Hyrje | Politike | Intervistë me Elmaz Sherifin

Intervistë me Elmaz Sherifin

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

Opozita pa strategji, objektivat e Lidhjes për Drejtësi dhe Progres dhe pse dy partitë e mëdha janë kundër reformave

 

 

 





Kryetari i Partisë Lidhja për Drejtësi dhe Progres, Elmaz Sherifi, bën një analizë të disa prej çështjeve më të rëndësishme që do të zhvillohen në harkun kohor të këtij viti, si zgjedhja e Presidentit, reforma, apo dhe zhvillimet brenda opozitës. Në një intervistë për “Telegraf”, zoti Elmaz, nuk e sheh si ngërç, zgjedhjen e Presidentit, për të cilin po aludohet shumë këto kohë, për faktin se janë ndryshimet kushtetuese të bëra në 2008, që nuk e lejojnë një gjë të tillë. Ndërsa bërja e reformave në Shqipëri, sipas tij, shihet dhe vlerësohen, se sa ato, mund t’u shërbejnë interesave politike të partive, për të fituar secila pushtet, për interesa te grupeve e lobeve të caktuara. Për zotin Sherifi, opozita, ka shumë kohë që e ka humbur “Nordin” dhe lëviz si Flygeri, pa një strategji të qartë. Nuk mund të gjesh një opozitë në Ballkan, që ka bërë me qindra deklarata, të vendosura si kushte, duke mos realizuar, gati, asnjë prej tyre dhe këtë gjendje ta pretendojë si politika e sukseseve të mëdha.

