Flet ish- shefi i SHIK-ut, Fatos Klosi
Rëndësia e zbardhjes së të vërtetës mbi 21 janarin, ekspertiza e FBI-së, qëndrimi i Gardës dhe trysnia e Berishës mbi Prokurorinë
Ish- kreu i Shërbimit Informativ Kombëtar Fatos Klosi, mbështet punën që po zhvillon Prokuroria jonë pas ekspertizës së FBI-së, për ngjarjen e rëndë të 21 janarit. Duke analizuar zhvillimet e fundit në një intervistë për “Telegraf”, Klosi, tregon se të tërë janë të interesuar që të dinë se kush janë autorët e 21 janarit dhe për këtë ai thekson se i jep kurajo Prokurorisë që të bëjë punën e saj, dhe të nxjerrë sa më parë të vërtetën. Sipas zoti Klosi, fakti që po e ndihmojnë dhe institucione të rëndësishme si FBI, po tregon që të tërë janë të interesuar që ajo ta përfundojë sa më shpejt detyrën e saj. Ai shton se nuk e beson kurrë që ajo do të mbetet jashtë sulmeve politike, po unë do i kërkoja asaj, që të mos trembet nga trysnitë politike. Ndërsa zgjidhjen e Presidentit konsensual e sheh të realizueshëm dhe duhet të jetë një person që ta njohë ta bëjë rolin e Presidentit, që di të bisedojë me palët, di të ndërmjetësojë.
-Zoti Klosi, pas një viti Prokuroria edhe me ndihmën e ekspertizës së FBI-së, po hedh dritë mbi ngjarjen e rëndë të 21 janarit. Si e shikoni punën që po bëhet nga Prokuroria?
-Unë do ta mbështesja punën e Prokurorisë për zbardhjen e kësaj ngjarje. Çdo shqiptar e ka këtë ide që Prokuroria, duhet ta përfundojë detyrën e saj sa më parë, fakti që po e ndihmojnë dhe institucione të rëndësishme si FBI, po tregon që të tërë janë të interesuar që ajo ta përfundojë sa më shpejt detyrën e saj. Në mënyrë që kjo çështje që ka një vit që është nëpër dosjet e drejtësisë të mbarojë sa më parë, kështu që, edhe unë jam me ata që mund t’i japin kurajo Prokurorisë, pasi nuk kam ndonjë gjë tjetër në dorë, kurajo që të jetë sa më e vendosur.
-Ditët e fundit janë bërë shumë deklarata nga ndërkombëtarët për zbardhjen e 21 janarit, a mos e nxitën më shumë Prokurorinë për zbardhjen e ngjarjes?
-Unë nuk besoj se, ndërkombëtarët nxisin ndonjë gjë, ata po ndihmojnë që të dalë e vërteta. Pasi ajo është gjithmonë pozitive, ajo i bën mirë Shqipërisë. Ne nuk duhet të shpresojmë nga ndërkombëtarët, që të na japin mënd se, kush duhet të fitojë dhe kush nuk duhet të fitojë. Ata nuk mund të bëhen gjykatës që të tregojnë se kush është ai që ka të drejtë, ata ndihmojnë në një proces që është proces i institucioneve shqiptare dhe këtë e quaj pozitive. Po deri këtu mund të shkojnë më shumë dhe që nuk mund të bëjnë dhe as në nuk mund të bëjnë më shumë.
-Prokuroria është “sulmuar” për sa i përket kësaj çështje nga palët politike, a besoni se këtë herë do mbetet jashtë këtyre sulmeve dhe do të bëjë punën e saj e qetë?
