Opinion nga Qemal Lame
Europa, më e konsoliduar me njësimin e buxhetit
Marrëveshja për buxhetin në Eurozonë përbën një masë me rëndësi për forcimin e sistemit financiar europian dhe zgjidhjen e krizës së borxheve shtetërore. Ndërsa për bashkësinë në tërësi, kjo dëshmon për forcimin e mëtejshëm të institucioneve qendrore të Bashkimit Evropian. Buxheti dhe monedha e përbashkët Euro, që simbolizon bashkimin dhe forcën ekonomike europiane, marrin një vlerësim më të madh dhe institucionalizim më të gjerë. Politika e koordinuar fiskale dhe rregullat e njëjta për buxhetin, i japin më shumë kompetenca qeverisjes ekonomike të bashkësisë dhe rrisin përgjegjësinë e shteteve anëtare për respektimin e tyre në kushtet nacionale. Marrëveshja nuk u nënshkrua nga Britania e Madhe dhe nga Çekia. Kështu këto dy shtete nuk bëhen pjesë e këtij traktati. Cameron tha në Parlamentin anglez, se ai e refuzoi nënshkrimin pasi nuk mori garanci për interesat angleze. Ndërsa Kryeministri çek e justifikoi refuzimin me kriteret ligjore në kundërshtim me Traktatin e bashkësisë.
Megjithëse nuk e miratuan marrëveshjen, këto dy shtete, ato do të jenë indirekt me influencë edhe në ato shtete, pasi marrëdhëniet ekonomike dhe financiare janë të lidhura shumë ngushtë me njëra-tjetrën. Monedha angleze është e lidhur me fatet e euros për vetë marrëdhëniet e ngushta ekonomike dhe ndikimin që luan euro mbi paundin anglez. Ai ka humbur në vlerë dhe është më i rrezikuar si monedhë e vetme, në krahasim me euron që ka bazë ekonomike dhe financiare më të gjerë dhe më solide. Bashkimi Evropian me 27 anëtarë me konstituim në Traktatin e Lisbonës nuk ndryshon. Megjithatë, duhet pranuar se krijohen marrëdhënie të reja të veçanta për dy anëtarë që vazhdojnë të mos përfshihen në ndryshimin e bërë. Në realitet, marrëveshja për buxhetin bën një rregullim të ri institucional dhe i jep më shumë pushtet Bashkimit Evropian brenda bashkësisë për 25 anëtarët që pranuan rregullat e njëjta për hartimin dhe respektimin e disiplinës buxhetore, duke i dhënë më shumë kompetenca institucioneve qendrore, në raport me ato nacionale. Marrëveshja për buxhetin kritikohet nga kundërshtarët e saj në pikëpamjet juridike, të cilët argumentojnë se dhënia më shumë kompetenca qeverisjes qendrore nga BE, është në kundërshtim me Traktatin e Lisbonës, për shkak se cenon sovranitetin kombëtar të shteteve anëtare. Për këtë qëllim argumentohet, se BE nuk ka fuqinë ligjore për të shtrirë pushtetin mbi shtetet anëtare. Së pari, se marrëveshja nuk i jep përgjigje pyetjes themelore: Përse lejohet të marrin fuqi ligjore rregullat që cenojnë të drejtën ndërkombëtare të bashkësisë dhe dobësojnë lidhjen e detyrueshme me zbatimin e së drejtës europiane? Në favor të kësaj ideje, përmendet kritika e bërë në Gjermani dhe në Francë për rregullat e mëparshme të paktit të stabilitetit, për të cilat Gjykatat Kushtetuese dhe parlamentet vendosën rregullin për të detyruar Qeverinë për të marrë miratimin e Parlamentit dhe miratimi i marrëveshjeve të mos bëhet pa miratimin e Parlamentit. Së dyti, theksohet mendimi se Bashkimi Evropian nuk ka fuqi ligjore që të detyrojë dhe ndëshkojë duke vënë pranga dhe dënuar një shtet partner. Shefat e Shteteve dhe Qeverive, argumentuan se marrëveshja është në përputhje kuptimin e gjerë të frymës së Traktatit të Lisbonës dhe të drejtën evropiane. Mbi këtë bazë ligjore, ajo vë rregulla më të detajuara për funksionimin dhe kompetencat e institucioneve qendrore, forcimin e bashkësisë dhe rolin më efektiv që kërkohet të kenë organet qendrore për zgjidhjen e krizës së borxheve dhe të euros, të cilat janë bërë problemi kryesor për fatet e bashkësisë dhe zhvillimin e saj. Marrëveshja është një sinjal i fortë politik për rrugën pa kthim drejt federalizimit të Bashkimit Evropian. Formulimi i bërë nga Angela Merkel “Klenie aber feine” (më e vogël, por më e mirë), në përgjigjen e dhënë për refuzimin e Britanisë dhe Çekisë, dëshmon në fakt mendimin e shteteve anëtare të bashkësisë për të ardhmen e bashkësisë. Të gjithë shtetet anëtare të BE-së janë të një mendimi për prioritetin e politikës buxhetore për zgjidhjen e krizës së borxheve dhe zhvillimin e ekonomisë. Në vazhdim, të 25 shtetet anëtare pranuan artin e pushtetit mbikëqyrës së BE-së në vendimet dhe veprimet e tyre për politikën buxhetore.
