Intervistë me Fidel Yllin
Jo të gjitha ëndrrat e kryeministrit bëhen realitet. Ç'mendoj për Kinën dhe pse këndova në gjuhën kineze
Nuk ka kaluar pa komente edhe në qytetin e Vlorës, kënga kineze, që këndoi gjatë diskutimit të tij në foltoren e Parlamentit të enjten, deputeti i Skraparit Fidel Ylli. Diskutimet të nesërmen janë bërë nëse Ylli kishte bërë humor, apo e dinte vërtetë këngën në gjuhën kineze? Për të shuar kërshërinë e shumë qytetarëve, por duke shfrytëzuar edhe njohjen me deputetin shumë vite më parë, kur gazetarët pinin kafe tek “Fideli”, bëmë këtë bisedë telefonike.
Z.Ylli, është kurioziteti i shumë qytetarëve në Vlorë, që duan të dinë: Kënduat vërtetë në gjuhën kineze, apo i sajuat vetë, pasi askush nuk e ka kuptuar të vërtetën?
Unë kam kënduar me të vërtetë, në gjuhën kineze, pa bërë asnjë gabim, këngën që i është kushtuar udhëheqësit të popullit kinez, Mao Ce Dun. Është një këngë që e kemi mësuar në rininë tonë. Mund ta dinë edhe shumë të tjerë, ndoshta edhe vetë Berisha, por mua m’u dha rasti ta këndoj publikisht. Sigurisht më duhej të bëja një ndryshim. Në vend të kryetarit Mao, vura emrin e kryeministrit tonë.
Çfarë ju shtyu të bëni këtë “diskutim”, që mbetet i rrallë në historinë e Kuvendit të Shqipërisë?
Ishte një diskutim, sido që me këngë, në përgjigje të propozimit të Kryeministrit Sali Berisha, për të përfshirë gjuhën kineze, si gjuhë e dytë në arsimin shqiptar. Duke kënduar këngën i dhashë të kuptoj se ka plot njerëz që e dinë kinezçen, madje edhe ta këndojnë. Një ndër këngët është kjo që i kushtohet udhëheqësit Mao Ce Dun.
E dini përmbajtjen e këngës?
Kur e kemi mësuar, më parë na është thënë përmbajtja në gjuhën shqipe. Kënga i kushtohet Mao Ce Dunit dhe arritjeve të mëdha, që janë arritur nën udhëheqjen e tij.
Përse e bëtë këtë veprim, ç’të keqe ka të mësohet edhe gjuha kineze, kur dihet që Kina është superfuqi në fushën ekonomike e kudo?
Duhet të kuptohemi, unë sikurse demonstrova, ju dhashë të kuptojnë se e dua gjuhën kineze, se një këngë që kam mësuar në atë gjuhë e mbaj mënd edhe pas shumë vitesh. Problemi qëndron tek Kryeministri, pasi të gjithë e dimë, që ajo deklaratë ishte një përçartje e tij si edhe në shumë raste të tjera. Ai e tha në mbledhjen e kabinetit dhe ajo do të mbetet thjeshtë një fjalë e tij, që do të mbahet mend për shumë kohë. Nëse flasim me këmbë në tokë, gjithkush e kupton se nuk ka asnjë mundësi të bëhet realitet, kjo porosi e Kryeministrit.
Është një kundërvënie politike, apo keni argumentet tuaja, që arrini në këtë përfundim z. Ylli?
Argumentet dihen dhe njihen. Zoti Kryeministër nuk e ka thënë këtë mendim të tij as kur ka takuar personalitete më të larta kineze, ma do mëndja se ishte një mendim i çastit, por gjeti kohën, kur fatkeqësia natyrore po merr jetë njerëzore. Më tej. Ashtu sikurse është kundërshtuar kjo çartje e Kryeministrit edhe nga shumë gjuhëtarë, ai bie ndesh, e para me ligjin. Në ligj thuhet që gjuha e dytë e huaj zgjidhet me dëshirën e nxënësve, pra nuk ia imponon kryeministri vullnetit të tij se çfarë gjuhë do të mësojë. Problemi dytë, që tregon qartë se është një lajthitje e kryetarit të Qeverisë, e zëmë se shumë nxënës do të dëshironin të mësonin gjuhën kineze, a e garanton këtë Qeveria e Berishës? Ku do t’i gjejë mësuesit, si do t’i paguajë, ku do t’i gjejë shpenzimet për këta “mësues të gjuhës kineze”, që janë aq të rrallë? Aaa, nëse pas disa vitesh, do të bëheshin të aftë ai numër i pakët studentësh që mësojnë këtë gjuhë në fakultetin e gjuhëve të huaja, atëherë mund të themi se ofrohet mundësia. Por edhe kur të vijë ky moment, Qeveria paraqet strategjinë e saj për ta bërë realitet mësimin e gjuhës kineze, që përveç të tjerash, forcon miqësinë mes popujve tanë. Tani për tani, kjo do të mbetet një kërkesë në hava e Berishës, që do të mbahet mënd edhe në kohën që e tha dhe që nuk e besojnë as ministrat e tij. Të vetmin efekt që pati kjo porosi, ishte ilariteti që shkaktoi në këto ditë të vështira që kalon vendi për shkak të vështirësive të motit.
Ju bëri nder edhe juve, që të këndonit publikisht kineze, apo jo?
Sigurisht.
-
1 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version
- Fatos Nano drejt PS-së
- Flet astrologia Meri Shehu
- Dashuri engjëjsh
- Sondazhi në "Telegraf"
- Shpallen personalitetet e vitit 2010 në “Telegraf”, Ja më të preferuarit e publikut shqiptar



Publikoni komentin tuaj