Hyrje | Opinione | Plani i zgjedhjeve të parakohshme

Plani i zgjedhjeve të parakohshme

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

ZGJEDHJET/ Situata e opozitës dhe maxhorancës para zgjedhjes së Presidentit

 

 

 

 






Gjatë javës së fundit kemi përjetuar ngjarje dhe zhvillime me një intensitet të jashtëzakonshëm, të cilat duhet thënë se kanë dhënë sinjale për një klimë të re politike në vend. Fillimi i zbardhjes së ngjarjes së 21 janarit 2011, ku humbën jetën katër protestues, në të vërtetë shënoi fillimin e një kthese të rëndësishme në politikën shqiptare. Në vend po trokasin zgjedhjet e parakohshme. Zgjedhja e Presidentit pas disa muajsh ka të ngjarë që të bëhet shkak për zgjedhjet e parakohshme në vend. Por sa është e përgatitur opozita për të hyrë në këto zgjedhje? Dhe, mbi të gjithë sa do të dijë opozita ta kapë këtë shans që i jepet? Vënia para drejtësisë e vrasësve të protestuesve si dhe e atyre që mendohet se nxitën dhunën është padyshim një hap i rëndësishëm përpara në favor të rikthimit të besimit te drejtësia e munguar dhe e nëpërkëmbur prej shumë vitesh. Seanca e sotme parlamentare pritet të shënojë një ashpërsim të luftës midis dy kampeve të mëdha, duke pasur në thelb pikërisht 21 janarin. Por, ndërkohë, kjo përplasje e re mendohet se mund ta fusë vendin në një krizë, për shkak se pikëpamjet dhe qëndrimet e të dyja palëve janë të ndryshme, si për 21 janarin, ashtu dhe për zgjedhjen e Presidentit të ri. Opozita kërkon zgjedhjen e një Presidenti konsensual, pra edhe me shumicë të cilësuar votash në Parlament, gjë që është hedhur poshtë nga maxhoranca. Atëherë, ç’mund të ndodhë? Nëse maxhoranca këmbëngul në qëndrimin e saj, zgjedhjet e reja duken të pashmangshme. Shpallja e partisë Aleanca Kuq e Zi që është menduar të bëhet rreth mesit të muajit shkurt si dhe krijimi i partisë së Presidentit Topi sikurse është paralajmëruar do të fusë qeverisjen aktuale në kolaps, duke i bërë të pashmangshme zgjedhjet e reja brenda këtij viti. Mirëpo kjo, nga ana tjetër ka të ngjarë të krijojë një problem të madh për opozitën. Hyrja në zgjedhjet e reja me kodin e vjetër zgjedhor do të ishte katastrofë për partinë socialistë dhe aleatët e saj në opozitë. Zvarritja e Kodit të ri Zgjedhor, duket se po përdoret me efikasitet nga maxhoranca aktuale për të zvogëluar sa më shumë shanset e opozitës për të ardhur në pushtet. Është thuajse i njëjti skenar si në zgjedhjet vendore. Pasi u zvarrit për shumë arsye hartimi i kodit të ri, kur nuk kishte më kohë, ndërkombëtarët urdhëruan hyrjen në zgjedhje me kodin e vjetër. Dhe ndodhi ajo që ndodhi. A po e kupton këtë gjë opozita? Vështirë ta besosh. Pavarësisht se PS më 15 janar shpalli fushatën si për një vit elektoral, duket se po vazhdon të brehet nga luftërat e brendshme dhe nuk po e arrin atë kohezion që duhet para një palë zgjedhjesh. Fjala vjen, para katër ditësh në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare u duk sikur u arrit njëfarë kohezioni, ndërsa Rama bëri shpërndarjen e deputetëve dhe të figurave të PS-së për takimet me bazën. Në të vërtetë ishte një rishpërndarje, pasi deputetët kanë lëvizur nga zonat e tyre tradicionale për në zona të tjera. Ndërkohë, propozimi i Fatos Nanos, Rexhep Meidanit, Servet Pëllumbit dhe i figurave me kontribute në selinë rozë, u nënkuptua si rivendosja e një paqeje në kampin e majtë. Madje se edhe ndonjë prej tyre, sidomos Prof. Pëllumbi, apo qoftë dhe Fatos Nano, mund të jetë kandidat për President i propozuar nga opozita. Por ndërsa shtypi shkroi për një “shtrirje dorë të Ramës ndaj Nanos”, ishte vetë kryetari Rama që e mohoi këtë fakt. Jo, sipas tij nuk ka paqe me Fatos Nanon. Dhe “lufta” do të vazhdojë siç ka vazhduar. Ndërkohë që, edhe me aleatët Rama nuk i ka të qarta tërësisht raportet, sikurse kanë dëshmuar një sërë tryezash dhe qëndrime të krerëve të partive të vogla. Ky është realiteti, pa analizuar situatën problematike edhe në kampin e maxhorancës. Atëherë, si mund të flitet se PS-ja është e përgatitur për zgjedhjet e parakohshme? Pra, edhe nëse PS e dëgjon trokitjen e zgjedhjeve të parakohshme, duke vazhduar të njëjtin avaz si edhe më parë, ka të ngjarë që të bjerë sërish në kurthin e Berishës.     