Ky qëndrim i përbashkët unanim për forcimin e kompetencave të BE-së është një qëndrim me një koncept të i ri për bashkësinë. Në mënyrë të lirë u formua bindja për domosdoshmërinë e pushtetit dhe diktatit të kursimit nga Brukseli. Kërkesa për “diktatin për kursime” u krijua në kushtet e rënda të krijuara nga presioni që ushtron nevoja për një vendim për sistemin financiar, i cili të ketë fuqi për të gjithë dhe të pranohet nga të gjithë.
Nuk bëhet asnjë tërheqje nga forcimi institucional dhe ka më shumë unitet për domosdoshmërinë e masave për të zgjidhur krizën e borxheve dhe të euros, që lidhen me ekzistencën e bashkësisë. Keqardhja që këto dy shtete nuk u bashkuan me të tjerët, tregon për optimizmin për forcimin e bashkësisë, si dhe për shpresën që edhe këto dy shtete të kenë më shumë besim tek bashkësia dhe integrimi evropian. Që në vitin 2005 u ndje nevoja për një pakt të stabilitetit financiar për zgjidhjen e problemeve të mëdha që kishin dalë për borxhet shtetërore. Përqindjet e larta për huat shtetërore, pengonin gjetjen e një zgjidhjeje për shtetet që ishin prekur më shumë nga kriza e borxheve. Asnjeri nuk mund të parashikonte pasojat e rënda të krijuara me një shtrirje në të gjithë bashkësinë. Kërcënimi serioz për financat e vendeve më të zhvilluara, pasojat e rënda në Greqi dhe gjendja kritike në Itali, Spanjë, Portugali, Irlandë etj., si dhe presioni ndërkombëtar për shkak të ndikimit në ekonominë botërore, vunë në dukje nevojën e rolit qendror të Bashkimit Evropian dhe të politikës së përbashkët buxhetore evropiane. Eurozona e prekur nga borxhi dhe rënia e vlerës së euros, rrezikonte gjithë bashkësinë. Presioni u shtrua edhe më shumë me ndëshkimin e bërë nga Ratingagenturën me uljen e vlerësimit për bankat në Francë dhe disa vende të tjera. Megjithë kriteret e forta ligjore nacionale, edhe Gjermania miratoi planin evropian të shpëtimit nga borxhet ESM. Shtetet evropiane u vunë para faktit të domosdoshmërisë së masave kundër krizës, të ndihmës ndaj Greqisë për ruajtjen e “zonës së euros” dhe të vetë bashkësisë. Vetë shtetet më të forta ekonomikisht dhe financiarisht ndjenë pasojat e krizës së borxheve dhe të tronditjes së bashkësisë. Kështu u forcua mendimi për rolin qendror të bashkësisë dhe krijimin e një muri mbrojtës nga zjarri i borxhit në rritje me përmasa katastrofike. Kjo ndikoi në gjetjen e bashkëpunimit dhe marrëveshjen për paktin fiskal në tetor 2011. Rritja e shumës së kredive për të luftuar krizën e borxheve u shoqërua me nevojën e përgjegjësisë së secilit shtet për buxhetin dhe financat kombëtare. Asnjë shtet nuk mund të jepte në dispozicion kredi pa garanci dhe pa përqindje interesi. Fondi i ESM u rrit deri në 500 miliardë euro, u shtua në 661 miliardë. Nuk mund të mendohet një ndryshim tjetër prej 250 miliardë, pasi do të shkaktonte reagime të fuqishme popullore, sidomos në vendet më të zhvilluara.
