Hyrje | Opinione | Një histori familjare në Ditën e Holokaustit

Një histori familjare në Ditën e Holokaustit

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

Shënime të gazetari të njohur, Arshin Xhezo, për hebrenjtë e strehuar në Berat gjatë Luftës Nacionalçlirimtare

 

 

 

 

 

 

Nuk është paradoks, as "për efekt", po të them, se ata që i mbuluan me heshtje deri ditën e sotme, pra për plot 65 vjet dy familjet, me nëntë vetë të hebrenjve tanë dhe kutinë e tyre me yllin e Davidit, nuk janë vetëm gjermanët nazistë. Është edhe Enveri që thoshte se: "Izraeli është kobure në duart e amerikanëve. Por, edhe Mehmeti, - jo Mehmet Shehu, ish-kryeministri shqiptar që u vetëvra, po Mehmet Xhezoja, im at' që mendonte, se e mira dhe nderi i bërë duhej hedhur, me çdo kusht, në lumë a në det... Së fundi, pas vdekjes së tij, edhe ne, fëmijët e tij, nderin dhe kujtimet për hebrenjtë tanë, i lamë në fund të lumit Osum..."Bëje nderin dhe hidhe në det". Në çdo rast? Përgjithmonë? Isha në vitin e parë në gjimnaz, kur këmbëngula edhe një herë tjetër t'i shkëputja tim ati ndonjë copëz nga historia e hebrenjve në shtëpinë tonë. Pa na parë në sy e, megjithatë, duke na u drejtuar të dyve, mua dhe motrës së vogël, po aq kurioze sa unë, ai filloi të thoshte një rrëfenjë. U bëmë sy e veshë, sepse e dinim, se edhe nëse ngjarjet e rrëfenjës apo "nasiatit" zhvilloheshin në Stamboll, Amerikë, Antarktidë, apo Honolulu, do të dilte diku në Berat dhe patjetër pra, në çdo rast, do shpallte një "moral", do arrinte në një porosi... Babai tha se ngjarja kishte ndodhur saktësisht në "Pazar". Sigurisht, mendova unë. "Pazari", "Piazza", apo qendra e qytetit ishte vendi ku, sidomos, pasditeve, mblidheshin burrat nga lagjet "Kala", "Goricë", "Murat Çelebia", "Vakëfi" etj. Filloi papritur një shi me gjyma, tha babai, dhe midis rrëmujës për të futur secili kokën diku, një burrë e ftoi në çadrën e vet një tjetër dhe e shoqëroi deri në shtëpi. Bashkëqytetari e falënderoi disa herë kur u ndanë. E nesërmja i takoi po aty, në Pazar. Ama, shi i madh ai i djeshmi, i tha fqinji shpëtimtar njeriut që e ndihmoi. Shyqyr që mu ndodh çadra, se do të ishe bërë... ujë. Me të vërtetë të jam mirënjohës, i tha tjetri. Ujë do të isha bërë, po të mos ishe ti, me çadrën tënde. Po njeriu i çadrës ia kujtoi nderin, edhe të pasnesërmen, edhe pas një jave. Dhe pas një muaji: -Të kujtohet para një muaji, kur ra ai shiu i madh këtu në Pazar? Shyqyr që u ndodha unë me atë çadrën, se... Tanimë ishin në të dalë të qytetit, aty "Ku dridhën qerret", stacioni i fundit, dhe rruga tanimë vijonte në lagjen Vakëf, një rrugë, në anë të së cilës kalonte një kanal me, së paku, një metër ujë. - Nuk të kujtohet fare? - përsëriti shpëtimtari. Tjetri qëndroi një çast, e pa fqinjin në sy dhe, ashtu siç ishte, i veshur me kostum, u hodh i tëri në kanal. Pas një çasti doli, dhe, siç ishte, duke kulluar i tëri, iu afrua fqinjit të vet: -A do të isha lagur më shumë se kaq atë ditë, or mik, - i tha -po të mos ishe ti