Hyrje | Opinione | Opinion nga Gëzim Zilja

Opinion nga Gëzim Zilja

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

Mbyllet akti i fundit i tragjedisë së Otrantos

 

 


         





Përfundimisht mbyllet çështja e transportit të “Katerit të Radës” në bregun nga u nis. Ai u ekspozua në bregun ku nuk u sos dot “gjallë”, në Itali, thënë më shkoqur në Portin e Otrantos, një qytezë në brigjet e Adriatikut. Në portat e rënda të bashkisë së Vlorës, parlamentit, kryeministrisë apo ndonjë miliarderi të sotëm nuk mundi të hyjë e as të dalë ndonjë kërkesë, angazhim apo të ndizej ndonjë shkëndijë patriotike…
Relikja e nxjerrë nga tetëqind metra thellësi u shndërrua në një monument, në një vepër arti nga artisti grek Costas Varotsos, i cili ditën e inaugurimit u shpreh midis të tjerash:  “…Mundësinë për të transformuar tragjedinë në një vepër arti e pashë si një mundësi të madhe. Ka një shprehje shumë të përhapur në vendin tim që vjen nga antikiteti: “Nuk mund të ekzistojë e mira nëse nuk është dhe e keqja. Nga e keqja vjen e mira…”. Po atë ditë më 29.01.2012, kryebashkiaku i Otrantos, Luciano Carridi, do të shprehej: “Historia ndonjëherë shkruan faqe shumë të trishtuara edhe Kanali ynë ka asistuar tragjedi të dhimbshme të cilat vështirë t’i harrosh. Por ne nuk duam të harrojmë, përkundrazi. Duam t’i kujtojmë ato momente. Mendoj se është e drejtë të ruajmë kujtesën.”
Edhe artisti grek edhe kryebashkiaku italian shprehen qartësisht se çfarë i frymëzoi për të ngritur atë relike në vepër arti: thjesht për të mos harruar, thjesht për të pranuar fajin: thjesht që duhet të shikojmë para, duke mësuar nga e kaluara. Kam shkruar disa artikuj pse ky monument duhet të vendosej në portin e Vlorës e jo në atë të Otrantos kështu që nuk dua t’i përsëris arsyet. Ajo që të dhëmb e të bën të mos jesh i qetë është qëndrimi hipokrit,  dhe indiferent, i politikanëve dhe qeveritarëve shqiptarë lidhur me kthimin e “Katerit” në monument kujtese, në Shqipëri.
Ardhja në Vlorë e arkivoleve me trupat e viktimave, pesëmbëdhjetë vjet më parë, do të kthehej në një manifestim të jashtëzakonshëm ku nuk do të mungonin lotët dhe premtimet. Ata që u morën me varrimin e viktimave cilësuan si fajtor të vetëm qeverinë e atëhershme. U betuan për hakmarrje e drejtësi. Në varrezat e qytetit, sipas idesë së komisionit, në një parcelë të veçantë ashtu në rresht, me varret e njëllojta, me një pllakat në krye, si ushtarë të rënë në luftë, do të preheshin përjetë trupat e viktimave. Nderet nga politikanët vazhduan nja dy vjet. Vitet e tjerë dhe këta në vazhdim ata që i zuri halli e fatkeqësia shkojnë rregullisht në varreza dhe hedhin ndonjë tufë lule në det, në kujtim të viktimave. Ndërsa politikanët e zjarrtë që ndërsenin turmat ditët e ngjarjeve nuk janë parë prej trembëdhjetë vitesh të bëjnë ndonjë homazh. Po edhe sikur politikanët e përbetuar ta kishin kthyer në një vend pelegrinazhi e të vinin çdo vit, një varrezë nuk është një monument dhe njëra nuk e zëvendëson dot tjetrën. Një varrezë është gjithmonë një varrezë, sado madhështore të jetë.
Andaj them që mossjellja e “Katerit të Radës” në Shqipëri ishte një dëm tjetër që politikanët e qeveritarët i bënë kujtesës dhe ndërgjegjes së popullit. Ishte një kohë kur shqiptarët nga padija dhe babëzia për të fituar para pa punuar, ua besuan kursimet e tyre firmave të drejtuara nga sharlatanë e mafiozë. Kur ato ranë njerëzit dolën në protesta duke bërë fajtore qeverinë, që natyrisht kishte jo pak faj, pa u kthyer asnjëherë nga vetja. Por ajo që do t’i çmendte njerëzit dhe do t’i hidhte në luftë kundër njeri-tjetrit ishte politika. Pas kësaj çmendurie apo revolucioni që unë do ta quaja vetëvrasje, asgjë nuk ndryshoi në politikën shqiptare, asnjë mësim nuk u nxor. Ata që erdhën në pushtet harruan premtimet për një shtet të së drejtës dhe si përherë u vërsulën të zhvatnin ç’të mundnin duke e kthyer qeverisjen në një karikaturë.
Shoqëria shqiptare pas ngjarjeve të vitit 1997, u zhyt  në një krizë morale, politike e ekonomike që sa vjen e thellohet. Njerëzit shohin me trishtim dhe pesimizëm që shkaktarët e nëntëdhjeteshtatës shkojnë e vijnë në pushtet, duke sharë e akuzuar njeri tjetrin për tradhti, vrasje, korrupsion, babëzi etj.. Nuk di ndonjë politikan të asaj kohe të ketë shpallur pendesën më të vogël qoftë edhe pse ndenji indiferent, kur Shqipërisë iu vu flaka nga bijtë e vet dhe Europa erdhi me tanke e ushtarë të vendoste rendin. Madje jo pak nga ata u kthyen në “sahanlëpirës” të atyre që kishin nëmur, sharë e baltosur.
Jo rastësisht ne shqiptarët jemi më të vonuarit e Europës. Një popull që harron, falsikon, madje nëpërkëmb historinë e tij, që nuk shikon rrugën nga ka ardhur, që largohet nga e keqja dhe nuk e dënon atë, që nuk do të njohë vetveten është i destinuar të vuaj, të mbetet i varfër e i përçarë. Kjo ndodh sot e gjithë ditën me Shqipërinë dhe shqiptarët. Qindra e qindra emisione e biseda televizive janë zhvilluar nga analistët e politikanët pas vitit ‘97. Është folur edhe për tragjedinë nga këndvështrime të ndryshme por as edhe një emision i vetëm nuk u bë për sjelljen e “Katerit” në Shqipëri. Të paktën të ngrihej si problem se jam i bindur që do të gjendeshin aq shqiptarë që do të paguanin shpenzimet e transportit.
Nuk mbushet shpirti me para, nuk ka pasur kurrë aq para në qarkullim në të gjithë botën sa të blihet një shpirt. “Kateri i Radës” është një shpirt, është një pjesëz e dhimbshme e historisë së trishtë shqiptare. Ky shpirt me trupin në Otranto endet e endet varrezave të Vlorës e detit Adriatik, pa gjetur prehje e ngushëllim. Fundja le të shkojmë kur të mundemi atje në Otranto e ta shikojmë monumentin. Ata që e shkaktuan ose kishin gisht në tragjedinë për të qetësuar ndërgjegjen, të tjerët për të njohur historinë e gjyshërve dhe baballarëve….

Subscribe to comments feed Komente (0 publikuar):

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj comment

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

  • Plain text 1 - Here eshte lexuar ky Artikull
  • email Email shokeve
  • print Print version
Vlereso kete artikull
0