-Unë nuk e besoj kurrë që ajo do të mbetet jashtë sulmeve politike, po unë do i kërkoja asaj, që të mos trembet nga trysnitë politike. Por që të jetë e pavarur se besoj, përsa kohë që të jetë Berisha kryeministër, çdo njeri duhet ta heqë nga mendja që ajo do të jetë e pavarur. Ato që kemi dëgjuar që ka thënë Berisha, dhe që i ridëgjova para dy ditësh prapë, që e ka quajtur Prokurorinë pjesë e një komploti, për mua janë broçkulla. Aq sa e njoh unë politikën shqiptare, unë besoj që, të gjithë shqiptarët e kanë të qartë që nga 14 shtatori, që nuk merret pushteti me dhunë. Po të ishte ashtu e kishte marrë Berisha atëherë, se i mori të tëra, policia u fsheh, ai mori Kryeministrinë, Parlamentin. Po të ishte që kishte ndonjë shans do e kishte marrë atëherë, po të tërë e kujtojmë që ai iku. Ai u detyrua që të thoshte, që unë i mora ato institucione për t’i mbrojtur. Po nga kush do i mbronte? Pra kjo eksperiencë është për të gjithë politikanët, kështu që edhe Rama, nuk besoj se e ka harruar, që t’i shkonte mendja që t’i merrte institucionet me forcë, pra kjo është një broçkull që nuk e beson asnjeri. Por e kemi Kryeministër dhe ky mund të thotë çfarë të dojë, se kështu funksionojnë gjërat në Shqipëri. Kështu që unë nuk habitem për presionet që ai bën, që e quan Prokurorinë pjesë të komplotit për ta hequr, të gjithë e dimë që ajo nuk bëhet me komplot. Ai shpreson që atë ta besojnë vetëm injorantët në këtë vend.
-Nga Prokuroria është kërkuar që të hiqet imuniteti për tre deputetët e Partisë Socialiste, si e cilësoni këtë kërkesë të Prokurorisë?
-Unë jam në një mendje me një deklaratë që dëgjova, që kjo më shumë po bëhet si një tentativë për të bërë dhe një lloj ekuilibri në procesin hetimor. Prokuroria e kërkoi dhe le ta bëjë, nëse ka ndonjë përgjegjësi konkrete le ta mbajnë ata që e kanë bërë. Nuk kam dhe asnjeri nuk duhet të ketë ndonjë paragjykim, nëse Prokuroria në punën e saj mendon se duhet të hiqet ky imunitet dhe ajo të ketë duart e lira për të hetuar le ta hetojë. Unë nuk shoh ndonjë problem këtu për ta bërë, madje më vjen mirë që edhe ata deputetët vetë kanë thënë, po e quajmë të hequr imunitetin dhe do votojmë atë ditë në favor të heqjes që imunitetit.
-Ekspertiza e FBI-së, nxori se, nga arma e Kryekomandantit të Gardës është qëlluar disa herë mbi protestuesit, ndërkohë që, vetë Kryekomandanti nuk e ka pranuar më parë që ka qëlluar, ndërsa tashmë ka pranuar që ka qëlluar në ajër. Si e shihni këtë ndryshim të qëndrimit?
- Në radhë të parë është fatkeqësia që ka komandantë të tillë ky shtet, pasi unë nuk e kam besuar edhe atëherë kur foli, por qeveria e bëri që të na mbushte mendjen që Garda bëri detyrën e saj. Unë për vete e kisha të qartë, përsa kohë që qeveria u detyrua që ta mbajë Gardën tre ditë pa dalë nga Kryeministria. Nuk kishte asnjë arsye po qe se garda do të ishte në detyrën e saj, nëse garda nuk do të kishte shkelur ligjin ata nuk kishin asnjë arsye pse ta mbanin dhe ta mjekonin atë në ambientet e Kryeministrisë. Kjo tregon që atëherë ata e kishin shumë të qartë që ata e kishin shkelur ligjin dhe nuk donin që gardistët të shkonin nëpër shtëpi, pasi do të dilte llafi. Po ashtu janë edhe prishja e regjistrimeve, ata e kanë pasur shumë të qartë që është shkelur ligji. Prandaj ata e patën shumë të qartë, përderisa prishën regjistrimet, apo mbajtën gardistët në ambientet e Kryeministrisë. Tashmë na del që vetë komandanti i gardës, që na mbahet si njeri me grada të larta, ka qëlluar me dorën e tij, pra jo ka dhënë urdhër, por ka qëlluar me dorën e tij. Për këtë, ai ka marrë urdhër dhe për këtë unë do të kërkoja që të dalë kush është ky trim që ka urdhëruar që të qëllohet mbi protestuesit. Unë e marr me mend dhe të tërë shqiptarët e dinë, por duam që të dalë para drejtësisë ky person. Efektin politik problemi e ka bërë, shqiptarët e kanë shumë të qartë se çfarë ka ndodhur, po ashtu dhe unë e kam shumë të qartë, tani që akuzohet direkt Komandanti i Gardës, por dua që të marrin dhe përgjegjësitë ligjore.