Flasin për “Telegraf”
Ermonela Felaj
Deputetja e Partisë Socialiste, Ermonela Felaj, e pyetur nga “Telegraf”, për një krizë të mundshme politike në rastin e zgjedhjes së Presidentit, është shprehur se janë dy gjëra që janë në kundërshtim mes maxhorancës dhe opozitës. Së pari, ka theksuar ajo se zgjedhja e Presidentit mund të zgjidhet me 84 vota në tre raundet e para dhe këto raunde, pra duhet të jenë këta deputetë që maxhoranca nuk i ka. Ndërkohë dihet që ata mendojnë që këto raunde mund të kalohen dhe Presidenti mund të zgjidhet me shumicë të thjeshtë. Por unë do të thoja që është herët për të bërë të tilla parashikime, po kjo është zgjidhja me e keqe dhe kjo do të thotë që të zgjidhet një president krejt i anshëm. Shpresoj që mos të shkojmë deri në këtë pikë, pasi nuk ka rrugë logjike që të shkohet deri në këtë pikë, urojmë që presidentin ta zgjidhim para se të mbërrijmë në këtë pikë.
Albert Brojka
Po unë mendoj që nuk mund të ndodhë kjo lloj krize, pasi dihet që presidenti konsensual është ai që i duhet Shqipërisë. Kështu u shpreh mbrëmë për “Telegraf”, ish-kryetari i Bashkisë së kryeqytetit, Albert Brojka. Dihet që Kushtetuta nuk përcakton që duhet presidenti të jetë nga opozita, presidentin duhet ta ketë maxhoranca, pavarësisht se, forcat politike tek ne kanë toleruar dhe presidentin e kanë zgjedhur me konsesnsus. Nuk mendoj që duhet të shkojë vendi në krizë, pasi nuk ka krizë parlamentare dhe vendi nuk duhet të shkojë në krizë për zgjidhjen e presidentit. Aq më tepër që tek ne Presidenti nuk është aq i fuqishëm, sa e kanë vendet e tjera që janë republika presidenciale. Kështu që unë mendoj që zgjedhja e Presidentit nga maxhoranca nuk mund të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme.

Subscribe to comments feed Komente (1 publikuar):

bashkim ne 27/01/2012 02:59:37
avatar
Thjesht i them artikullshkruesit te lexoje KKushtetuten.
total: 1 | Treguar: 1 - 1

Publikoni komentin tuaj comment

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

  • Plain text 1 - Here eshte lexuar ky Artikull
  • email Email shokeve
  • print Print version
Vlereso kete artikull
0