Revolucioni në rritjen e shumës së caktuar për fondin e ESM dhe fillimin në muajin korrik të veprimtarisë së mekanizmit të parandalimit të krizës së borxheve, vuri në dukje interesat e veçanta të disa shteteve dhe marrëveshjen e arritur nga 25 shtetet anëtare.
Marrëveshja kërkon që secili shtet të rris përgjegjësinë nacionale dhe të përcaktojë me ligj, mundësisht me Kushtetutë, nivelin maksimal të borxhit (tavanin e borxhit). Rregullat e deritanishme mbështeten në të drejtën sekondare, në dispozitat ligjore, të cilat bazohen në Kushtetutën, si e drejta primare.
Përcaktimi me ligj shtron edhe nevojën për sanksionet që duhen parashikuar për shkeljet e ligjit për buxhetin. Në këtë drejtim, ka një kundërshtim të fortë, të shprehur qartë edhe nga Franca, se nga Komisioni Evropian nuk duhet të ngrihen padi në Gjykatën e Lartë Evropiane për të paditur shtetet me borxhe të mëdha dhe kur nuk zbatohen kriteret e marrëveshjes për buxhetin. Edhe në marrëveshjen e Mastrihtit nuk ka pasur rregulla dhe nuk ishin parashikuar kritere për padi në rast të borxheve shtetërore dhe të fajësisë së shteteve që i kanë lejuar ato.
Deri në miratimin përfundimtar të marrëveshjes, në Mars 2012, mendohet se do të arrihet zgjidhja e pranuar nga të gjithë. Rëndësi mendohet t’i jepet unifikimit të rregullave të buxhetit nga bashkësia, që do të ndikojë edhe në parandalimin në kohë të gjendjeve të shkeljeve nga ndonjë shtet anëtar.
Përcaktimi me ligj në shtetet nacionale do të lehtësonte shumë situatën e borxheve në vendet anëtare, si dhe ndihmën me kredi nga bashkësia me anë të mekanizmit të emergjencës. Kjo varet nga qëndrimi i çdo shteti. Në kushtet e Greqisë, kjo nuk do të japi aktualisht ndonjë ndikim, pasi duhet të zgjidhet përfundimisht rreziku i falimentimit. Është e paqartë edhe se nga cilët kritere financiare dhe ekonomike të normuar me rregulla ligjore do të duhet të orientohet Komisioni Evropian në vlerësimin e gjendjes në shtetet anëtare.
Zgjidhja mbetet në fuqinë më të madhe që duhet t’i jepet të drejtës evropiane në shtetet anëtare. Kështu do të marrin rëndësi edhe kriteret e marrëveshjes për politikën buxhetore. E ardhmja e kësaj politike kushtëzohet me zgjidhjen e borxhit të Greqisë, pasi akoma nuk është nën kontroll. Nevoja urgjente për një ndihmë tjetër prej 15 miliard dollarë, e bërë nga komisionari Fyle, tregon se shtetet anëtare të BE-së përballen me fakt që detyron të jepet ndihmë tjetër nga buxheti nacional. Rritja e rolit qendror të bashkësisë dhe njohja më mirë e gjendjes në vendet anëtare me anë të mekanizmit të Trojkës dhe të fondit të emergjencës, do të krijojnë më shumë besim në zgjidhjen e krizës së borxhit grek dhe të rrezikut në shtetet e tjera.
-
1 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version
- Fatos Nano drejt PS-së
- Flet astrologia Meri Shehu
- Dashuri engjëjsh
- Sondazhi në "Telegraf"
- Shpallen personalitetet e vitit 2010 në “Telegraf”, Ja më të preferuarit e publikut shqiptar



Publikoni komentin tuaj