Hyrje | Opinione | Opinion nga Daut Gumeni

Opinion nga Daut Gumeni

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

Fatin e bën i zoti

 

 

 






Tërbimi i pushtetit aktual me rezultatet e ekspertizës së FBI-së për krimin shtetëror të 21 janarit, ka arritur deri aty sa t’u hedhë të vrarëve edhe përgjegjësinë e vrasësve dhe e urdhëruesve të atyre vrasjeve. Kësaj skote pushtetarësh i ka plasur delli i ballit dhe janë verbuar aq keq nga frika mos japin një ditë llogari për zullumet e veta, sa po lemerisin jo vetëm shqiptarët me revanin e tërbuar që kanë marrë kundër zbulimit të së vërtetës, por po ia nxijnë faqen këtij vendi në sytë e të gjithë botës.
Jo vetëm fjalori kutërbues i pushtetarëve që t’i bie zorrët në gojë, por pushtetarët aktualë të Tiranës janë duke marrë zvarrë rregulla, norma, ligje, e vetë Kushtetutën e vendit dhe pastaj duan t’u mbushin mendjen  shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve se këto hynere të padëgjuara na i bëkan në emër të mbrojtjes së ligjit e të rendit, në emër të mbrojtjes së institucioneve kushtetuese e, në fund, dhe në emër të Kushtetutës(!)
Mjafton të shihet se si i ngrenë pushtetarët aktualë komisionet hetimore të Kuvendit dhe kuptohet vetiu se sa i vërtetë është përgjërimi i këtyre pushtetarëve ndaj ligjit e ndaj rendit e ndaj vetë Kushtetutës. Në të gjithë botën e qytetëruar, ku qeverisin ata që zgjedh populli dhe nuk sundojnë ata që vjedhin e rrëmbejnë votën e popullit, komisionet hetimore janë kryesisht një e drejtë e opozitës, në mënyrë që maxhoranca qeverisëse të mos mundet ta kthejë qeverisjen në regjim. Tek ne , kjo e drejtë nuk i njihet fare opozitës nga kjo maxhorancë, sepse për këtë lloj maxhorance, të stisur me parafabrikate të ndërmarrjes së manipulimit industrial të zgjedhjeve, opozita është “armike e demokracisë”, siç ishte dje “armike e popullit dhe e Partisë”. Tek ne, ngritja e komisioneve hetimore të Kuvendit urdhërohet nga pushteti ekzekutiv dhe zbatohet me ngut e me frikë nga Kuvendi i Rruzhdies. Zbatohet aq me ngut e me frikë, sa ngrihen dhe komisione hetimore kuvendore një-partiake, që na nxjerrin mallin e  atyre komisioneve të dikurshme të “klasës punëtore”, që merrnin në raport edhe kuadrot e lartë, vetëm se kishin parë në ëndërr sikur kishte zënë gripi “udhëheqësin kryesor”. Dhe masa e parë ndaj tyre ishte “të shkonin në prodhim për të mësuar nga përvoja e klasës”, pastaj shtyheshin ca më poshtë në një qendër internimi e më në fund, përfundonin në dënim me burg si “pjesëtarë i një grupi armiqësor“, apo “antiparti”. Mjafton të shikohet se si ka nisur komisioni hetimor kuvendor kundër nënkryetarit të KLD-së, z. Kreshnik Spahiu, dhe del qartë sesa merak kanë për ligjet e këtij vendi, apo për ligjet që votojnë dhe vetë, pushtetarët aktualë. Edhe pse e dinë që anëtarin e KLD-së mund ta shkarkojë vetëm KLD-ja, juristët militantë të këtij pushteti, nuk zbatojnë ligjin, por urdhrin e dalë nga qeveria. Ec pastaj e vëri faj po deshe asaj përgjegjëses së mjeteve sanitare në shërbimet  qeveritare të Vlorës, kur deklaron sheshit në media se “As nuk më duhet fare vendimi i gjykatës, pasi unë zbatoj vetëm urdhrat e qeverisë”(!)... Dhe nuk ka si të mos mendojë njeriu i shkretë se ky verbim i pushtetit për të shkelur dhe ligjet, vetëm për të shkarkuar nënkryetarin e KLD-së, nuk është vetëm frikë nga rritja e pandalshme e Aleancës Kuq e Zi, por edhe zhgënjimi i pushtetit me qëndrimin e z. Kreshnik Spahiu – të planifikuar ndoshta për t’ia kundërvënë Presidentit të Republikës, në çdo rast që kryetari i shtetit nuk do zbatonte direktivat e partisë së tij, edhe përpara Kushtetutës.  