Intervistë me Nard Ndokën
Kodi Zgjedhor, kusht për aleancat në zgjedhjet e 2013-ës. PDK po shqyrton ofertat e bashkimit me PD-në
Pas aludimeve të disa ditëve më parë, për një bashkëpunim mes qeverisjes aktuale të Partisë Demokristiane, vjen në një intervistë për “Telegraf”, vetë kreu i kësaj partie, Nard Ndoka, i cili flet për qëndrimin e tij aktual. Për zotin Ndoka, Kodi Zgjedhor, do të jetë ai që do të vendosë mbi fatin e një bashkëpunimin të mundshëm në të ardhmen me maxhorancën, por ajo që ka theksuar ndër të tjera ai është se dialogu politik mes maxhorancës nuk do të mungojë. Përsa i përket qëndrimit aktual, ai ka theksuar ndër të tjera se: “Ne jemi në opozitë dhe normalisht që jemi pjesë e “Opozitës së Bashkuar”, nga opozita nuk do të ndodhë ndonjë shkëputje me dëshirën tonë, por vetëm nëse PS-ja nuk orientohet drejt mbi reformën zgjedhore”. Maxhorancën ai e sheh të paangazhuar, përsa i përket reformës, për arsyen e thjeshtë se ajo dëshiron që të t’i vjedhë zgjedhjet, jo si t’i fitojë ato me votë, ndaj nuk është e interesuar për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse.
-Zoti Ndoka, po flitet për një bashkëpunim tuajin me maxhorancën, a do të realizohet dhe nëse po mbi çfarë kushtesh?
-Bashkëpunimi me maxhorancën në këto momente është vetëm për reformën zgjedhore. Është e vërtetë, se mbas disa problemeve politike dhe morale midis PD-së e PDK-së të krijuara në mënyrë të njëanshme nga PD-ja, sot ka një dialog politik midis palëve dhe këtë e konsiderojmë si të frytshme për të dyja palët. Është folur edhe për bashkëpunim, për bashkëqeverisje, për aleanca afatgjate, por çdo vendim do të merret në varësi të reformës zgjedhore dhe qëndrimit që PD-ja do të mbajë mbi Kodin Zgjedhor. Dialogu politik nuk do të mungojë edhe në të ardhmen.
-Aktualisht a jeni në koalicion me opozitën dhe nëse do të ndodhë një shkëputje e tillë për të bashkëpunuar me maxhorancën, çfarë do ju shtyjë drejt një qëndrimi të tillë?
-Ne jemi në opozitë dhe normalisht që jemi pjesë e “Opozitës së Bashkuar”, nga opozita nuk do të ndodhë ndonjë shkëputje me dëshirën tonë, por vetëm nëse PS-ja nuk orientohet drejt mbi reformën zgjedhore dhe nuk ndërton një koalicion opozitar të qartë dhe me rregulla loje transparente. Sot ne ndjehemi mirë me partitë opozitare dhe me PS-në si partia më e madhe e opozitës, por për fatin e keq të pasigurt për fatin e opozitës në tërësi për të ardhmen dhe kjo nga mungesa e koordinimit dhe faktorizimit të opozitës në tërësi. PS-ja shpesh herë punon dhe organizohet si një ishull i vetmuar eksperimental.
-A e shihni zgjedhjen e Presidentit, si një ngërç të mundshëm politik, pasi të dyja palët kanë pretendimet e tyre?
-Zgjedhja e Presidentit është një proces shumë i rëndësishëm për politikën shqiptare, për institucionet e pavarura dhe ato kushtetuese. Nuk do dëshironim kurrë, që zgjedhja e Presidentit të kthehet në ngërç apo akoma më keq në një krizë të rëndë politike. Shpresojmë se maxhoranca aktuale do të ngrihet mbi interesat e veta të momentit dhe të tregojë përgjegjësi dhe pjekuri për të miratuar me votë një President, që do të jetë mbi palët dhe garanci për të gjithë. E kundërta do të na fundosë akoma më shumë në krizën që ka sot politika shqiptare dhe vendi në tërësi. Një President i zgjedhur vetëm nga një palë do të prodhojë dhe rigjenerojë vetëm krizë politike dhe institucionale.
-Reforma zgjedhore, ka disa ngecje, ashtu siç është thënë nga palët kryesore. A prisni që ajo të përfundojë në afatin e caktuar?
-Nuk shpresojmë se reforma zgjedhore do të përfundojë në afatin e caktuar, maxhoranca nuk shfaq asnjë interes për një gjë të tillë. Maxhoranca akoma mendon si t’i vjedhë zgjedhjet, jo si t’i fitojë ato me votë, ndaj nuk është e interesuar për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse. PS-ja po tregohet naïve dhe e pa aftë për të kuptuar planet e PD-së dhe po vazhdon me sy mbyllur një proces që do t’i kushtojë vetë asaj për të ardhmen. Shpresojmë se do ketë një reflektim nga ana e PS-së, tashti herët dhe jo kur të jetë shumë vonë.
-Situata e shkaktuar nga dëbora në shumë zona të vendit është e vështirë. Sa e angazhuar është qeveria në marrjen e masave?
-Qeverinë e ka bllokuar bora për vete, qeveria thotë se ishte përgatitur për një dimër me shi, nuk e kishte menduar borën. Për fatin e keq shohim një qeveri, që edhe kur nuk kryen detyrën e vet, i kërkon opozitës që të mos bëjë politikë me pa aftësinë e saj. Qeveria tregon se reagon me shume vonese, pa plane, pa strategji, pa impuls, pa zgjidhje, por thjesht duke mbushur mediat me lajme demagogjike, se kryeministri shkoi andej dhe këtej, se ministrat flenë në hotele të zonave malore, por asnjëherë duke ndihmuar ato familje fatkeqe të izoluara nga moti, që e shohin shtetin vetëm në televizor dhe nuk e ndjejnë dorën dhe përkujdesjen e tij. Turp që moti i pritur i ashpër, gjunjëzon dhe gjen qeverinë në gjumë për të disatën herë. Të shpresojmë që moti duhet të ndërgjegjësohet për ne, duke parë, se nuk kemi një qeveri në lartësinë e motit dhe të detyrës së saj.
-
1 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version
- Fatos Nano drejt PS-së
- Flet astrologia Meri Shehu
- Dashuri engjëjsh
- Sondazhi në "Telegraf"
- Shpallen personalitetet e vitit 2010 në “Telegraf”, Ja më të preferuarit e publikut shqiptar



Publikoni komentin tuaj