Opinion nga Sabedin Çeliku
Kujt i intereson kriza shqiptare
Tashmë është e qartë se shekulli i ri ka hyrë me probleme, kriza, konflikte dhe mjaft vështirësi të cilat po menaxhohen me mjaft probleme. Bota është mbarsur me mjaft kriza, të cilat për hir të vërtetës nuk janë zgjidhur ende nga Fuqitë e Mëdha përfshirë dhe strukturat Euroatlantike. Tashmë nuk është problem vetëm Afganistani, por dhe Irani, Iraku, Siria, Libia, Libani, Palestina, Algjeria, Nigeria, Koreja e Veriut, Kuba,Venezuela, Argjentina e mjaft vende të tjera. Kështu mblidhen rast pas rasti G8, G20, NATO, dhe strukturat e Bashkimit Europian, diskutojnë e marrin vendime, por deri sot nuk po shikojmë dritë në horizont përveç krizave. Kriza shfaqet në formën e krizës politike, krizës morale, ekonomike e financiare, krizë e identitetit, kriza e nacionalitetit etj.. Sidoqoftë qëllimi i këtij shkrimi nuk është analiza globale, por analiza shqiptare të cilët nuk kanë vetëm probleme ekonomike, por probleme multidimensionale. Kësisoj shqiptarët, përveç fatkeqësisë së ndarjes, që i dhuroi historia padrejtësisht, ato kanë mjaft probleme atje ku jetojnë në trojet e tyre dhe shpesh shkaktarë jemi ne, pse jo dhe liderët shqiptarë, dhe sidomos lideri shqiptar nga Shqipëria. Në një botë të globalizuar dhe gjithnjë e më të hapur, ku kufijtë nuk kanë as vlerë virtuale dhe as fizike, ne shqiptarët ndoshta jemi nga të pakta vende në botë që kufijtë shtetërorë i kemi në trojet tona dhe të banuar tërësisht me shqiptarë. Kjo sigurisht që na bën përgjegjës për gjithçka ndodh me shqiptarët dhe për shqiptarët. Kështu probleme ka në Preshevë, Tuz, Ulqin, Kosovë, Mitrovicën e Veriut, Strugë, Gostivar, Tetovë, Kumanovë dhe emigrantët tanë në Greqi, Itali, e kudo tjetër. Me këto që them nuk dua të tregohem nacionalist dhe as fanatik për shkak se në optikën time Europa po shkon drejt bashkimit politik dhe ekonomik. Kështu që, bashkimin e shqiptarëve e shikoj nga ky këndvështrim, pra produkt integrimesh dhe në këtë pikë shprehem dakord me politikbërësit. Aktualisht në Strugë u dogj një kishë në Llabonisht dhe i drejtë dhe i menjëhershëm reagimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme Shqiptare. Deri këtu duket se çdo gjë është në rregull. Me Maqedoninë kemi pasur jo pak probleme. Janë vrarë dhjetëra shqiptarë në kufirin e dy vendeve nga ana e maqedonasve për një lopë dhe asnjë reagim dhe notë proteste nuk ka pasur nga qeveria jonë. Vite të tëra u deshën për hapjen e Universitetit të Tetovës dhe të Strugës sepse ishin pengesë nacionalizmat. Tashmë jemi përballë konfliktit etnik e fetar që ka rrezik të dalë jashtë kontrollit dhe ne heshtim. Maqedonasit thërrasin në stadium e gjetkë “shqiptarët në dhomat e gazit”; “shqiptarët të urtë kur janë të vdekur” etj. Duke analizuar këtë problem jemi të detyruar të pohojmë se marrëveshja e Ohrit ende nuk është zbatuar dhe shqiptarët diskriminohen në trojet e tyre. Pse kështu? Partitë politike atje nuk merren vesh me njëri – tjetrin dhe partive maqedonase ju intereson konflikti dhe përçarja e tyre. Kini parasysh se të gjitha këto ndodhin vetëm dy muaj nga vizita e Kryeministrit tonë në Shkup dhe Tetovë. Efektiviteti i vizitës duket i dobët. Kini parasysh se Maqedonia shtet me 2,2 milion banorë, ku 900 mijë janë shqiptarë, po aq janë maqedonas dhe diferenca janë pakica të tjera, paçka regjistrimit që paraqet qeveria atje. Pas luftës së Kosovës në vitin 1999-2000 Presheva mbeti nën Serbi. Nuk dua të them pse mbeti, por a duhet të kujdesemi dhe për ta? Mirë nëna që nuk i “dihet” po babai i “kombit” çfarë bën? Presidenti serb, Tadiç ka vizituar dy herë veriun e Mitrovicës edhe pse atje e ka shfrytëzuar për deklarata politike, po kryeministri ynë pse nuk shkon në Preshevë të shikojë si jetojnë ata jetimë? Vizita e kreut opozitar dhe njëherësh Kryetar i Partisë Socialiste nuk ishte vizitë thjesht promovim libri, por për të bërë atë që se bëri kreu i qeverisë, pra për ti takuar dhe qarë hallet bashkë me ta. Siç u mësua nga deklarimi