dhe çadra jote?!... Ky ishte "stili" i tij: "Gjërat duhen bërë e jo thënë". Nuk të bezdiste kurrë me fjalë e moralizime për shkollën dhe mungesat, por veç, sapo kthehej në shtëpi merrte librat e tij dhe merrej me to orë të tëra. Ishte burrë i rëndë, burrë me hije dhe me autoritet absolut. Megjithatë, nuk e kishte zakon të vinte dorë mbi ne apo të bërtiste. Një shikim i tij ishte i mjaftueshëm. Unë nuk kam njohur në jetë njeri më të dhimbsur, më të ndershëm e më të sinqertë se im at. Duke folur fare thjesht e gjithnjë me ca "histori" e detaje, ai të nguliste ngjarjet e personazhet e historisë. Në kujtesë, mes të tjerash, kam të ngulitur portretin e një rilindësi patriot, Babë Dudë Karbunarës. Kishte qenë mësues i tij. Babë Duda është dhe "Mësues i Popullit". E pyeta një ditë për ish-mësuesin e tij, për të cilin kisha dëgjuar se në vitet e sundimit turk përndiqej edhe nga turqit, edhe nga grekët, vetëm sepse u mësonte gjuhën shqipe bashkëqytetarëve të vetë.
-Babë Duda? - tha. - I ndrittë shpirti! Ngrihej çdo ditë, dimër verë, sapo binte dita, ora pesë apo gjashtë, e mëngjesit dhe, i binte kryq e tërthor qytetit, nga lagjja "Murat Çelebie" në "Vakëf'. Pse? Vetëm që t'u thoshte i pari, t'i uronte i pari bashkëqytetarët e tij me fjalët shqipe "Mirëmëngjesi!", në mënyrë që edhe ata t'ia kthenin po shqip, "Mirëmëngjesi" e jo në turqisht "Aleykun selam", apo "Selam aleykun", siç kërkonte pushtuesi. Unë nuk njoh mësues më të mirë, tha.
"Bëje nderin dhe hidhe në lumë"
Jam dakord e ngacmova përsëri një ditë tjetër, me shpresë se, më në fund, do të mësoja diçka për hebrenjtë tanë... - Por, vazhdova: Në çdo rast? Përgjithmonë duhet lënë në lumë? Këtë herë, nuk e zgjati. Më fërkoi pak kokën me dorë duke buzëqeshur e më puthi në ballë e në kokë, siç e kishte zakon. Që nga ai çast e mblodha mendjen përfundimisht, se ai nuk mund të luante kurrë nga istikami i "kodit të nderit" për mikun e mikpritjen. Ky s'ishte vetëm "stili" i tij i sjelljes. Mospranimi i shpërblimit për nderin e bërë mikut në nevojë a në rrezik, madje, "hedhja në ujë a në det" e nderit të bërë, ishte jo vetëm zakon mbarëshqiptar, por më dukej, ndoshta, pjesa më e bukur, më fisnike e "kodit të nderit" të shqiptarit. Vite më vonë, në nëntor të 1978-ës, kur si gazetar shoqëroja në Itali ansamblin tonë shtetëror të këngëve e valleve popullore, në Firence, ish-komisari i batalionit "Antonio Gramshi", Bruno Bruneti e miqtë e tij, më shumë flisnin me mirënjohje për Shqipërinë dhe mikpritjen e shqiptarëve, sesa për ansamblin. Por Brunoja këmbëngulte të shënoja në bllokun tim të shënimeve një mirënjohje "speciale" për një familje në një fshat afër Çorovodës. Abaz e quanin të zotin e shtëpisë, më tha. - Ne erdhëm në Shqipëri si pushtues, por, kur Italia fashiste kapitulloi, shqiptarët, jo vetëm nuk na vranë, por na mbrojtën nga gjermanët, dhe na strehuan e ushqyen. Kurse ai, Abazi, ma shpëtoi edhe një herë tjetër jetën, kur, padashur, isha duke u mbytur në lumin Osum. Më nxori nga lumi i rrëmbyer