Naço: “Nuk ka zona minerare, që haptazi cilësohen tejet të rrezikshme”
Ministri Nasip Naço u përgjigjet pyetjeve të deputetëve të PS-së lidhur me situatën në minierën e Bulqizës
Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço, u është përgjigjur pyetjeve të një grupi deputetësh të Partisë Socialiste, lidhur me situatën në minierën e Bulqizës dhe atë të Elbasanit. Më poshtë gjeni pyetjet dhe përgjigjet:
Sa janë minatorët që kanë humbur jetën në galeritë e minierave nga viti 2000 e deri më sot?
Sipas regjistrit të aksidenteve të mbajtur në institucionin e RISHM, rezulton se, nga viti 2000 deri në 2011-n rastet e aksidenteve dhe të humbjes së jetës gjatë veprimtarisë minerare janë dhënë në tabelën e mëposhtme.
Cili është aktiviteti ekonomik i ACR-së nga viti 2000, kur është regjistruar për herë të parë si person juridik deri në vitin 2007, kur filloi biznesin e mineralit të Bulqizës?
Shoqëria “Albania Chrome”sh.p.k gjatë kësaj periudhe referuar ekstraktit të QKR ka pasur si objekt pune veprimtarinë minerare.
Sa është vëllimi i eksportit të mineralit të kromit apo ferrokromit në ton dhe në vlerë?
Eksporti i kromit përbën 53-55 % të eksportit në natyrë të mineraleve ( që varijon nga 350 -460 mijë ton në vit) ose në vlerë 65-70% që varijon (90-110 milionë USD).
A ka filluar të hapet zona veriore e Minierës së Kromit Bulqizë? Sa është avancuar drejt thellësisë dhe kur përfundon hapja e saj?
Janë bërë disa përgatitje paraprake në lidhje me hapjen e thellësisë si, shpime sonde për verifikimin e strukturave shkëmbore të thellësisë ku do të kalojë pusi, hapja e galerisë në nivelin 16 për krijimin e unazës së oborrit të pusit që do të shkojë në thellësi, hapja dhe përgatitja e sallës së makinës ngritëse në nivelin e 14 për hapjen e pusit të thellësisë. Është hapur furneli i alimakut dhe është porositur makina ngritëse për pusin e thellësisë.
Sa është fitimi i deklaruar i koncesionarit kryesor në Bulqizë?
Mbështetur në nenin 3, të ligjit nr. 8503, datë 30.06.1999 “Për të drejtën e informimit për dokumentet zyrtarë”, ju informojmë se institucioni, i cili ka objekt të tij kontrollin e veprimtarisë financiare të shoqërive tregtare në Shqipëri është Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, e cila mund t’ju informoj saktësisht dhe zyrtarisht mbi fitimin e shoqërisë “Albania Chrome” sh.p.k. Ose mund t’i referoheni faqes zyrtare të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, e cila publikon bilancet e miratuara të shoqërive tregtare.
Sa serioz është rreziku që Bulqiza të shkatërrohet për shkak të mungesës totale të investimeve kapitale?
Në aspektin e rrezikshmërisë së qytetit të Bulqizës, aktiviteti minerar nuk ndikon tek ndërtimet apo infrastruktura e tij. Për sa i përket investimeve kapitale në minierën e Bulqizës nuk ka ndonjë rrezik evident për jetën e punëtorëve.
Sa është numri total i subjekteve të licencuara që shfrytëzojnë pasuritë minerare të kromit të Bulqizës?
Numri total i subjekteve që operojnë për shfrytëzimin e mineralit të kromit në Bulqizë është 104, prej të cilave 91 leje minerare shfrytëzimi dhe 13 leje minerare kërkim-zbulimi.
Sipas raporteve që dispononi, afërsisht sa ton mineral përbën tregu i mineraleve që eksportohet?
Eksporti në natyrë i mineraleve përbën rreth 600 mijë ton.
-Cilat janë kushtet e punës së minatorëve?
Nga viti 2006 e në vazhdim janë bërë përmirësime të dukshme për sa i përket plotësimit të kushteve të punës së minatorëve siç janë ndërtimi i kompleksit higjieno - sanitar (dush, garderoba) dhe shërbimi mjekësor, pajisja me mjete mbrojtëse individuale të certifikuara, aplikimi i shpimit të lagur për eliminimin e pluhurave në frontet e punës në nëntokë, përdorimi i armatimeve në të gjitha punimet minerare që po hapen, heqja e shpërthimit të minave me flakë të hapur dhe zëvendësimi nga plasjet me fitila me plasje elektrike, e cila rrit sigurinë dhe plotëson kërkesat e sigurisë në punë. Në subjektet e tjera të licencuara është punuar dhe po punohet për përmirësimin e kushteve të punës së punëtorëve si në drejtim të transportit, trajtimit të tyre dhe rritjen e kushteve të sigurisë në punë. Ngelet akoma për të punuar në këtë drejtim, por ne jemi duke bashkëpunuar edhe me sindikatat për këtë qëllim.
Sot që po flasim, a ka ndonjë zonë që haptazi cilësohet si tejet e rrezikshme?
Të gjitha zonat janë kontrolluar që nga momenti i miratimit të projektit fillestar dhe në vazhdimësi gjatë zbatimit të tij. Zonat në të cilat janë dhënë leje janë jashtë zonave të rrezikshme të përcaktuara nga studimi i AKBN i hartuar në vitin 2008 dhe të miratuara në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 347 datë 29.04.2011. Në kuptimin që është shtruar pyetja nuk ka zona “që haptazi cilësohen tejet të rrezikshme”, por për zonën D në Bulqizë, e cila aktualisht është e mbyllur, është kërkuar nga ana jonë të merren të gjitha masat për të përmirësuar kushtet e punës.
-
1 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version
- Fatos Nano drejt PS-së
- Flet astrologia Meri Shehu
- Dashuri engjëjsh
- Sondazhi në "Telegraf"
- Shpallen personalitetet e vitit 2010 në “Telegraf”, Ja më të preferuarit e publikut shqiptar



Publikoni komentin tuaj