli njeri për t’i marrë (!) Se i tillë është organizimi i punëve nga një pushtet, që di të organizojë mirë vetëm mënyrat “demokratikase” të vjedhjes së zgjedhjeve. Prandaj dhe ato kuti të ndihmave me sapun Rrogozhine, ishin të shqyera keq si kutitë e votave , që vjedh ky lloj pushteti për të rrënuar jo vetëm zgjedhjet, por dhe vetë qeverisjen normale, demokracinë funksionale dhe shtetin e të drejtës në këtë vend të vuajtur.
Nuk është kurrë i gatshëm ky lloj pushteti për të përballuar tekat e motit, sepse nuk përgjigjet për qeverisjen e punëve të vendit dhe për interesat e vendit e për interesat e qytetarëve, por përgjigjet vetëm për interesat e pushtetarëve dhe për ndarjen e përçarjen e shoqërisë në tifozë të pushtetit (edhe ata të keqpërdorur) dhe në armiq të pushtetit. Ky lloj pushteti nuk është kurrë i gatshëm për të përballuar trillet e motit dhe dëmet që sjellin ato, sepse është i gatshëm vetëm për të ndarë qytetarët e këtij vendi në një çetë hajdutësh të pasuruar brenda natës dhe në një popull të tërë të vjedhur e të varfëruar nën sundimin e këtij pushteti.
Ja pse, për këtë lloj pushteti opozita është armike. Edhe kur përpiqet të ndihmojë qytetarët e bllokuar nga bora, opozita për këtë pushtet përpiqet të “krijojë shtet paralel”, në një kohë që shtetin e ka rrënuar me kohë vetë ky lloj pushteti. Edhe kur opozita përpiqet të vërë në dukje mangësitë e këtij pushteti në qeverisje, ai e shpall “antikombëtare dhe antidemokratike”. Sepse ky lloj pushteti e do opozitën fasadë të vetën, e do vetëm për të luajtur me opozitën atë lojën qesharake “Ma ftohe gomarin, ma dogje gomarin!”…Sepse ky lloj pushteti është trashëgimtari më besnik i diktaturës dhe nuk mund ta konceptojë dot një opozitë reale . Sepse nuk e koncepton dot një demokraci funksionale, por rreket të vërë në skenë një shfaqje demokratikase, sa për të gënjyer njerëzit e lodhur nga pushteti dhe miqtë e huaj të prenotuar nga ky pushtet.
Mjafton të përmendim  vetëm dallimin midis pjesës kosovare dhe pjesës tonë në rrugën e re që shkon në Prishtinë dhe e merr vesh edhe tifozi më i dehur i këtij pushteti se sa të drejtë kanë pushtetarët tanë, kur ia hedhin borës fajet e veta. Mjafton të kujtojmë se në Dukagjinin e mbytur në mbi dy metro bore, u dërguan vetëm 40 pako ndihma , kur janë nën borën e rëndë 800 familje dhe pastaj e kupton edhe tifozi më i krisur i këtij pushteti se sa të drejtë kanë pushtetarët tanë aktualë  kur ia hedhin borës dhe fajet e tyre.
Mjafton të kujtojmë për tifozët  e dehur nga deklaratat televizive të pushtetarëve aktualë, të kujtojmë që në përmbytjet e zonës fushore të Shkodrës e Lezhës, pushteti ynë nuk dëgjoi as ekspertizën holandeze, sepse “nuk ekzistonte fakti” e sepse doli që “përmbytjet nuk përbënin provë gjyqësore, pasi nuk kishin shpërthyer me lejen përkatëse të parashikuar në ligj”…Dhe e kuptojnë dhe tifozët e shkretë tok më shqiptarët e tjerë se përmbytjen janë përmbytje , edhe kur shpërthejnë “pa leje shpërthimi nga gjykata”. E kuptojmë të gjithë tok se, po na gjetën përsëri të papërgatitur  përmbytjet , pushteti aktual do t’ia hedhë fajin shiut e borës, motit e Zotit, se pushteti është gjithmonë i pafajshëm, edhe për gjëmat që i bie me duart e tij të pista këtij vendi e këtij populli…
Bora e rëndë e këtij shkurti me fyfa në fyt, na mbuloi vendin  e na zbuloi fytyrën e vërtetë të këtij pushteti. Na e zbuloi sheshit fytyrën e këtij lloj pushteti edhe për miqtë e tij të prenotuar në institucionet ndërkombëtare e na e zbuloi sheshit atë fytyrë edhe për tifozët  e tij më të përvëluar. Sa për shqiptarët e thjeshtë, që e nxjerrin jetesën me aq vështirësi e duke u ndeshur përditë me “modelin“ qeverisës  “më të mirë në botë” të këtij palo pushteti, nuk kanë pritur t’ua zbulonte fytyrën e vërtetë të këtij pushteti bora e këtij shkurti, që mbuloi rëndë gjithë vendin dhe zbuloi keq pushtetin në sytë e gjithë botës. Se është vetë ky palo pushtet, që me zullumet e tij të panumërta e të padëgjuara në kontinentin tonë, e tregon fytyrën e tij të vërtetë , sikurse tregon edhe që është në grahmat ë tij të fundit.

Subscribe to comments feed Komente (1 publikuar):

Demir Ushtelenca ne 24/02/2012 20:32:52
avatar
Respekte i nderuari Gumeni. Jam plotesisht me Ju e mendimet Tuaja.Kaloi rradhen komunizmi mizor i Hoxhes e fatkeqesisht na ka zene per gryke komunizmi i degjeneruar i Berishe "kardiologut". Por i dashtun mik i nderuar do i durojme edhe pak variantet e komunizmit mizor, i degjeneruar etj). Shkofshin ne theqafje keto djaj te erresires. Lavdi zotit qe ekzistojne akoma njerez si zotnia Juaj. Qenia e personave te nderuar si Ju zotni Gumeni, na jep shprese e na ngroh zemrat . Qoft i shpejte fundi i ketyre alabakeve qe kane uzurpue dhe turperue botnisht shtetin e shqiptareve. Zoti ju falte shendet i nderuemi zotni Gumeni.
total: 1 | Treguar: 1 - 1

Publikoni komentin tuaj comment

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

  • Plain text 1 - Here eshte lexuar ky Artikull
  • email Email shokeve
  • print Print version
Vlereso kete artikull
0