duke rrezikuar veten. Pastaj më mori e më çoi në shtëpinë e tij ku qëndrova sa e mora veten mirë. Në fund, kur u ndamë dhe desha t'i merrja adresën e plotë që t'i shprehja mirënjohjen edhe nga Italia, ai bëri sikur s' më kuptoi. S'donte që t'ia zija në gojë atë që bëri për mua. Iu përgjigja Bruno Brunetit me një frazë që më kishte mbetur në kokë kur kisha lexuar një libër kujtimesh për Shqipërinë e shqiptarët, të misionarit anglez në Shqipëri në Luftën II Botërore, Xhuljan Emerit: "Shqiptarët, mikpritjen e quajnë një detyrë të shenjtë që i takon të zotit të shtëpisë, dhe kurrë si një favor apo privilegj që i bëhet mysafirit". "E saktë dhe e bukur", -tha Bruno. Kur u ktheva në Shqipëri dhe botova në dy numra gazete shënimet e mia të udhëtimit nga Italia,sigurisht, e vura edhe atë mirënjohje dhe "amanet" të Bruno Brunetit, por askush nuk u ndje. As vetë Abazi i Skraparit që, në ato vite duhej të ishte rreth të gjashtëdhjetave, as ndonjë nga fëmijët a të afërmit e tij. Me sa duket, edhe Abazi, edhe bijtë e tij kanë preferuar që nderin ta hedhin në lumin Osum, mendova. Por sa ndere të tilla fshihen në detet dhe dhjetëra lumenjtë e Shqipërisë? Ndërkaq, atje duhet të rrinë përjetë? Në çdo rrethanë?
Një hebre në shtëpi, një bombë me sahat
Dy makina gjermane parkonin çdo natë në rrugicën ndanë portës sonë, pranë Xhamisë e Sahatit të lagjes. Hebrenjë tek ne; hebrenj të një porte më poshtë, tek Abdullah Zaganjori, Abdullah Shkodrani njihej në Berat, shoferi me makinë të bukur italiane. (Po, megjithatë, Xhevit Qaseja, babai i Aliut, shokut tim të klasës, e kishte më të bukur makinën e tij), hebrenj tek porta përballë sonës, tek Hysen Nallbani, nallbani i mirë e hokatar që kishte zakon të hante gotën pasi pinte raki. (Ne kishim shumë "hyrje- dalje", domethënë miqësi, me këtë familje). Hebrenj fare pak më poshtë rrugicës sonë, tek Isuf Qolja, tregtar ushqimesh tek "Mulliri i Zakes", tek Ura e Gorricës. Kur Isufi kalonte para portave tona, e kuptonim menjëherë: trokiste paterica, se mbante protezë në njërën këmbë. (Kur mbaroi lufta, Jahovi, hebre që u strehua në shtëpinë e tij, u përpoq t'i vinte një protezë të re Isufit, se nipin e kishte ortoped në Beograd. Po nuk u bë gjë, se tamam në atë kohë u prishën marrëdhëniet e Shqipërisë me Jugosllavinë").  Hebrenj tek Qani Civeja - bahçevan me nam; hebrenjtë tek Sulo Muzhaka, çiklisti që jepte biçikleta me qira. Tek ai e kanë mësuar biçikletën gjithë djemtë e lagjes; hebrenj tek Ruhi Zekoja - mësuesi gjirokastrit nga fisi i njohur i Zekate, po mësues vetëm para Çlirimit, se pastaj e çuan punëtor krahu për "biografi të keqe", siç ia bënë Vehxhi Buharasë, që e çuan punëtor tek "Gropa e Zhurrit", prapa shkollës sonë dhe pastaj arkëtar tek berberhania, sidoqë kishte qenë klerik i lartë dhe përkthyes i shkëlqyer. Vehxhiu dinte 7-8 gjuhë të huaja dhe kishte përkthyer disa libra të Saadiut e të tjerë. Hebrenj tek Xhevat Gjergjani, Xhevat Laroja, shoferi; hebrenj tek Halil Frashëri... Do të mjaftonte vetëm një