Trokasin zgjedhjet e parakohshme
Opsioni/ Dalja në skenë e partisë “Aleanca Kuq e Zi” dhe të Partisë së Presidentit Topi kushtëzon zgjedhjet e reja
Jemi para zhvillimesh të rëndësishme politike. Është konfirmuar kthimi i Aleancës Kuq e Zi në parti politike, ndërkohë që, është në prag të shpalljes edhe partia e Presidentit Bamir Topi, “Shqipëria e Re”. Duke parë me vëmendje skenën shqiptare të politikës, shfaqja e këtyre dy partive të reja është një hop i rëndësishëm që besohet se do të sjellë një tronditje të fortë politike. Më të shqetësuara nga krijimi i këtyre partive të reja janë pikërisht dy partitë më të mëdha në vend, PD dhe PS. Sepse dy partitë e reja votat e tyre do t’i marrin nga PD dhe PS, duke u hequr atyre monopolin e forcave udhëheqëse politike në vend. Kjo pritet të ndodhë për shkak të ezaurimit dhe të abuzimit që kanë bërë me pushtetin PD dhe PS gjatë këtyre viteve të tranzicionit. Në një sërë rastesh edhe ndërkombëtarët e kanë hedhur idenë e largimit të kësaj klase politike dhe të zëvendësimit me emra dhe figura të reja që të mendojnë më shumë për vendin dhe për popullin dhe të hedhin shikimin nga e ardhmja. Mirëpo, kjo është vetëm njëra anë e problemit. Sepse shfaqja e dy partive të reja politike në këtë periudhë dhe me një ambicie të fuqishme nga ana e tyre, besohet se do të kushtëzojë edhe shumë zhvillime të tjera politike në vend. Dhe zhvillimi më i rëndësishëm, pa dyshim që është mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme. Për zgjedhjet e parakohshme ka kohë që flitet, por në mënyrë më intensive po flitet tani së fundi. Mundësinë e mbajtjes së këtyre zgjedhjeve nuk e përjashtoi edhe një analist i madh si Janusz Bugajski. Konkretisht, Bugajski tha pardje se: “Ka gjithmonë mundësi. Në politikë asgjë nuk është e sigurt. Shpesh mund të ketë një krizë, mund të mos kesh besim, mund të kesh një koalicion që shkatërrohet, mund të kesh një krizë ndërkombëtare, të cilën qeveria nuk mund ta zgjidhë”. Në ndodhemi pikërisht në këtë fazë. Krizë ekonomike, trazira politike, mungesë stabiliteti. Të gjitha këto kushtëzojnë dhe shtrojnë si alternativë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, pa pritur vitin 2013.
Bugajski: “Zgjedhjet e reja nuk përjashtohen”
I pyetur se a ka një mundësi për zgjedhje të përgjithshme përpara 2013-s, Bugajski u përgjigj: “Ka gjithmonë mundësi. Në politikë asgjë nuk është e sigurt. Shpesh mund të ketë një krizë, mund të mos kesh besim, mund të kesh një koalicion që shkatërrohet, mund të kesh një krizë ndërkombëtare, të cilën qeveria nuk mund ta zgjidhë. Nuk më pëlqen të bëj parashikime se kur do të mbahen këto zgjedhje, dhe nëse do të ketë zgjedhje të parakohshme apo jo... Gjithsesi, zgjedhjet e parakohshme nuk janë domosdoshmërisht një ide e mirë. Nëse ato krijojnë një problem në kalendarin e zgjedhjeve... Kur ka patur zgjedhje, programi i reformave dhe programi për kualifikim evropian është lënë mënjanë, sepse vëmendja është tek të qenit i zgjedhur. Ajo që i nevojitet Shqipërisë është një program i përshpejtuar reformash dhe plotësim i kushteve në mënyrë që të kualifikohet për kandidaturën në Bashkimin Evropian. Pra, nuk do inkurajoja zgjedhje të parakohshme, sepse ato mund ta vonojnë këtë proces”.