i tij ata nuk kishin shkolla e spitale dhe sigurisht nuk ka kush kujdeset për ta. Edhe Kosova me mjaft probleme, konflikte dhe protesta. Gjendja ekonomike atje është tejet keq dhe problemet politike paraqiten me mjaft vështirësi. Veriu i Mitrovicës ende i paqëndrueshëm dhe pa zgjidhje për momentin. Në Malin e Zi jetojnë120 mijë shqiptarë ose 1/9 e gjithë popullsisë malazeze, kur ajo numëron më pak se një milion banorë. Shqiptarët etnikë jetojnë kryesisht në Tuz dhe Ulqin. Atje miratuan ligjin sipas së cilës shqiptarët nuk kanë të drejtë të mbajnë flamurin e tyre kombëtar. Dhe e dini se kur ndodhi kjo? Pak ditë përpara vizitës që bëri kryeministri shqiptar në Podgoricë. Asnjë ndërhyrje dhe asnjë mesazh nuk shikojmë nga Ministria jonë e Jashtme. Kjo ministri është kthyer në funksion të përgatitjeve të vizitave për kryeministrin e Kryetaren e Parlamentit gjithashtu, se gjë tjetër nuk po shikojmë të bëjë. Emigrantët tanë në Greqi janë në ditë të hallit dhe askush nuk merr përgjegjësi për ti ndihmuar ata. Janë vrarë me qindra, jo vetëm në kufi, por dhe në mes të Athinës vetëm se mbajnë flamurin kombëtar. Kurse qeveria shqiptare zbatuese korrekte e urdhrave të tyre. Bëjnë tre palë varreza atje ku nuk ka të rënë grekë, firmosin marrëveshjen për aneksimin e detit Jon dhe e paraqesin popullsinë shqiptare në shekullin e ri po aq sa ishte në vitin 1965 pra 2,8 milionë banorë kur televizioni publik shtetëror në vitin 2010 shpalli lindjen e banorit të 4,5 milion. A nuk është kjo krizë morali dhe identiteti? Miratohet ligji për importin e plehrave napolitane në emër të riciklimit vetëm për interesat e tyre. Ka 15 vjet që përpiqen ta realizojnë këtë biznes që prodhon shumë para. Po pse nuk riciklojnë mbetjet dhe plehrat tona, por duan të bëjnë ato të dynjasë. Pra i detyrojnë shqiptarët të sforcohen të investojnë atje ku nuk duhet, të harxhojnë energji të panevojshme, pse jo të krijojnë dhe kriza pa vend. Problemi çam mbeti një çështje e harruar dhe qeveria nuk ka ndërmend ta diskutojë asnjëherë, sepse ka frikë. A nuk është turp që nesër të merren ndërkombëtarët dhe qeveria shqiptare të bëjë indiferentin, kjo dhe për shkak të interesave? Kriza, këtu në Shqipëri është ulur këmbëkryq. Ajo është si ma do, që do të thotë krizë morali, identiteti, krizë ekonomike e financiare, krizë papunësie, krizë parlamentare etj. Janë me mijëra njerëz në burgjet italiane, greke, dhe në vende të tjera të Bashkimit Europian që vuajnë dënime madje dhe të padrejta. Askush nuk interesohet për to. Konsujt në organikat e ambasadave mbahen kot se ato nuk bëjnë kurrfarë interesimi. Inshallah na bën gjë ky Avokati i Popullit dhe e kthen kokën edhe tek ata të shkretë, se sa për qeverinë dhe Ministrin e Drejtësisë ta harrojmë se mund të bëjnë gjë. Ajo që se kemi të vështirë të kuptojmë është se Serbisë dhe Greqisë nuk i intereson që faktori shqiptar të jetë stabël dhe i qëndrueshëm sepse i tremben Shqipërisë së Madhe. Serbia përballë faktit të kryer po mban peng Veriun e Mitrovicës për ta shndërruar atë në një Qipro sepse nuk është dakord me këta kufij. Greqia nuk mund ti rezistojë krizës së falimentit dhe kërkon t’ia përcjellë Shqipërisë dhe Maqedonisë, plus problemeve të vjetra ku dihet që nuk heq dorë. Personalisht mendoj dhe kam përshtypjen se ka dhe faktorë të brendshëm që për hir të pushtetit nxisin mosmarrëveshje midis shqiptarëve, destabilitet, për të ruajtur në këtë mënyrë Status Quo që i ofron pushteti. Në këto kushte ne shqiptarët, shqipfolës kudo që jetojmë duhet të kemi mendime unike sidomos kur shtrohet problemi për çështjen kombëtare. Ëndrra e të parëve do realizohet, por duhet kujdes, durim dhe bashkëveprim. E rëndësishme është të mos shesim çështjen kombëtare.
-
1 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version
- Fatos Nano drejt PS-së
- Flet astrologia Meri Shehu
- Dashuri engjëjsh
- Sondazhi në "Telegraf"
- Shpallen personalitetet e vitit 2010 në “Telegraf”, Ja më të preferuarit e publikut shqiptar



Publikoni komentin tuaj