dalje e pakontrolluar në bahçe e ndonjërit prej hebrenjve të fshehur për të marrë pak ajër, do të mjaftonte vetëm një e qeshur njerëzore bashkë me të thirrurën në gjuhën e tyre, dhe kasaphana në lagjen tonë ishte e sigurt. Burra, gra, fëmijë - të gjithë do të kalonin nën plumba dhe nëpër tehun e bajonetave të nazistëve; shtëpitë do t'u ngjanin krematoriumeve të Buchenvald-it apo Mat'hauzenit dhe gjithë lagjja do të shfarosej nën gjuhët e flakëve. Gjëja më normale për gjermanët nazistë. Edhe në lagjen tonë përmes gjakut e flakëve kishin ardhur. Vdekja dhe shkatërrimi ishin shndërruar në profesion dhe rutinë. Të gjithë në lagje dhe në qytet, ku gjithashtu, kishte hebrenj ishin të bindur, se një hebre në shtëpi ishte një eshkë që donte vetëm një xixë të vogël zjarri që ta shndërronte çdo gjë në hi. Çdo hebre ishte një bombë me sahat në shtëpi, -thoshte ime më. Shpeshherë mundohem të kuptoj se ç'ishte ai guxim të marrësh, që i bënte etërit dhe nënat tona t'i linin shtëpitë, sidomos, fëmijët e tyre në mes të atij zjarri! Nuk mjaftonte rreziku që ndillnin ilegalët në këto baza të luftës? Me sa duket, duhej të ishe banor i kësaj lagjeje dhe i këtij qyteti për të kuptuar ç'ishte miku, "kodi i nderit" dhe çmimi i lirisë! Berati është ndër qytetet, ku gjatë Luftës u strehuan më shumë hebrenj dhe u shpëtuan të gjithë. Berati, ndër qytetet më të vjetër dhe më të bukur të Evropës -Juglindore, nuk mund të mos ishte dhe kryeqyteti i humanizmit. Nderim për qytetin dhe bashkëqytetarët e mi, që qytetërimin e tyre 2500-vjeçar e shfaqën në ruajtjen e dinjitetit dhe të jetës njerëzore! Nderim për prindërit tanë!
Mirësevini bujtës, miq!
Ndryshe nga im atë, nënës sime, Besijes, i pëlqente të tregonte herë pas here për hebrenj të tanë. Por, kur përshkruante momentet e mbërritjes së tyre në një natë të dimrit të viteve 1943-1944, fytyra i merrte një pamje të ankthshme dhe fliste me një zë aq të ulët, sa të krijonte përshtypjen se gjermanët a ndonjë hafije ishin prapa portës.
-Meti, po bie porta! Dil - i thashë dhe gjaku më shkoi tek këmbët, se të trokiturat ishin të lehta, po si të trembura. Im atë kishte hedhur pallton krahëve, dhe, me kujdes, kishte hapur portën, duke bllokuar me dorë zilen e fortë të saj. Tek porta ishin shfaqur dy burra të panjohur, me gra e fëmijë që dridheshin. I shoqëronte një i këshillit të lagjes.
-    Urdhëroni brenda! Bujrum! Kush jeni, zotëria juaj? -Samuel, - kishte folur në gjuhën e vet i pari. -Urdhëroni, zoti Ismail, - e kishte shqiptarizuar në çast emrin e tij babai. -    Hoakim - kishte thënë burri tjetër. -Urdhëro edhe ti, zoti Haki, - kishte vazhduar im at. - Paske emrin e djalit tim të dytë. - Hyni brenda. Shpejt! Edhe ju, zonja, urdhëroni! Paskeni një tufë me fëmijë. T'u rrojnë! Burrat, gratë e fëmijët kishin kaluar në heshtje mespërmes bahçes dhe kishin hyrë në shtëpi, për të qetësuar, më në fund, shpirtrat e tyre të trazuar nga frika e gjermanit". Sikur ata të mjerë ta dinin se pikërisht aty, në atë rrugë e pranë asaj porte