Hyrje | Politike | Intervistë me Arben Rakipin

Intervistë me Arben Rakipin

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

Hetimi i 21 janarit, Gërdeci, puna e gjyqësorit, sulmet mbi Prokurorinë dhe roli i ndërkombëtarëve

 

 

 







Duke qenë ish- prokurori i Përgjithshëm, mjaft i suksesshëm Arben Rakipi, bën një analizë të hollësishme të një sërë çështjesh që kanë të bëjnë kryesisht me këtë institucionin. Për zotin Rakipi, sulmet e herëpashershme mbi këtë institucion janë të jashtëligjshme dhe të pajustifikuara, të paktën përsa i përket çështjeve konkrete ndaj, të cilave ka lindur shkaku që sulmohet Prokuroria. Si problemin kryesor të Prokurorisë dhe të shumë institucioneve në Shqipëri ai sheh pavarësinë institucionale. Në një intervistë për gazetën “Telegraf”, ai është shprehur se, “duhen reforma të mëtejshme ligjore, në mënyrë që çështjet të gjykohen shpejt, duhen përmirësime infrastrukturore në mënyrë që gjyqtarët të kenë kushtet e duhura për të përmbushur detyrën”.

-Institucioni i Prokurorisë është vënë në “shënjestër” nga politika, sidomos nga maxhoranca. Si do i cilësonit këto sulme?
-Unë e kam thënë edhe më parë, këto sulme i quaj të jashtëligjshme dhe të pajustifikuara, të paktën përsa i përket çështjeve konkrete, ndaj të cilave ka lindur shkaku që sulmohet Prokuroria. Motivet e këtyre sulmeve nuk është se kanë ndonjë rëndësi të madhe, por ajo që më intereson është që thelbi dhe përmbajtja e këtyre sulmeve janë të padrejta. Së dyti, duke e parë edhe më gjerë në raportin që duhet të kenë pushtetet ndaj njëra-tjetrës, unë mbroj idenë që pushtetet nuk duhet të përplasen në këto forma. Por ajo që ka rëndësi është që duhet të bashkëpunojnë ndërmjet tyre, për aq sa ligji u ka lejuar të bashkëpunojnë. Ndërkohë që, kur bëhet e kundërta, që është përplasja, mendoj se kontribuohet për dobësimin e punës së tyre dhe mungesën e efiçencës.
-Për lënien jashtë sulmeve politike të Prokurorisë, kanë folur herë pas here edhe përfaqësues ndërkombëtarë. Sa rol po luajnë deklaratat e tyre në çpolitizimin e këtij institucioni?
-Ligjërisht Prokuroria është e pavarur, është zgjedhur një model, i cili i ka siguruar pavarësinë institucionale. Në këtë pikëpamje nuk ka asnjë lloj pengese që kjo pavarësi të ushtrohet. Problemi themelor i Prokurorisë dhe jo vetëm, po i të gjithë institucioneve, është problemi i Pavarësisë së tyre funksionale, d.m.th i Prokurorëve që duhet të merren me zbatimin e ligjit në punën e tyre të përditshme. Se sa janë ata të pavarur, kjo është përgjegjësi e individëve. Sigurisht, pavarësia institucionale ndikon shumë në atë funksionalo-individuale, por jo gjithmonë, është e barasvlershme me të. Kështu që, them nga struktura ligjore Prokuroria i ka të tëra elementët e pavarësisë dhe duhet t’i ushtrojë ato. Çështja e pavarësisë funksionale e prokurorëve, varet edhe nga mënyra se si ushtrohet procedimi penal, nga marrëdhënia me ekzekutivin, nga policitë e ndryshme, nga marrëdhëniet me individët e interesuar e kështu me radhë. Të tërë këto elemente dhe subjekte si dhe mjetet që ata përdorin për të ushtruar influencën e tyre janë ndikues në pavarësinë funksionale të Prokurorisë.
-21 janari është një ndër çështjet që Prokuroria ka në hetim, një element i rëndësishëm në këtë hetim është dhe ekspertiza e specializuar e FBI-së. A mendoni se do të japë ndonjë ndikim të madh kjo ekspertizë në zbardhjen e ngjarjes?
-Ekspertiza është provë si gjithë provat e tjera që njeh ligji procedural penal. Sigurisht që, cilësia e rezultateve të ekspertimit mund të ndikojë në bazueshmërinë dhe qendrueshmërinë e një çështje. Por nuk duhet harruar apo me keq akoma, neglizhuar fakti se edhe ekspertimi ka element formal, të cilët duhen respektuar në mënyrë strikte, të cilat besoj se do të debatohen kur t’u vijë rasti, siç janë për shembull: mënyra e caktimit e ekspertëve, procedura dhe respektimi i procedurës për përfitimin e mendimit të tyre në rastet kur ata nuk janë shtetas shqiptarë etj.. Të tërë këto janë element procedurale që ndikojnë drejtpërsëdrejti në paraqitjen, përdorshmërinë ose jo të eksperimentimit. Ndërsa rezultati i përmbajtjes së eksperimentimit, unë besoj  se do të jetë  profesional dhe po ashtu një bazë e mirë, për konkluzionet e prokurorëve.
-Sulmet që po bëhen, i shihni si sulme ndaj institucionit, apo si sulme ndaj personit që e drejton këtë institucion?
-Unë jam me idenë që institucionet pak a shumë marrin fytyrën dhe karakteristikat e individit. Në këtë pikëpamje është vështirë që të ndash, karakteristikat e të dyve, por po të ishte sulm thjesht ndaj individëve do t’i quaja banale, të pafrytshme dhe të papranueshme. Mbase gjërat në Shqipëri janë katandisur deri aty, sa sulmet ndaj individëve të papëlqyeshëm për çfarëdo arsyeje kamuflohen nën petkun e kundërshtisë ndaj aktivitetit të tyre institucional. Nëse ndodh kështu, kurrkush prej individëve përgjegjës për të ushtruar aktivitet institucional nuk do të ishte i qetë të përmbushte detyrën e tij. Kjo sjell mpirje institucionale dhe kërcënim “me vdekje” për shkak të ushtrimit të detyrave shtetërore apo biznesit publik. Unë shpesh mendoj se terreni shqiptar politikëbërës e ka të vështirë për të ndarë, se ku mbaron individi dhe fillon institucioni. Pavarësisht simbiozës se karakteristikave  të institucionit dhe të individit, për të cilën fola më lart, mendoj se, ndarja e qartë e aktivitetit publik me jetën dhe angazhimet individuale e private, është e detyrueshme që të bëhen..
-Janë një sërë çështjesh në Shqipëri, që kanë kaluar një afat kohor të gjatë. Siç është çështja e Gërdecit, që mbush katër vjet apo edhe 21 janari që mbushi një vit. Si e shihni zvarritjen e këtyre çështjeve dhe a po e prishin imazhin e drejtësisë në Shqipëri?
-Kjo nuk është normale, këtu me një të rënë të lapsit mund të themi që nuk është aspak normale. Madje, është një shembull i mirë në favor të atyre që mbështesin idenë se, drejtësia funksionon duke u zvarritur. Prandaj, duhen reforma të mëtejshme ligjore, në mënyrë që çështjet të gjykohen shpejt, duhen përmirësime infrastrukturore në mënyrë që gjyqtarët të kenë kushtet e duhura për të përmbushur detyrën, për  ta imponuar aktivitetin e dhënies së drejtësisë  të jetë më dinamike, në ndihmë të halleve dhe problemeve të qytetarëve. Në fund të fundit aktiviteti i dhënies së drejtësisë përkufizohet si shërbim publik me rëndësi të posaçme. Në këtë pikë, ekzekutivi duhet të jetë në pararojë të përgjegjësit për përmbushjen e nevojave të tilla. Nuk duhet të harrojmë se edhe subjektet e tjerë të procesit të dhënies së drejtësisë, prokurorët dhe trupa avokatore, kanë përgjegjësi themelore në këtë drejtim.
-Si do e vlerësonit punën e drejtësisë në Shqipëri në dekadën e fundit, duke pasur parasysh gjykimet që janë bërë për një sërë çështjesh?
-Kjo është një pyetje e vështirë për t’ju përgjigjur në kaq pak kohë. Por duhet evidencë, duhet statistikë në lidhje me të dhënat. Unë them që përmirësime ka boll, ashtu siç ka dhe të meta. Një raport mes këtyre të dyve unë nuk jam në gjendje që ta bëj sot. Por ajo që mund të them shpejt e shpejt, është që fenomenet negative të korrupsionit më parë nuk kanë qenë kaq të shpeshta, kaq të dukshme, të hapura e “transparente”. Ndërsa sot janë bërë më të pranishme dhe për fat të keq edhe më të pranueshme nga fryma e përgjithshme që ekziston në vend. Ka një masë jo të vogël individësh, entesh dhe vendimmarrësish që nuk kuptojnë tashmë se detyra e tyre publike apo edhe ecuria e karrierave nuk lidhen me të patjetër, në mënyrë të pazgjidhshme me fitimin apo kontributin përkatës me natyrë investuese për të ardhmen.