Pastaj është gatishmëria e deputetëve të opozitës, që pranuan me dinjitet të zhvishen nga imuniteti dhe të shkojnë në prokurori për të ndihmuar me aq sa munden në zbardhjen e krimit shtetëror të 21 janarit 2011. Kjo gatishmëri e deputetëve Baraj, Balla dhe Doshi për të ndihmuar hetimet e prokurorisë si qytetarë të thjeshtë pa imunitet parlamentar, duket se i ka trembur keq urdhëruesit e vrasjeve të 21 janarit. I ka trembur se mos u vjen radha të heqin dorë nga imuniteti dhe të përgjigjen përpara ligjit për atë krim të pashembullt në Europën e ditëve tona. Pas përgjigjes me kuraje qytetare të nënkryetarit të KLD-së ndaj shkeljeve ligjore dhe kërcënimeve të pushtetit, gatishmëria e deputetëve të opozitës për të votuar dhe vetë për heqjen e imunitetit të tyre, deklaratat e ambasadorëve të Shteteve të Bashkuara, të BE-së, të Danimarkës, si kryesuesja e radhës e BE-së, të Britanisë së Madhe, të Gjermanisë, e të Mbretërisë së Holandës, për të përmendur më aktivët prej tyre, e kanë shtuar pështjellimin e pushtetarëve aq tepër, sa po përpiqen të mos njohin as ekspertizën e FBI-së. Jo vetëm që nuk i kanë mehur sulmet personale ndaj një zonje që, për fatin e saj të keq, është Prokurore e Përgjithshme e Republikës në një kohë kur dhe prokurorin e bën pushteti, por sulmojnë pa reshtur Prokurorinë dhe përpiqen ta shpien dëm punën e organit të akuzës, me anën e gjykatësve të trembur, të blerë apo militantë partiakë. Në këtë vorbull të krijuar nga vrasjet e qytetarëve të pafajshëm me armët e Gardës së Republikës e me urdhër të pushtetit, Shqipëria jonë e varfër duket e përfshirë në përplasjen midis dy botëve, siç ka qenë në tërë historinë e saj të gjatë në kufi midis perandorive. Nga njëra anë janë përpjekjet e një mendimi të ri në radhët e të majtës shqiptare, për ta kthyer dhe të majtën tonë të sëmurë në pjesë të natyrshme të socialdemokracisë bashkëkohore europiane. Janë përpjekjet, deri tani embrionale, të  atyre pjesëtarëve të së djathtës normale për të shpëtuar çka mbetur e për të shpëtuar ç’të mundin nga e djathta jonë, e marrë aq gjatë peng nga skalioni i besnikëve fanatikë të Partisë së Punës. Janë shpresëdhënëse përpjekjet entuziaste të një rinie atdhetare, që ka marrë përsipër barrën fisnike të japë vrullin e vet për të rinuar politikën në mbarë trojet shqiptare. Përballë kësaj bote po ngulmon për të mbetur në pushtet dhe me demokracinë siç qe në pushtet me diktaturën, një skotë e tërë demagogësh pa skrupuj, mashtruesish e grabitqarësh ordinerë më tepër se politikë, që janë majmur e majmen dhe sot e këtë ditë me mjerimin e Shqipërisë e të shqiptarëve. Mjafton të vihet re se në radhët e para të kësaj  skote janë të rreshtuar krah për krah me pushtetarët aktualë edhe shumica e ish-kryeministrave socialistë me taborin e kanakarëve të tyre të qelepireve në këto dy dekada të komunizmit të dytë dhe del qartë se kjo skotë pushtetarësh nuk kanë as parime, as flamur e as parti politike, por kanë vetëm një synim: Të pasurohen me çdo mjet e me çdo çmim. Të pasurohen me pronat e të tjerëve dhe me pronat e me paratë publike. Të pasurohen duke vjedhur pasuri, për të vjedhur votat në zgjedhjet e radhës, pastaj, me vota e vjedhura, të pasurohen më tej më pronat e të tjerëve dhe me pronat e me paratë publike, pastaj me ato para të vjedhura të blejnë dhe miq për pushtetin, aty ku munden e aty ku u duhen, duke krijuar kështu një lloj regjimi gjithnjë e më të ngjashëm dhe më të lidhur me mafien e me krimin e organizuar. Këtij lloj regjimi i shërbejnë edhe vizitat turistike, që bëjnë pushtetarët tanë me paratë e shqiptarëve të varfër, vetëm për të gënjyer më shumë veten e tyre se, shqiptarët, në një kohë që bota e qytetëruar i ka izoluar këta lloj pushtetarësh. I ka izoluar se vrasin qytetarët e tyre si diktatori gjakësor i Sirisë dhe duan të gënjejnë veten e shqiptarët e ndërkombëtarët se vrasësit janë “heronj” dhe urdhëruesit e vrasjeve na qenkan “burra shteti”(!)