Intervistë me Rektorin e Universitetit të Arteve
Prof. Dr. Petrit Malaj: Afatet dhe përbërja e komisioneve për shpalljen e kandidaturave për drejtuesit e rinj
Menjëherë mbas urdhrit të ministrit të Arsimit për fillimin në rrugë zyrtare të fushatës zgjedhore për organet kolegjiale dhe autoritetet drejtuese në institucionet publike të arsimit të lartë,të gjithë universitetet kanë filluar punën për ngritjen e komisioneve dhe zhvillimin në tërësi të zgjedhjeve. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Telegraf”, z. Petrit Malaj, Rektor i Universitetit të Arteve,ka pohuar se, Kandidaturat në këtë universitet ende nuk janë shpallur, pasi ka një procedurë ligjore që duhet të ndiqet.
Profesor, cila është rruga që do të ndiqet në Universitetin e Arteve për organet kolegjiale?
Mbas urdhrit të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës z. Myqerem Tafaji, i cili hap fushatën zgjedhore në institucionet publike të arsimit të lartë. Dhe bazuar në këtë urdhër do të vijojnë të gjitha procedurat e mëtejshme për të zhvilluar me korrektesë ligjore zgjedhjet në të gjitha Universitetet shqiptarë, ku përfshihet këtu edhe Universiteti i Arteve. Konkretisht Universiteti ynë, nisur nga të gjitha detyrimet që përcakton ligji i arsimit të lartë, dhe në rastin konkret fillimi zyrtar i fushatës së zgjedhjeve, ka mbledhur Senatin Akademik në datën 17 të këtij muaji. Ky ka miratuar rregulloren për organizimin e zgjedhjeve për autoritetet dhe organet drejtuese në Universitetin e Arteve.
Çfarë përmban rregullorja që është miratuar nga Senati Akademik i Universitetit të Arteve?
Në rregullore e miratuar nga ky Senat, përfshihen dispozitat e përgjithshme, parimet bazë, organizimin e zgjedhjeve, mënyrën se si do të organizohen komisionet zgjedhore, paraqitjen e kandidaturave, kriteret për kandidatët ,si do të organizohet votimi numërimi i votave dhe shpallja e fituesve, përcjellja e kandidatëve të zgjedhur dhe emërimi i tyre. Pra, rregullorja përcakton në detaje të gjithë mënyrën sesi do të funksionojnë dhe organizohen zgjedhjet në Universitetin e Arteve , duke përcaktuar komisionet përkatëse , mënyrën e ndërtimit të tyre, mënyrën funksionimit të tyre deri në momentin e fundit të kësaj rruge të nisur tashmë zyrtarisht dhe konform të gjitha rregullave të arsimit të lart në Shqipëri.
Si do të procedohet me komisionet e zgjedhjeve?
Komisionet e Zgjedhjeve do të jenë tre, KQZI, me përfaqësues nga të tre fakultetet, një anëtar i Administratës dhe një përfaqësues nga Këshilli Studentor i Universitetit. Ndërsa, përsa i përket fakulteteve është e njëjta formulë, por tashmë me tre anëtarë, një përfaqësues nga personeli akademik, një përfaqësues i administratës dhe një student. Gjithashtu, do të jetë edhe Komisioni i Ankimit. Dua të shtoj se komisionet në Universitetin e Arteve nuk janë të mëdha në numër si në universitetet e tjera të Tiranës, të cilët kanë më shumë se tre fakultete dhe normalisht përfaqësimi do të jetë më i lartë. Universiteti i Arteve edhe pse ka vetëm tre fakultete e rëndësishme është që të përfaqësohen të gjitha strukturat e trupës zgjedhore që janë pjesë e universitetit tonë.
A do të ketë kritere për kandidatët pretendentë në universitetin që ju udhëhiqni?