Subscribe to comments feed Komente (2 publikuar):

hasan maranaj ne 21/02/2012 13:17:43
avatar
me kete prokurori nuk shkohet as ne libi e jo ma ne europe;per nje ceshtje dy standarte;perfundon gjygji ndaj ilir metes ndersa ndaj dritan priftit oakoma nuk ka filluar;ne shqipri ndalohet me ligje perdorimi i droges ,dritan prifti akuzon edi ramen per perdorues droge prokuroria nuk hap hetim ndaj ilir metes po ,pse keshtu,pse me dy fytyra prokuroria, gjykatat kan nje sens me temire ndaj ligjit po te mos ishin gjykatat ne kete nivel te mire ,ne shqipri per prokurorin te vepronte ligji i haxhi qamilit,per mua gjykata e larte ka noten 8 prokuroria ka vetem emrin
roni ne 17/02/2012 03:05:53
avatar
ja ku po ja u them une sot drejtesia eshte jasht funksonit te se drejtes , nuk zgjidhet asnje ceshtje si duhet sepse dhe ata gjyqetare apo prokurore qe duan te zbatojne ligjin si lejon mafja ne pushtetin e saliut ,ne kete vend cdo gje cdo dite ka marr fund ,kjo situate zgjidhet vetem me revolucion ,dhe me venien para hekurave fajtoret qe e katandisen vendin ne kete derexhe makabre si asnjehere tjter ,shteti sfunksionon per njerzit ,por per pushtetaret.
total: 2 | Treguar: 1 - 2

Publikoni komentin tuaj comment

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

  • Plain text 1 - Here eshte lexuar ky Artikull
  • email Email shokeve
  • print Print version
Vlereso kete artikull
1.00