Politika dhe ekonomia në udhëkryq
INTERVISTA/ Ish- guvernatori i Bankës së Shqipërisë Shkëlqim Cani, bën skanerin e politikës dhe situatës ekonomike
Marrëveshja e opozitës me maxhorancën për ligjet me shumicë të cilësuar, programi i PS-së, zgjedhja e Presidentit, situata ekonomike në Shqipëri, sfidat e Greqisë përballë një falimentimi të mundshëm, vijnë në një intervistë për “Telegraf”, nën këndvështrimin e ish -Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Shkëlqim Cani. Zoti Cani, shprehet disi skeptik përsa i përket situatës politike dhe asaj ekonomike në vend. Pesimizmi i zotit Cani, për situatën politike arrin deri aty sa ai e sheh të arsyeshme që qeveria aktuale të kërkojë zgjedhje të parakohshme, diçka që ai ka bindjen që maxhoranca e ka në plan për ta realizuar. Sipas tij, kjo është mënyra e vetme që mund të shpëtojë vendin nga kjo situatë politike dhe ekonomike në të cilën është zhytur Shqipëria. Zgjedhja e Presidentit, është një situatë delikate për të, por që do të arrijë që të zgjidhet me konsesnus, për shumë arsye, një ndër ta është dhe roli i ndërkombëtarëve që janë për një frymë konsensusi. Por krahas situatës politike dhe ekonomike në Shqipëri, zoti Cani si një ekspert ekonomie që është, bën dhe një analizë të shkurtër për situatën në të cilën ndodhet Greqia, ku konstaton se situata është shumë të rëndë dhe shprehet skeptik për përmirësime.
-Zoti Cani, prej disa kohësh kemi një marrëveshjeje midis dy aktorëve të mëdhenj politikë, e cila herë pas here ka pasur lëkundje. Si e shihni këtë marrëveshje dhe sa mund të zgjasë ajo?
-Më duket sikur zbatimi i kësaj marrëveshjeje dhe ligjet kanë ecur normalisht, të paktën sipas kontekstit shqiptar. Sepse e kuptoj që duke qenë në kuadrin e 12 pikave që ka në axhendë Shqipëria për të plotësuar nga BE-ja, pasi ne duam të bëhemi vend kandidat, por kjo është vetëm njëra pikë. Mendoj që, të dyja palët duhet të kenë parasysh që duhet të ecin për të plotësuar të 12 pikat që janë vendosur, dhe për më tepër që politika sidomos e maxhorancës duhet të jetë e kujdesshme që duhet të përmbushë më së miri detyrimet e saj. Është krejt e natyrshme që opozita të ketë frikën që qeveria të mbarojë ato që do ajo të mbarojë dhe pastaj të lejë ato punë që i interesojnë dhe opozitës dhe që janë në të mirë të vendit. Pra, duke qenë një klimë mosbesimi natyrisht që, këta do të luajnë me njëra-tjetrën, në thonjëza do të luajnë, në mënyrë që, të dyja palët të ecin me detyrimet që kanë reciprokisht. Unë në këto jam disi skeptik, pasi nuk është e para herë që të shprehin të dy dëshirën për bashkëpunim, edhe pse nuk shoh ndonjë pengesë të madhe. Kështu pra është traditë që qeveria të lërë në baltë, merr atë që do dhe të shtrydh si limoni. Në këtë pikë opozita duhet të jetë e vëmendshme në hapat që hedh.
-Opozita ka bërë publike një program që do të jetë për zgjedhjet e ardhshme, sa efikas u duket ky program dhe sa është ai i denjë për fitore në 2013?
-Së pari unë do të thoja që ky është një program në përpunim. Ishte një program që u hodhën disa hipoteza që u mirëpritën nga publiku. Natyrisht që, është detyrë e të tërë ne që jemi anëtarë të asamblesë, i cili është një nga katër pikat më themelore që kemi për gjysmën e vitit, por mendoj që do shtrihet edhe me tej. Pra, ne duhet të komunikojmë me publikun dhe anëtarësinë për këtë program që është paraqitur. Po ashtu së dyti duhet të marrim mendimin e tyre, si për përmirësimin e programit dhe për hartimin e programit elektoral. Për këtë jam i sigurt që do jetë një program tjetër më i përmirësuar nga ky program që është aktualisht. Por në këtë program janë hedhur disa piketa kryesore se ku është vizioni i opozitës për të ardhmen e vendit. Kjo ka të bëjë si për fitimin e zgjedhjeve dhe po ashtu edhe për të ardhmen e vendit, por që natyrisht, do të vijë dhe duke u detajuar në programe të tjera të mëtejshme më të detajuara dhe më cilësore.