Padyshim që do të ketë kritere. Ato janë përcaktuar në ligjin e arsimit të lartë, dhe rregullorja nuk ka bërë as më pak edhe as më shumë përveçse i ka përsëritur këto kritere ku padyshim për t’u zgjedhur një person në organet kolegjiale të universitetit duhet të ketë gradën Doktor i Shkencave, Profesor i Asociuar dhe gradën Profesor. Pra, të ketë një kualifikim shkencor. Këto janë të përcaktuar në ligj. Gjithashtu, ligji ka përcaktuar saktësisht që trupat përbërëse zgjedhore janë personeli akademik, punonjësit e administratës dhe studentë me një përqindje të caktuar. Ku 75% të vlerës së votës e ka trupa akademike, 20% studentët dhe 5% administrata. Kjo është e vlefshme për të gjitha organet kolegjiale që do të përzgjidhen.
Kur do të shpallen kandidaturat dhe a do të kemi surpriza për një rikandidim të mundshëm nga ana juaj?
Kandidaturat ende nuk janë shpallur, pasi ka një procedurë që duhet të ndiqet, edhe pse fjalët mund të qarkullojnë, ende nuk mund të bëjmë asgjë të ditur për ata që mendohet se mund të kandidojnë. Ekziston një procedurë ligjore bazuar në rregulloren që ka miratuar Senati Akademik, ku secili prej kandidatëve do ta shpall kandidaturën brenda pesë ditëve nga konstituimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Institucione. Kjo do të shpallet pas dy ditëve në universitetin tonë. Tani jemi në një fazë ku Këshillat e Fakulteteve po bëjnë mbledhjet e tyre të jashtëzakonshme për të përcaktuar anëtarët, atë çka ju takon atyre në bazë të rregullores për në Komisionet Zgjedhore. Duke kaluar më pas në Senatin Akademik për miratim. Ndërsa përfaqësuesit e studentëve do të përzgjidhen nga Këshilli Studentor. Do ta merrni vesh shumë shpejt nëse do të këtë një rikandidim të postit që unë mbaj aktualisht. Pasi këto ditë shpallen kandidaturat, edhe pse këto gjëra nuk përbëjnë sekret do të më pëlqente që në momentin e duhur të kem shprehinë time.
Komisionet zgjedhore, përzgjedhja e kandidatëve dhe shpallja e fituesve.
Ja rregullorja që do të udhëheqë procesin zgjedhor për autoritetet dhe organet drejtuese në Universitetin e Tiranës
Nga Senati Akademik i Universitetit të Tiranës është miratuar rregullorja për organizimin e zgjedhjeve për autoritetet dhe organet drejtuese në Universitetin e Tiranës. Për organizimin e zgjedhjeve në Universitetin e Tiranës ngrihen komisionet e zgjedhjeve: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Institucionit (KQZI), Komisionet e Zgjedhjeve të Fakulteteve ( KZF) dhe Komisioni i Apelimit ( KA).
Zgjedhjet organizohen dhe zhvillohen nën drejtimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të UT-së.
Votimi për organet dhe autoritetet drejtuese në të gjitha nivelet, në UT zhvillohen pranë qendrave të votimit të njësive kryesore. Komisionet e zgjedhjeve të fakulteteve janë përgjegjëse për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në njësinë kryesore përkatëse. Autoritetet drejtuese të institucionit dhe të fakulteteve te tij, si dhe kancelarët respektivë të tyre, duhet të vënë në dispozicion të procesit të zgjedhjeve, si për autoritetet edhe organet drejtuese, personelin dhe mbështetjen e nevojshme administrative e