-Zoti Elmaz, a shihni zgjedhjen e Presidentit, si një çështje që mund të sjelli një ngërç, pasi të dyja palët kanë pretendimet e tyre?
-Zgjedhja e Presidentit të Republikës, mund të krijonte atë që ju e konsideroni “ngërç”, nëse nuk do të ishin bërë ndryshimet e dispozitave kushtetuese, për zgjedhjen e Presidentit në vitin 2008. Me ndryshimet e normave të Kushtetutës, nuk mund të ketë asnjë problem, mjafton që për kandidatët konkurrues të votojnë pro 71 deputetë. Sot maxhoranca e ka numrin e nevojshëm për këtë kuorum. Por unë mendoj se nuk kanë asnjë pretendim, nga të dyja palët për zgjedhjen e presidentit, sepse  dhe marrëveshja politike, për ndryshimet kushtetuese, ishte me pëlqimin e plotë të kryetarëve. Loja politike është diçka tjetër dhe opozitarët duhet ta kuptojnë. Që të jem më i drejtpërdrejtë, kryetari i opozitës mendoi, se duke siguruar mbështetjen e maxhorancës për ndryshimin e sistemit të zgjedhjeve, kishte mundësuar edhe zgjedhjen e presidentit nga vetë Ai. Kur u bënë ndryshimet kushtetuese, opozita ishte në euforinë e fitimit të zgjedhjeve me shumë lehtësi, prandaj, bëri dhe ndryshimet kushtetuese, si deshi vetë. Tani i duhet të bëjë zhurmë, për të shmangur, sa të jetë e mundur, vëmendjen e mbështetësve të vetë nga dështimi. Asgjë nuk duhet marrë seriozisht në deklaratat e eksponentëve të saj. Maxhoranca është komode dhe moralisht ka të drejtë, sepse ndryshimet kushtetuese u bënë me qëllim, që të shmangeshin pazaret politike dhe “ngërçet” e mundshme. Tani sipas meje ka vetëm zhurmë, zhurmë, shumë zhurmë, pasi Presidenti i ri, do të zgjidhet me shumë lehtësi, pavarësisht nga zhurma.
-Janë përmendur disa emra për President, si zonja Topalli, apo zoti Nano, si i vlerësoni ju këto emra?
-Është bërë e modës që të bëhen vlerësime e të jepen mendime, për kandidatët, duke harruar, se në politikën shqiptare, gjërat nuk zhvillohen sipas parimeve morale politike dhe sipas disa kritereve proceduriale, qoftë edhe të një tradite politike. Për të qenë sa më racional, jo emocional dhe për t’u larguar nga subjektivizmi, kam prirje t’u referohem kritereve e procedurave kushtetuese e ligjore. Në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, janë përcaktuar kriteret, se kush mund të jetë kandidat për president dhe cilat janë procedurat e zgjedhjes së tij. Në këtë kuptim, nuk mund të kundërshtosh, asnjë nga kandidatët që plotëson kriteret kushtetuese, në aspektin material dhe siguron minimumin e firmave të deputetëve, që sipas ndryshimeve kushtetuese, mjaftojnë vetëm 20-të, për të filluar procedura e zgjedhjes në seancën plenare. Znj Topalli, është Kryetare e Kuvendit, ndërsa z.Nano, është politikan me kontribute, si të tillë, s’ka arsye përse të mos të jenë kandidatë. Por kudo në vendet e zhvilluara dhe me traditë demokratike, zgjedhja e presidentit është moment shumë i rëndësishëm, që afirmon mendësinë demokratike politike dhe i jep këtij institucioni, kryetarit të shtetit,  mbështetjen politike , si premisë për të siguruar unitetin e kombit dhe bashkimin rreth këtij institucioni, jo ndarjen e thellë e luftën shterpe politike, si ndodh në Shqipëri. E gjithë kjo mendësi e praktikë konfliktuese për zgjedhjen e presidentit dhe jo vetëm e tij, pasqyron në realitet, tendencat e forta të drejtuesve të partive politike, për ta përdorur këtë institucion, për interesa politike partiake, jo për interes të shtetit e të Kombit. E përse duhet të konsumojë kaq shumë kohë e diskutime, pa asnjë vlerë, zgjedhja e Presidentit? Ky diskutim, sipas meje, nuk buron nga vlerësimi që ka klasa politike për institucionin e presidentit, përkundrazi ai vlerësohet për aq sa u shërben interesave partiake. Këtë e vërtetojnë praktikat e mëparshme, që për të realizuar interesat e palëve, janë zgjedhur kandidatë të pa njohur, por që janë shmangur pas diskutimeve publike. Klasa e sotme politike, duhet të jetë serioze, dhe i nevojitet të njoh traditën historike, se si janë krijuar institucionet politike edhe kur nuk kishte traditë politike në Shqipëri. Një rast i tillë, për referim, është zgjedhja për herë të parë në Shqipëri e Kryetarit të Shtetit, nga vetë shqiptarët, nga Kuvendi Kombëtar i Lushnjës në 1920. Elita politike e kohës, krijoi një kryetar shteti, që u quajt “Këshilli