Terror mbi shqiptarët në Greqi
Vetëm brenda 20 ditëve janë vrarë 5 emigrantë shqiptarë në Greqi. Nga shteti asnjë reagim
Edhe një tjetër 27 -vjeçar është gjendur i vrarë ditën e diel në Nea Triglia të Halkidikis, duke e çuar numrin e të vrarëve në 158. Viktima nga të afërmit cilësohej si zhdukur që nga data 12 dhjetor dhe për këtë kishte kërkuar edhe ndihmën e autoriteteve greke në Neon Mudhanion të Halkidikis. Viktima i dytë është gjetur i vrarë me goditje të forta ditën e shtunë në rrugën Athinon dhe Mitrodhoru në Kolono në qendër të Athinës, por akoma nuk dihet identiteti i tij. Theksohet se, brenda muajit dhjetor janë kryer pesë vrasje kundra emigrantëve shqiptarë. Por pyetja shtrohet se, sa emigrantë të tjerë të pafajshëm duhet të vriten akoma që shteti shqiptar të mos heshtë? Edhe pse këto vrasje publikohen pothuajse çdo ditë në shtypin shqiptar nga shteti ynë ende shihet një indiferentizëm i theksuar, thuajse emigrantët nuk i përkasin më këtij shteti. Jo pak herë është kërkuar, që shteti shqiptar duhet t’i kërkojë vendit fqinj arsyen përse ndodhin këto vrasje, si edhe nga ana tjetër pa humbur kohë duhet të fillojë hetimet mbi të gjitha vrasjet, me qëllim për të parandaluar vrasjet e tjera. Këto lloj vrasjesh u theksuan edhe në ambasadën tonë në Athinë më 15 dhjetor, ku kreu i ambasadës pati një takim me një grup gazetarësh dhe intelektualë shqiptar me rastin e mbylljes së vitit. Lidhur me këto vrasje, një indiferentizëm i theksuar shihet edhe nga punonjësi i policisë së Ministrisë së Punëve të Brendshme pranë ambasadës sonë në Athinë, që asnjëherë nuk ka bashkëpunuar apo të ketë pasur dëshirën të informojë gazetarët tanë për çka ndodh në këtë vend. Por edhe pse profili i tij nuk ka te bej me ambasadën, shteti shqiptar i ka dhënë në dispozicion një zyrë brenda ambientit të ambasadës, gjithashtu ka punësuar të shoqen sekretare të ambasadorit, duke lënë të mendosh se gjërat nuk mund të shkojnë ashtu siç duhet. E theksojmë këtë duke pasur parasysh se emigrantët tanë në Greqi përbëjnë mbi 16% të gjithë popullsisë shqiptare, një numër që duhej të ishte marre në konsideratë nga ana e shtetit shqiptar, duke parë se kontributin e vendeve të tjera për emigrantët që ata kanë. Kjo vrasje është e pesta brenda 20 ditëve, duke e rritur numrin në listën e viktimave në 158 dhe që përkon me ditën ndërkombëtare të emigracionit. Jo pak herë emigrantët në mënyra të ndryshme kanë kërkuar mbrojtje ligjore dhe dinjitoze nga shteti i tyre kudo që ata punojnë, por siç shihet deri më sot askush nuk po mendon për ta. Mbrojtja e emigrantëve nuk i përket dhe nuk është detyrë vetëm e qeverisë dhe e ambasadës, por është detyrë edhe e presidentit të vendit, i opozitës dhe partive e organizmave të tjera politikë të vendit. Mungesa i hetimeve të vrasjeve përcjell një imazh të keq për viktimat, ku eshtrat e tyre ende presin një pafajësi nga drejtësia. Familjet e viktimave i kërkojnë shtetit shqiptar për të filluar sa më shpejt negociatat me vendin fqinj për hapjen e këtyre dosjeve, sepse nuk është fjala për një apo dy, por për dhjetëra vrasje të emigrantëve shqiptarë të pafajshëm. Por qëllimi i hetimeve ka të bëjë me pyetjen se perse u vranë këta emigrantë?
Theksojmë se, duke nxjerrë në dritë të vërtetën mbi këto vrasje makabre të emigrantëve shqiptarë nuk bëjmë gjykimin, por kërkojmë drejtësi mbi shtetin fqinj. Gjate 20 vjetëve në emigracion për fat të keq kam parë se sa vite kalojnë, lista e viktimave shqiptare rritet ndërsa vrasësit ecin të lirë midis nesh, buzëqeshin dhe tallen me dinjitetin dhe dhimbjen tonë, duartrokiten në sallat e gjyqeve, pasi i tillë është ndërtuar sistemi i sotëm në Greqi, që reflekton një mbijetesë të nacionalizmit në vetë shtetin grek. Por deri kur? Si ka mundësi që asnjë politikan, kryeministër apo president, qoftë shqiptar apo grek, të mos shqetësohet për këto 158 vrasje makabre ndaj emigrantëve?! Si ka mundësi që brenda 20 ditësh të vriten 5 shqiptarë dhe të mos jetë zbuluar akoma asnjë vrasës? Fenomeni i emigracionit tregoi se gjatë këtyre 20 vjetëve të fundit, ciganët dhe shqiptarët vriten me shumë lehtësi dhe pa asnjë përgjegjësi. Ciganët dhe shqiptarët janë viktimat e radhës që përbëjnë numrin më të madh të të vrarëve në Greqi. Thua të jetë rastësi?... Deri më sot asnjërit prej emigrantëve të vrarë nuk ju faktua pas vdekjes ndonjë implikim me shkelje të ligjit. Deri më sot askush nga qeveria greke nuk ka kërkuar falje publike për këto vrasje të pafajshme që u mori jetën 158 emigrantëve shqiptarë në Greqi, përballë indiferentizmit të qeverisë shqiptare. Duhet të pranojmë se vrasjet e shqiptarëve në Greqi janë vazhdimësia e vrasjeve të shtetit shqiptar që vetëm për vitin 1990 kishte kryer 33 vrasje në kufirin shqiptaro-grek. Mos valle kjo mund të jetë një nga arsyet përse qeveria shqiptare nuk ka kurajën të reagojë mbi këto vrasje makabre. Ne nuk do të heshtim dhe as nuk do të lodhemi për publikimin vit pas viti të vrasjeve të emigrantëve tanë në shtetin helen, pasi ky racizëm po merr një përshkallëzim të paparë. Sot në 2011, asnjë nuk mund t’i pranojë këto vrasje në një vend demokratik anëtar i BE. Një enigmë mbetet gjithashtu që nga 67 marrëveshje të vendosura ndërmjet dy vendeve nuk është bërë e mundur të paktën një marrëveshje e përbashkët për hetimin dhe keqtrajtimin si dhe për vrasjet e shqiptarëve në Greqi. Le të mendojmë për një çast sikur në Greqi të ishte vrarë një kinez, rus apo gjerman si do të reagonin këto vende për emigrantët e tyre? Do të heshtnin njëlloj si Shqipëria?...
-
108 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version
- Fatos Nano drejt PS-së
- Flet astrologia Meri Shehu
- Dashuri engjëjsh
- Sondazhi në "Telegraf"
- Shpallen personalitetet e vitit 2010 në “Telegraf”, Ja më të preferuarit e publikut shqiptar



Publikoni komentin tuaj