materiale. Përbërja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZI) miratohet nga Senati Akademik i UT-së, brenda tre ditëve kalendarike nga shpallja e datës së fillimit të procesit zgjedhor. KQZI përbëhet nga 7 anëtarë (5 anëtarë nga personeli akademik, 1 nga personeli joakademik, 1 nga studentët). Në përbërje të Komisioni të Apelimit, është e detyrueshme pjesëmarrja e të paktën një juristi, i cili përzgjidhet me short midis dy kandidaturave të propozuara nga Këshilli i Fakultetit të Drejtësisë. Katër anëtarët e tjerë të KQZI-së nga personeli akademik, përzgjidhen me short nga Senati Akademik i UT-së, midis shtatë kandidaturave të propozuara nga këshillat e njësive kryesore përkatëse (një kandidat për secilën njësi kryesore). Anëtari i KQZI-së nga personeli joakademik përzgjidhet me short nga Senati Akademik, midis dy kandidaturave të propozuara nga Kancelari i UT-së. Kur ai kandidon për ndonjë post autoriteti drejtues, propozimet bëhen nga Drejtori i Burimeve Njerëzore në Rektorat. Anëtari student i KQZI-së përzgjidhet me short nga Senati Akademik, midis dy kandidaturave të propozuara nga Këshilli Studentor i UT-së. Anëtarët e KQZI-së nuk mund të kandidojnë për ndonjë post për autoritete drejtuese. Brenda dy ditëve nga zgjedhja e tij, KQZI-ja zgjedh me shumicë votash, nga përbërja e vet, kryetarin e Komisionit dhe zëvendësin e tij. Ky moment shënon dhe konstituimin e KQZI-së, me të gjitha të drejtat dhe detyrimet për realizimin e procesit zgjedhor në institucion. KQZI shpall menjëherë përbërjen e tij në mjedise të dukshme të UT-së dhe fakulteteve te tij. Përbërja e Komisioneve të Zgjedhjeve të Fakulteteve (KZF) miratohet nga këshillat e njësive kryesore respektive, brenda tre ditëve kalendarike nga konstituimi i KQZI-së. Çdo KZF përbëhet nga pesë anëtarë (tre nga personeli akademik, një nga personeli joakademik dhe një nga studentët). Tre anëtarët e KZF-së nga personeli akademik përzgjidhen me short nga këshilli i njësisë kryesore, midis kandidaturave të propozuara nga secila njësi bazë (një kandidat për secilën njësi bazë dhe dy kandidatë, kur njësia kryesore përbëhet nga tre njësi bazë). Anëtari i KZF-së nga personeli joakademik përzgjidhet me short nga këshilli i njësisë kryesore, midis dy kandidaturave të propozuara nga kancelari i njësisë kryesore. Kur ai kandidon për ndonjë post autoriteti drejtues, propozimet bëhen nga struktura e personelit në njësinë kryesore. Anëtari student i KZF-së përzgjidhet me short nga këshilli i njësisë kryesore midis dy kandidaturave të propozuara nga këshilli studentor i fakultetit përkatës. Anëtarët e KZF-ve nuk mund të kandidojnë për ndonjë post për autoritete drejtuese. Brenda dy ditëve, KZF-të zgjedhin me shumicë votash, nga përbërja e tyre, kryetarët e komisioneve dhe zëvendësin e tij. Ky moment shënon dhe konstituimin e KZF-së, me të gjitha të drejtat dhe detyrimet për realizimin e procesit zgjedhor në njësinë kryesore përkatëse, nën drejtimin e KQZI-së, mbështetur në këtë rregullore dhe ligjin "Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë", i ndryshuar. Çdo KZF shpall menjëherë përbërjen e tij në mjedise të dukshme të njësisë kryesore përkatëse.