-Pasi kanë dalë disa emra dhe janë zbardhur disa gjëra më shumë rreth kësaj ngjarje, pritet që të marrë rrjedhë tjetër politika jonë?
-Jo nuk pres ndonjë ndryshim, pasi nuk është e para ngjarje e rëndë që ka ndodhur, pasi ka pasur dhe ngjarje të tjera më të rënda dhe nuk ka ndodhur ndonjë çudi. Por kjo varet shumë edhe nga opozita, nëse ajo është e vendosur në detyrën e saj, nëse do të jetë e mirëorganizuar në detyrën e saj them që do të ndodhin dhe pres që të ndodhin gjëra të rëndësishme. Nuk ka situatë më pozitive për opozitën kur del kreu i gardës dhe shefat e tjerë të implikuar në një gjë kaq të rëndë.
-Një ngjarje e rëndësishme në jetën politike të këtij viti është zgjedhja e Presidentit, maxhoranca pretendon që e ka ajo presidentin sipas Kushtetutës. Ndërkohë që, opozita kërkon një president konsensual. A e shihni të mundur zgjidhjen e një Presidenti të tillë konsensual duke pasur parasysh klasën tonë politike?
-Unë uroj dhe do të doja që të gjendej një gjuhë e përbashkët për zgjidhjen e presidentit këtë vit. Ne e krijuam një precedent të tillë me zgjedhjen e Moisiut, dhe e përshëndeta pavarësisht se, nuk më pëlqeu. Por historia tregoi që ishte pozitive, pavarësisht se edhe Moisiu pastaj i propozuar nga Berisha, ai nga mesi i mandatit nuk e pëlqeu më atë. Kështu që Berishës, nuk i pëlqen më asnjë, pasi ai e kishte të vetin Bamir Topin, e kishte nga grupi i tij parlamentar. Por një njeri me një minimum personaliteti kur shkon në postin e Presidentit, ai lexon se, cilat janë kompetencat dhe detyrat e tij dhe kur ka një personalitet sigurisht që, do bëjë ato detyra që thotë ligji, por që bien ndesh me detyrat e Berishës. Çdo President atë do bëjë, vetëm po të jetë një robot i programuar, që normalisht nuk do ishte President, por do ishte robot, vetëm ai do bënte atë që thotë Berisha, një njeri i zakonshëm do atë që thotë Kushtetuta. Prandaj do doja një njeri që të ishte konsensual dhe do doja një njeri ai që tha ambasadori amerikan. Ai përmendi disa parametra, që edhe mund të mos jetë politikan, por me atë që ka bërë deri më sot të dëshmojë që po ai, di ta bëjë rolin e Presidentit, që di të bisedojë me palët, di të ndërmjetësojë.
-Në media është folur për një parti të re që do të krijohet nga zoti Topi, si do të ndikojë kjo për PD-në?
-Unë nuk e di se sa i zoti do të jetë ai në formimin e partive, se ai nuk qenë ndonjëherë në drejtimin e një partie, pasi e kanë krijuar të tjerët partinë. Por për mua do të ishte pozitive, unë jam kundra idesë që në Shqipëri të ketë pak parti. Nuk është klima politike, as kultura që të mjaftoheshin me dy parti të mëdha. Ka vende, ku janë dy parti dhe janë ato që luftojnë se kush do e marrë pushtetin, por janë vende me një eksperiencë më të madhe në fushën e demokracisë. Ndërkohë që, ka vende prapë me shumë eksperiencë, por që nuk e kanë arritur këtë lloj niveli. Në përgjithësi janë vendet mesatare që kanë këtë lloj praktike. Unë do ta mirëprisja një parti të tillë, jo se do të merrte votat e Berishës, se nuk është ky problemi, në qoftë se e majta do të dijë të organizohet, unë jam i sigurt që ajo fiton dhe nuk ka nevojë që të jetë dhe zoti Topi që t’i marrë disa vota. Por do më pëlqente që edhe e djathta të formatohet në disa parti, në mënyrë që të dilte sa më qartë një opinion politik.
-
1 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version
- Fatos Nano drejt PS-së
- Dashuri engjëjsh
- Nis sondazhi në "Telegraf" për personazhin e vitit 2011
- Flet astrologia Meri Shehu
- Shpallen personalitetet e vitit 2010 në “Telegraf”, Ja më të preferuarit e publikut shqiptar



Publikoni komentin tuaj