-Po duke u ndalur dhe paksa tek prurjet e reja që u bënë këtë vit në kongresin e PS-së, për Asamblenë, si do i komentonit ato?
-Po unë e mbështes idenë e prurjeve të reja dhe këtë e shoh si një gjë pozitive në çdo kohë dhe në çdo rrethanë. Partia unë mendoj që ka nevojë për njerëz të rinj, sjellin një frymë të re, ndryshon pak debati, por dhe njerëzit të themi dhe mjeshtërohen në artin e të bërit politik. Kështu që zërat e rinj, po t’i lidhim me këto emisionet e debatit në Shqipëri, ku ka disa zëra të rinj këngëtarësh u janë lënë hapësira të reja. Kështu që, njerëzit si dhe unë, që do ta fusja veten tek njerëzit e thjeshtë habiten me këto talente që dalin, edhe politika e ka të domosdoshme që të habitet me këto zërat e rinj, mendjet e reja, shpesh shumë të kualifikuara që i vijnë politikës. Kështu që, shpresoj shumë në këto zërat e rinj që i vijnë politikës dhe Partisë Socialiste.
-Një ndër çështjet më me rëndësi për vitin 2012 është zgjedhja e Presidentit, edhe pse është ende shpejt. Janë përmendur emra si zonja Topallli, apo dhe zoti Nano. Të dyja palët kanë pretendimet e tyre për këtë çështje, a e shihni të mundur një president konsensual dhe si i shihni emrat e përfolur?
-Po, natyrisht është mendim shumë personal aq më tepër kur nuk flasim për një të shkuar, por flasim për një të ardhme dhe për këtë arsye edhe shkalla e gabimit mund të jetë shumë e lartë. Por shumë prerë nëse do më duhet të flisja shumë shkurt dhe pa argumente, do më duhet të thosha që po, do të jetë një President konsensual. Do të jetë Berisha që do të argumentojë që Shqipërisë i duhet një President konsensual dhe do të harrojë të gjitha llojet e fjalive që ka thënë deri tani, që do të jetë thjesht nga PD-ja. Emrat që përfliten para kohe, janë emra që nuk arrijnë dot në finish.
-Ku e bazoni arsyetimin që do të jetë konsensual, dhe nëse do të jetë i tillë, do të jetë i tillë nën ndikimin e ndërkombëtarëve, apo mendoni se do arrihet që të gjendet gjuha e përbashkët?
-Në tërë kontekstin, por kryesisht unë do të thoja që si shqiptarë që jemi ne jemi mësuar që ta shohim më shumë nga ndërkombëtarët. Por sërish do të thoja që nuk janë vetëm ato, pasi dita që kalon do të thoja që rrethanat i bën më shumë imponuese drejt një presidenti konsensual.
-E normalisht nuk mund të lëmë pa përmendur dhe një ngjarje tjetër të rëndësishme, që është hetimi i 21 janarit. Kemi parë sulme nga maxhoranca mbi Prokurorinë, janë përmendur emra personash që janë të përfshirë. A besoni në një hetim të mirë dhe të pavarur të kësaj ngjarje?