Kandidatët për autoritete drejtuese kanë të drejtë të kenë një përfaqësues të tyre si vëzhgues respektivisht pranë KQZI-së dhe KZF-ve, të cilët mund të ndjekin të gjitha veprimtaritë për zgjedhjet dhe mund të marrin pjesë në të gjitha mbledhjet e komisionit të zgjedhjeve, pranë të cilit janë atashuar. Përbërja e Komisionit të Apelimit miratohet nga Senati Akademik i UT-së, brenda tre ditëve kalendarike nga shpallja e datës së fillimit të procesit zgjedhor. KA përbëhet nga pesë anëtarë nga, të cilët 1 nga personeli joakademik dhe 1 nga studentët. Në përbërje të këtij Komisioni, është e detyrueshme pjesëmarrja e të paktën një juristi, i cili përzgjidhet me short midis dy kandidaturave të propozuara nga Këshilli i Fakultetit të Drejtësisë. Dy anëtarët e tjerë të KA-së nga personeli akademik, përzgjidhen me short nga Senati Akademik i UT-së, midis shtatë kandidaturave të propozuara nga këshillat e njësive kryesore përkatëse (një kandidat për secilën njësi kryesore). Anëtari i KA-së nga personeli joakademik përzgjidhet me short nga Senati Akademik, midis dy kandidaturave të propozuara nga Kancelari i UT-së. Kur ai kandidon për ndonjë post autoriteti drejtues, propozimet bëhen nga Drejtori i Burimeve Njerëzore në Rektorat. Anëtari student i KA-së përzgjidhet me short nga Senati Akademik, midis dy kandidaturave të propozuara nga Këshilli Studentor i UT-së. Anëtarët e KA-së nuk mund të kandidojnë për ndonjë post për autoritete drejtuese. Brenda dy ditëve nga zgjedhja e tij, KA zgjedh nga përbërja e vet me shumicë votash, kryetarin e Komisionit dhe zëvendësin e tij. Ky moment shënon konstituimin e KA-së, me të gjitha të drejtat dhe detyrimet për realizimin e procesit zgjedhor në institucion. KA shpall menjëherë përbërjen e tij në mjedise të dukshme të Institucionit dhe fakulteteve të tij. Regjistrimi i kandidatëve për poste të autoriteteve dhe anëtarëve në organe drejtuese, përcaktuar në pikën 6.1. të kësaj Rregulloreje, bëhet brenda gjashtë ditëve kalendarike nga konstituimi i komisioneve të zgjedhjeve. KQZI-ja dhe KZF-të, verifikojnë plotësimin nga kandidatët e paraqitur të kritereve të parashikuara në këtë Rregullore dhe sipas ligjit "Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë", i ndryshuar. KQZI-ja dhe KZF-të zyrtarizojnë kandidatët, duke i renditur ata në lista të veçanta për çdo post autoriteti drejtues më vete. Për organet drejtuese, listat e kandidatëve do të jenë të veçanta sipas organeve drejtuese (Senat Akademik/Këshill i Administrimit/këshill i njësisë kryesore) dhe sipas kategorive të ndryshme (personel akademik, personel joakademik dhe studentë).KQZI-ja dhe KZF-të afishojnë listat e kandidatëve për postet e autoriteteve drejtuese Rektor dhe Dekan, listat e kandidatëve për përgjegjës të njësive bazë, si dhe listat e kandidatëve për organet drejtuese, në mjedise të dukshme të institucionit dhe fakulteteve përbërëse të tij, jo më vonë se dhjetë ditë nga data e konstituimit të tyre.
Listat e zgjedhësve, hartohen më vete për përfaqësues të kategorive të ndryshme të trupës zgjedhore:
personel akademik; b) personel joakademik; c)studentë.
Këto lista përgatiten nën përgjegjësinë e Rektoratit, dekanateve dhe kancelarëve respektivë dhe ju dorëzohen KZF-ve jo më vonë se pesëmbëdhjetë ditë nga data e fillimit të procesit zgjedhor në Universitetin e Tiranës.
KZF-të afishojnë menjëherë listat paraprake të zgjedhësve në mjedise të dukshme të fakultetit përkatës.