... Por nuk i gënjejnë dot më as shqiptarët e as ndërkombëtarët. Gënjejnë vetëm veten dhe hyjnë më thellë në rrugën e krimit, kur përpiqen aq verbërisht të fshehin gjurmët e krimit të shëmtuar të 21 janarit 2011. Se më 21 janar 2011, vrasjet e qytetarëve të pafajshëm e me duar në xhepa përpara  godinës së pushtetit e në mes të ditës dhe në mes të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, i treguan botës se kjo Shqipëria jonë ka njëqind vjet që bën kurban shtetin në themelet e përgjakura të pushtetit. Dëshmorët, që ranë më 21 janar nga armët e pushtetit të trembur prej popullit të vet, i treguan mbarë botës se kjo Shqipëria jonë ka 100 vjet e kthyer në shtëpi pushimi për tiranët. Ka 100 vjet e kthyer në shtëpi pushimi për ata tiranë, që na i quajnë dhe “burra shteti” ata që e duan Shqipërinë kurban të stabilitetit. Kurban të një stabiliteti të përkohshëm, që pastaj e paguajnë përsëri shqiptarët, edhe kur prishet ai stabilitet i rremë. A mos u dashka që Shqipëria dhe interesat jetikë të shqiptarëve të mbeten gjithnjë  si cjapi i shushavës, vetëm për hir të një stabiliteti me themele në rërë?  Mos u dashka që edhe në shekullin e 21-të, kur të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë flamuri i bukur i përparimit, ne shqiptarët të bëjmë kurban dhe demokracinë për hir të një stabiliteti të mbajtur me furka të kalbura dhe të ç’qeverisemi nga ca pupacë pushteti, që kanë mëri edhe ngjyrat e Flamurit tonë Kombëtar? Jo e prapë jo! Stabiliteti rajonal e botëror është në radhë të parë përgjegjësi e perandorive rajonale e botërore dhe jo e Shqipërisë së vogël dhe e shqiptarëve të varfër. Se Shqipëria dhe shqiptarët kanë nevojë për demokraci normale, si për ajër, për ujë e për bukën e përditshme. Se Shqipëria dhe shqiptarët kanë nevojë për miqësi të sinqertë me të gjithë – duke filluar nga aleatët tanë strategjikë, si Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja, e deri në shtetin më të vogël ishullor të Paqësorit. Kanë nevojë për paqe e për zhvillim në liri shqiptarët dhe jo për regjime sundimtarësh të sëmurë, që na duan të na i shesin dhe si yje të këputur(!) Shqipëria dhe shqiptarët kanë nevojë për shtetin e të drejtës dhe jo për të garantuar privilegje dhe pasuri për ca yje prej letre, që nuk ngrihen dot në qiell, po vetëm sa lëvrijnë në politikën e pistë shqiptare aq sa u mban bateria dhe pastaj zhduken në humbëtirën e harresës së historisë si të gjitha gjërat e stisura  nga ligësia njerëzore.. Se shqiptarët kanë nevojë për miq të Shqipërisë e të demokracisë dhe jo për miq të pushtetit e për sekserë të regjimeve. Se shqiptarët janë lodhur duke qëndruar më bërryl të erërave, janë lodhur shqiptarët dhe Shqipëria jonë duke mbetur përherë në kufi të perandorive e në kufi të botëve të kundërta. Ja pse më duket e udhës që, për fatin tonë, për zhvillimin tonë, për demokracinë tonë e për lirinë tonë, na duhet të përgjigjemi vetë, edhe kur kemi miqtë e mëdhenj që fatmirësisht kemi sot. Të mëdhenjtë e kësaj bote, edhe kur janë miqtë tanë, kanë përgjegjësi më të mëdha se përgjegjësitë tona. Nuk do na i marrin përsipër miqtë edhe detyrat tona qytetare. Populli nuk thotë kot: “Fatin e bën i zoti”.

Subscribe to comments feed Komente (3 publikuar):

Rrema ne 08/02/2012 20:00:10
avatar
E degjuat liljana hoxhen qe ne nje interviste ne ABC tha qe me berishenkemi qene miq çfare pret me nga ky komunist
gjakatar
Erjon Gjergji ne 07/02/2012 08:55:40
avatar
Flale me vend nga nje ish i burgosur i vertete i ndergjegjes nga diktature e ish-sekretareve te PPSH-se, te cilet tani diktojne vullnetin e tyre ne krye te pushtetit diktatorial postkomunist.
Dorian Keta ne 07/02/2012 08:26:21
avatar
Pershendetje o bilbil i te perndjekurve politke nga diktatura e Enver Hoxhes, Daut Gumeni per fjalet e arta qe thua, por kush te degjon? Ish sekretaret e PPSH-se jane gati me mire t'u pritet koka se sa te leshone pushtetin qe e kane kapur me duar, kembe e dhembe.
total: 3 | Treguar: 1 - 3

Publikoni komentin tuaj comment

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

  • Plain text 1 - Here eshte lexuar ky Artikull
  • email Email shokeve
  • print Print version
Vlereso kete artikull
5.00