-E sigurt është që janë vrarë katër persona të pafajshëm, po ashtu e sigurt është që ata janë vrarë nga punonjës të Gardës. Po kështu, e sigurt është që ata janë vrarë pasi turma po tërhiqej dhe po shkonte drejt shtëpisë. Po kështu e sigurt është që ata qenë njerëz paqësor dhe të paarmatosur, që në mendjen e tyre kanë dashur që të protestojnë për hallet e tyre. Dhe tani është zbuluar që pjesa më e madhe e tyre kanë qenë jo me pak halle, nga ana ekomomike, po ashtu dhe nga çështja e demokracisë. Pavarësisht se mendimi i tyre ka qenë aq i kualifikuar sa e kërkojmë ne apo jo, sepse shpesh ne shqiptarët jemi mësuar që poezinë duam ta kërkojmë vetëm nga të mëdhenjtë, por nganjëherë poezinë më të madhe e ka dhe një shpirt i një njeriu të varfër që nuk i ka mundësitë që ti botojnë ato poezi. Kështu që unë do të thosha që pavarësisht nëse e kanë argumentuar apo jo në publik të katër personat që u vranë, e them me bindje të plotë për këtë ishin atje. I tërë ky kompleks ngjarjesh për më tepër kur del që ngjarja është bërë nga nivele të larta të gardës, arrin në një pikë shumë të rrezikshme, pra, tek urdhëruesit. Praktika shqiptare ka treguar që sa herë që është përzier politika në këto ngjarje është shumë e vështirë që ti shkohet të vërtetës deri në fund. Po ju përmend deputetin e vrarë nga PS-ja, po ashtu mund të përmend komunarin e vrarë, e plot e plot raste të tjera, ku politika nuk lë të shkohet deri në fund. Unë e mendoj që ka rezistencë të madhe, për njerëzit që duan të bëjnë epoke u duhet mjaft kohë. Por në disa raste na bie momenti që na bie për të bërë epokë, në këtë rast Prokurorisë i ka ardhur momenti për të bërë epokë. Po të kenë dëshirën e mirë ata nuk kanë asnjë pengesë që t’i pengojë, i kanë të gjitha mjetet dhe kushtet që të bëjnë një hetim të pavarur. Por edhe po nuk u realizua sot ai hetim është i mbetur aty, asnjëherë i vdekur si hetim. Është pak i përgjumur, por nesër do të zgjohet, kështu që është e sigurt që do të zgjohet. Është rast tejet i pastër për të marrë atë që meritojnë ato që e bënë këtë makabritet.
- Duke u ndalur paksa tek Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë që u zgjodh para pak kohësh, si i vlerësoni zgjedhjet që janë bërë dhe të aftë u duken për të menaxhuar situatën e vështirë ekonomike?
-Unë do të doja që kësaj pyetjes tuaj të mos i përgjigjesha pasi është ende shpejt për të folur. Nuk është çështje emrash dhe CV-je në Shqipëri. Po ashtu nuk është çështje njohjesh të njerëzve, unë nuk vuaj që të di CV-të e tyre, pavarësisht se i njoh, u di punët e shkuara dhe mund të flas për ta. Por në interes të publikut shqiptar dhe të tërë shqiptarëve edhe në interes të kësaj bisede që po bëjmë, nuk janë emrat është puna e tyre. Është shumë shpejt për të folur për punën e tyre, puna e tyre matet nga disa tregues, prandaj duhet të presim dhe disa kohë që të japim vlerësimin për ta. Shanset janë që ata të përmirësojnë shumë nga e shkuara, a e kanë apo jo këtë dëshirë, kanë shkuar apo jo me këtë vullnet, kjo mbetet për t’u parë në kohë. Le të urojmë edhe në emër të shqiptarëve që ata do ta kenë edhe dëshirën edhe njohuritë që mund të realizojnë në kohë atë që duhet. Sidomos pavarësinë e mendimit edhe atë mendimin që duhet të jetë i kualifikuar dhe të bëjnë një oponencë ndaj realitetit shqiptar dhe ndaj politikave të ekonomisë fiskale. Një shans të madh e kanë që është stafi i Bankës së Shqipërisë, ai është mjaft i përgatitur dhe po të shkundet pak nxjerr, jo pak miell i jep politikës monetare dhe politikës ekonomike të Shqipërisë.
-Flitet që janë ulur investimet e huaja, ndërkohë që, nga ana tjetër Kryeministri Berisha, flet për zhvillim ekonomik. Ju si ekspert që jeni si e vlerësoni situatën ekonomike në Shqipëri?