Për çdo problem lidhur me listat e zgjedhësve, zgjedhësit duhet të njoftojnë KZF-në respektive, brenda tre ditëve kalendarike, nga shpallja e listave paraprake. Brenda dy ditëve kalendarike pas përfundimit të afatit të reklamimit të gabimeve në lista, KZF-të marrin vendim mbi reklamimet e bëra dhe afishojnë listat përfundimtare të zgjedhësve. KZF-të dorëzojnë kopje të këtyre listave në KQZI. KQZI i publikon ato në mjedise të dukshme të institucionit. KQZI-ja dhe KZF-të, mbështetur në listat e veçanta që tregohen në aneksin nr. 1, bashkëlidhur kësaj rregulloreje, për secilin organ drejtues (Senat Akademik, Këshill Administrimi, këshill i njësisë kryesore) dhe për çdo post autoriteti drejtues, përgatisin fletëvotimet jo më vonë se pesë ditë kalendarike para datës së caktuar për zhvillimin e zgjedhjeve. Filialet e UT-së në Kukës dhe Sarandë, ndjekin të njëjtat procedura si njësitë kryesore në zgjedhjen e autoriteteve dhe organeve drejtuese. KZF-ja ngrihet në nivel filiali për të gjitha programet e studimit, me përbërje të propozuar nga personeli akademik i secilit program. Nëse numri është më i madh se tre, me short përcaktohet përbërja sipas pikës 5.2 të Rregullores. Paraqitja e kandidatëve për konkurrim për të gjitha nivelet fillon që nga momenti i konstituimit të komisioneve përkatëse të zgjedhjeve dhe përfundon brenda gjashtë ditëve kalendarike. Fletë-aplikimi i një kandidati për konkurrim për autoritet drejtues apo anëtar i një organi drejtues, duhet të përmbajë gjeneralitetet e plota, vendin e punës dhe postin për të cilin kandidon. Kur kandidati është personel akademik i UT-së, për regjistrim paraqet vetëm fletë aplikimi për konkurrim për autoritet drejtues apo anëtar i një organi drejtues. Kur kandidati nuk është personel akademik i UT-së, përveç fletë aplikimit për konkurrim për autoritet drejtues apo anëtar i një organi drejtues, për regjistrim paraqet një CV, një fotokopje të një dokumenti identifikimi zyrtar, dëshminë e gradës/titullit, dëshminë e penalitetit. Kandidati për anëtar i zgjedhur në Këshillin e Administrimit:
nuk mund të kandidojë edhe për anëtar i Senatit Akademik, për postin e Rektorit, të dekanit/drejtorit apo përgjegjësit të departamentit;
duhet të ketë së paku gradën shkencore "Doktor";Anëtari i zgjedhur në KADM, nuk mund të emërohet në detyrën e zëvendësrektorit, zëvendësdekanit apo kancelarit. Në Fakultetin e Mjekësisë përgjegjësit e shërbimeve kanë të drejtë të kandidojnë për anëtar në Këshillin e Fakultetit. Kandidati për postin e autoritetit drejtues Rektor/dekan duhet të ketë së paku titullin “Profesor i asociuar”, apo të ketë gradën shkencore "Doktor" (PHD) të fituar pranë universiteteve perëndimore dhe me përvojë akademike në këto universitete. Kandidati për autoritet drejtues në UT, nuk mund të kandidojë për më shumë se një post autoriteti drejtues në të njëjtën kohë.
Trupa zgjedhëse për Rektorin e një Institucioni publik të Arsimit të Lartë përbëhet nga:
personeli akademik i institucionit, i cili është i punësuar me kohë të plotë.
personeli joakademik i institucionit i punësuar me kohë të plotë.
studentët të cilët ndjekin studimet me kohë të plotë në atë institucion, përfshirë edhe studentët e programeve të specializimeve afatgjata në FM. Në zgjedhjen e autoriteteve drejtuese, votat e studenteve dhe votat e personelit joakademik llogariten me përqindje. Ato vlejnë 20 për qind në totalin e përgjithshëm të votave për studentët dhe 5 për qind në totalin e përgjithshëm të votave për personelin joakademik. Fushata zgjedhore përfundon 24 orë para datës së zgjedhjeve. Votimi bëhet në qendrat e votimit pranë fakulteteve. KZF-ja funksionon edhe si komision votimi në qendrën e votimit të fakultetit, në të cilën votojnë personeli akademik dhe joakademik. Për studentët ngrihen qendra votimi në varësi të numrit të tyre. Si rregull, për deri në 1 000 studentë ngrihet një qendër votimi. Të gjithë votuesit që do të marrin pjesë në zgjedhje, do të kenë me vete edhe dokumentin e identifikimit.
-
1 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version
- Fatos Nano drejt PS-së
- Dashuri engjëjsh
- Nis sondazhi në "Telegraf" për personazhin e vitit 2011
- Flet astrologia Meri Shehu
- Shpallen personalitetet e vitit 2010 në “Telegraf”, Ja më të preferuarit e publikut shqiptar



Publikoni komentin tuaj