vetëm pak çaste më vonë do të parkonte një makinë me nazistë, do të ishin tmerruar dhe as që kishin për të hyrë fare. Kjo kishte qenë edhe arsyeja që ata, qysh atë natë, i kishin kërkuar tim eti t'u hapte një derë të vogël nga ana e prapme e shtëpisë, në mënyrë që, edhe në ndonjë rast kontrolli të befasishëm, të mund të kalonin përmes bahçeve të fqinjëve e të shpëtonin kokën. -Mos u merakosni, - u kishte thënë babai. - Të gjitha do t'i rregullojmë. Shtëpia jonë karakteristike, njëqindepesëdhjetëvjeçare në Berat, është jo vetëm një dykatëshe e madhe, por e rrethuar nga të katër anët me shtëpi, bahçe e rrugica të ngushta, që e bënte të lehtë kalimin te shtëpitë e fqinjëve në rast rreziku.
-Kishin parë tmerr nga gjermanët. Edhe mua nuk më hiqet nga mendja një ngjarje që tregonte njëra nga gratë hebreje. M'u para syve të saj, një gjerman i kishte prerë qafën me bajonetë një nuseje hebreje, për t'i marrë një gjerdan që ajo e mbante të varur. Ime motër, e madhja, Emineja, kujton plot detaje nga jeta e bujtësve në shtëpinë tonë.
-Se si kishin ardhur gjer në Berat ata, një tufë njerëzish me gjithë fëmijët - një Zot e di! Nga Kosova, më duket kishin ardhur. Ishin dy familje, dajë e nip nëntë vetë. Daja ishte me tri djemtë dhe të shoqen, nipi - me nusen dhe djalin e vogël, 3 vjeç. Ishin rrobaqepës, të dy burrat, daja e nipi. Mbaj mend që kur u bë synet Ylviu i bënë dhuratë një kostum. Ia prenë e qepën vetë. Shumë të bukur ia bënë. I kundërshtoi nëna. Jo, u tha, mos u harxhoni. Jeni fukarenj dhe ruajini ato pesë lekë që kini, të hapni prapë shtëpitë tuaja. Po ata thoshin: "S'e lajmë dot borxhin që iu kemi. Na shpëtuat jetën". -Kishin ca zakone të çuditshme ata - kujton motra ime e dytë, Shega. Atëherë isha fëmijë. Shtatë vjeçe, i kisha a s'i kisha, po më bënte përshtypje zakoni i tyre të qerasnin me fara kungulli të pjekura.
-Ishin shumë besimtarë. Më bënte përshtypje kur shtronin ndonjë copë qilim a rrobë përpara dhe faleshin. -Mbaj mend që, një ditë në javë, të shtunën a të dielën nuk më kujtohet, e bënin pushim absolut. Nuk zinin punë me dorë atë ditë... -Se ç'kishte një emër ajo ditë, nuk më kujtohet. Ishte e vështirë për t'u mbajtur mend. Pastaj, kanë kaluar vite...
-Kur shkuan? Ku shkuan? -    Pas Çlirimit, kuptohet. Sa mbaroi lufta, ikën. Në Izrael donin të shkonin, ku tjetër? Ndoshta mund të kenë shkuar edhe në ndonjë vend tjetër. Ku i dihet jetës si të merr?! Po ata s'u bënë më të gjallë dhe ne nuk morëm vesh gjë, ku shkuan e si shkuan. Shyqyr që shpëtuan. Këtë dialog motrat e mia, që tani jetojnë në Tiranë kanë filluar ta përsërisin më shpesh, sidomos në këto dy 27 janarët e fundit, të nxitura edhe nga kronikat e TV-ve dhe gazetat që përkujtojnë Shoah-un. Kjo është, me sa duket, edhe mënyra e tyre e nderimit të prindërve tanë dhe e viktimave të holokaustit.
Mysafirë të privilegjuar?