i Naltë”, me përfaqësues të shquar të jetës politike, të krahinave e besimeve fetare në Shqipëri, si Aqif Pashë Elbasanin, përfaqësues i besimtarëve Bektashinje, Dr.Mihal Turtullin përfaqësues i besimtarëve Ortodoks, Abdi Toptani, si përfaqësues i Muslimanëve sunit dhe Dom Luigj Bumçi, si përfaqësues i Katolikëve. Kjo formulë politike krijoi institucionin e unitetit kombëtar. Sot kemi Kushtetutën, që i jep zgjidhjen ligjore kushtetuese, Kryetarit të Shtetit. Por nuk kemi klasë politike të standardeve europiane, që t’i jap institucionit kushtetues, nëpërmjet zgjidhjes kushtetuese, përfaqësuesin real, që realizon unitetin e kombit. Zgjedhja e Kryetarit të Shtetit, nuk është vetëm çështje emrash, ajo kërkon frymë kombëtare dhe mendësi demokratike nga klasa politike dhe përfaqësuesi i zgjedhur në rrugë kushtetuese.
-Reforma është bërë ndër çështjet kryesore të diskutimeve politike. Sa reflektuese ju duken PD-PS, për të bërë një reformë të mirë?
-Reformat në Shqipëri, nga klasa e sotme politike, nuk shikohen as vlerësohen, si instrumente politike e juridike, për të plotësuar standardet që kërkojnë institucionet ndërkombëtare, nga plotësimi i të cilave përfiton Shqipëria e shqiptarët, por më tepër vlerësohen, se sa ato, mund t’u shërbejnë interesave politike të partive, për të fituar secila pushtet, për interesa të grupeve e lobeve të caktuara. Kjo praktikë dhe mendësia e partisë shtet e lidershipit të partive, është shndërruar në një sindromë politike, e cila dita ditës ka prirje të fuqizohet, jo të venitet e zhduket. Vetëm në Shqipëri për realizimin e reformave, kërkohen marrëveshje, midis kryetarëve të partive, jo bashkëpunim institucional në Kuvendin e Shqipërisë. Kryetarët e partive kryesore, janë në garë, se cili mund të dominojë ekranin televiziv, për të ndikuar politikisht institucionet politike të shtetit. Mendja nuk është te reformat, por te akuzat, për njeri-tjetrin dhe institucionet e tjera kushtetuese. Të duket sikur kryetarët dhe përfaqësuesit politikë të partive, bëjnë rolin e prokurorit, në një proces politikë. Vetëm në Shqipëri gjen opozita, që në çdo dhjetë vjet, u turren institucioneve politike me greva e demonstrata, të organizuara nga vetë ato. Ky standard i politikës dhe politikanëve shqiptar është larg, shumë larg standardeve të qytetërimit europian. Ky model politikanësh dhe kjo politikë e “ustallarëve të rrëmujës politike”, nuk mund të shërbejë, për të kryer reformat që kërkohen, si standard i anëtarësimit në BE. Me sa duket, kjo klimë politike, ka gjallëruar edhe primitivizma patriotik, të cilat për nga mendësia dhe forma e realizimit, janë shumë larg politikave multikulturale e globaliste të kohëve moderne. Kështu duket, sikur me dëshirë shohim nga e ardhmja, nga Europa, ndërsa me veprime jemi si në fazën e nacionalizmit të lëvizjes kombëtare Shqiptare, që synonte shkëputjen nga perandoria, nga lindja. Ky është sipas meje realiteti dëshpërues, aspak shpresëdhënës në Shqipëri sot.
-Brenda opozitës duket se ka mosmarrëveshje midis aleatëve, kryesisht për reformën. Sa e bashkuar u duket opozita për të fituar në zgjedhjet e ardhshme?
-Personalisht kam dhënë kaq shumë mendime për opozitën, sa mund ta teprojë me këshilla. Megjithatë, do të të ripërsëritja gjykimin tim, se opozita, ka shumë kohë që e ka humbur “Nordin” dhe lëviz si Flygeri, pa një strategji të qartë. Nuk mund të gjesh një opozitë në Ballkan, që ka bërë me qindra deklarata, të vendosura si kushte, duke mos realizuar, gati, asnjë prej tyre dhe këtë gjendje ta pretendojë si politika e sukseseve të mëdha. Analizoni deklaratat e “aleatëve natyralë” dhe deklaratat e fundit të “aleatëve konjukturalë”, për të bërë prognozën e së ardhmes së opozitës. Pikërisht, se situata nuk duket optimiste, iniciuam krijimin e Partisë “Lidhja për Drejtësi e Progres”, për të sjellë në politikën shqiptare një mendësi të re të funksionimit të demokracisë parlamentare dhe institucioneve politike të shtetit.

Subscribe to comments feed Komente (0 publikuar):

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj comment

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

  • Plain text 1 - Here eshte lexuar ky Artikull
  • email Email shokeve
  • print Print version
Vlereso kete artikull
0