Flasin për “Telegraf”
Sabit Brokaj: “Pa zgjedhje, nuk ka zgjidhje të krizës”
Vendi është në një krizë të thellë dhe të shumanshme dhe e vetmja zgjidhje është mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme. Kështu u shpreh mbrëmë për “Telegraf”, politikani i njohur Prof. Sabit Brokaj. Ai tha se kjo qeveri është e paaftë të zgjidhë krizën e thellë në të cilën është zhytur vendi. Zgjedhja e Presidentit të ardhshëm nuk ndryshon asgjë, mirëpo dalja e dy partive të reja, sikurse janë partia e Presidentit Topi dhe Aleancës Kuq e Zi kanë për të ndryshuar shumë gjëra. Mendoj se vendin mund ta fusë në zgjedhje të parakohshme vetë Berisha, në mënyrë që t’i gjejë të papërgatitura jo vetëm partitë e reja, por sidomos opozitën aktuale. Sidoqoftë, mendoj se, është bërë e pashmangshme mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme dhe sa më shumë të shtyhen ato, aq më shumë do të thellohet kriza në vend, përfundoi Prof. Brokaj.
Arjan Starova: “Nuk është koha për zgjedhje të parakohshme”
Ish-ministri i Jashtëm Arjan Starova thotë për “Telegraf” se, vendi nuk është në krizë dhe nuk ka asnjë arsye që të mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare. Kjo është e rëndësishme për momentin të kuptohet nga të gjithë, pasi vendi ka nevojë për më shumë punë dhe angazhim në rrugën e reformave integruese. I këtij mendimi ishte dhe Janusz Bugajski, i cili megjithëse nuk e përjashtoi mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve, theksoi se tani vendit i nevojitet një program i përshpejtuar reformash dhe plotësim i kushteve në mënyrë që të kualifikohet për kandidaturën në Bashkimin Evropian. Ndërkaq, Starova tha se, dalja e dy partive të reja politike nuk ka për të sjellë asnjë ndryshim në skenën e politikës.
Spahiu: Aleanca Kuq e Zi garon në zgjedhjet e ardhshme! Koalicion jashtë PS dhe PD
Kryesuesi i Aleancës Kuq e Zi ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në një vizitë pune për të takuar autoritetet e Departamentit të Shtetit. Duket se Kreshnik Spahiu ka zgjedhur këtë ditë dhe këtë vizitë në SHBA për të njoftuar zyrtarisht shndërrimin në një parti politike dhe për të sqaruar mënyrën se si do të futet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. “Kam kënaqësinë të jap lajmin e ri se Aleanca Kuq e Zi nuk vjen si parti e radhës, por lëvizje politike për ndryshim, shpresë e re, aleancë rinore për të hapur një kapitull të ri në politikën shqiptare. Vjen si një nga lëvizjet mbarëpopullore për të hapur një kapitull të ri dhe transformuar Shqipërinë nga një shtet privat në një shtet ligjor”,- tha Spahiu gjatë një interviste ndërsa konfirmoi shndërrimin në parti politike. I pyetur për aleancën dhe në cilin koalicion do të hynte në zgjedhje, Spahiu tha se, “natyrisht që Aleanca Kuq e Zi dhe koalicioni ynë do të jenë padyshim, qeveria amerikane, Uashingtoni dhe Brukseli. Shqiptarët janë lodhur duke parë PS-në dhe PD-në që ndërrohen në pushtet. Prej disa vitesh qeverisemi nga një parti bolshevike dhe është e rëndësishme që Aleanca Kuq e Zi të shkojë e vetme në zgjedhjet e ardhshme për të kandiduar jashtë koalicionit të PS dhe PD si mundësia e vetme për qarkullimin e elitave”. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Spahiu theksoi se, Shqipëria ka nevojë për ndryshimin e elitës politike, ndërsa Aleanca ka një platformë të qartë për limitimin e mandateve të lidershipit politik.
-
1 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version
- Fatos Nano drejt PS-së
- Flet astrologia Meri Shehu
- Dashuri engjëjsh
- Sondazhi në "Telegraf"
- Shpallen personalitetet e vitit 2010 në “Telegraf”, Ja më të preferuarit e publikut shqiptar



Publikoni komentin tuaj