Në shtëpinë tonë të madhe kishin bujtur "për sevap" me disa muaj apo dhe disa vjet, edhe mysafirë të tjerë, por për ta, ose nuk flitej fare, ose flitej pak dhe pa ndonjë impresion të veçantë. Për hebrenjtë ishte krejt ndryshe. Për ta, sidomos ne fëmijët ishim sy e veshë të dëgjonim ndonjë histori a detaj. Vëllai i madh dhe dy motrat që, në ato vite ishin 10, 7 dhe 6 vjeç, më dukeshin me fat që i kishin takuar drejtpërdrejtë dhe kishin luajtur me fëmijët e tyre. Për çudinë time, këtë ndjesi kishin edhe disa bashkëmoshatarët e mi për më të mëdhenjtë e shtëpive të tyre që "kishin pasur atë shans". Sigurisht, për partizanët e ilegalët që ishin strehuar në shtëpitë tona -baza të Luftës, flitej më shumë. Por, për ta mësohej në shkollë, dëgjohej nëpër mbledhje apo në ditët e festave, kurse historitë e hebrenjve kishin edhe magjinë e njerëzve që vinin nga një botë tjetër, por dhe të të ndaluarës. Logjikisht, të privilegjuar duhej të ndiheshim ne, strehuesit e mbrojtësit e tyre dhe jo e kundërta. Cilat ishin arsyet? Ishte shumë joshëse historia e tyre. Në përfytyrimin tim, ata nuk ngjanin me viktimat e pelegrinët e zakonshëm: të shfytyruar, të gjakosur, të palarë, siç kisha parë në libra e filma. Ishin të fismë në të veshur e në të folur dhe gjithmonë me një libër në duar. Edhe me syze, pa dyshim. Ndoshta, nuk e kisha dhe aq të pabazuar përfytyrimin tim për ta. Shumica e shkencëtarëve të mëdhenj, shpikësve e gjenive, kisha dëgjuar se ishin me origjinë hebreje, jo ruse, si shkruhej në librat e gjimnazit. Vite më vonë, siç bën cilido korrigjimin e dozave të veta të naivitetit apo të kultit të të huajit, por edhe të mikut, mendova se, megjithatë, tek mysafirët tanë hebrenj dhe historia e tyre kishte edhe disa arsye të veçanta që edhe shqiptarët i mbrojtën me aq sakrifica e gati fanatizëm. Së pari: dhuna absurde, dhunë racistësh, por edhe teprimi i dhunës. Rreth 7 milionë hebrenj u masakruan, u poshtëruan, u shfytyruan, në kampet e përqendrimit, sikur të ishin murtaja e planetit. Së dyti: historia e dhunës. Ajo ishte e gjatë, tepër e gjatë. Së treti: gjeografia e dhunës. Të shpërndarë gati në gjithë kontinentin, viktimizimi i hebrenjve përfshiu edhe pritësit e mbrojtësit e tyre, duke viktimizuar, në këtë mënyrë, gati gjithë planetin.

Subscribe to comments feed Komente (1 publikuar):

Ajazi El Agim ne 28/01/2012 21:33:48
avatar
Lecova me vemendje pershkrimin tuaj teper interesant per Ju. Ajo qe doja tju thoja eshte se si nuk paske zbuluar se mbrapa shtepise suaj nga ana jugore ishte nje familje ose me mire te themi z/NURI SAMUNDJA sot familja mukavelati qe ka strehuar hebrenj si dhe me vone dhe nje italian. Per nder ta hebrenjve ky njeri i vuri emrin dy femijeve te tij nje ISAK tjetri Benjamin Mukavelati .Dhe nje tjeter cudi per z/ Nuri ishte se dhe kur bleu pronen tek rezervat e shtetit, sot, e ka emeruar prone.101K. e dini cdo te thote ky numer, padyshim jo TE pershendes
total: 1 | Treguar: 1 - 1

Publikoni komentin tuaj comment

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

  • Plain text 1 - Here eshte lexuar ky Artikull
  • email Email shokeve
  • print Print version
Vlereso kete artikull
0