-Kryeministri s’është ekspert, ai me të tëra mangësitë e veta për ekonominë kërkon që të bëjë ekspertin. Ai për fatin tonë të keq ka dështuar totalisht në mjekësi, pasi kjo është totalisht e dështuar, i hidhet një fushe që nuk e njeh. Kështu që unë nuk mund të flas për një njeri profan, ndërsa po më thatë që ai ka këshilltarë, edhe kjo është që ka një dështim total. Nuk është më nevoja që të flitet, ishin vitet 2009, që mua më duhej të debatoja, sot nuk mund të diskutoj më. Sot është kurrizi i çdo shqiptari të thjeshtë që e kupton që ne ndodhemi para një realiteti, të cilin Kryeministri edhe pse profane, po të kishte dëgjuar edhe neve të opozitës do e kishte bërë Shqipërinë shumë herë më mirë. Ne jemi në një gjendje që na vjen keq, na turpëron duke dalë dhe jashtë duke na paraqitur një model që është i turpshëm, por ai e quan të suksesshëm, pasi është një model dështimi. Po ashtu ia ne na turpëron duke thënë që Shqipëria paska realizuar këtë dhe atë, dhe pse shifrat flasin ndryshe, edhe pse janë të manipuluara. Ju do shihni me kalimin e kohës se sa bosh do e ndjejnë veten në momentin që shifrat bien në kundërshtim. Sepse nga fillimi edhe mund të gënjehet, si Greqia me shifrat, sepse nuk mund të kapet kollaj. Por që do të vijë koha që ai do të ballafaqohet me shifrat që e kundërshtojnë njëra- tjetrën dhe do të ketë dhe ilaritet, ashtu siç edhe ka tani sa herë del sjell ilaritet për atë që ai thotë. Ndërsa mua këto më bëjnë që mos të dua fare ta komentoj. Ka qenë një poezi e preferuar nga unë “Lajthitje pranverore”edhe pse është dimër po e quaj ashtu. Por e keqja më e madhe është që Shqipëria është në një situatë, ekonomike, politike, sociale shumë të vështirë.
-Shteti ynë fqinj, Greqia, ndodhet në një situatë shumë të vështirë, madje aq sa rrezikon që të falimentojë, mund të na bëni një koment të shkurtër për situatën?
-Situata ekonomike në Greqi është keq, urojmë që të bëhet mirë, por shenjat nuk duken dhe aq mirë. Greqia është përpara një dileme shumë serioze, do të rrijë apo nuk do të rrijë në Euro. Por dhe po e kapërceu, këto ditë do të vendoset për një tranzh tjetër, po ashtu do të vendoset me investitorët privatë nëse do ta mbështesin ose jo Greqinë edhe për kësaj radhe. Por përsëri Greqia edhe për këtë tremujor do të ballafaqohet me situatën jo të mirë ekonomike. Por meqenëse kryeministri që është aktualisht ka qënë në të njëjtën kohë guvernator në të njëjtën kohë në bankën e Greqisë që isha dhe unë. Është dhe një urim i një miku për të ndryshuar për mirë situata, pasi në atë periudhë ne bashkëpunuam shumë mirë.
Ja pse duhen një palë zgjedhje të parakohshme
Por të paktën ekonominë e parashikoj keq në këtë vit, por edhe në 2013, po ashtu edhe ana politike edhe ana sociale më duken sikur po shkojnë keq. Urojë që të bëhen për së mbari, dhe po ashtu të kthejë për së mbari kjo qeveri. Do të preferoja që sa nuk është vonë të shohim mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme. Kryeministri nëse është dëshira e mirë t’i shpallë ato në maj në mënyrë që ta lërë pushtetin. Sepse në këtë rrugë është e sigurt që po na çon drejt një katastrofe nuk do të dëshiroja që ta thoja një katastrofë, por është shumë keq. Por po nuk arriti dot në majë në shtator ose maksimumi në tetor duhet. Mesa shoh ai po bëhet gati besoj, për këto zgjedhje, pavarësisht se ai po i mban sekret, ai nuk ka për ta kapur gafil opozitën, pasi kjo e fundit po bëhet gati. Kështu që e vetmja shpresë e tij është që të bërtasë si i fortë, sikur gjithçka është mirë në mënyrë që të mbajë rreth vetes që të mos e tradhtojnë, pasi po ndihet fryma e abandonimit. Pra, ai po bën të fortin, por dhe ai vetë e di që nuk ka më shpresë. Unë do të thoja që e vetmja shpresë është që ai të ndërtojë një strategji për zgjedhje të parakohshme.
-
1 - Here eshte lexuar ky Artikull -
Print version
- Fatos Nano drejt PS-së
- Flet astrologia Meri Shehu
- Dashuri engjëjsh
- Sondazhi në "Telegraf"
- Shpallen personalitetet e vitit 2010 në “Telegraf”, Ja më të preferuarit e publikut shqiptar



Publikoni komentin tuaj